LAJMI I FUNDIT:

Arsyet pse duhet braktisur standardi i vitit 1972

Arsyet pse duhet braktisur standardi i vitit 1972

Lekë Tasi

Zvarritja e zgjidhjes së problemeve, karakteristike e periudhës postdiktatoriale, i dha dorë Standardit të 1972 të zërë vend më masivisht nga sa i druheshin ata që e duan shqipen me tërë pasurinë e saj, dhe jo të rëgjuar shumë a pak në një degë të saj . Të shkruarit sipas traditës së vet përqendrohet ende relativisht në pak pena gege, kurse të folurit reziston, por vetëm tek të pashkolluarit ose në momente të pavetëdijshme të intelektualëve të konformuar. Kjo zmbrapsje e dialektit më të pasur me folklor epik e letërsi të hershme, është një fatkeqësi më thelbësore se emigracioni masiv, i cili e ka edhe një anë pozitive, ndikimin direkt ose indirekt mbi gjendjen e vendit, me përmirësime së largu fal arsimit cilësor, me ndihma buxheteve familjarë, dhe ca më mirë me rikthim e investim në vendlindje. Kurse, harresa e të folurit verior prej ndikimit të shkollës siç e konstatojmë përditë nëpër intervista, po rrezikon të bahet një proces i rëndomtë, duke shtuar përditë rrezikun e një varfërimi të pakthyeshëm. Çështja në tërësi ka të bëjë jo vetëm me imponimin mbi shumicën (3/4 të shqiptarëve) të një modeli që nuk është i veti; çështja qëndron tek humbja e pariparueshme e bukurisë së shqipes, e cila pa asnjë dyshim banonte në veri: morfologji e lokucione lakonike, fonetikë muzikale (me kontraste zanore/bashkëtingëllore), veti këto që nëse merren masa për t’u ruejt, sjellin dobi të shumta, të cilat do t`i trajtojmë më poshtë.


GOJA E POPULLIT REAGON. DUHET MBËSHTETË

Le ta shohim çështjen nga një pozicion tjetër. Standardi, pavarësisht nga qëllimi i fshehur politik për ta eklipsue dialektin geg në kuadër të luftës së klasave dhe më gjerë, pati edhe një efekt pozitiv, atë të njohjes të toskërishtes në Veri. Procesi i përkundërt siç porositën anëtarët më largpamës të komisionit 72 (pajisje e gjuhës letrare me fjalor e konstrukte edhe veriore) u zbatua shumë pak. Megjithatë, veprimi i vetvetishëm në gojën e popullit e ka luejt një farë roli: pranë të shkruemit konform standartit si inercie e censurës edhe në liri, populli i ka përzie mjaft dy të folmet jo vetëm në veri siç thamë , por edhe në jug (kjo ka rëndësi), fal një kontakti më të dendun se në të kaluarën mes popullsisë. Kjo përzierje në praktikën e përditshme i shqetëson standartistët më striktë , por është kjo që do ta sjell integrimin e të gjitha resurseve gjuhësore sot në zbehje, nëse huazimi reciprok nxitet zyrtarisht sot e tutje. Parakusht i domosdo është të kalohet nga shkrimet gati ilegale gege tek: a) dekretimi i bashkëjetesës të dy lloj mënyrash shkrimi në letërsi, siç ndodhte deri në 1972, me tipar të ri guximin që autorët e dy degëve të huazohen reciprokisht; dhe b) rikthimi i gjuhës zyrtare të para 1945, një gegnishte e moderuar sikundër cilësohej dikur. Këta hapa njëherazi pasurues dhe unifikues, do të rijetësonin paskajoren dhe rrokjet e gjata me anë theksi.

Përfshirja e tyre në programet shkollore dhe në fjalorë, sigurisht ndesh në rezistencë, mbasi çdo ndryshim i statu quo-s mbrohet me xhelozi në çdo fushë; kokëfortësia konservative e Akademisë fsheh një ndjeshmëri nevralgjike që ka të bajë me interesa përtej vogëlimave si reforma gjuhësore; episodi i përkujtimit të M.Camajt, i përshkruar nga Primo Shllaku e dëshmon. Por shumëkush është i bindur sinqerisht që efekti i standardit gjatë 50 e ca vjetëve ka qënë dhe mbetet pozitiv. Sido që të argumentohet kjo, rreziku i varfërimit të shqipes po bëhet prorë ma i mprehtë; alarmin e kanë dhanë prej vitesh një numër intelektualësh me shkrime e aktivitete të organizuara në drejtim të ndaljes së tij.

Mbas ligjësimit të paskajores dhe zanoreve të gjata, dhe rivendosjes së gegnishtes gjuhë zyrtare, siç ishte para diktaturës, do të duhej një platformë edhe ma e gjanë me mundësi të reja integrimi të njëkohshëm të resurseve dialektale. Fjala njëkohshëm është senjali kyç i një pasurimi që do të përdorte baraz të gjitha llojet e pjesores (uem- ue- (u) –uar- ose bamun, – bamë, – bërë, – ba, – bë, dhe po ashtu alternimin e n me r – shtetnor-shtetëror, duke i nda të parat si zyrtare, por pa përjashtuar të dytat për kërkesa të veçante stili, madje edhe zëror kundrejt zanor-zanore që dominon edhe në standart).

