LAJMI I FUNDIT:

Pse Hollivudi ka frikë nga Afganistani?

Pse Hollivudi ka frikë nga Afganistani?
Skenë nga filmi “The Covenant” i regjisorit Guy Ritchie

Nga: Caryn James / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

[Filmi] The Covenant (Besëlidhja) i [regjisorit] Guy Ritchie është film i vrullshëm i aksionit, plot me të shtëna armësh dhe me shpërthime që të bëjnë të ndihesh thuajse je i zënë në mes të një rreziku. Dhe, si shumë filma për luftën, mbështetet në një tregim të vakët rreth zgjedhjeve që ne bëjmë për heroizmin. Jake Gyllenhaal e luan [rolin e] John Kinleyt, të rreshterit të ushtrisë amerikane në Afganistan gjatë vitit 2018, jetën e të cilit e shpëton përkthyesi i tij afgan, Ahmedi (Dar Salim). Në aktin heroik të realizuar pa ndihmën e askujt – gjë që ndodh vetëm në filma – pasi Kinley kthehet në shtëpi dhe pasi mëson se Ahmedi dhe familja e tij po kërkohen nga talebanët – meqë i ka ndihmuar amerikanët – kthehet në Afganistan në përpjekjen për ta shpëtuar. Deri këtu, gjithçka tingëllon si një tjetër aventurë komerciale.

Por, jehona e filmit në botën reale, sado e cekët të jetë, na flet për tendencën e shtuar të ekranit për veprat që përqendrohen në luftën 20-vjeçare të ShBA-së në Afganistan, e cila përfundoi kur ushtria e tyre u largua nga aty në vitin 2021. U deshën vetëm disa vjet pas tërheqjes së ShBA-së nga Vietnami, për të arritur te disa prej filmave të mrekullueshëm, përfshirë këtu Apocalypse Now (1979) dhe The Deer Hunter (1978). The Covenant dhe përgjigjet e tjera të ndrojtura, bëjnë me dije se ndërkohë që kineastët po i përqendrojnë realizimet e veta në temën e Afganistanit, mund të marrë më shumë kohë mbërthimi i atij konflikti në ekran. Peizazhi i Hollivudit sot është më i kujdesshëm se kurrë – dhe SHBA-ja politikisht është shumë e ndarë – për filmat që rrezikojnë largimin e gjysmës së audiencës. (Sondazhi i fundit i Qendrës Kërkimore Pew zbuloi se opinionet e ShBA-së, për Afganistanin, janë të ndara përgjatë linjave partiake.)


Megjithëse lufta në Afganistan sot merret si më e gjata në historinë e ShBA-së, ajo rrallëherë ka qenë temë kryesore e ndërgjegjësimit të publikut. Ushtria amerikane hyri në Afganistan në vitin 2001, pas [sulmeve të] 11 shtatorit, për t’i parandaluar sulmet që mund të vinin nga terroristët e vendosur atje, por lufta shpejt u la në hije nga konfliktet e tjera globale – së pari në Irak dhe së fundmi në Ukrainë. Megjithatë, Besëlidhja vjen në kohën e duhur. Dy javë më parë administrata e Bidenit e publikoi një raport në lidhje me tërheqjen e trupave amerikane dhe evakuimin kaotik, teksa mijëra afganë u grumbulluan në aeroportin e Kabulit në përpjekjen për t’u larguar. Talebanët e morën kontrollin e vendit brenda disa javësh – pas largimit të trupave amerikane dhe britanike – duke i kufizuar të drejtat e njeriut, veçanërisht për gratë, dhe duke e krijuar një krizë mbarëbotërore të refugjatëve afganë.

The Covenant e Guy Ritchieit (ky është titulli i plogët, që shumë pak e dallon atë nga disa filma të tjerë të quajtur The Covenant) zbret në atë kontekst, por nuk është trajtimi i parë apo i vetëm hollivudian për konfliktin, dhe në veçanti për marrëdhëniet mes ushtarëve amerikanë dhe udhërrëfyesve të tyre afganë. Në fakt, është një tjetër film që jepet premierë në muajin e ardhshëm: Kandahar (në ShBA më 26 maj) është film aksion i Gerard Butlerit për një operativ të CIA-s të bllokuar në një pjesë të rrezikshme të Afganistanit, bashkë me përkthyesin e vet. Trajleri na e shfaq Butlerin duke thënë se “askush nuk po vjen për të na shpëtuar”, sinjal ky për të dytë se duhet t’i luftojnë armiqtë dhe ta shpëtojnë njëri-tjetrin.

