LAJMI I FUNDIT:

Cilat dëshira janë politikisht të rëndësishme?

Cilat dëshira janë politikisht të rëndësishme?
Bertrand Russell

Nga: Bertrand Russell
Përktheu: Avni Spahiu

– Ligjërata e nobelistit të letërsisë, 11 dhjetor 1950 –

Kam zgjedhur këtë temë për ligjëratën time të sotme ngaqë mendoj se diskutimet më të vona të politikës dhe teorisë politike marrin në masë të pamjaftueshme parasysh psikologjinë. Faktet ekonomike, statistikat popullative, organizatat konstitucionale, e kështu me radhë, paraqiten në mënyrë të hollësishme. Nuk është vështirë të zbulohet se sa koreano-jugorë dhe sa koreano-veriorë ka pasur kur filloi Lufta e Koresë. Nëse do të shikoni në libra të duhur, do të jeni në gjendje të mësoni se sa kanë qenë të hyrat e tyre për krye banori dhe çfarë ka qenë madhësia e ushtrive të tyre gjegjëse. Por, nëse doni të dini se çfarë lloj njeriu është koreani dhe nëse ka ndonjë ndryshim të konsiderueshëm midis një koreani verior dhe një jug-koreani, nëse doni të dini se çfarë presin ata nga jeta, cilat janë pakënaqësitë e tyre, cilat janë shpresat dhe nga çka kanë frikë ata, me një fjalë, ç’është ajo që, siç thonë ata, ‘u bënë atyre tik’, do të shihni më kot në libra të referencës.

Dhe, kështu ju nuk mund ta thoni nëse jugkoreanët janë entuziastë të OKB-së, apo do të parapëlqenin të bashkoheshin me kushërinjtë e tyre në veri. Nuk mund të thoni as nëse ata janë të gatshëm të ndërmarrin reforma agrare me kusht të privilegjimit të ndonjë politikani për të cilin nuk kanë dëgjuar kurrë. Pyetje të tilla shpërfillen nga njerëz të shquar që rrinë ulur në kryeqytete të largëta, gjë që shpesh shkakton zhgënjim. Po të bëhej politika ekonomikë dhe sikur ngjarja nuk do të ndryshonte vazhdimisht aq papritur, do të ishte e domosdoshme që mendimi ynë politik të depërtonte më thellë në burimet e veprimit njerëzor. Cili është ndikimi i urisë në parulla? Si luhatet efektiviteti i tyre me numrin e kalorive në dietën tuaj? Nëse një njeri ju ofron demokraci, kurse një tjetër ju ofron një hejbe grurë, në ç’etapë të urisë do të parapëlqenit grurin para votës? Pyetje të tilla merren parasysh fare pak. Megjithëkëtë, më lejoni, tani për tani, t’i harroj koreanët dhe të merrem me racën njerëzore.

E tërë veprimtaria njerëzore nxitet nga dëshira. Ka një teori tërësisht të gabuar që avancohet nga disa moralistë të sinqertë që thonë se është e mundur t’i bëhet ballë dëshirës në interes të detyrës dhe parimit moral. Unë them se kjo është e gabuar, jo ngaqë njeriu nuk vepron asnjëherë nga një ndjenjë e detyrës, por ngaqë detyra nuk e kontrollon atë nëse ai nuk dëshiron të jetë i detyrueshëm. Nëse doni të dini se çfarë do të bëjnë njerëzit, ju duhet të dini jo vetëm, apo në parim, rrethanat e tyre materiale, por edhe tërë sistemin e dëshirave të tyre me forcë relative.

Ka ca dëshira që, ndonëse shumë të fuqishme, zakonisht nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe politike. Shumica e njerëzve, në ndonjë periudhë të jetës së tyre, dëshirojnë të martohen, por zakonisht ata mund ta plotësojnë këtë dëshirë pa qenë të detyruar të ndërmarrin ndonjë veprim politik. Natyrisht, ka përjashtime; dhunimi i grave sabinase është një rast i tillë. Ndërkaq, zhvillimi i Australisë veriore pengohet seriozisht nga fakti se djem të rinj energjikë, që duhet të merren me punë, nuk duan që të jenë të deprimuar nga shoqëria me femra. Por raste të tilla janë të pazakonshme dhe, në përgjithësi, interesimi që kanë burrat dhe gratë për njëri-tjetrin ka ndikim të vogël në politikë.

Dëshirat që janë politikisht të rëndësishme mund të ndahen në një grup parësor dhe dytësor. Në grupin parësor hyjnë nevojat e jetës: ushqimi, strehimi dhe veshmbathja. Kur këto gjëra bëhen shumë të kërkuara, nuk ka një kufi të përpjekjeve që njerëzit nuk do të bëjnë, apo të dhunës që nuk do të tregojnë, me shpresë të sigurimit të tyre. Thuhet nga studiues të historisë së hershme se, në katër raste të veçanta, thatësirat në Arabi kanë bërë që popullatat e atij vendi të vërshojnë në rajonet përreth, me efekte të jashtëzakonshme politike, kultu­rore dhe fetare. E fundit nga këto katër raste ishte ngritja e Islamizmit. Përhapja graduale e fiseve gjermane nga Rusia jugore në Angli, pastaj në San Francisko, kishte motive të ngjashme. Pa dyshim, dëshira për ushqim ka qenë dhe ende është një nga shkaqet kryesore të ngjarjeve të mëdha politike.