Pra, ndërsa gjuha e shkresave do të jetë gegnishtja me nji farë kodifikimi, ajo letrare do të ketë një larmi që do t`i shërbejë sipas shkruesit dhe rastit herë stilit herë muzikalitetit, herë të dyjave njëheresh. Një shembull: mbretnia e qiejve (soleme), mbretëria e ujrave/gjelbërisë/blerimit (onomatopei ). Këtë zgjerim mjetesh në gjuhën letrare e mundson praktika e sotme që po e zbeh ndjeshmërinë e mëparshme ndaj përzierjeve dialektore; ndihet ky proces në çdo nivel (paskajorja ka hyrë dhe ndër jugorë- me shku, tue e nisur. Te shkrimtarët e vjetër kemi pasë uom- uam, ndërsa sot gjejm në Veri edhe –ua).

Kur thamë që bukuria e shqipes banon në veri kemi parasysh kryesisht epërsinë e a-së gege mbi ë-në toske. Dendësia në një faqe libri të këtyre rasteve e përligj këtë pohim. “Ti ke pas kenë nji zoje e randë/ burrat e dheut të quejshin nanë”- le të provojmë ta kthejmë këtë varg në toskërisht, dhe do ta kemi demonstruar këtë epërsi. Tipari tjetër epror i gegnishtes është shkurtësia (shkoj n`kamb- vete në këmbë , dy rrokje kundrejt pesë). Nga ana tjetër me larmi të mjeteve nënkuptojmë si bashkëqenien ashtu dhe profilizimin e dy formave, pra një hap më përpara drejt njësimit se deri në 1972: integrim në afat të gjatë të dy dialekteve e jo zëvendësim të njenit nga tjetri. Zyrtarizimi më 1972 i vetëm trajtës -uar linte jashtë variantet e lashta dhe i hiqte gjuhës letrare resurse të pasura poetike (rimat), kurse prozës nuanca historike e muzikalitet. Me kriterin gjithëpërfshirës që përmendëm si të duhur në letërsi, dhe me ripohimin e gegnishtes së Elbasanit si normativë zyrtare (duke i shtuar theksin hundor që ajo e ka bjerrë), do të ruhen edhe do trajta toske me një profilizim kuptimor të tyre sipas asaj që evokojnë. Ato gege kanë më solemnitet, Lum për ty o i madhi Zot, se s`jem kan` e na ke ba, por ka raste që përmbysin këtë kriter pro-geg, shembull: mësues do të jetë thjesht mësimdhënës, kurse Mësonjës -udhëheqës shpirtëror.

Me një ndjeshmëri të hollë ky profilizim do të pikasë sugjestionin që kemi prej tingëllimit, vjetërisë o rrallësisë së trajtave për t’i dhënë nuancën kuptimore; kështu prapashtesa –onjës mund të jetë në tërësi e një stili të lartë: ekzistonjës – filosofike, kurse ekzistues- e natyrës statistike; çponjës-psikologjike (metaforikisht), kurse çpues-efekt mekanik, hetonjës-gjyqësore, kurse hetues-psikologjike (me sy hetues). Të tilla profilizime të trajtave që do të rekuperonin tërë pasurinë morfologjike veri-jug mund t`i operojë me kohë gjuha letrare gjat përdorimit, por edhe nën kompetencën e një komisioni krijuesish e gjuhëtarësh me ndjeshmëri estetike (e jo ndjekës striktë të rregullit). Poetët edhe në të kaluarën nuk kanë ngurruar të zgjedhin fjalë në dialekte të ndryshme nga i veti. Janë rrallësia, përjashtimi, licenca që i japin frymë letërsis, pra dhe që krijojn nuancat, aq sa të fitojn të drejtë për të hyrë në fjalor.

NORMA – NJË TERM MË I GJERË SE DERI SOT

Do të ishte mirë që vet koncepti normë të nënkuptonte një përzgjedhje në një fondi përkatësish të ndryshme, ashtu si vet standardi ka lënë në raste të veçanta liri shkruesit të zgjedhë mes dy o tre varianteve (shembull patur-pasur-pasë). I tërë ky proces s`mund të kuptohet pa një përforcim të profilit filologjik të lëndës së gjuhë-letërsisë në shkolla, dhe sigurisht shtimin e numrit të orëve në programin javor. Kjo do të ishte baza, mbasi ngre interesin për gjuhën tek moshat e reja dhe shton lëndën leksikore prej nga do të dalin trajtat me vështrime të diferencuara. Kur theksojm nevojën e kthimit tek liria e para 1972, dhe njëherazi ruajtjen e trajtave paralele, nënkuptojmë një trajtë zyrtare gegnishte të moderuar siç ka qënë normë për tri dekada mbas pavarsisë, dhe një tjetër krahas saj por të përzier gego-toske si po e prodhon Tirana metropol. Nuk përjashtohet që poetë o shkrimtarë të veçantë të përdorin toskërishten o shkodranishten e vet, të pastra, sepse janë të dashuruar pas traditës tyre. Publiku i kulturuar i shijon të gjitha, vetëm pedantët e kapur pas rregullit shqetësohen.

