LAJMI I FUNDIT:

Kur dialogu është i pamundur, shtohet nevoja për alegorinë

Kur dialogu është i pamundur, shtohet nevoja për alegorinë

Regjisori meksikan Guillermo del Toro, në një bashkëbisedim me gazetarin Danny Leigh flet për filmin e tij personal Pinoku. Regjisorit iu deshën 20 vjet për ta bërë këtë film që tani është i nominuar për çmimin Oscar. Shkrimin e botuar në ditoren The FInancial Times, Telegrafi e sjellë të plotë më poshtë.

Njerëzit ende i thonë jo Guillermo del Toros. Edhe pas fitimit të shumë çmimeve Oscar në vitin 2018 – kur romanca me një përbindësh në filmin The Shape of Water merr çmimin si filmi më i mirë dhe del Toro si regjisori më i mirë – dhe me versionin e tij të ri të animuar të Pinokut që ashiqare është sukses, studiot vazhdojnë t’i kundërshtojnë projektet e tij madhështore dhe fantastike. “Vitin e kaluar kisha tri refuzime”, thotë del Toro. “Një gjatë muajit të kaluar”. Buzëqesh. “Shumë kohë më parë kam mësuar se gjendja e natyrshme e një filmi është që ai të mos realizohet”. Pyet nëse më kujtohet filmi për bejsbollin, Field of Dreams, dhe fjalia e famshme – “Nëse e ndërton, ata do të vijnë”. “Unë do të shtoja: ‘Ose jo’”.

Në hotelin “Covent Garden” të Londrës, del Toro mendon përtej situatës së tashme. Diçka nga kjo ka të bëjë me personalitetin. Një burrë gjenial, një 58-vjeçar i bëshëm imagjinata e të cilit e shndërroi dashurinë obsesive për të thjeshtën, për horrorin dhe për fantashkencën në një kinema të sofistikuar që nxit mendimet. (CV-ja e tij përfshin, ndër të tjerash, filmin zemërthyes Pan’s Labyrinth dhe trazuesin Hellboy.) Por, niveli i shpikjes së tij përputhet me pragmatizmin për industrinë e filmit të cilin e mësoi që nga paraqitja e tij në Meksikë në vitet 1990.


“Duhet të pranosh se biznesi i filmit nuk është manastir”, thotë ai sot. “Është një treg peshku”. Në Twitter del Toro dikur postoi fjalorin e gjuhës së përdorur në fushatat e marketingut që përshkruajnë regjisorët. Fjalën “vizionar”, të përdorur shpesh për të, për publikun e përktheu si: “Me raste fiton para”.

Por, reagimi ndaj filmit të tij të fundit ka shtuar ndjesinë e qetë për qué será, será [çfarë ndodhë, ndodhë]. Vlerësimi kolektiv i audiencës, i kritikëve dhe votuesve të çmimeve (Pinoku i Guillermo del Toros është nominuar përçmimin Oscar për filmin më të mirë të animuar) shënon fitore për filmin të cilin u përpoq ta realizonte për 20 vjet. Më në fund u mbështet nga Netflix-i – me praninë e një prej kampionëve më të shquar të kinemasë së transmetuar – dhe pasqyron një prej shumë tensioneve të brendshme. Filmi i del Toros ka të bëjë me humbjen, nuk është i destinuar për fëmijët, por, thotë ai, “i mirë për ta parë”. Godet me natyrën e padisiplinuar të fëmijëve të vërtetë dhe me të metat e baballarëve; nderon shpirtin thumbues të romanit origjinal të shekullit XIX të Carlo Collodit, ndërsa e zhvendos atë në Italinë e Mussolinit.

Hendeku midis krijimtarisë së vrazhdë të del Toros dhe kontureve të lëmuara të animacioneve të Disney-it u vu në dukje gjatë vitit të kaluar, kur nga kjo kompani u transmetua përditësimi i brumit të klasikut të vitit 1940. Si historian i filmit, vendos një linjë midis animatorit “titan” Walt Disney dhe gjigantit të argëtimit që ai themeloi. “Disney kishte patos dhe frikë të tillë në punën e vet. Duhet t’i ndani filmat që ai ka bërë nga ata që ka bërë kompania e tij”. (Del Toro ka pasur marrëdhënie të shkurtër me korporatën Disney: filmi i tij i vitit 2021, Nightmare Alley, u lansua nga filiali Searchlight pasi u ble nga Disney për t’ia dhënë dritën e gjelbër.)

Moskonformiteti është ylli tematik verior i filmit, thotë ai. “Mosbindja është aty ku fillon mendimi”. Anasjelltas është Italia fashiste që është në sfond të rrëfimit. Tirania ishte në mendjen e regjisorit kur nisi për herë të parë të skiconte Pinokun. Ai sapo kishte bërë filmin The Devil’s Backbone, historinë e fantazmave të vitit 2001 – që nuk do të harrohet – e që është vendosur në një jetimore gjatë luftës civile spanjolle. Nga kjo rastësi e zymtë, Pinoku më në fund do të dalë në Evropën nën hijen e luftës. “Në një botë ku dialogu është bërë i pamundur, alegoria bëhet urgjencë”, thotë del Toro.

Për alegorinë e tij, iu drejtua një mediumi të vjetër artizanal: animacionit me lëvizje [stop-motion[. Thotë se do të donte që suksesi i filmit të sfidonte atë që ai e sheh si getoizim të formës. Gjithashtu këmbënguli që specialisti i animacionit, Mark Gustafson, e meriton të vlerësohet si bashkëregjisor.