Por njeriu ndryshon nga kafshë të tjera në një aspekt shumë të rëndësishëm dhe ky është se ai ka disa dëshira, të cilat janë, të themi kështu, infinitve, që nuk mund të plotësohen kurrë plotësisht dhe që do ta mbanin atë të trazuar edhe në Parajsë. Gjarpri i boas, kur të ketë ngrënë mirë dhe të ketë rënë në gjumë, nuk do të zgjohet deri kur do të ketë nevojë të hajë prapë. Qeniet njerëzore, të shumtën e rasteve, nuk janë të tillë. Kur arabët, që ishin mësuar të jetonin me disa hurma, shtinë në duar pasurinë e Perandorisë Romake Lindore dhe banonin në pallate në luks pothuajse të pabesueshëm, ata nuk u bënë, me këtë rast, joaktivë. Uria nuk mund të ishte më motiv, ngaqë skllevërit grekë u sillnin atyre ushqime me një lëvizje koke. Por dëshira të tjera i mbajtën ata aktivë: katër në veçanti, që ne mund t’i quajmë përvetësimi, rivaliteti, mburrja dhe dëshira për pushtet.

Përvetësimi – dëshira për të pasur sa më shumë të mira, apo të drejtën mbi të mirat është një motiv, i cili, ma merr mendja, ka burimin e vet në një kombinim të frikës dhe dëshirës për t’i përmbushur nevojat. Një herë krijova një miqësi me dy vasha nga Estonia që për pak i kishin shpëtuar vdekjes nga uria në kohë zie. Ato jetonin me familjen time dhe, natyrisht, kishin mjaft për të ngrënë. Por ato kalonin tërë kohën e tyre të lirë duke vajtur nëpër fermat fqinje për të vjedhur patate, të cilat ato i grumbullonin. Rokfeleri, i cili në fëmijërinë e tij kishte përjetuar një varfëri të madhe, kalonte jetën e tij të pjekur në një mënyrë të ngjashme. Po ashtu, kryeparët arabë në divanet e tyre të mëndafshtë bizantinë s’mund ta harronin shkretë­tirën, ndonëse pasuritë e grumbulluara tejkalonin çfarëdo nevoje të mundshme fizike. Por, çfarëdo që të mund të jetë psikanaliza e përvetësimit, askush nuk mund të mohojë se ai është një nga motivet e mëdha – sidomos në mesin e më të fuqishmëve, ngaqë, siç thashë më parë, është një nga motivet infinitivë. Sado shumë që do të mund të përvetësoni, ju gjithmonë do të dëshironi të përvetësoni më shumë; ngopja është një ëndërr që gjithmonë do t’ju shmanget.

Por, përvetësimi, ndonëse është në zemër të sistemit kapitalist, nuk është assesi nga motivet më të fuqishme që ia tejkalojnë pushtimit të urisë. Rivaliteti është një motiv edhe më i fortë. Sa e sa herë në historinë muhamedane dinastitë janë kapluar nga zia nga që bijtë e ndonjë sulltani nga nëna të ndryshme nuk mund të pajtoheshin dhe në luftën civile që pasonte shkaktohej rrënim i përgjithshëm. E njëjta gjë ndodh në Evropën moderne. Kur Qeveria Britanike me aspak mençuri lejoi Kajzerin të ishte i pranishëm në një inspektim të marinës në Spit-hed, mendimi që i erdhi në mendje nuk ishte ai që ne kishim ndërmend. Ajo që ai mendonte ishte: “Më duhet të kem një marinë po kaq të mirë sa të Gjyshes”. Dhe, nga ky mendim rrodhën të gjitha telashet tona të mëpasshme. Bota do të ishte një vend më i lumtur nga ç’është sikur përvetësimi të kishte qenë më i fortë se rivaliteti. Por, në fakt, shumë njerëz të mëdhenj me dëshirë do të përballeshin me varfërinë po të mund të siguronin me këtë rrënimin e plotë të rivalëve të tyre. Këtu e ka burimin edhe niveli i tatimit.

Mburrja është një motiv me fuqi të madhe. Kushdo që ka të bëjë me fëmijët e di se si ata vazhdimisht bëjnë ndonjë marifet dhe thonë, “shikomëni mua”. “Më shikoni” është një nga dëshirat më themelore të zemrës njerëzore. Ajo mund të marrë forma të panumërta, që nga karagjozllëku deri te ndjekja e famës pas vdekjes. Ka qenë një princush i Rilindjes italiane, të cilin e pyeti prifti në shtratin e vdekjes nëse kishte diçka për t’u penduar. “Po”, i tha ai, “ka një gjë. Një herë m’u desh të vizitoja perandorin dhe papën përnjëherë. I nxora në majën e keshtjellës për të parë pamjen dhe nuk e shfrytëzova rastin t’i hidhja që të dy poshtë, gjë që do të më kishte dhënë famë të pavdekshme”. Historia nuk e thotë nëse prifti i dha atij pre­hjen. Një nga telashet me mburrjen është se ajo rritet nga ajo me të cilën ushqehet. Sa më shumë që të flasin për ju, aq më shumë dëshironi që të flasin. Vrasësi i dënuar që lejohet t’i shikojë shkrimet nga gjykimi i tij në shtyp inatoset nëse gjen ndonjë gazetë që nuk ka raportuar si duhet. Dhe, sa më shumë artikuj që do të gjejë ai në gazeta të tjera, aq më i inatosur do të bëhet me ata që raportet i kanë të mangëta. Politikanët dhe letrarët hyjnë në rastin e njëjtë. Sa më shumë të famshëm që do të bëhen, aq më e vështirë do ta ketë agjencia e prerjes së artikujve të gazetave t’i kënaqë ata. Është gati e pamundshme të zmadhohet ndikimi i mburrjes gjatë tërë vijës së jetës njerëzore, nga fëmija i moshës trevjeçare deri te pushtetari nga mrrolja e të cilit dridhet bota. Njerëzimi madje ka treguar mosrespektim e vet edhe duke i atribuuar dëshira të ngjashme Perëndisë, të cilin ata e konsiderojnë si lakmues të lavdërimit të vazhdueshëm.

Por, sado i madh që të jetë ndikimi i motiveve që shqyrtu­am, është një që ua kalon që të gjithave. Dua të them, dëshira për pushtet. Dëshira për pushtet është e afërt me mburrjen, por nuk është assesi e njëjta gjë. Ajo për të cilën ka nevojë mburrja për t’u plotësuar është lavdia dhe është lehtë të kesh lavdi pa pushtet. Njerëzit që gëzojnë lavdinë më të madhe në Shtetet e Bashkuara janë yjet e filmit, por atyre mund t’u tregohet vendi nga Komiteti për Aktivitete Joamerikane, që nuk gëzon kurrfarë lavdie. Në Angli, mbreti ka më shumë lavdi sesa kryeministri, por kryeministri ka më shumë pushtet sesa mbreti. Shumë njerëz parapëlqejnë lavdinë para pushtetit, por në tërësi këta njerëz kanë ndikim më të vogël në kahen e ngjarjeve nga ata që parapëlqejnë pushtetin ndaj lavdisë. Kur Blücher, në vitin 1814, pa pallatet e Napoleonit, ai tha: “Ç’budalla që paska qenë ai që duke pasur të tërë këtë ka vrapuar pas Moskës”. Napoleoni, i cili, pa dyshim, nuk ka qenë skamnor i mburrjes, parapëlqente pushtetin kur duhej të zgjidhte. Për Blyherin kjo zgjedhje ishte e marrë. Pushteti, sikur mburrja, është i pangopshëm. Asgjë pos gjithëpushtetit nuk mund ta kënaqë atë në tërësi. Dhe, pasi që ky është një ves i njerëzve energjikë, efikasiteti shkakor i dëshirës për pushtet është jashtë çdo proporcioni të dendësisë së saj. Ky është, në të vërtetë, motivi larg më i fuqishëm në jetën e njerëzve të rëndësishëm.

Dëshira për pushtet rritet dukshëm nga përvoja e pushtetit dhe kjo vlen edhe për pushtetin e vogël si dhe për atë të push­tetarëve të mëdhenj. Në ditët e lumtura të para vitit 1914, kur zonjat e pasura mund të mbanin shumë shërbëtorë, kënaqësia e tyre në ushtrimin e pushtetit mbi shtëpiakët rritej vazhdi­misht me moshën. Po ashtu, në çdo regjim autokratik bartësit e pushtetit bëheshin gjithnjë më tiranikë me përvojën e kënaqësisë që u kishte sjellë pushteti. Pasi që pushteti mbi qeniet njerëzore tregohet duke i bërë ata të bëjnë atë që në të vërtetë nuk do të dëshironin ta bënin, njeriu që është i shtyrë nga dëshira për pushtet është më i prirë për të shkaktuar dhembje sesa për të lejuar kënaqësi. Po t’i kërkoni shefit tuaj t’u japë leje nga zyra me ndonjë rast legjitim, dëshira e tij për pushtet do të shkaktojë më shumë kënaqësi nga refuzimi sesa nga pajtimi. Nëse kërkoni një leje ndërtimi, zyrtari i vogël në fjalë do të ndiejë më shumë kënaqësi duke ju thënë “jo” sesa duke ju thënë “po”. Është ky lloj i gjërave që bën dëshirën për pushtet një motiv kaq të rrezikshëm.

Por, ajo ka edhe anë të tjera që janë më të dëshirueshme. Ndjekja e diturisë është, mendoj, e nxitur kryesisht nga dëshira për pushtet. Të tilla janë edhe të gjitha avancimet në metodën shkencore. Edhe në politikë, një reformator mund të ketë një dëshirë po aq të madhe për pushtet sa dhe një despot. Do të ishte plotësisht gabim ta fajësonim për të gjitha dëshirën për pushtet si motiv. Se a do të udhëhiqeni nga ky motiv në veprime që janë të dobishme, apo në veprime që janë të dëmshme, varet nga sistemi shoqëror dhe nga aftësitë tuaja. Nëse aftësitë tuaja janë teorike apo teknike, ju do t’i ndihmoni diturisë apo teknikës dhe, zakonisht, veprimtaria juaj do të jetë e dobishme. Nëse ju jeni një politikan ju mund të nxiteni nga dëshira për pushtet, por zakonisht ky motiv do të bashkohet me dëshirën për të parë realizimin e ndonjë gjendjeje që, për ndonjë arsye, ju e parapëlqeni kundruall status-kuosë.

