LAJMI I FUNDIT:

Çfarë nuk tha Gramozi?!

Çfarë nuk tha Gramozi?!

Heroi i kësaj jave, Gramoz Berisha, arriti që si burrë ta tregojë rrëfimin e tij. Mashkulli i vetëm i mbijetuar nga masakra në familjen Berisha të Therandës, me durim heroik tregoi tmerrin. Por, ai e pati të vështirë që të flasë për babain Sedatin, motrën Dafinën apo vëllanë Drilonin, që humbën jetën në këtë masakër. Unë do të mundohem të flas për ta, i vetëdijshëm se nuk do të mund të them asgjë.

Atë vit ishte kampionati botëror i basketbollit. Gjatë gjithë asaj vere basketi ishte bërë pjesë e pandashme e aktivitetit të familjes sime të ngushtë e të gjerë, që, thënë të drejtën, nuk është se kemi ndonjë traditë sportive. Unë e mbaj mend momentin kur e kishim vendosur basketin në oborrin tonë me kalldrëm modern që ne i quanim kocka, por është detaj i parëndësishëm. Ajo që është e rëndësishme është krejt çka ndodhi pasi e kishim vendosur basketin që ne atëherë e thërrisnim kosh.


Lufta e nisur në mars 1998 në fshatrat e Drenicës, shpejt ishte përhapur edhe në dy-tri rajone tjera. Fshatrat e Suharekës, që tash quhet Therandë, ishin një prej zonave ku UÇK kishte krijuar radhët e veta. Duke qenë kështu, qyteza e vogël ishte stërmbushur me policë e ushtarë serbë, dhe ishte bërë e pajetueshme për civilët shqiptarë. Meqë familja ime e ka origjinën nga ajo anë, shumë akraba ia kishin mësyrë shtëpisë sonë në periferi të Prizrenit. Te ne, pos të tjerëve, kishin ardhur të jetojnë familja e motrës sime dhe familja e ngushtë e Vjollcës, motrës së dhëndrit tim.

Kësisoj bashkimi i gjerë familjar që ishte nisur për pak ditë vazhdoi me muaj të tërë. Janë pikërisht këta muaj që do të mbesin të pashlyer në kujtime.

Axha Sedat, burri i Vjollcës, ishte profesor dhe trajner basketbolli. Dafina dhe Driloni, dy fëmijët e tyre, ishin basketbollistë aktivë në grupmoshat e ndryshme të KB Ylli nga Theranda. Gramozi, fëmija i tretë i tyre, atëherë ishte shtatë vjeç. Në fakt, unë nuk do të flas shumë për Mozin fëmijë, sepse nuk kujtoj shumë pos lojërave të tij me nipin tim Rinorin. Por, e mbaj mend edhe një detaj. Mozi edhe atëherë ishte djali i mamit, relacion që as sot nuk e ka ndërruar. E di që kur i tekej diç, Driloni që ishte moshatar imi, detyrohej t’ia plotësonte, sepse Mozi ishte ai i vogli që mund të raportonte te prindërit.

Me të ardhur të tyre, basketi që e torturonim unë dhe vëllai Aliu, do të merrte krejt karakter tjetër. Ata na e zbuluan magjinë që kishte një rreth i rrumbullakët, që deri atëherë unë shtatshkurtri dhe vëllai im i trashë po e eksploronim. Pjesë e pandashme e ekipit basketbollistik të kohës së luftës, pos dy vëllezërve të mi më të moshuar, ishin edhe dy djemtë e motrës sime – Graniti dhe Laurati, pak më të vegjël se unë, e Driloni që ishim 14 gjegjësisht 13 vjeç. Dafina ishte pak më e madhe se ne. Axha Sedat dhe dhëndëri im Fatmiri, ishin dy lojtarët tjerë. Këta ishim ekipi që për disa muaj do t’i rrihnim fort kockat e oborrit, do t’i thyenim ca lule në oborr dhe do të kujdeseshim që gjatë lojës sonë të mos e trazojmë asnjëherë bacin Ymer, vjehrrin e motrës sime. I moshuari intelektual nuk po mund të pajtohej me faktin se edhe të mëdhenjtë ishin bërë me mend të ne fëmijëve e po luanin me top.