Në një tjetër prani të këndshme, Gustafson theksoi me shaka se ai dhe del Toro kishin mjaft kohë për ta ndërtuar një marrëdhënie. “Guillermo më telefonoi për herë të parë në vitin 2010. Unë dhe gruaja ime e hapëm një shishe shampanjë dhe në mendje zgjodha kostumin për çmimet Oscar të vitit 2012.”

Kur më në fund ishin në xhirime, Gustafson ishte çelësi që ndihmoi animatorët të bëjnë të pamundurën: të sillnin spontanitetin e vërtetë në para-planifikimin e pafund të xhirimeve. “Pinoku ka të bëjë me një kukull që mëson të jetë reale”, thotë ai. “Kështu që i inkurajuam animatorët që t’i linin kukullat të bëjnë gabime. Donim aksidente të mira. Profesionalisht, kjo gjë është e ndërlikuar”.

Por, para se një kukull e vetme të dilte (ose të merrte në thua) para aparatit fotografik, vitet tashmë e kishin ndryshuar Pinokun. “Nëse do ta kisha bërë këtë film dy dekada më parë, do të kishte qenë ndryshe”, thotë del Toro. “Atëherë unë ende flisja vetëm si njëë bir. Fëmijët e mi nuk m’i kishin dhënë ende komentet si baba. Tani ata janë në të njëzetat e veta. Kështu që, për pasojë, filmi flet për falje”.

Lidhja e del Toros me Pinokun është krejtësisht personale. Origjinali i Disney-it u bë kriter për regjisorin dhe për nënën e tij të ndjerë pasi ai e ka parë filmin si fëmijë. Por, filmi i ri është gjithashtu vepër e një burri, siç thotë ai, me zero interes për autobiografinë. “Për mua, ato elemente duhet të jenë të errëta”. Megjithatë, kineastët e ligës së lartë tashmë rregullisht i vendosin kujtimet e veta në ekran. The Fabelmans i Steven Spielbergut është shembulli më i fundit, pesë vjet pasi shoku i del Toros, Alfonso Cuarón, bëri filmin Roma – autoportretin e fëmijërisë në Meksiko-Sitin e viteve 1970. “Më pëlqen kur miqtë i tregojnë ato histori. Por, unë nuk kam nevojë të jetoj si ata. Ata gjithashtu i pëlqejnë ushtrimet fizike, unë jo”.

Ajo që kanë të përbashkët Roma dhe Pinoku është Netflix-i. Ashtu si shumë prej emrave të mëdhenj të kinemasë, transmetuesi e ka mbështetur me lehtësi veçantinë e del Toros. Regjisori shkon para me logjikën e vet. “Detyra ime e parë është ta bëj filmin. E dyta është që të arrijë te njerëzit. Do ta kisha dhënë krahun tim të djathtë që Nightmare Alley të shkonte në transmetim një javë pas kinemasë”. (I lansuar kur koronavirusi ende bënte kërdi, filmi ishte zhgënjim i rrallë për regjisorin kur është fjala te mjetet e fituara nga shikueshmëria.)

“Dhe, çdo studio e anashkalonte Pinokun. Jo [bashkë-CEO i Netflix-it] Ted Sarandos”. Del Toro ka qenë gjithashtu në Hollivud për një kohë të gjatë për të mësuar se problemet e vërteta mund të fillojnë kur studiot refuzojnë. “Dhe, ata lejuan ta bëj pikërisht ashtu siç unë dëshiroja”.

Por, më shumë se vetëm një interes vetjak, ai i shpjegon qasjet për matjet e epokës tonë të re. “Madhësia e idesë ka më shumë rëndësi se madhësia e ekranit”, thotë ai. Duke diskutuar për transmetimin, të dy anët e del Toros dolën në fokus: realizmi që lundron në biznesin e filmit ashtu siç është edhe ëndërrimtari që intrigohet nga ajo që mund të bëhet. “Transmetimi me të vërtetë ka të bëjë me lëvizjen e filmit. Transportueshmëria. E, ne ende jemi shumë herët për atë transformim. Nëse e krahasoni me historinë e kinemasë, jemi vetëm në vitet 1920. Kush e di se çfarë do të ndodhë më pas”?

Me pak fjalë, vëmendja e tij do të kthehet te gjetja e mbështetjes për projektin për të cilin sapo është refuzuar: përshtatja e romanit të Kazuo Ishiguros, The Buried Giant. Por, mbase, kinemaja duhet të vazhdojë pa të.

“Nuk dua ta bëj përgjithmonë këtë. Ka aspekte tjera të jetës që shumë gjatë i kam mohuar”. Mendimi është i turbullt. Çfarë do të bënte, në vend të kësaj, një makineri e filmave si del Toro? Thotë se ende planifikon të jetë producent i filma të njerëzve të tjerë: “Më pëlqen t’ua jap regjisorëve të tjerë një shesh të lojërave. Por, më mungon edhe leximi. Dua të udhëtoj në vendet që ndriçojnë historinë”. Pas një karriere duke bërë filmat që lidhen me vdekshmërinë, i sheh realitetet e jetës që është para. “Jam person pafundësisht kureshtar. Por, vetë unë jam i kufizuar”. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kulture
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar

Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar

Kulture
145

145

Poezi
Art me letër

Art me letër

Kulture
REFLEKTIME

REFLEKTIME

Poezi
Kalo në kategori