E natyrshme që profilizime kuptimore të dy varianteve dialektore do ketë edhe në folje, mbasi mbiemrat janë në pjesën më të madhe pjesore të një foljeje, dhe interkursi vjen vetiu: Kështu -uem më solemn, ue dhe uar – të rëndomta. Po të kalojmë te përemnat, Ai dhe aj, do jenë të rëndomta, ay si më arkaik do jetë edhe i lartë po edhe disi historik o arkaik (e gjejmë edhe tek Cikli i Mujit). Përsëri me foljet: Askush pothuaj në Tiranë nuk thotë më shoh, por shof, shife , ashtu dhe jo ue, por -u ,-y (kam shku, u kry).Por pranëqenia njohje -njofje- njohuri -njoftuni – nuk do shkaktojë bezdi. Do të ishte shumë e dobishme të hartohet rast për rast ky profilizim sipas vëzhgimeve, veçan në zonën metropolitane që jep tonin, atë qytetëse dhe suburbane të kryeqytetit, profilizim që do të na jepte një tablo të prirjeve që prodhojnë larmi vështrimesh për fjalë të cilat, kur shkruhen e fliten siç figurojnë në fjalor, ngjajnë përherë e më të vjetruara, pra nuk preferohen në një letërsi që kërkon pulsin e jetës. Të pasurit e një gjuhe të lartë dhe e një bisedore, të dyja të ligjësuara, u jep dorë gjuhëve të zhvilluara për një shprehje letrare shumë të pasur.

Brenda këtij procesi çdo tkurrje (veti gege) është pozitive, si kalimi fëmijëri-fëmini-fmini, ose ndajfoljet e pashqiptueshme e për tu fshirë nga fjalori – rastësisht e ngushtësisht, qartësisht, për të riprurë në jetë në vend të së parës njërrokshen gan ose gand, dhe heqjen e mbaresës absurde-sisht për të tjerat, duke e kthyer në thjesht: ngusht (shembull: le ta marrim ngushtë teknikisht, kuptimi del qartë, qartazi e konceptuar)). Reduktimi ka funksion eufonik dhe prova më e dukshme është a (me theks hundor në vend të asht, për të shmangë dy sh rresht (asht shtrenjt, që afërmendsh bëhet: a shtrenjt) po edhe ë, siç e do kënga : s`ë për mua e për ty/po për gjithë Shqipëri. Po ashtu, kujdesi për një shprehje të rrjedhshme do të hyjë në mësim si disiplinë me tekste, për të mos përsëritur b.f. një bashkëtingëllore në fjalën pasuese: gjer te dera; deri te gjuri .

DOBITË QË RRJEDHIN

Tkurrja në pak rrokje e frazës, siç e ka gegnishtja, i vlen poezisë, filmit, teatrit. Ka gjuhë të privilegjuara që e kanë në natyre reduktimin (anglishtja), dhe kjo veti u shërben shumë në kinema o teatër, ku kërkohet koncentrim; ndërsa të tjera (spanishtja, italishtja, greqishtja etj.) duke qënë shumrrokëshe, u duhet të shtojnë shpejtësinë e shqiptimit të rrokjeve, e kjo i kushton dramaticitetit, që kërkon fjala të ketë peshë, pra replika të shkurtra.

Vijmë tek ndryshimi tjetër i dy dialekteve: Përdorimi i n apo i r në mbaresa, një vështirësi që duhet zgjidhur kur tashmë ka hyrë gjithandej e dyta (Shqipëri e jo Shqipni ). Kjo ka të bëjë me eufoninë, dhe sigurisht është n që fiton, sidomos kur në rrokjen pasuese kemi një r; ndaj duhet shtetnor, fminor , e jo shtetëror, fëmijëror, mullini e jo mulliri (ngaqë shumsi bën mulli(n)jt ). Gegnishtja alternon si rregull n me r, kurse toskërishtja i kthen të dyja në r, ndaj ka dalë nevoja të adoptohet zanore e jo zërore si ma eufonike. Por, ekzistenca e dy o tre varianteve krijon larminë, në këtë rast larmi muzikale, që mund të kthehen herë-herë në nuanca kuptimore.

Nuk na duhet koherenca dialektore por loja estetike bashkëtingëllore-zanore, pra del më e pëlqyer të kemi përzjerje kur kriteri eufonik krijon brenda fjalisë lehtësi tingëllimi me fjalë përkatësie të ndryshme dialektore. Kështu fondi i gjuhës duhet trajtue si një serrë me filiza të disponueshme prej çdo këndi të territorit. Serrë ku kryesisht poeti/shkrimtari zgjedh e propozon , dhe autoriteti gjuhësor me sens kritik mbi të gjitha pro shqiptimit të bukur konfirmon ose refuzon mbas një kohe të mjaftueshme për të provuar suksesin e tyre në masën e kulturuar. Tek eufonia përfshihet shqiptueshmëria por kësaj i hapen probleme për shkak të kriterit thjesht gramatikor që sundon dhe bën shpesh të detyrueshme cezurën mes fjalis:..me kusht//shtetzimin, heq pothuaj nga përdorimi formën s`e dua ose shton zanore fundore të paqëna për të lehtësuar shqiptimin – është shtrenjtuar. Kjo përbën një kapitull të madh mbi rrjedhshmërinë, të cilin gjuhët e kultivuara e kanë zgjidhur me kohë. Shkrimtari ynë (kush e ka atë kërkesë..) duhet të ndalet e ta zgjidhi or` e çast gjatë punës tij; ndaj duhen kodifikuar se si përballohen përplasjet e padëshiruara mes bashktinglloresh, ashtu si apostrofi zgjidh zanoret që tronditin ritmin.

Përzgjedhja në pasurin dialektore bëhet me sens krijues e jo me konformim rregullit të ngushtë, përjashtues; duhet pra të prijë shija, fantazia, që nuk përfillin skrupujt e drejtshkrimit zyrtar – shtrati prokrustian ku tepër gjatë redaktori mbajti nën zotërim dhe masakroi autorin edhe në gjuhë, e jo vetëm për brendinë ideologjike. Frut i këtij procesi përzgjedhës/miratues që e ruan fjalorin mbarshqiptar do të jetë një fjalor sinonimik në sensin që thamë më lart, të nuancave kuptimore që do tu jepen varianteve ortografikisht të ndryshme të së njëjtës fjalë.

DËMET QË DUHEN SHMANGUR

Provë flagrante e triumfit në dekadat e diktaturës e mësuesisë mendjengushtë mbi intuitën kreative, ka qënë botimi tash vonë në shqipe standarde e teksteve arbreshe pa origjinalin pranë. Në to i jepet lexuesit “kuptimi” i poemave dhe u hiqet poezia. Një efekt rrënues. Këtu na pruri dekadenca e shijes që rezultoi nga ngurtësia e standardit, e planifikuar dhe e zbatuar pa asnjë lëshim, si një letërsi shkruesish, që vetëm duke iu bindur korrektorëve letraro-përmbajtsorë do të siguronin të drejtën e botimit.

Reforma e viteve 70 solli në fakt triumfin e uniformizimit dhaskalist, aty ku larmia dhe afërsia mes dialekteve ekzistonte dhe duhej harmonizuar me pasuri trajtash. Duhet tani e kundërta. Të vihet në program së pari përvehtësimi nga gjenerata e re e pasurisë gjuhësore që gjejmë tek shkrimtarët e vjetër e të cituar përmbledhtaz nga Kristoforidhi, e poezisë popullore (Eposi i Veriut etj), asaj jugore, arbreshe dhe e kontributit të krijuesve të mëvonshëm, sigurisht mbas nji qëmtimi të rreptë për të nxjerrë vlerat letrare, e pa ndonjë detyrim të madh kundrejt autorëve me emër, por që s`paraqesin vlera artistike. Duke qënë geg vetë, por në kufi të toskërisë, Kristoforidhi me dy dhjata, së pari gegnisht, pastaj toskërisht, dhe me fjalorin del babai i gjuhës letrare moderne. Kontributi i tij si autor mbeti panjohur për publikun e sotëm (?). Duke cituar në fjalor dialektet dhe autorët e vjetër, ai sikur na jep qysh atëherë orientimin që theksuam më lart, të një harmonizimi-integrimi me kohë të dy dialekteve. Ai jep landën e plotë të leksikut që duhet të shërbejë si bazë. Disa qindra fjalë të vjetra, arbreshe e dialektale janë asgjë për trurin rinor, jo vetëm, por me një program të studiuar që përzgjedh ato më me vlerë, fondi i memorizuar do të përbëjë një kapital të vërtetë për letrarët e ardhmë. Deri edhe në shkolla profesionale nxënësit t`i njohin majat e poezisë sonë ashtu si janë, t`i recitojnë dhe t`i nxëjnë përmendësh, kurse ata të gjimnazit të zgjerohen mbi to. Më shumë se leksionet historike, ose së bashku me to por të nënshtruara kritikës moderne, poemat origjinale dhe burimore, ngrejnë ndërgjegjen estetike të nxënësit, rritet aftësia e tij evokative mbi vargjet që dëshmojnë situata historike të vërteta, në vend të atyre të rrumbullosura o të sajuara të derisotme, retorike dhe shpesh false.

Kur i riu i njeh ngjarjet historike përmjet gjuhës origjinale të poetëve, dhe gojës së anonimëve popullorë, kur ndien dhimbjen që i përshkon, në vend të fryrjes bosh që u jep shpesh historiografia, do të krijohet lidhja e vërtetë me të kaluarën, dhe kështu rikuperohet njësimi me atë kohë, deri sot i shmangur për shkak të problemeve që i nxjerr tezës shqiptari pa faj- fajtorë janë të tjerët.. Dhe kështu brezi i ri fiton një ndjeshmëri reale mbi historinë, si një nisje për vetëformim serioz.