Një gjeneral i madh, si Alqibiades, mund të jetë fare indiferent se në cilën anë lufton, por shumica e gjeneralëve kanë dëshiruar të luftojnë për vendin e tyre dhe, kështu, kanë pasur motive të tjera nga dëshira për pushtet. Politikani mund ta ndërrojë anë aq shpesh sa të gjendet gjithmonë në mazhorancë, por shumica e politikanëve pëlqejnë një parti ndaj të tjerave dhe nën­shtrojnë dëshirën e tyre për pushtet te kjo preferencë. Dëshira për pushtet sa më e pastër që është e mundur mund të shihet te tipa të ndryshme të njerëzve. Një tip është ushtari i fatit, ku Napoleoni është shembull sipëror. Napoleoni, ma merr mendja, nuk kishte preferencë ideologjike ndaj Korsikës, por po të ishte bërë perandor i Korsikës ai nuk do të ishte bërë njeri aq i madh siç u bë duke pretenduar se ishte francez. Njerëz të tillë, megjithëkëtë, nuk janë shembuj shumë të pastër, ngaqë edhe ata nxjerrin kënaqësi të jashtëzakonshme nga mburrja.

Tipi më i pastër është ai i eminencës gri – pushteti prapa fronit që kurrë nuk del publikisht dhe që vetëm sa kënaqet në mendimin e fshehtë: “Sa pak dinë këto kukulla se kush i ka penjtë në dorë”. Baroni Holstain, që kontrollonte politikën e jashtme të Perandorisë Gjermane nga viti 1890 deri më 1906, ilustron këtë tip deri në përkryerje. Ai jetonte në një lagje të varfër, kurrë nuk paraqitej në shoqëri, i ikte takimit me perandorin, pos me një rast të vetëm, kur nuk e la rasti të mos e takonte perandorin, ai refuzonte të gjitha ftesat në funksionet oborrtare, me arsyetimin se s’kishte kostum oborrtari. Ai kishte zbuluar fshehtësi që i bënin atij të mundur të shantazhonte Kancelarin dhe shumë nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Kajzerit. Ai përdorte fuqinë e shantazhimit jo për të arritur pasuri apo famë, apo ndonjë avantazh tjetër të qartë, por vetëm për ta detyruar miratimin e politikës së jashtme që ai preferonte. Në Lindje karaktere të ngjashme nuk kanë qenë të pazakonshëm në mesin e eunukëve.

Kam arritur tani te motive të tjera, të cilat, ndonëse në një kuptim, më pak fundamentale sesa ato që i kam shqyrtuar, janë megjithatë me peshë të konsiderueshme. E para nga to është dëshira për ngacmim. Qeniet njerëzore tregojnë super­ioritetin e vet ndaj kafshëve me aftësinë e tyre për të qenë të mërzitshëm, ndonëse nganjëherë kam menduar, duke parë majmunët në kopsht zoologjik, se ata, mbase, kanë bazat e këtij emocioni të mërzitshëm. Sido që të jetë, përvoja tregon se ikja nga monotonia është një nga dëshirat vërtet të fuqi­shme të gati çdo qenieje njerëzore. Kur njerëzit e bardhë vijnë për herë të parë në kontakt me ndonjë racë të paprishur njerëzish të egër, ata u ofrojnë atyre të gjitha të mirat, nga drita e ungjillit deri te pitja me kungull. Këto, ndërkaq, sado që mund të na vijë keq, shumica e të egërve i marrin me indiferencë.

Ajo që ata vlerësojnë më së shumti nga dhuratat që ua sjellim është likeri dehës, që ua bënë të mundur, për herë të parë në jetën e tyre, të kenë iluzionin për ca çaste të shkurtra se është më mirë të jesh gjallë sesa i vdekur. Indianët e kuq, sa ishin ende të pandikuar nga njerëzit e bardhë, ndiznin llullat e tyre, jo në mënyrë të qetë si e bëjmë ne, por në mënyrë orgjiake, duke e thithur aq thellë saqë u binte të fikët. Dhe, kur dështonte eksitomi përmes nikotinës, ndonjë orator patriotik do t’i ndezte për ta sulmuar ndonjë fis fqinj, që do t’u sillte atyre tërë atë kënaqësi që ne (sipas temperamentit tonë) e marrim nga ndonjë garë me kuaj apo nga zgjedhjet e përgjithshme. Kënaqësia e bixhozit vjen tërësisht nga emocio­nimi. Zoti Huc përshkruan tregtarët kinezë pranë Murit Kinez gjatë dimrit, duke lozur bixhoz deri nuk humbnin të gjitha paratë, pastaj vazhdonin të humbnin tërë mallin dhe më në fund loznin me rrobat e trupit duke mbetur lakuriq për të vdekur nga të ftohtit. Te njerëzit e qytetëruar, si dhe te fiset primitive të indianëve të kuq, mendoj se është kryesisht dëshira për ngacmim ajo që i bën njerëzit të brohorasin kur shpërthen lufta; ky emocion është i njëjtë me atë në një lojë futbolli, ndonëse rezultatet nganjëherë janë ca më serioze.

Nuk është aspak e lehtë të vendosim se cila është arsyeja themelore e dëshirës për trazim. Jam i prirë të mendoj se tërësia jonë mendore i përshtatet etapës kur njerëzit jetonin nga gjuetia. Kur një njeri kalonte tërë ditën me armë shumë primitive duke ndjekur një kaproll me shpresë të sigurimit të darkës dhe kur, në mbarim të ditës, ai zvarriste kërmën triumfalisht në shpellë, ai zhytej në një kapitje të këndshme derisa gruaja e tij përgatiste dhe gatuante mishin. Ai ndihej i përgjumur, me kocat që i dhembnin, ndërkohë që aroma e gatimit mbushte çdo cep e skutë të ndërdijes së tij. Më në fund, pasi hante, ai binte në gjumë të thellë. Në një kohë të tillë, nuk kishte as kohë dhe as energji për mërzinë. Por kur ai zuri të merrej me bujqësi dhe detyroi gruan e tij t’i bënte të gjitha punët e rënda në fushë, ai kishte kohë të reflektonte mbi kotësinë e jetës njerëzore, të shpikte mitologji dhe sisteme të filozofisë dhe të ëndërronte për jetën e pastajme, ku ai përje­tësisht do të dilte për gjah për derrin e egër të Valhallas. Tërësia jonë mendore i përshtatet një jete të çdo pune të rëndë fizike.

