LAJMI I FUNDIT:

Demokracitë kryesore të botës po përballen me vështirësi në qeverisje

Demokracitë kryesore të botës po përballen me vështirësi në qeverisje

Burimi: The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Sipas Jake Sullivanit, këshilltarit për sigurinë kombëtare të presidentit Joe Biden, G7-a është “komiteti drejtues i botës së lirë”. Nëse është kështu, bota e lirë ka një problem. Shumica e qeverive të vendeve të G7-ës janë aq të ngarkuara me probleme të brendshme politike, saqë janë të paafta të drejtojnë vendet e veta dhe aq më pak botën e lirë.

Merrni në konsideratë situatat politike në Francë, Gjermani, Kanada, Japoni dhe Korenë e Jugut (e fundit nuk është anëtare zyrtare e G7-ës, por merr pjesë rregullisht në samite). Në Francë, qeveria ra kohët e fundit pasi nuk arriti të miratonte buxhetin. Një kryeministër i ri është përcaktuar në detyrë, por do të përballet me të njëjtat probleme. Ka shumë spekulime se Emmanuel Macroni do të japë dorëheqjen si president – përpara përfundimit të planifikuar të mandatit të tij në vitin 2027.


Gjermania po shkon drejt zgjedhjeve, pas shpërbërjes së koalicionit të “semaforit” të udhëhequr nga Olaf Scholz. Zgjedhjet e fundit në Japoni bënë që Partia Liberal Demokratike [PLD] në pushtet, të humbasë shumicën – për herë të parë që nga viti 2009, me një tjetër palë zgjedhjesh të pritshme për vitin e ardhshëm. Në Kanada, afrimi një dekade në pushtet nga Justin Trudeau po përfundon në një mënyrë të padenjë. Me partinë e tij shumë mbrapa në sondazhe, kryeministri është nën presion të madh për të dhënë dorëheqjen.

Kulmi i rënies demokratike është në Korenë e Jugut, ku pozita politike e presidentit Yoon Suk Yeol u bë aq e dëshpëruar saqë shpalli ligjin ushtarak. Protestat popullore e detyruan shpejt të tërhiqej, gjë që çoi në shkarkimin e tij nga detyra.

Përtej ShBA-së, të vetmet dy vende të G7-ës që mund të pretendojnë se kanë një qeveri të qëndrueshme janë Mbretëria e Bashkuar dhe Italia. Kryeministri i Britanisë, Keir Starmer, fitoi një shumicë të madhe në zgjedhjet e kësaj vere. Por, vlerësimet për të në sondazhe kanë rënë me shpejtësi. Në fakt, Starmeri është tani më i papëlqyeri pas pesë muajsh në detyrë, krahasuar me çdo kryeministër britanik në katër dekadat e fundit. Vetëm Giorgia Meloni e Italisë mund të pretendojë se gëzon mbështetje të qëndrueshme – si nga votuesit ashtu edhe nga tregjet.

Atëherë, çfarë po i shqetëson vendet e G7-ës? Si gjithmonë, konteksti lokal ka rëndësi. Në Japoni, skandalet e korrupsionit kanë dobësuar PLD-në. Macroni dhe Trudeau janë liderët që kanë humbur shkëlqimin, pas shumë viteve në detyrë.

Por, duket se ekzistojnë dy faktorë të mëdhenj që po e bëjnë shumë të vështirë, për pothuajse të gjitha demokracitë e G7-ës, mbajtjen e një qeverie të qëndrueshme. I pari është rënia e qendrës politike dhe ngritja e partive populiste. I dyti është presioni fiskal i krijuar nga rritja e ngadaltë ekonomike, shoqëritë në plakje, pandemia, kriza financiare e vitit 2008 dhe kërkesat për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen.

Populizmi dhe problemet fiskale po ushqejnë njëri-tjetrin, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë qeverisjen. Qeveria e Francës u rrëzua pasi u përpoq të ulte shpenzimet dhe të rriste taksat për të luftuar një deficit buxhetor prej gjashtë për qind të PBB-së. Meqenëse një pjesë e madhe e Parlamentit francez është në duart e së majtës ekstreme ose të së djathtës ekstreme, është jashtëzakonisht e vështirë të arrihen kompromiset politike.

Shumica e madhe e Starmerit në Britani bëri të mundur që qeveria e tij të bënte atë që qeveria franceze nuk arriti të bënte – të rriste taksat për të balancuar buxhetin. Por, rritja e taksave ka kontribuar në rënien e popullaritetit të laburistëve. Vështirësia për të gjetur para në kohë të vështira ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në krizat politike në Kanada dhe Japoni.

Kthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë ka të ngjarë të kontribuojë në atmosferën e paqëndrueshmërisë politike në të gjithë G7-ën. Në vend që të përpiqet të ndihmojë qeveritë e aleatëve të tij demokratikë, Trumpi dhe i preferuari i tij aktual, Elon Musk, duket se kënaqen duke i vështirësuar gjërat. Republikanët e Maga-s [Make America Great Again] sidomos pëlqejnë të ngacmojnë liderët e qendrës së majtë, si Trudeau, Scholz dhe Starmer.

Trumpi ka bërë përpjekje për ta poshtëruar Trudeaun, duke iu referuar Kanadasë si “shteti i 51-të i Amerikës” dhe kryeministrit të saj si “guvernatori” i këtij shteti. Musku ka bërë bujë në gjithë Evropën duke postuar në X: “Vetëm AfD-ja [Alternativa për Gjermaninë] mund ta shpëtojë Gjermaninë”. Ai ka mbajtur gjithashtu një takim – të cilit i është dhënë publicitet – me Nigel Faragein, liderin e Reformës në Britani, i cili ka bërë të qartë se shpreson për mbështetje financiare nga Musku.

Republikanët e Trumpit nuk i konsiderojnë më konservatorët tradicionalë në Evropë si parti simotra. Kemi Badenoch, liderja e torëve në Britani, dhe Friedrich Merz, lideri i kristiandemokratëve të Gjermanisë, mund të jenë të zhgënjyer ndërsa Trumpi dhe Musku u afrohen të djathtës radikale dhe nacionaliste. Christian Lindner, lideri i Demokratëve të Lirë pro-biznes në Gjermani, bëri një apel të dëshpëruar ndaj “Elon”-it, duke e informuar atë se AfD-ja është një “parti ekstreme e djathtë”. Në mënyrë prekëse, ai duket se besoi që kjo do ta bindte Muskun që të tërhiqej.

Partia CDU e Merzit aktualisht është shumë përpara AfD-së në sondazhet për zgjedhjet gjermane. Por, partitë populiste dhe të djathta ekstreme, në të gjithë G7-ën, tani ashiqare kanë një mik në Shtëpinë e Bardhë. Musku mund të ndihmojë me publicitet partitë si AfD-ja dhe Reforma – dhe ndoshta me financa. Por, mbështetja e tij mund të ketë edhe pasoja negative. Partia nacionaliste Tubimi Kombëtar i Francës, ka një traditë të fortë antiamerikane dhe do të jetë e kujdesshme që të mos duket si vegël e të huajve të pasur.

Ndërhyrjet e Trumpit mund të mos sigurojnë vendosjen e aleatëve të tij ideologjikë në krye të pjesës tjetër të G7-ës. Në vend të kësaj, ai mund të krijojë një situatë ku liderët e shumë prej aleatëve më të ngushtë të Amerikës ta shohin presidentin e ShBA-së jo si një mik, por si një armik të rrezikshëm politik. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Rizarta akuzon produksionin në transmetim direkt se kanë publikuar bisedën e saj pa autorizim: Mendoja se po flisja me psikologen, nuk e dija që do jepej ky klip

Rizarta akuzon produksionin në transmetim direkt se kanë publikuar bisedën e saj pa autorizim: Mendoja se po flisja me psikologen, nuk e dija që do jepej ky klip

Magazina
Në Pejë do të ndërtohet fabrika e parë për prodhimin e municioneve, me mbështetje amerikane

Në Pejë do të ndërtohet fabrika e parë për prodhimin e municioneve, me mbështetje amerikane

Lajme
Zëvendëspresidenti amerikan i përgjigjet kritikave të ashpra të kushëririt që luftoi në krah të ukrainasve

Zëvendëspresidenti amerikan i përgjigjet kritikave të ashpra të kushëririt që luftoi në krah të ukrainasve

Amerika
Tifozët nuk mund ta besojnë atë që ndodhi menjëherë pas super golit që shënoi Lamine Yamal për Barcelonën

Tifozët nuk mund ta besojnë atë që ndodhi menjëherë pas super golit që shënoi Lamine Yamal për Barcelonën

Liga e Kampionëve
Shkelzeni, i eliminuari i radhës nga Big Brother VIP Albania 4

Shkelzeni, i eliminuari i radhës nga Big Brother VIP Albania 4

Magazina
Ndodh në Ligën e Kampionëve: Ndërpritet ndeshja, yjet e Barcelonës dhe Benficas bëjnë iftar

Ndodh në Ligën e Kampionëve: Ndërpritet ndeshja, yjet e Barcelonës dhe Benficas bëjnë iftar

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori