LAJMI I FUNDIT:

Dëmet nga shkrimi on-line i historisë sonë të re

Kohëve të fundit disa medie tona i janë sulur “zbardhjes” së disa zhvillime të ndodhura brenda UÇK-së gjatë kohës së luftës së saj. Sigurisht se është në të drejtën e tyre të vendosin se me çka do ta mbushin hapësirën e vet mediatike, eventualisht ta bëjnë atë sa më atraktive dhe të shkueshme (lexueshme) për opinionin. Kjo “kureshtje” mediatike ndodh paralelisht me aksionet e një misioni evropian që sundimin e ligjit në Kosovë sot, e ka reduktuar vetëm në shqetësimet apo vrasjet që i kanë pësuar tradhtarët e kombit gjatë kohës së luftës, apo ndonjë zënkë ndërmjet vëllezërish që bashkërisht luftonin për lirinë e kombit.

Ajo që bie në sy më së shumti te gazetarët lidhur me periudhën e UÇK-së, është sikur për ta ato ngjarje të kishin ndodhur diku në Hënë, e jo në vendin e tyre, në UÇK-në e tyre. Pyetjet e tyre janë shumë të fokusuara në raportet e atëhershme ndërpersonale të luftëtarëve të UÇK-së, e shumë pak për betejat e UÇK-së. Nga ana tjetër, ajo që bie në sy më së shumti tek të intervistuarit, eventualisht personazhet e atyre zhvillimeve është rrëfimi gjithnjë në veten e parë njëjës, “unë”, e shumë pak i së parës shumës, “ne”.


Lufta e UÇK-së, si “vazhdim i politikës me mjete tjera”, vështruar vetëm nga këndvështrimi politik dhe rezultateve të korrura politike, është një nga veprat më të mençura politike që ka ndjekur kombi ynë gjatë historisë. Se cilët ishin faktorët politik dhe gjeopolitik, sidomos ndërkombëtar që ndihmuan një rezultat të tillë, e ardhmja do ta tregojë edhe më mirë nga ç’duket tani. Ajo që e shohim të gjithë tani është shkëputja e madhe historike për shqiptarët që solli momenti i kësaj lufte. Kjo e vërtetë e madhe, ky ndryshim pozitiv i kursit të historisë së një kombi dhe mundësitë që ofrohen tashmë, janë të njohura nga të gjithë kalendarët e historisë politike botërore. Kjo e vërtetë e madhe dihet sidomos nga ata që na gjakosën historinë dhe të cilët do të përpiqen që gjithsesi t’i pengojnë mundësitë tona që i kemi përpara.

Andaj, historia jonë më e re, me të drejtë është futur edhe në zhargonin tonë të përditshëm në të gjitha nivelet e komunikimit si “periudha pas luftës”, ashtu si historia botërore i referohet periudhave historike “para dhe pas erës së re”.

Por, ashtu si ngjarjet e mëdha historike të kombeve shpërthejnë si pasojë e një akumulimi të gjatë energjish për të arrirë një qëllim të caktuar, edhe pasqyrimi i tyre në letër, pra shkruarja e historisë së tyre, kërkon kohën e vet të nevojshme. Janë të njohura teoritë se historia e vërtetë shkruhet pas kaq apo aq vitesh.

Çfarë po ndodhë me shkruarjen e historisë sonë më të re?

Motivi i vërtetë, që mund ta quanim si motiv qorr, i gjithë këtij mundi mediatik duket se shkon më tej sesa u tha më lartë. Duke pasur parasysh stadin zhvillimor të shtetit tonë, duke pasur parasysh prioritetet e shoqërisë sonë, trumbetimi i tepruar i temave të tilla dhe fryrja e tyre, mund ta rritë shikueshmërinë (lexueshmërinë), ashtu siç po bëjnë serialet latino-amerikane, por nuk i ndihmon aspak historisë së Kosovës. Brenda vendit, tema të tilla vend e pa vend, krijojnë përçarje politike. Sidomos kur kemi parasysh se disa nga protagonistët e shumë zhvillimeve në UÇK, që prej nisjes dhe rritës së saj, janë njerëz aktiv në politikë, për më tepër, gjë që është fare e natyrshme, ata janë nëpër parti të ndryshme. Ajo që s’është e natyrshme këtu është (keq)interpretimi apo shfrytëzimi i historisë kombëtare për interesa partiake, qoftë edhe duke marrë pjesë edhe vet në atë histori. Është e qartë se individët e kanë rolin e tyre në ngjarje të mëdha kolektive, por assesi ata nuk mund të dalin mbi to, assesi ata s’mund t’i personalizojnë ato.

Kurse nga jashtë vendit, marrë parasysh nivelin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës sot, nga histori personale, armiqtë tanë mund të krijojnë histori kolektive kundër nesh dhe t’ia shërbejnë asaj pjese të opinionit botëror që ende s’ka marrë mundin ta njohë historinë tonë të vërtetë.

Heronjtë tanë të luftës, ata që janë tani në politikë, nuk do të thotë që të jenë edhe heronj të politikës. Bazuar në vlerësimin e secilit, se jemi në pluralizëm, secili mund ta kritikojë aktivitetin e tyre politik sot. Por është e turpshme që kjo të bëhet duke ua mohuar edhe heroizmin e tyre në luftë. Lufta jonë çlirimtare është pasuri kombëtare, e partitë politike mund të jenë të fuqishme sot, por të zhduken nesër.

Si për ata që dëshirojnë t’i shohin “njerëzit e luftës” bashkë, si për ata që kanë interes t’i shohin të përçarë, “udhëheqësit e një lufte çlirimtare kanë prirje të jenë heronj, dhe heronjtë në përgjithësi nuk kanë shokë të kënaqur” (H. Kisingjer).