Kur kam qenë më i ri, unë e kisha bërë zakon t’i bëja pushimet duke ecur. Kaloja me këmbë njëzet e pesë milje në ditë dhe kur binte nata nuk kisha nevojë për asgjë që të më mbante larg mërzisë, pasi që kënaqësia e të ulurit mjaftonte. Por jeta moderne nuk mund të kalohet mbi këto parime të mundimshme fizike. Një pjesë e madhe e punës kryhet ulur dhe puna më e madhe manuale vë në lëvizje vetëm disa muskuj të veçantë. Po të tuboheshin turmat në Sheshin e Trafalgarit për ta ngritur zërin e tyre kundër ndonjë vendimi të qeverisë për t’i vrarë që të gjithë, ata nuk do ta bënin këtë po të kishin ecur njëzet e pesë milje atë ditë. Ky ilaç ndaj kundërshtimit është, megjithëkëtë, jopraktik dhe nëse raca njerëzore do të mbijetojë – një gjë që është, ndoshta, e padëshirueshme – atëherë duhet gjetur mjete të tjera për të siguruar një derdhje të pafajshme të energjisë së papërdorur fizike që prodhon dëshirën për trazim. Kjo çështje është shqyrtuar fare pak si nga moralistët, ashtu edhe nga reformuesit shoqërorë. Refor­muesit shoqerorë janë të mendimit se ata kanë gjëra më serioze për t’u marrë. Moralistët, nga ana tjetër, janë jashtëzakonisht të impresionuar me seriozitetin e të gjitha shfrimeve të lejuara të dëshirës për trazim; ndërkaq serioziteti që ata kanë ndër mend është ai i Mëkatit. Sallat e vallëzimit, kinematë, kjo epokë e xhazit, janë që të gjitha, nëse u besojmë veshëve, dyer për në Skëterrë dhe ne do të bënim më mirë sikur të qëndro­nim në shtëpi duke menduar për mëkatet tona. Djalli ka shumë fytyra, disa prej tyre për të mashtruar të rinjtë, disa për të mashtruar të vjetrit dhe seriozët. Nëse është djalli ai që tundon të rinjtë për t’u kënaqur, a nuk është, vallë, i njëjti personazh ai që bind të vjetrit të dënojnë kënaqësinë e tyre?

Dhe, a nuk është dënimi, vallë, njëfarë droge – sikur opiumi – që duhet marrë në vazhdimësi në doza më të mëdha që ai të mund të prodhojë efektet e dëshiruara? A nuk duhet pasur frikë se, duke filluar nga ligësia e kinemasë, do të duhej të vazhdonim hap pas hapi ta dënonim partinë politike opozitare, latinot, të zinjtë, aziatikët dhe, me një fjalë, të gjithë pos bashkëpjesëtarëve të klubit tonë? Dhe, pikërisht nga dënime të tilla, kur të marrin shtrirje, pasojnë luftërat. Unë nuk kam dëgjuar kurrë për ndonjë luftë që ka filluar nga sallat e vallë­zimit.

Ajo që është serioze lidhur me trazimin është se shumë nga format e tij janë destruktive. Ai është destruktiv tek ata që nuk përballojnë dot teprinë e alkoolit apo bixhozit. Është destruktiv kur merr formën e dhunës së turmës. Dhe, mbi të gjitha, është destruktiv kur ai çon drejt luftës. Është një nevojë aq e madhe saqë ai do të gjejë shfrime të tilla të dëmshme nëse nuk kemi pranë shfrime të pafajshme. Shfrime të tilla të pafajshme kemi sot në sport, ashtu dhe në politikë, përderisa ajo mbahet brenda kufijve konstitucionalë. Por këto nuk mjaftojnë, sidomos nëse ai lloj i politikës që është më trazues është gjithashtu edhe lloj që bën dëm. Jeta e qytetëruar është bërë përgjithësisht më e butë dhe, nëse duam që të jetë stabile, ajo duhet të sjellë shfrime të padëmshme për cytjet që para­rendësit tanë të largët i kanë plotësuar në gjueti. Në Australi, ku njerëz ka pak dhe lepuj shumë, kam parë një popullsi të tërë duke plotësuar cytjen e tyre primitive në mënyrë primi­tive, me therjen mjeshtërore të mijëra lepujve. Por në Londër apo në Nju-Jork duhet gjetur mënyra të tjera për të kënaqur cytjen primitive. Mendoj se çdo qytet i madh duhet të ketë ujëvarë artificiale që njerëzit të mund të hipin në kanuje të vogla dhe që aty to të ketë pishina larjeje me peshkaqenë mekanikë. Çdo njeri që zihet duke predikuar luftë preventive do të duhej të dënohej që të kalonte nga dy orë në ditë me këta përbindësha të shpikur. Për më tepër, mundimi duhet të aplikohet për të sjellë shfrime konstruktive të dëshirës për trazim. Asgjë në botë nuk është më shqetësuese sesa çasti i zbulimit apo shpikjes së papritur dhe shumë më shumë njerëz janë të aftë të përjetojnë çaste të tilla nga ç’mendohet nganjë­herë.

