LAJMI I FUNDIT:

Diskutohet rishikimi i Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve

Diskutohet rishikimi i Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve

Ministria e Financave ka mbajtur sot takim me organizatat buxhetore, me qëllim të diskutimit të rishikimit të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2021-2023.

Me këtë rast, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami bëri të ditur se MF gjatë muajit prill të këtij viti hartoi këtë Kornizë duke u bazuar në një situatë socio-ekonomike të vështirësuar, e karakterizuar me pasiguri ekonomike për pjesën e mbetur të vitit, shkaktuar nga situata pandemike COVID-19.


Bajrami potencoi se MF ka përcjellë me kujdes treguesit kryesorë ekonomikë përgjatë muajve të fundit dhe shtoi se këta tregues sinjalizojnë se pritjet për fundin e vitit 2020 ndryshojnë në krahasim me periudhën kur është përgatitur KASH-i fillestar.

Andaj është parë e domosdoshme të bëhet rishikimi i KASH-it 2021-2023 në mënyrë që të reflektohen trendët makroekonomikë të shkaktuar nga pandemia dhe që kjo kornizë të merret parasysh nga organizatat buxhetore në procesin e përgatitjes së buxhetit për vitin 2021.

Gjithashtu, ajo bëri të ditur se së shpejti Ministria e Financave do t’iu dërgojë organizatave buxhetore qarkoren e re buxhetore me kufijtë që rrjedhin nga Rishikimi i Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2021-2023, të cilat do të jenë më të ulëta se ato të mëparshme, dhe kërkoi nga organizatat buxhetore që planifikimin e shpenzimeve ta bëjnë brenda këtyre kufijve. /Telegrafi/