LAJMI I FUNDIT:

Më 2023 u paguan mbi 8 milionë euro nga buxheti i shtetit për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja

Më 2023 u paguan mbi 8 milionë euro nga buxheti i shtetit për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja
Foto: Arkiv

Shuma që Republika e Kosovës ka shpenzuar gjatë periudhës janar-dhjetor 2023 për mbrojtjen e të akuzuarve të cilët po përballen me drejtësinë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka qenë 8 milionë e 195 mijë e 800 euro, duke e kaluar buxhetin e ndarë për atë vit, shifër e cila ishte 7 milionë euro.

Sipas të dhënave të siguruara nga Ministria e Drejtësisë, shuma më e madhe e mjeteve të ndara për mbrojtjen e të akuzuarve gjatë vitit 2023 është ndarë për mbrojtjen e Jakup Krasniqit. Ndërsa, pas tij qëndron mbrojtja e Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit me të njëjtën shumë. Kurse, nga katërshja e UÇK-së, më së paku është shpenzuar për mbrojtjen e Hashim Thaçit.

Nga të dhënat e MD-së, bëhet e ditur se gjatë vitit 2023, mbrojtja e Krasniqit ka shpenzuar 1 milion e 540 mijë euro, mbrojtja e Veselit dhe ajo e Selimit nga 1 milion e 430 mijë euro. Ndërsa, ajo e Thaçit ka shpenzuar 1 milion e 371 mijë e 800 euro.


Kurse, për të akuzuarit tjerë, sipas përgjigjes nga Ministria e Drejtësisë thuhet se për mbrojtjen e Pjetër Shalës janë shpenzuar 975 mijë euro, për atë të Salih Mustafës janë shpenzuar 684 mijë euro, për mbrojtjen e Hysni Gucatit 423 mijë euro dhe për atë të Nasim Haradinajt janë shpenzuar 342 mijë euro.

“Sipas Ligjit nr.08/L-193 mbi Ndarjen Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, i Plotësuar dhe Ndryshuar me Ligjin nr. 08/L-213, Buxheti i ndarë për MD përkatësisht Divizionin për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara ishte 7.000.000 € (shtatë million euro). Megjithatë, kjo shumë nuk ka mjaftuar për vitin 2023, Ministria e Drejtësisë me shkresë të veçantë ka kërkuar mjete shtesë, me kërkesat buxhetore sipas afateve të përcaktuara nga Ministria e Financave”, thuhet në përgjigjen e MD-së dhënë për “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, MD-ja thekson se mjetet buxhetore të shpenzuara për vizitat e familjarëve të të akuzuarve në Hagë gjatë vitit 2023 kanë arritur shifrën në 134 mijë e 818 euro e 16 centë. Këtu, sipas përgjigjes së MD-së janë përfshirë biletat, fjetja dhe ushqimi.

Sipas MD-së, Thaçi nuk ka bërë kërkesa për mjete lidhur me vizitat e familjarëve të tij. Kurse, Pjetër Shala nuk ka bërë kërkesa për mjete për bileta udhëtimi për familjarët e tij për periudhën e njëjtë, por për fjetje dhe ushqim po.

Për familjarët e Jakup Krasniqit janë shpenzuar 26 mijë e 500 euro e 49 centë vetëm gjatë vitit 2023. Për familjarët e Kadri Veselit janë shpenzuar 19 mijë e 627 euro e 11 centë, për të Selimit janë shpenzuar 25 mijë e 301 euro e 48 centë.

Ndërsa, për familjarët e Salih Mustafës janë shpenzuar 9 mijë e 768 euro e 43 centë, për të Pjetër Shalës 6 mijë e 607 euro e 20 centë. Kurse për familjarët e Sabit Januzit janë shpenzuar vetëm 700 euro.

Ndonëse u liruan në fund të 2023-ës, buxheti i shpenzuar për familjarët e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt ka shkuar në mbi 46 mijë euro (22 mijë e 644 euro e 84 centë për familjarët e Haradinajt dhe 23 mijë e 668 euro e 61 centë atë për të Gucatit).

Mbulimi i këtyre shpenzimeve për mbrojtjen e të akuzuarve të Speciales bëhet konform Nenit 3, paragrafi 1 të Ligjit nr. 05/l-054 për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

Sipas nenit 3.1 të këtij ligji përcaktohet se “Të gjithë personat e akuzuar kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësit të pavarur, me përvojë dhe kompetencë, që paguhen nga Buxheti i Kosovës, i alokuar për qëllimet e këtij Ligji”.

Derisa, neni 4 i po të njëjtit ligj ka paraparë se “1. Mbështetja e nevojshme financiare për anëtarët e ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara përfshinë shpenzimet e ndërlidhura me udhëtimet e tyre kur procedurat gjyqësore zhvillohen jashtë Kosovës. 2. Mbështetja e nevojshme financiare për anëtaret e ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara bëhet sipas aktit nënligjor të miratuar nga Ministria e Drejtësisë”.

Dhomat e Specializuara të Kosovës janë themeluar në gusht të vitit 2015, pasi deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kishin miratuar amendamentin kushtetues, përkatësisht nenin e ri 162 të Kushtetutës së Kosovës, me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe Ligjin pёr Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit tё Specializuar (ZPS).

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Kurse në rastin ndaj Salih Mustafës kishte vendime dënuese në shkallën e parë dhe të dytë, por Supremja e Speciales e ktheu sërish rastin në Apel për të përcaktuar një dënim të ri ndaj të akuzuarit për krime lufte. Aktakuza e ngarkon Mustafën me krime të kryera kundër personave të ndaluar në një kompleks ndalimi në fshatin Zllash ku pretendohet se u kryen krime të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe torturës dhe se u vra një i ndaluar.

Së fundi, edhe për rastin ndaj Pjetër Shalës ka një verdikt nga shkalla e parë, por që gjatë 2023-ës ky rast ishte ende në proces të gjykimit.

Shala u shpall fajtor për ndalim arbitrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi. Ai u dënua me 18 vjet burgim e që vendimi ende nuk ka formë të prerë.

Më 18 maj 2022, nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë u shpallën fajtorë Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati,  lidhur me veprat penale të pengimit të personave zyrtarë dhe pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vite e gjysmë burgim, ku iu llogaritej koha e kaluar në paraburgim, si dhe me nga 100 euro gjobë.

Pas ankesës në Apel, Kolegji i Gjykatës së Apelit nxori aktgjykim lidhur me ankesën e dy të dënuarve nga shkalla e parë, ku u konfirmuan shumica e veprave për të cilat ishin dënuar. Por, dënimi u zbrit në 4 vite e tre muaj dhe iu konfirmua dënimi me 100 euro gjobë. Megjithatë, kërkesat për mbrojte të ligjshmërisë në këtë rast u refuzuan nga Supremja dhe Kushtetuesja e Speciales.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinajn, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Për vepra kundër administrimit të drejtësisë dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare po akuzohen edhe Ismet Bahtijari, Sabit Januzi dhe Haxhi Shala por që gjykimi në këtë rast ende nuk ka filluar.

Në trend Lajme

Më shumë
Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Lajme
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Kronika e Zezë
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Kalo në kategori