Lënda e gjuhë-letërsisë për një komb si i yni dhe në kushtin tepër delikat të momentit duhet të përbëjë shtyllën kurrizore të shkollës; përmes letërsisë burimore, mitike dhe historike, dhe një kulture të hollësishme mbi gjithshka arbnore e shqiptare, me të mirat e sidomos të hidhurat e historis, brezi që rritet t`i njohi vlerat reale dhe jo sajesa që me kohë bien poshtë duke e lanë pa një vetëdije të mirëfilltë kombëtare. Dobia e një mësimi të tillë , do të pasqyrohet te krijimet e nesërme, të një sinqeriteti shpresojmë që i shkon kohës sotme në botë, rrënjësisht kritike ndaj falsitetit të mbivendosjeve pseudovetvlersuese. Jemi të vonuar në këtë kthesë autokritike, por më e negative është fryma nihiliste që po e mbush momentin dhe çon krizën tonë të identitetit në kufij të rrezikshëm. Vlerat duhen kërkuar te humbjet tona historike, një humbje e tërë tejpërtej, por duke zbuluar çka ka rezistuar brenda saj dhe mbi të gjitha psenë e humbjes dhe të rezistencës. Gjëra këto që e tejkalojnë materializmin me të cilin janë edukuar dy brezat e mbramë, dhe vë në pah gati inkoshiencën, instinktivitetin e atyre më të hershëm. Ato gjenden dhe do të zbulohen te këngët burimore nëse bashkë me to do të shfletojmë studimet e të huajve mbi to. E tillë është rryma e sotme kudo në botë, më profesionale, kështu edhe bagazhi i plotë gjuhësor letraro-historik, me të vërtetat e përimtësuara të gjithshkaje burimore, do të na rreshtojë te formimi bashkëkohor e kritik i vetëdijes.

MBI TË GJITHA, LOGJIKA KREATIVE

Është edukimi me shijë të lartë që vepron mbi psikikën e të riut, me bukurin e tingëllimit dhe evokim të historisë, e jo i derisotmi që e quan të papjekur të riun, pra të paaftë për ta ndier dramën tonë kombëtare në shekuj , dhe e mbush me sajesat që thamë, që synuan dhe ia dolën të rrisnin breza të dëmtuar qysh në nisje. Çështja pra qëndron të luftohet doktrina materialiste që e vendos kutin e pedagogjisë te masa mediokre e jo tek individi inteligjent; sot jemi në momentin që të veprojmë në drejtim të kundërt, dhe ta “ngarkojmë” trurin e të riut me detyra të shumëfishta. Fjalët e rralla tek poemat na lidhin me fazat që ka kaluar gjuha, dhe kjo lloj lidhje frymëzon me vjetërsitë që bart, dishka përtej të kuptuarit, që merret gjoja me ngjarjet historike por s`lidhet dot me atmosferën dhe dramën e tyre. Duhet rindërtuar lidhja. Nga krahu tjetër autori aktual ka një botë për të shprehur, dhe një prej mjeteve të tij më të forta është liria e tij me gjuhën, organizim i gjallë. Ato mjete, të hershme në trashëgimi, dhe ato aktualet në individualitetin krijues, mund të duan një proces të vështirë përvetësimi e njohjeje nga publiku, por ato e zgjerojnë horizontin e lexuesit, dhe ashtu letërsia jonë bën hapat drejt kultivimit, finesës, kusht për tu rreshtuar në krah të shoqeve të saj më të privilegjuara prej fatit historik.

Pa veçansitë gjuhësore që e plotësojnë fondin tonë me këmbëngulje të varfër aktual, s`mund të bëjmë përzgjedhje të goditura. Vlejnë si përzierja e mjeteve, e elaboruar nga shija e hollë, ashtu dhe pastërtia e tyre kur e kërkon ndjeshmëria nazike. Vjen vetiu që për rastin e dytë, ribotimet janë të domosme, një shembull nga të shumtët: titulli i librit Z. Zorbës, ashtu si duhet ta ketë konceptue: Buzë të ngrime n` gaz ( jo të ngrira). Këto hollësi që tashti konsiderohen heretike në tregun tonë letrar, do të lejonin përveç natyrsis në sektorë si teatri, filmi dhe vetë letërsia (e dëmtuar rëndë deri sot), edhe rritjen e kuptueshmërisë së letërsisë sonë klasike me anë të kulturës filologjike që fitohet, po ashtu të asaj të vonë veriore thuajse krejt të përjashtuar, sidhe të ciklit epik, që përbëjnë të gjitha edhe pse të pakta, një bllok tepër të rëndësishëm për t`ia lenë zbehjes ose vetëm specialistëve dhe një publiku të ngushtë. Sot duhet e kundërta e procesit që familjarizoi tek veriorët për 50 vjet toskërishten nën fytyrë standardi, me një afrim tash të jugorëve me rapsoditë e ciklin mitik verior, me Fishtën e poetët gegë, pra një zgjerim ndjeshmërie e njohjeje kudo e me gjithshka që ka të bëjë me atë trashëgimi . Për të mos qënë i njëanshëm, në shkolla diçka mësohet, fjala është për një zgjerim të madh të lëndës me shtesë orësh e trajtime të hollësishme (edhe përmendsh siç thamë) të autorëve dhe folklorit kulmor.

Në kushtet e garës globale nuk ka pasuri më me rëndësi për ne se gjuha, dhe s`ka mjet më efikas për ta mbrojtur e kthyer në pjellore se sa një shkollë me profil të theksuar filologjik. Vërtet talenti është primar, por për tu kultivuar ai, njohja me hollësi e të gjitha vlerave të krijuara deri sot merr rëndësi parësore. Degët e së njëjtës rrënjë të promovuara paralelisht, kanë një fuqi frymëzuese të pandier, kurse norma e vendosur nga gjuhëtarët, aq më keq mbi një bazë paraprakisht të ngushtuar, ua kalon atë si parzmore poetëve e prozatorëve siç po e konstatojmë shumë shpesh; ajo bëhet veçanërisht penguese për ata shkrimtarë që i tërheq më shumë tingëllimi sesa brendia kuptimore.(Të mos harrojmë formulën e Verlainit : “De la musique avant tout chose” ).

Vet ideja e një standardi tek ne ka qënë edhe e parakohshme edhe varfëronjëse. Po të heqim gjuhën e shkresave që kërkon qartësi për të shmangur keqkuptime me dëm praktik (veçan në jargonin gjyqësor), e tërë sfera që mbetet, letërsi, teatër, film, poezi, vetëm dobi do ketë prej të folmeve popullore dialektale e madje argove, dhe doemos prej modeleve ekzistuese tek poetët më të suksesshëm. Kjo praktikë njihet kudo në botë, ajo krijon pasurinë e fjalorit, nuancat kuptimore, sinonimet që i japin dorë shkrimit me fantazi. Guximi krijues ka shumë për të nxjerrë prej licencave të goditura. Shkolla duhet t`ua bëjë të njohur fëmijve letërsinë më të vlefshme të të gjitha trevave, ashtu siç është, veprat e shkrimtarëve kudo ku shkruhet shqip. Kthimi i shkrimtarit e lexuesit tek folklori dhe tek shkrimtarët e lashtë mund të jetë e vështirë veçanërisht mbas karantinës ndaj çdo gjëje që lidhej me fenë, por do ta shtojë e thellojë njohjen e shpirtit arbër e shqiptar; shkollës i bie të jetë në vendin e parë të kësaj detyre.

PENGESAT QË DUHEN KAPËRCYER

Mund të paraqesë problem se si leksiku i panjohur bëhet i pëlqyer te lexuesi mbasi ka tërhequr poetin e prozatorin autor me ekzotizmin/nostalgjinë e tij. Ajo lloj poezie e vëmendshme veç te përmbajtja, e shmang fjalën pak të njohur nga frika e tronditjes së komunikimit, ajo don që tingëllimi të kthehet në kuptim sakaq. Zgjidhja e problemit vjen indirekt, nga prurja e shumëzuar prej botimeve, që kthehet në njohje-pëlqim-përdorim sipas shijes së autorit, pra do një farë kohë, dmth një proces familjarizimi. Por, mjafton të kujtojmë sesi i bëjmë tonat edhe fjalë të panjohura prej vlerës së kontekstit që na rastis të na magjepsë. Shkurt duhet të pasurohet tregu letrar, dhe për këtë duhet më parë krijuar interesi për letërsinë nëpërmjet leximit e recitimit, teatrit cilësor në shkolla dhe mjedise të ndryshme. Të propagandohen të gjitha tekstet me vlerë që ofrojnë burimet gjuhësore të veriut, jugut, dhe atyre jashtë kufive e diasporave, dhe të mënjanohen nga programet ato pa vlerë. Kurse pjesa teorike e mësimit (ç`janë rrymat, klasicizmi, romantizmi etj.), nxënësi i merr dhe i vlerëson po qe i interesuar nga veprat. Primare është magjepsja nga forma, dhe forma varet shumë nga pasurimi paraprak me gjuhën e kohërave. I riu përvetëson gjithshka, sado ta ngarkosh, kështu na mëson psikologjia. Shkolla e çdo niveli duhet të përqendrohet pra te mjetet, shqiptim – recitimi, sintaksi, gramatika, por me një metodë praktike, duke i nxjerrë ato prej teksteve, pra me një konkretësi që bashkon zbulimin e rregullave me kënaqësinë. Shembujt novatore në shkelje krijuese të sintaksit ose licenca të tjera të jenë të rrethuara me kornizë tek faqja e librit, për tu fiksuar në tru. Kjo përbën përparësinë absolute në gjendjen stanjante që jemi.

Politika arsimore e deridjeshme ka bërë të kundërtën, ka reduktuar larmin tek rregulli, madje ka hequr fare lëndën e gjuhës, me pasoja rrënuese për aftësinë shprehëse të qytetarëve, rënien poshtë të nivelit letrar në masa (shkrimtaria masive e reduktuar në formula, romantizëm demode, moralizëm të hapur, libra komercialë etj), ndërkohë që ai i krijuesve të veçantë është rritur shumë por pa merituar vëmendjen e duhur; pikërisht ndodhin procese të kundërta nga ai kur ishim nën diktat. Mundet ky polarizim dije-padijë ndodh kudo në botë prej dekadencës së leximit në favor të lojërave kompiuterike e zbavitjeve të tjera. Vetëm nëse do të arrijmë të nxisim leximin tek qytetarët e më shumë tek rinia, teatrin cilësor në shkolla, do të vijë kthesa. Dhe, atëherë do këtë vend për të hyrë në garë me letërsinë e huaj, gjë që në afat të gjatë vlen po aq sa ekonomia e mirë dhe jeta metropolitane për afirmimin e Shqipërisë si një kënd origjinal i Evropës. Do të arrijmë pjesëmarrjen në garë kur identiteti ynë të ofrojë vepra, art, mënyrë jetese interesante që tërheqin publikun sepse gjen aty tiparin e vet vendës të zbuluar artistikisht, dhe bëhet tërheqës edhe për të huajt.

PURIZMI DHE HUAZIMET

Lartësimit të nivelit letrar i duhet shtimi i larmisë në fjalor. Ky është një problem i madh, mbasi ndesh me purizmin patriotik mjaft të përhapur. Mendimi purist preferon një shqipe të pastër (por sa e pastër është ajo?) kundrejt asaj që huhet vazhdimisht së jashtmi terma e fjalë që i mungojnë krejt ose që i vlejnë si sinonime. Prirja për t` i shmangur bëhet shkak që me kohë ato të hyjnë dhunshëm e pa kulturë . Mënyra më e mirë për një pasurim real është të ligjësohen me autoritet ato huazime që sigurojnë jo vetëm zërin e duhur për një koncept ose objekt që na mungon, po edhe sinonime për nuanca në psikologji dhe larmi stili në romanet tona. Që letërsia të bëhet më e fuqishme në kuptime dhe më elegante në mjete. Shkollës i duhet vue kujdesi edhe për sintaksin që e ka pasë dikur lëndë me vete, për një logjikë të fjalisë , por edhe për një liri në poezi duke e shkelur normën e ligjëruar me sens krijues. Kryesor mbetet rreshtimi i fjalëve në mënyrë që suksesioni zanore-bashkëtingëllore të jetë i një shqiptimi të këndshëm, si dhe që fondi dialektor, nga i veçantë të shndërrohet në të përbashkët, pa na e vrarë më veshin pranësia gege-toske. Aktualisht të inkurajon që e folura e rrugës e ban këtë, konstatohet kudo, deri në parlament – parasëgjithash trajta paskajore, e përdorur nga jugorë, (me e kujtu) dhe aq më mirë, e pasuar shpesh nga pjesore jugore (tue harruar ).

Pra, po hyn ajo përzierje, ai unifikim veri-jug i mjetit më efikas gjuhësor për të shprehur parime, të cilin akademia jonë (instituti i gjuhësisë, kongresi i 72) e dënoi me vdekje për së gjalli. Mendja e shëndoshë e popullit reagon. E dyta: zanoret e gjata, një pasuri e gjuhës që dikur shtrëngonte veriorët të përdornin në shkrim zanore të dyfishuara, dhe që fatkeqësisht i ndien sot më rrallë. Fajtor direkt është standardi që ka ligjësuar ë-në si rrokje, e cila i kthen në të shkurtra të gjitha zanoret, nëpërmjet shtimit të një ë- je pas çdo mbarese të gjindores, kallzores etj. e duke i numëruar si rrokje. Shembull: nëse i-a fundore e fjalës liri shqiptohet e gjatë në emnore, në rasat e tjera, lirisë, lirinë etj. përfundon e shkurtër. Gjuha jonë i ka zanoret dy llojesh: I par ( e gjatë, që ne e shkruajmë i parë), kurse a tek ar, e shkurtër.

Ky dëmtim i madh fonetik, erdhi nga standardi, që jo vetëm bazohet tek toskërishtja, por me shtimin e ë-së si më lart, zyrtarizon dialektin juglindor (kryesisht korçar, sikur të ishim ende në shekullin e XIX). Gjuhëtarët tanë kanë shenjtëruar këtë prirje konservatore por lokale, megjithëse qysh në vitet `20 e deri në vitet e para të pasluftës, kemi pasë një interval mjaft të gjatë me gjuhë zyrtare një gegnishte të moderuar me theksa, e cila e zgjidhte problemin. Ajo mund të vazhdonte po të mos qe motivimi politik i fshehur nën reformën. Argumenti kryesor i tyre – përjashtimi i theksave (dmth jo lirin –me theks mbi i-në fundore, por lirinë, për të bërë theksimin e saj ndryshe nga liri (bimë)me theks paroksiton. Por ç`rëndësi ka ky komoditet kur shqipja i ka të natyrës saj, pra të domosdoshme zanoret e gjata për të qëne shqipe e zëshme, dhe shkurtimi i tyre me anë të ë-së, denatyron të folurën në pjesën më të madhe të territorit)

EPËRSIA FONETIKE E GEGNISHTES

Dialekti verior ësht në masë të madhe ma i zashëm (përfshi këtu edhe rreshtimin e bashkëtingëlloreve, më estetik se toskërishtja ( zhbij, zhgatrroj, i mpijt, kundrejt çfaros, çkatërroj, i mbirë). Duke qënë kryesisht njërroksh, po edhe me zanore te gjata/shkurtra, dialekti verior ka theksa të shpeshtë , gjë që paraqet një avantazh të shumfisht, kuptueshmëri dhe tingëllim. Mund të thuhet se gegnishtja artikulohet, kurse toskërishtja mërmëritet. Një krahasim i guximshëm ky por mjaft afër së vërtetës, që mund të provohet statistikisht me krahasime në faqet e librave: sa më e pranishme ësht zanorja a dhe diftonget ku a-ja prin ( ai ) në veri dhe sa në jug.