Të ndërthurura me shumë motive të tjera politike janë pasionet tepër të ndërlidhura ndaj të cilave, fatkeqësisht, janë të prira qeniet njerëzore: dua të them, frika dhe urrejtja. Është normale të urresh atë nga e cila kemi frikë dhe ndodh shpesh, ndonëse jo gjithmonë, që t’ia kemi frikën asaj që urrejmë. Mendoj se do të mund të konsiderohej si e zakonshme te njerëzit primitivë, se ata ia kanë frikën dhe urrejnë çdo gjë me të cilën ata nuk janë të njohur. Ata kanë kopetë e tyre, në fillim shumë të vogla. Dhe, brenda një kopeje, të gjithë janë miq, pos nëse ka ndonjë bazë për armiqësi. Kope të tjera janë armiq të mundshëm apo të vërtetë; një pjesëtar i vetëm i njërës prej tyre që rastësisht del prej saj do të vritet. Një kope e huaj duhet shmangur, apo të luftohet, varësisht nga rrethanat. Është pikërisht ky mekanizëm primitiv që ende kontrollon reagimin tonë instinktiv ndaj kom­beve të huaja. Personi plotësisht i padalë do t’i konsiderojë të gjithë të huajt, ashtu siç e konsideron një i egër një pjesëtar të kopesë tjetër. Por njeriu që ka dalë (udhëtuar), apo që ka stu­diuar politikën ndërkombëtare, do të ketë zbuluar se nëse do që kopeja e tij të prosperojë, ajo duhet, deri në një masë, të përzihet me kope të tjera. Nëse jeni anglez dhe dikush ju thotë: “Francezët janë vëllezërit tuaj”, ndjenja juaj e parë instinktive do të jetë, “Marrëzi. Ata rrudhin krahët dhe flasin frëngjisht. Madje më kanë thënë se hanë dhe bretkosa”. Nëse ai u thotë se ndoshta do të na duhet të hyjmë në luftë me rusët dhe se, nëse po, do të ishte punë me mend të ruhet vija e Rinit dhe se, nëse ajo vijë tek Rini duhet mbrojtur, ndihma e francezëve është thelbësore, ju do të filloni të shikoni se çfarë mendonte ai kur thoshte se francezët janë vëllezërit tuaj. Por nëse ndonjë bashkudhëtar të vazhdonte të thoshte se rusët janë, gjithashtu, vëllezërit tuaj, ai nuk do të ishte në gjendje t’ju bindte, pos nëse do t’jua dëshmonte se ne jemi në rrezik nga marsianët. Ne i duam ata që i urrejnë armiqtë tanë dhe po të mos kishim armiq do të kishte shumë pak njerëz të cilët do t’i donim.

E tërë kjo, ndërkaq, është e vërtetë për aq sa ne merremi vetëm me qëndrimet ndaj qenieve të tjera njerëzore. Ju do të mund ta konsideronit tokën si armike ngaqë mezi ju jep për të ekzistuar. Ju do të mund ta konsideronit Nënën Natyrë në përgjithësi si armike tuajën dhe ta paramendoni jetën njerë­zore si një betejë për të nxjerrë më të mirën nga Nëna Natyrë. Sikur njerëzit të kundronin jetën në këtë mënyrë, bashkë­punimi i tërë racës njerëzore do të ishte bërë më i lehtë. Dhe, njerëzit do të arrinin lehtë të kundronin jetën në këtë mënyrë sikur shkollat, gazetat dhe politikanët t’u përkushtohe­shin këtyre synimeve. Por shkollat janë për të mësuar për patrio­tizmin, gazetat për të shkaktuar trazim dhe politikanët janë për t’i rizgjedhur. Asnjë nga të tretë, pra, nuk mund të bëjnë asgjë drejt shpëtimit të racës njerëzore nga vetëvrasja e ndërsjellë.