Ka pasur edhe më herët përpjekje të tilla, pa diçka të veçantë. The United States of Al (2021-2022) ishte komedi e lehtë e rrjetit CBS për një udhërrëfyes afgan i cili jeton në ShBA me marinsin që ai e ndihmoi dhe me familjen e tij. Tina Fey e luan rolin e një gazetareje në Kabul, në dramën komike të vitit 2016, Whisky Tango Foxtrot, një film kaq i pandjeshëm në aspektin kulturor, saqë amerikani Christopher Abbott e luan interpretuesin e saj afgan. The Covenant, pavarësisht komplotit melodramatik dhe personazheve njëdimensionale, e ngërthen më shumë realitetin.

Në rrugëtimin e vet profesional si regjisor, Ritchie ka lëvizur nga filmat e tij të hershëm me gangsterë britanikë duke shkuar tek Aladini i [produksionit të] Disney-t dhe te The Covenant që synon të jetë një tjetër hit i zakonshëm. Reagimet e shtypit, për filmin, thonë se Ritchie ka kohë që donte ta bënte një film për luftën. “Kam dëgjuar anekdota të ndryshme për Afganistanin dhe që të gjithat tingëllonin në të njëjtën masë – si të tmerrshme ashtu dhe frymëzuese”, thotë ai. “Historia e vetëmohimit të një njeriu, për një tjetër, ishte ajo që m’u duk frymëzuese për t’ia filluar”. Megjithatë, kjo është një deklaratë që mund të përdoret për pothuajse çdo film lufte.

Por, The Covenant gjithashtu është bazuar në disa fakte dhe përjetime të verifikuara, duke ia shtuar një shtresë sipërfaqes së saj shpërthyese. Teksti në fund të filmit thotë se 300 afganë janë vrarë dhe mijëra të tjerë fshihen nga talebanët, veç pse kanë bashkëpunuar me ShBA-në. Annie Pforzheimer, ish-diplomate amerikane e cila ishte zëvendësshefe e Misionit në Kabul më 2017-18, thotë se teksti tingëllon si i vërtetë. “Ky numër padyshim shpejtë mund të jetë i vjetruar, por ka shumë raste të dokumentuara që janë raportuar nga OKB-ja dhe nga vëzhguesit e pavarur të të drejtave të njeriut”, tha ajo për BBC.

Dhe, lidhja midis Kinleyt dhe Ahmedit i jep jehonë lidhjeve të forta që Pforzheimeri i ka parë me sytë e vet. “Ushtarët dhe diplomatët që shërbyen për 20 vjet, së afërmi me përkthyesit, policinë, ushtrinë dhe zyrtarë afganë, kanë një ndjenjë të thellë të besnikërisë ndaj tyre”, thotë ajo, duke shtuar se filmat si The Covenant e “pasqyrojnë ndjenjën e vërtetë të pafuqisë së tyre dhe paksa të përmbushjes së dëshirave”.

The Covenant ka gjithashtu një aspekt të papritur kritik ndaj asaj se si vizat e premtuara amerikane për Ahmedin dhe për familjen e tij janë të ngatërruar me aq shumë burokraci saqë talebanët kishin gjasa ta gjenin përpara se ai të largohej nga vendi. I nervozuar, Kinley i bërtet një oficeri të ushtrisë: “Marrëveshja ishte që ne t’ia ofrojmë një strehë familjes së tij. Më pas i lidhëm me lak rreth qafës dhe ia rrëzuam karrigen”. Nëse lëmë mënjanë politikën dhe dialogun e ashpër, zhgënjimi i tij e pasqyron faktin se grupet e veteranëve dhe organizatat e tjera jofitimprurëse tërheqin vëmendjen ndaj numrit të parealizuar të vizave speciale të imigracionit të ShBA-të – të atij lloji që u premtuan për udhërrëfyesit afganë.

Me buxhete më të vogla dhe me pak pritshmëri për sukses komercial, dokumentarët mund t’ia dalin mbanë të jenë më të ashpra në kritikat ndaj qasjes së ShBA-së ndaj Afganistanit. Retrograde i Matthew Heinemanit, i përzgjedhur në listën e ngushtë për çmimin Oscar për Dokumentarin më të Mirë, u bë me një ekip kameramanësh – me Forcat Speciale të ShBA-së, të njohura si Beretat e Gjelbra – pak para tërheqjes së ShBA-së dhe e zbulon lidhjen midis ushtarëve amerikanë dhe homologëve afganë. “Ju vlerësojmë, djem”, u flet afganëve një oficer amerikan, i palumtur dhe i pakënaqur me vendimin për t’u larguar papritmas.

Industria delikate dhe buxhetet ndihmojnë në shpjegimin e intervaleve kohore mes përfundimit të çdo lufte dhe filmave të mëdhenj rreth asaj lufte. Por, qëndrimet e publikut janë po aq të rëndësishme. Supozimi kryesor se Lufta e Dytë Botërore ishte luftë fisnike, ka dominuar në çdo film për këtë luftë që nga vitet 1940 e deri te Saving Private Ryan (1998) dhe më tej. Në kohën kur Lufta e Vietnamit përfundoi në vitin 1975, nisën të shtohen opinionet rreth idesë se përfshirja e ShBA-së ka qenë gabuar, duke e hapur kështu rrugën për filmat si Platoon (1986).

