LAJMI I FUNDIT:

Real Madridi zbulon datën e prezantimit të Mbappes

Real Madridi zbulon datën e prezantimit të Mbappes

Real Madridi ka konfirmuar zyrtarisht datën dhe orën e prezantimit të sulmuesit Kylian Mbappe.

Mbappe dhe Los Blancos konfirmuan para disa javësh arritjen e marrëveshjes për transferimin e francezit si lojtar i lirë në Santiago Bernabeu.

Megjithatë, prezantimi i tij është shtyrë shkaku i angazhimit të lojtarit me kombëtaren e Francës në Euro 2024.


Por, pritjes i ka ardhur fundi tashmë dhe Mbappe shumë shpejt do të prezantohet si lojtar i ri i Mbretërve.

“Real Madrid CF njofton se të martën e ardhshme, më 16 korrik, në orën 12:00 do të bëhet prezantimi i lojtarit tonë Kylian Mbappe në stadiumin Santiago Bernabeu”.

“Më parë, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, do të presë Kylian Mbappe në Real Madrid City për ceremoninë zyrtare të nënshkrimit që lidh lojtarin tonë të ri me klubin për pesë sezonet e ardhshme”.

“Pas prezantimit, Kylian Mbappe do të flasë për mediat në sallën e shtypit të Santiago Bernabeu”, thuhet në njoftimin e Los Blancos.

Përveç kësaj, Los Blancos kanë konfirmuar se Mbappe do ta mbajë veshur fanellën me numër 9. /Telegrafi/