LAJMI I FUNDIT:

Protestë përpara Kuvendit të Shqipërisë, çfarë pritet të ndodhë gjatë seancës së sotme plenare

Protestë përpara Kuvendit të Shqipërisë, çfarë pritet të ndodhë gjatë seancës së sotme plenare

Një ditë aspak e qetë parashikohet kjo e sotmja për nga zhvillimet politike. Paralelisht me seancën e radhës plenare në Kuvendin e Shqipërisë, Sali Berisha ka njoftuar edhe një protestë.

Berisha ka mbledhur grupin parlamentare e më pas do të mbledhë dhe Këshillin Kombëtare për porositë e fundit.

12 deputetë të Partisë Demokratike do të mungojnë në seancën e sotme pasi janë përjashtuar për shkak të sjelljes në seancat e kaluara.


Deputetët që do të mungojnë sot janë Sali Berisha, Gazment Bardhi, Flamur Noka, Edi Paloka, Belind Këlliçi, Luçiano Boçi, Ina Zhupa, Albana Vokshi, Luan Baçi, Tritan Shehu, Ervin Salianji dhe Bledion Nallbati.

Ndërkohë në rendin e ditës të seancës së sotme është parashikuar të shqyrtohet kërkesa për shkarkimin e Lindita Nikollës si kryetare Kuvendi.

Grupi i PD-së nisi procedure e shkarkimit duke e akuzuar për “shkelje flagrante të rregullores, minimit të parlamentarizmit dhe funksionimit demokratik të Kuvendit”.

Ajo pjesë e Partisë Demokratike që drejtohet nga Enkelejd Alibeaj i cili kryeson edhe Grupin Parlamentar, akuzon kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla se ka mbyllur seancën plenare për të mbrojtur kryeministrin Edi Rama.

Sipas grupit të PD-së, kryetarja e Kuvendit u “mohoi të drejtën deputetëve të Kuvendit që të diskutojnë për çështjet e përfshira në Rendin e Ditës.”

Pas shqyrtimit nga Këshilli për Legjislacionin, tashmë do të jetë diskutimi në seancë plenare.

Paraprakisht kjo kërkesë është refuzuar nga maxhoranca. Kreu i Grupit parlamentarë të PS, Taulant Balla tha se kjo kërkesë nuk qëndron dhe nuk do të pranohet. /Euronews/