Por, shumica e filmave për betejat në Irak dhe në Afganistan kanë një definicion apolitik, duke e lavdëruar heroizmin e ushtarëve si një mënyrë për t’i anashkaluar çështjet më të thella rreth mospajtimeve për luftërat. Një tjetër film ku luan Gyllenhaal, Jarhead (2005), zhvillohet në fillim të viteve 1990 gjatë Luftës së Gjirit, dhe një marins e nxjerr filmin nga dilemat në lidhje me atë konflikt, duke iu lutur shokëve që ta harrojnë “politikën? Se, ne jemi këtu” dhe duke shtuar se “asgjë tjetër” nuk ka rëndësi.

The Outpost (2020), që flet për një betejë të madhe në Afganistan, bën diçka të ngjashme kur një ushtar thotë se “liria nuk vjen falas” – i vetmi koment me ngjyrim të paqartë politik në gjithë filmin e që fokusohet në guximin e ushtarëve dhe në tmerret e dhunës.

Historiani dhe kritiku i filmit, David Thomson, libri i të cilit The Fatal Alliance: A Century of War on Film do të botohet në nëntor, thotë se dhuna është magnet për filmat e luftës. Për BBC ai tha: “Në fakt, nuk ka asnjë film kundër luftës, sepse cilido qoftë qëllimi i kineastëve, mekanizmi i mediumit i bënë tërheqëse dhe joshëse aktin e luftës, të shtënat, vrasjet”.

Dhe, madje edhe filmat më të mirë të luftës të Hollivudit, kanë këndvështrim perëndimor. Ndërkohë, filmat nga Afganistani ekzistojnë, por shpeshherë anashkalohen. Filmi i Sahraa Karimit i vitin 2019, Hava, Maryam, Ayesha, që u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Venecie, është historia e ndjekur si duhet, e treguar lehtë ama edhe në mënyrë tronditëse për tri gra shtatzëna afgane që u përkasin klasave ndryshme. Karimi, një nga kineastet më të shquara që kohët e fundit punoi në Afganistan, u largua me ngut nga Kabuli në vitin 2021 – kur talibanët e morën pushtetin – dhe tani e konsideron veten si mërgimtare, duke jetuar në Nju-Jork. Ajo planifikon ta xhirojë një film të bazuar në arratisjen e vet, të quajtur Flight from Kabul, dhe për BBC ajo thotë: “Ngjarja ndodh dy muaj para rënies së Kabulit. Dua t’ia tregoj botës se e kishim jetën tonë, problemet tona, ëndrrat tona, dhe se megjithëse situata e sigurisë nuk ishte shumë e mirë, ne prapë çdo ditë zgjoheshim dhe e fillonim një ditë të re e me shpresa të reja”.

Për filmat kryesorë amerikanë për vendin e saj ajo thotë se “Afganistani, për regjisorët e famshëm e me buxhete të mëdha të Hollivudit, është histori prapa malit, që është ekzotike, interesante, por nuk është autentike”. Ajo shton: “Është perspektivë shumë perëndimore për atë që ndodhi në Afganistan, ku dikush do ta shpëtojë përkthyesin ose diçka tjetër. Ka shumë gjëra që afganët dhe historitë e tyre mund t’i ndajnë me botën, pa hyrë në formulën e viktimës dhe të shpëtimtarit”.

Shpërndarja e dobët e filmave me buxhet modest në gjuhë të huaj, mund t’i bëjnë ata të jenë pothuajse të padukshëm. Filmat e Karimit, përfshirë dokumentarin Afghan Women Behind the Wheel (2009) nuk janë të pranishëm në platformat transmetuese. As edhe realizimi i çmuar A Letter to the President (2003) nga një regjisore tjetër afgane, Roya Sadat. Janë shkelur nga filmat me shpërthime dhe me ushtarët e guximshëm burra, me historinë e tyre të gjatë të suksesit komercial.

Një gjë është e sigurt, se në vazhdim do të ketë më shumë filma të zakonshëm për Afganistanin. Thomsoni e quan videon nga aeroporti i Kabulit si moment “imazhesh të pabesueshme kinematografike, me njerëz që bien nga aeroplanët”. Ato skena tashmë të përdorura në dokumentarë, janë gati për gjeneratën e ardhshme – le të shpresojmë për më mirë – të filmave të luftës. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
KANGË

KANGË

Poezi
“Komedia”

“Komedia”

Kulture
ALKIMIA E FJALËS

ALKIMIA E FJALËS

Poezi
“Jetë e humbun”, leximi i dytë

“Jetë e humbun”, leximi i dytë

Kulture
Kalo në kategori