LAJMI I FUNDIT:

A duhet shqiptarët të kenë frymë antiturke?

A duhet shqiptarët të kenë frymë antiturke?

Një tekst që ne botuam në Konica.al, shoqërues i një fotoje makabre ku dy ushtarë të Perandorisë Otomane në kalbëzim pozonin (si sot në selfiet moderne) përpara dy kokave të prera të rebelëve, apo nuk dihet se çfarë ishin, krijuan mjaft polemika. Në tekst thuhej: ushtarë turq dhe jo otomanë. Në thelb të komenteve kontestues ishte nevoja për saktësim: turq apo otomanë. Dhe, prej këtij saktësimi shkohet në një debat tjetër jo dhe aq latent në një pjesë të shoqërisë kosovare: a na ka bërë mirë perandoria otomane apo jo ?

Mbi rolin e Perandorisë Otomane


Teksti në fjalë me siguri meriton saktësim. Po, ata duhet të ishin ushtarë otomanë. Dhe, si të tillë mund të ishin dhe shqiptarë, grekë, apo çdo njeri prej shtetasve të Perandorisë së kohës. Po nuk ka qenë kurrë qëllimi i botuesve për të krijuar ndjenjë antiturke nëpërmjet botimit të asaj fotoje. Ajo ishte një kohë, kur jeta vlente pak, kur koka e njeriut ishte plaçkë lufte dhe ku për frikësimin e rebelëve, kokat e prera përdoreshin rëndom. Nuk kishte Konventa ndërkombëtare, as ndalim të dënimit me vdekje. Megjithë ngjashmërinë me pamjet e tmerrshme që vinë nga zonat e qeverisura nga ISIS, në shekullin e XXI-të, nuk ka qenë qëllimi të nxisim një ndjenjë armiqësore nda Turqisë mike, duke e identifikuar me Perandorinë Otomane.

Dikush mund të thotë pse jo vallë nuk duhet të barazojmë këto dy përkufizime? A nuk luan në marrëdhëniet ndërkombëtare, orientuar kah rajoni ynë, apo dhe më gjerë, Turqia e sotme me kartën e Perandorisë Otomane?

Nuk duhet t’ i barazojmë sepse në të njëjtën mënyrë do duhet të përkufizonim dhe Perandorinë Bizantine me grekët e sotëm, ndërkohë kur ajo perandori përbëhej dhe nga shqiptarët, serbët, grekët, dhe territoret e saj kishin shtrirje shumë të gjerë, etj. Jemi në kontradiktën e barazimit të pjesës me të tërën. Sigurisht, Turqia e sotme po përpiqet të luajë në një mënyrë diku të hapur, diku më diskrete me atë kartë, në përpjekje për të zgjeruar ndikimin e saj kulturor, ekonomik dhe politik. Mirëpo, kjo është puna dhe e drejta e Turqisë dhe nuk është puna dhe e drejta jonë, pasi nuk kemi mundësi ta korrigjojmë prej këndej ku jemi. Ne kemi mundësi dhe të drejtë të rregullojmë politikën tonë.

I njëjti parim vlen dhe për përpjekjet tona për të korrigjuar politikën amerikane, franceze (atë greke po se po). Ne duhet t’i njohim më së miri politikat e të tjerëve, për të ndërtuar politikat, sjelljet tona reaguese, por duhet të heqim dorë nga qasja egocentrike e Enver Hoxhës që i jepte mend Kinës nga Tirana prej të cilës nuk kishte dalë prej 1960-ës.

Në lidhje me Turqinë, duhet theksuar diçka realiste. Duke njohur njëlloj nostalgjie, njëlloj rrënjëzimi të kulturës otomane në viset tona, Turqia e sotme jo vetëm nëpërmjet produkteve kulturore si telenovelat, etj., por dhe nëpërmjet financimeve të komuniteve myslimane, ndërtimit të xhamive të vjetra, atyre të reja po bëhet gjithmonë e më e pranishme. Imagjinoni përshembull, telenovelat turke, janë popullore dhe në Greqinë e sotme.

Por, kjo gjë duket e mirëkuptueshme në sjelljet e shteteve: a nuk mban në këmbë për qëllime ekonomike, kulturore etj. dhe Britania e Madhe Komunuelthin, madje me mirëkuptimin e shteteve pjesëmarrëse, dikur koloni të saj ? Imagjinoni sikur Shqipëria jo katër milionëshe po 80 milionëshe, të ishte bartëse e historisë së një perandorie, sesi do të luanim ne me kartën e nostalgjisë. Jemi disa milionë banorë në viset tona, dhe disa të tjerë shpërndarë në Turqi, apo dhe në vise të tjera të ish Perandorisë Otomane, dhe me shumë të drejtë në përpjekje për të ngjallur ndjenjën kombëtare, flasim për panshqiptarizëm, për Shqipërinë e pashallëqeve, etj, etj. Vetëm flasim ama, dhe nuk veprojmë duke sulmuar askënd.