A-ja konsiderohet kudo si zanorja ma e bukur. Ajo dominon në Veri: Bajm, bëzajm, hana, hajn, që në Jug i gjejm: bëjmë,bëjmë zë,hënë, vjedhës. Le të krijojmë një fjali tipike në dy variante do të na e jepte më dukshëm ndryshimin: Ledhat e bajn fminin ma t`kandshme, kundrejt Përkëdhelitë e bëjnë fëmijërinë më të këndëshme. Thuajse 18 rrokje kundrejt 9. Rastet janë gjithandej. Eleganca e gegnishtes duket psh te dinamizmi i tipit ndejun kundrejt ndënjur,- hajes- ngrënies e panumur të tjerash.

Prej kohësh po zhvillohet diskutimi rreth ë-së , dhe ka shumë gjuhëtarë, shkrimtarë, e sidomos poetë, që këmbëngulin për suprimimin zyrtarisht të saj në disa raste ku standardi e ka fiksuar. Kundërshtimi i autoritetit zyrtar gjuhësor nuk lëviz, madje shkolla ka bërë që të hyjë vesi i zvarritjes me ë edhe atje ku s`ka qënë. Po edhe zhdukjen e saj në vende që duhet pa tjetër si te shumsi dhe te lidhorja ( një skandal që përfshin edhe plot intlektualë, të panumurt!).

E pakuptueshme mospjesëmarrja e shumë personaliteteve nga veriu, që kanë për detyrë të ringjallin traditën letrare të konsoliduar me shekuj mbi themelet e shkrimtarëve mesjetarë dhe të folklorit. Pa njohjen dhe performimin e tij të përditësuar me botime e recitime tashmë të kuptueshme në tërë territorin, gjuha shqipe dhe kultura shqiptare hyn në një varfërim të rrezikshëm. Pikërisht këtu shohim nevojën e një shkolle me karakter letrar të përforcuar, qysh në nivelin fillor, dhe me karakter thellues në nivelin e mesëm dhe të lartë. Puna intensive për një fjalor etimologjik dhe sinonimik jo të thjesht por pasqyrues të gjithë pasurisë leksikore të hapësirës shqiptare me nuancat që kanë ose do tu jepen sinonimeve do të ndihmonte shumë, por edhe guximi i shkrimtarëve për të huajtur prej kësaj pasurie, sado në luftë me ndjeshmërinë e secilit për të qënë i natyrshëm sot për sot. Ky është një problem serioz; do të zgjidhet vetëm me anën e atij fenomeni të njohur por me afate të gjata, të kalimit nga repulsioni tek familjarizimi me të renë.

Po përmend vetëm një shembull skajor për nga guximi: përkthimin e Simposiumit të Platonit nga Shpëtim Doda, me termin Bashkëpirje. Mund të pranohet, mundet jo. Por, kur hyn e lexon tekstin, fillon të ndiesh se hyrja e neologjizmave të padigjuara më parë, të krijuara si përkthime drejtpërdrejt nga origjinali ose të nxjerra nga gjuha e ulët, e bën gjuhën një fushë për lojë . Nëse rezultati pëlqehet, qoftë me pakicë, kontributi është i vlefshëm. Kontributet me fantazi, do të jenë një temë plus për diskutim, e rëndësishmja është të kenë nivel estetik, por edhe efektin befasi që hyn si përbërës në stile me kërkesa të veçanta. Po në atë libër kemi edhe orientalizma. Masa se sa duhen përdorur ato luhatet historikisht mes maksimales së Bejtexhive, purizmit absolut të Naimit, ringjalljes së tyre mjaft të theksuar nga Noli ( te Don Kishoti e jo vetëm), dhe sot në masë të moderuar te Doda, që i ka marrë prej të folurës së gjallë ende sot. Ato mbeten një mjet për tu pasur në konsideratë.

SI PËRFUNDIM

Niveli i shijes që zgjedh/dominon mjetet ngrihet dhe përsoset brenda një shkolle ku gjuha shqip dhe letërsia zë vendin e parë si shqetësim intelektual i shoqnis. Sepse me atë vendosje shprehja (letrare dhe shkencore) pranimi o skartimi i termave, do vijë si në të kaluarën, prej pëlqimit të atij që bëhet e përdorshme ngaqë miratohet prej elitës së vërtetë e jo të emëruar. Pra duhet të vendosë shija e rafinuar e poetëve dhe prozatorëve, jo ajo e gjuhëtarëve. Dhe kriter i padiskutueshëm ësht shkurtësia. Atë na e siguron dialekti verior.