Edhe te të mëdhenjtë, pos axhës Sedat, nuk gjeje ndonjë talent basketi. As dhëndëri e as vëllezërit e mi nuk është se sportin e kanë talent të shquar. Kësisoj, unë mezi pritja që të luanim të vegjlit kundër të mëdhenjve. Në rrethanën kur Dafina ishte në anën tonë, unë, Graniti dhe Lushi, krejt çfarë duhet të bënim ishte nisja e topit, gjë që bëhet sa herë që nis një aksion i ri. Kombinimet e magjishme mes Dafinës e Drilonit na e fitonin lojën. Kështu u përsërit disa herë për disa ditë rezultati, derisa të mëdhenjtë e kuptuan “foren”. E di që kalimi i Dafinës në ekipin e tyre dhe i Aliut në anën tonë na la pa haber. Kombinimet mes Dafinës dhe axhës Sedat e bënin nervoz Drilonin, e ne tjerëve na linin jashtë loje.

Më kujtohet se në një moment nervoze Driloni që dukej se shpresat për kombinim – duke mos pasur zgjidhje tjetër – i kishte mbështetur tek unë, ma pati kujtuar se sa i shkurtër jam. Loja u ndërpre nga axha Sedat, që vendosi të na mbaj ligjëratë për rëndësinë që ka motivimi i bashkëlojtarit edhe kur ai qëllon të jetë si unë. Më dukej vetja si nëpër filma amerikan, kur një trajner merr dhe mëson fëmijët e lagjes. Në mes të luftës ne po e jetonim një ëndërr amerikane.

Dafina ishte me ne fëmijët vetëm kur luanim basket ose shikonim filma. Në rastet kur ne bënim ca aktivitete tjera që ishin sherre, ajo ishte me të mëdhenjtë. Ne luanim dhe shihnim basketboll bashkë. Të gjithë e mbështesim Kroacinë që në atë kampionat dukej rivali i vetëm serioz ndaj ish-Jugosllavisë që ishte Serbia. Si për inat, në vend se t’i ndalohej Serbisë pjesëmarrja, atë kampionat e patën bojkotuar lojtarët e NBA dhe ekipi i SHBA nuk ishte konkurrent serioz. Ne të gjithë uleshim dhe vendosnim se kë do ta përkrahnim sa herë që luanin ekipet tjera pos Kroacisë. Pasi vendosnim, Graniti, nipi im i madh, vendoste ta përkrahte ekipin kundërshtar. Pa ndonjë arsye. Veç donte që të ishte ndryshe.

Kjo ishte rutina.

Nuk më kujtohet se cili kanal në satelitin televiziv do ta jepte premierë për ne filmin Titanic. Me sugjerimin e Dafinës dhe miratimin e Drilonit, ne fëmijët ishim ulur në dhomën e ndenjes dhe po e shihnim filmin. Një zot e di sa qamë për fatin e Di Caprios dhe Katit. I ndalem lotët vetëm kur hynë brenda të mëdhenjtë, sepse Gramozi dhe Rinori na kishin spiunuar. Të mëdhenjtë kishin menduar se po e shihnim ndonjë dokumentar për luftën që po bëhej pak kilometra rreth nesh. Ne, në mes të luftës po mendonim për Amerikën, dhe për ëndrrën që Leonardo i premton Katit se nuk do të ndalet kurrë.

Ëndrra jonë do të përgjysmohej pak muaj më vonë kur familja e Vjollcës do të kthehej në shtëpinë e tyre në Therandë. Dy ditë pas fillimit të bombardimeve, serbët kishin bërë përpjekje ta shuajnë familjen e ngushtë dhe të gjerë të Vjollcës.

Edhe pse i kishin të gjitha mundësitë, por edhe çmendurinë e duhur, nuk ia arritën. Gramozi dhe Vjollca mbijetuan. Mbijetuan sepse ëndrra jonë fëmijërore nuk mund të shuhej përjetësisht, edhe pse gjithmonë do të jetë e mangët pa Drilonin e Dafinën.

Secili prej nesh ka nga një rrëfim si ky që pata unë dhe që po e lë përgjysmë. Por, rrallëkush nga ne është heroinë si Vjollca, gruaja simbol i qëndresës. Rrallëkush nga ne ka vullnetin dhe bekimin hyjnor për të qenë krenar dhe për ta shijuar jetën ashtu siç e ka Gramozi.

(Autori është Redaktor Përgjegjës në gazetën Tribuna)