Duke mbetur sërish tek Turqia, ka tre rrafshe diskutimi. A ishte eksperienca jonë kombëtare, nën Turqinë brenda Perandorisë Otomane një eksperiencë e mirë? Jo, dhe për këtë e kanë dhënë përgjigjen rilindasit tanë. A ka momente të tjera negative midis dy vendeve dhe kombeve tanë? Po, sigurisht. Turqia moderne nuk ka qenë vizionare kundrejt Greqisë, me tolerimin e shpërnguljeve të komunitetit shqiptar atje në vitet ‘20. Po ashtu ka toleruar zhvendosjen e shqiptarëve nga Kosova në vitet ‘30 dhe
‘50. Por,. këto janë momente të së shkuarës në politikën e jashtme turke. Po në ditët tona?

Politika e Turqisë së sotme

Marrë në tërësi në dekadat e fundit, politika e jashtme e Turqisë ka qenë proshqiptare, madje dhe kur vetë Turqia ka relaksuar marrëdhëniet me Serbinë dhe Greqinë, dy shtete me të cilat ne kemi patur përplasje rregullisht.

Ne jemi rreshtuar me Perëndimin, ne duam të hyjmë në Bashkimin Evropian ku do të hyjë dhe Turqia, por kjo nuk duhet të na pengojë për të patur marrëdhënie miqësore me Turqinë.

Forma e regjimit që ka Turqia është punë e Turqisë. Ekspertët e demokracisë le ta kontestojnë atë, por në Turqi ka zgjedhje më të pranuara sesa tonat. Turqia ka shkuar gjithmonë e më shumë drejt në përqëndrimi autoritar të pushtetit, por vetëm imagjinoni forcat centrifugale, apo qendërikëse të brendshme, apo të jashtme që duan ta shkatërrojnë Turqinë në kohën e sotme. A ofron demokracia zgjidhje për të kontrastuar këto forca, në një popullsi me diferenca të thella zhvillimi, arsimimi etj.?

Turqia është një vend që ka ndihmuar Shqipërinë dhe Kosovën në ekonomi, ushtri, në politikën e jashtme, në mbështetjen e komunitetit mysliman, në arsim nëse doni. Mbështetja e saj është thelbësore në ekuilibrat tanë rajonalë, përkundrejt Serbisë apo Greqisë.

A ka tepri në përqafimin turk për vëllain shqiptar? Me siguri që ka, por ne duhet të mësohemi t’i gjejmë problemet tek vetja dhe jo tek tjetri.

A jemi të sigurt se kemi negociuar drejt për ato që kanë qenë proritetet tona të zhvillimit? Pra, a jemi të sigurt se i kemi kërkuar racionalisht Turqisë të na mbështesë në një drejtim dhe jo në një tjetër?

A jemi të sigurt se ishte mirë që besimtarët tanë të vazhdonin të kremtonin ritet e tyre në mes të bulevardit të Tiranës, diçka që i jepte vendit karakteristikat e një shteti monofetar, apo më mirë që morëm mbështetje për një xhami nga Turqia?

A ishte më mirë kur ky komunitet kishte rrëshkitur nën ndikimin e vendeve të Gjirit me financimet e veta? Apo duhet një ekuilibër në raportet e tij me jashtë?

Mos vallë do ishte më mirë që shteti t’i jepte gjithë pronat komuniteteve fetare dhe njëherazi të rriste kontrollin mbi financimet e jashtme?

Por, nëse këto komunitete nuk kanë para, nuk kanë prona, është e imagjinueshme që do të ndikoheshin prej parave nga jashtë, pra dhe nga Turqia. Ne e dimë se Turqia synon të identifikohet si shteti kryesor dhe më i fuqishëm i Islamit, dhe këtë e bën duke mbështetur ngritjen e xhamive kudo në vende me shumicë myslimane. Por kjo është sjellja e Turqisë, të cilën ne mund ta kontrastonim nëse do t’i kishim rikthyer pronat komuniteteve. Në një skenar të tillë, komunitetet do të ishin të pasura dhe nuk do të kishin nevojë as për ndihmë greke, dhe as për ndihmë turke. Shteti do duhej të frenonte njëlloj gjithë financimet dhe ndikimet nga jashtë.

Ne kemi një problem me Turqinë, por dhe në këtë problem nuk kemi kundërvënie publike, diçka që tregon marrëdhënie normale dhe respektuese mes nesh : çështjen e kolegjeve turke. Këto kolegje përfaqësojnë një realitet të suksesshëm dhe të ngulitur në sistemin tonë arsimor. Pas grushtit të shtetit atje, Turqia me siguri ka kërkuar mbylljen e tyre, por nuk e ka bërë këtë as me forcë, as me kushtëzime, as me kërcënime publike. Ne nuk dimë nëse vërtet Gylen ka ideuar apo ka marrë pjesë në grushtin e shtetit. Ama jemi në kushtet kur një shtet mik ka dhënë versionin e vet për këtë pjesëmarrje dhe sipas Konventave ndërkombëtare çdo shtet ka të drejtë të kërkojë dhe jashtë kufijve përndjekjen e një organizate apo individi që ajo e konsideron si terroriste. Ne kemi të drejtën tonë ta verifikojmë këtë pretendim me gjykatat tona, dhe gjithsekush mbetet në sinorin e vet. Edhe vetë organizata që mbështet këto shkolla, duhet të respektojë ligjin shqiptar dhe ligjin turk, duke treguar qartësisht se nuk është një organizatë konspirative, por ngushtësisht arësimore dhe kulturore.

Ja si një foto e së shkuarës nxit një debat aktual. Por, debati është më i mirë sesa pranimi i dogmave nga gjithsekush.