LAJMI I FUNDIT:

Deputetët e AAK-së dhe Nismës s’heqin dorë nga rroga prej 1, 488 euro

Deputetët e AAK-së dhe Nismës s’heqin dorë nga rroga prej 1, 488 euro

Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kanë vendosur përfundimisht që t’i bojkotojnë seancat e Kuvendit të Kosovës.

Megjithatë, ata nuk kanë vendosur ende nëse do të dorëzojnë edhe mandatin e deputetit. Time Kadriaj, deputete e AAK-së, ka thënë për lajmi.net se ky vendim ende nuk është marrë nga Grupi Parlamentar. Si rrjedhojë, këta deputetë do të vazhdojnë të marrin pagën bazë prej 1,488 eurosh, pa llogaritur mëditjet që merren në seancë plenare dhe punimeve në komisione parlamentare.


“Nuk e dimë ende si do të veprojmë. Ne e kemi mandatin e deputetit dhe sipas Rregullores së Kuvendit, mund ta mbajmë këtë pozitë deri në gjashtë muaj në mungesë”, ka deklaruar Kadriaj.

Sipas Rregullores së Kuvendit, deputetëve mund t’u humb mandati nëse mungojnë për gjashtë muaj dhe nuk arrijnë të arsyetojnë mungesën e tyre.

Edhe deputeti nga radhët e Nismës për Kosovën, Haxhi Shala, thotë se nuk kanë marrë vendim për të dorëzuar mandatin.

“Ne ende jemi duke u konsultuar me partitë opozitare për veprimet e mëtutjeshme”, është shprehur Shala, raporton lajmi.net

Shala dhe Kadriaj kanë pohuar se mosdorëzimi i mandatit të deputetit, nuk nënkupton që mund të kthehen në seancat e Kuvendit.

Kjo sipas tyre, do të varet nga situata politike dhe marrëveshjet brenda partive opozitare. Lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar se varësisht nga zhvillimet politike, do të marrin pjesë në seancat e Kuvendit të Kosovës.