Ka dy mënyra për t’u përballur me frikën: njëra është ta mënjanosh rrezikun e jashtëm, tjetra është ta kultivosh qëndru­eshmërinë stoike. Kjo e fundit mund të sforcohet, pos aty ku veprimi i menjëhershëm është i domosdoshëm, duke larguar mendimet tona nga shkaku u frikës. Pushtimi i frikës është i një rëndësie të madhe. Frika është në vete poshtëruese, ajo lehtë shndërrohet në obsesion, ajo prodhon urrejtje ndaj asaj që shkakton frikën dhe ajo çon drejt e tek ekseset e mizorisë. Asgjë nuk ka efekt aq të mëshirshëm mbi qeniet njerëzore sa siguria. Po të mund të krijohej një sistem ndërkombëtar që do të mënjanonte frikën e luftës, përmirësimi i mentalitetit të përditshëm i njerëzve të përditshëm do të ishte i jashtëzakon­shëm dhe shumë i shpejtë. Frika, aktualisht, mbizotëron botën. Bomba atomike dhe bomba bakteriale, në zotërim të komu­nistëve të ligë apo kapitalistëve të ligë, sido që të jetë rasti, bëjnë Uashingtonin dhe Kremlinin të dridhen dhe çojnë njerëzit më tutje në rrugën drejt humnerës. Nëse duam që gjërat të përmirësohen, hapi i parë dhe esencial është të gjendet një mënyrë e tejkalimit të frikës. Bota është aktualisht e obsesion­nuar nga konflikti i ideologjive rivale dhe një shkaqet e dukshme të konfliktit është dëshira për fitore e ideologjisë sonë dhe disfata e tjetrës. Mendoj se ideologjitë janë vetëm një mënyrë e grupimit të njerëzve dhe se pasionet e përfshira janë vetëm ato që dalin gjithmonë midis grupeve rivale. Ka, natyrisht, arsye të ndryshme për t’i urryer komunistët. Para së gjithash, ne mendojmë se ata duan të na marrin pronën. Por këtë e duan edhe grabitësit, por ndonëse ne nuk pajtohemi me grabitësit, qëndrimi ynë ndaj tyre është vërtet krejtësisht ndryshe nga qëndrimi ynë ndaj komunistëve – kryesisht nga që ata nuk janë frymëzim i së njëjtës shkallë të frikës. Së dyti, ne i urrejmë komunistët ngaqë ata janë jofetarë. Por kinezët kanë qenë jofetarë që nga shekulli njëmbëdhjetë dhe ne zumë t’i urrenim ata vetëm atëherë kur ata nxorën jashtë Çan Kaj-Shekun. Së treti, ne i urrejmë komunistët ngaqë ata nuk besojnë në demokraci, por ne nuk e konsiderojmë këtë arsye për ta urryer Frankon. Së katërti, ne i urrejmë ata ngaqë ata pengojnë lirinë dhe këtë e duam aq fuqimisht saqë kemi vendosur t’i imitojmë. Është e qartë se asnjëra prej këtyre nuk është arsye për urrejtjen tonë. Ne i urrejmë ata ngaqë ua kemi frikën dhe ata na kërcënojnë. Sikur rusët t’i kishin mbetur besnikë fesë ortodokse greke, sikur ata të kishin themeluar qeveri parlamentare dhe sikur të kishin një shtyp plotësisht të lirë që do të na shante përditë, atëherë – me kusht që ata ende t’i kishin forcat e armatosura po kaq të fuqishme sa ç’i kanë sot – ne prapë do t’i urrenim po të na jepnin arsye për t’i menduar si armiqësorë. Natyrisht që ka një odium theologicum dhe kjo mund të jetë shkak për armiqësi. Por unë mendoj se ky është rezultat i ndjenjës së kopesë: njeriu që ka një ideologji tjetër ndihet i çuditshëm dhe çdo gjë e çuditshme duhet të jetë e rrezikshme. Ideologjitë, në fakt, janë një nga metodat me të cilat krijohen kopetë dhe psiko­logjia e saj mbetet e njëjtë pa marrë parasysh se si mund të jetë krijuar kopeja.

Mund të mendoni se kam lejuar vetëm motivet e këqija apo, të shumtën, ato që janë neutrale për nga etika. Druaj se ka, përgjithësisht, motive më të fuqishme sesa altruiste, por nuk e mohoj se motivet altruiste ekzistojnë dhe, herë-herë, mund të jenë efektive. Agjitimi kundër skllavërisë në Angli, në fillim të shekullit tetëmbëdhjetë ishte, pa dyshim, altruist dhe ka qenë tërësisht i efektshëm. Altruizmi i tij është dëshmuar nga fakti se në vitin 1833 tatimpaguesit britanikë dhanë miliona të tërë kompensimi për pronarët e tokave në Xhamajka për t’i liruar skllevërit e tyre, si dhe nga fakti se në Kongresin e Vjenës, Qeveria e Britanisë ishte e gatshme të bënte koncesione të rëndësishme me qëllim të nxitjes së kombeve të tjera që të hiqnin dorë nga tregtia me skllevër. Ky është një shembull nga e kaluara, por Amerika e ditëve të sotshme ka dhënë shembuj po kaq të jashtëzakonshëm. Unë, megjithëkëtë, nuk do të hyj në to dhe as që kam dëshirë të futem në kundërthëniet aktuale.

Nuk mendoj se mund të vihet në dyshim se simpatia është motiv autentik dhe se disa njerëz në ndonjë kohë e kanë ndierë veten keq nga vuajtjet e njerëzve të tjerë. Kjo është simpati që ka prodhuar shumë fryte humanitare në njëqind vjetët e fundit. Ne tronditemi kur dëgjojmë rrëfime për keq­trajtimin e të çmen­durve dhe ka tani një numër të madh çmendinash në të cilat ata nuk keqtrajtohen. Të burgosurit në vendet perëndimore nuk duhet të torturohen dhe kur janë, ka një reagim kur faktet të bëhen publike. Ne nuk miratojmë trajtimin e foshnjave siç trajtohen tek Oliver Tuisti. Vendet protestante janë kundër mizorisë ndaj kafshëve. Në që të gjitha këto mënyra, simpatia ka qenë politikisht e efektshme. Po të shmangej frika e luftës, efektiviteti i saj do të ishte shumë më i madh. Ndoshta shpresa më e madhe për ardhmë­rinë e njerëzimit është që të gjenden mënyra të rritjes së përpjesës dhe intensitetit të simpatisë.

Tani ka ardhur koha të rrumbullakojmë diskutimin tonë. Politika merret me kopetë dhe jo me individët, kurse pasionet që janë të rëndësishme në politikë janë, prandaj, ato në të cilat pjesëtarë të ndryshëm të një kopeje të caktuar ndihen në mënyrë të ngjashme. Mekanizmi i gjerë instinktiv mbi të cilin duhet ndërtuar godinat politike është ai i bashkëpunimit brenda kopesë dhe i armiqësisë ndaj kopeve të tjera. Bashkëpunimi brenda kopesë nuk është asnjëherë i përkryer. Ka pjesëtarë që nuk pajtohen, që janë, në kuptimin etimologjik, “të egërsuar”, do të thotë, jashtë kopesë. Këta pjesëtarë janë ata që kanë rënë poshtë, apo që janë ngritur lart, mbi nivelin e zakonshëm. Ata janë: idiotët, kriminelët, predikuesit dhe zbuluesit. Një kope e urtë do të mësojë ta tolerojë ekscentrizmin e atyre që ngrihen mbi mesa­taren dhe t’i trajtojë me sa më pak mizori ata që bien nën të.

Sa u përket raporteve me kopetë e tjera, teknika moderne ka prodhuar një konflikt midis vetë interesit dhe instinktit. Në kohë të vjetra, kur dy fise shkonin në luftë, njëri prej tyre zhdukte tjetrin dhe aneksonte territorin e tij. Nga pikëpamja e fituesit, e tërë kjo ndërmarrje ishte tërësisht e kënaqshme. Vrasja nuk ishte aspak e shtrenjtë dhe trazimi ishte jo më pak i vogël. Nuk është për t’u çuditur, në rrethana të tilla, se pse lufta ka vazhduar. Për fat të keq, ne ende kemi emocione të përshtatshme për një luftë të tillë primitive derisa veprimet e vërteta të luftës kanë ndryshuar në tërësi. Vrasja e një armiku në një luftë moderne është një operacion shumë i shtrenjtë. Nëse keni parasysh se sa shumë gjermanë janë vrarë në luftën e fundit dhe sa fitimtarë po paguajnë me tatimet e tyre, duke e mbledhur dhe pjesëtuar të gjithë shumën, do të mund të mësoni koston e një gjermani të vrarë dhe do të shihni se ajo është e madhe. Në Lindje, është e vërtetë, armiqtë e gjermanëve kanë siguruar përparësinë e lashtë të dëbimit të popullsive të mposhtura dhe të okupimit të tokave të tyre. Ndërkaq, fitimtarët perëndimorë nuk kanë siguruar avantazhe të tilla. Është e qartë se lufta moderne nuk është biznes i mirë nga pikëpamja financiare. Ndonëse ne i kemi fituar që të dy luftërat botërore, ne do të kishim qenë shumë më të pasur po të mos kishin ndodhur. Po të nxiteshin njerëzit nga vetë­interesi, gjë që nuk janë – pos në rastin e disa të shenjtëve – e tërë raca njerëzore do të bashkëpunonte. Nuk do të kishte më luftëra, nuk do të kishte ushtri, as marina, as bomba atomike. Nuk do të kishte armata propagandistësh të angazhuar për helmimin e kokave të Kombit A kundër Kombit B dhe anasjelltas të Kombit B kundër Kombit A. Nuk do të kishte armata zyrtarësh në kufi për ta ndaluar hyrjen e librave të huaja dhe ideve të huaja, sado të shkëlqyera në veten e tyre. Nuk do të kishte pengesa doganore për ta siguruar ekzistimin e shumë ndërmarrjeve të vogla ku një ndërmarrje e madhe do të ishte më ekonomike. E tërë kjo do të ndodhte shumë shpejt sikur njerëzit do të dëshironin lumturinë e vet me po aq zjarr sa dëshirojnë mjerimin e fqinjëve të tyre. Por, do të thoni ju, ku është rëndësia e ëndrrave utopike? Moralistët do të përkujdesen që ne të mos bëhemi tepër egoistë dhe derisa të bëhemi mileniumi do të jetë i pamundur.

Nuk dëshiroj që të duket se po e përfundoj me një notë cinizmi. Nuk e mohoj se ka gjëra më të mira se egoizmi dhe se disa njerëz i arrijnë këto gjëra. Megjithëkëtë, mendoj, nga një anë, se ka pak raste në të cilat grupe të mëdha njerëzish, me të cilët merret politika, mund të ngrihen mbi egoizmin dhe që, nga ana tjetër, ka shumë rrethana në të cilat popujt do të bien nën egoizmin e tyre, nëse egoizmi interpretohet si vetë interes i lartësuar.

Dhe, në mesin e atyre rasteve në të cilat njerëzit bien nën vetë interesin janë shumica e rasteve në të cilat ata janë të bindur se po veprojnë nga motive idealiste. Shumëçka që kalon si idealizëm është urrejtje e maskuar apo dëshirë e maskuar për pushtet. Kur shihni masa të mëdha njerëzish të cytur nga ato që duken si motive fisnike, është mirë të shikohet nën sipërfaqe dhe të pyesni veten tuaj se ç’është ajo që i bën këto motive efektive. Kjo, pjesërisht nga që është më lehtë të mashtrohesh nga një fasadë fisnikërie sesa të bësh një hulumtim psikologjik, siç jam përpjekur të bëj unë këtu. Do të thosha, në përmbyllje, se nëse ajo që kam thënë është e drejtë, gjëja kryesore që duhet për ta bërë botën të lumtur është inteligjenca. Dhe kjo, pas së gjithash, është një përmbyllje optimiste, ngaqë inteligjenca është diçka që mund të forcohet nga metoda të njohura të edukimit. /Marrë nga numri i 12 i revistës “Akademia”/