LAJMI I FUNDIT:

Mësimet gjatë rindërtimit

Mësimet gjatë rindërtimit

Fillimi i luftës në Ukrainë ka rikthyer kujtesën te kthimi i rrufeshëm i qytetarëve në Kosovë pas përfundimit të luftës, procesin e rindërtimit dhe trajtimit të pasojave të të kthyerve e të mbijetuarve.

Kosova është ndër vendet e fundit në Evropë që përjetoi luftë dhe kaloi në procesin e trajtimit të pasojave të saj.


Por, përvoja, sidomos kthimi i njerëzve të zhvendosur me dhunë, rindërtimi dhe trajtimi i pasojave të luftës, po shihet si mundësi e mirë për t’ua përcjellë ukrainasve, vendi i të cilëve është sulmuar ushtarakisht nga Rusia, shkruan kallxo.

Qeveria e Kosovës vendosi të përkrahë nismën që gazetarë nga Ukraina të strehohen në Kosovë dhe atyre t’u mundësohet vend për të realizuar raportim.

13 gazetarë nga Ukraina jetojnë për momentin në Kosovë. Ata kanë mundësinë të marrin dhe ta transmetojnë eksperiencën që kolegët por edhe institucionet e patën me luftën dhe trajtimin e traumës të shkaktuara prej saj.

Gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë u vranë mbi 13 mijë njerëz. Lufta la pas mijëra të plagosur, mijëra gra të dhunuara e trauma te shumë qytetarë që u zhvendosën me dhunë.

Historia e Kosovës tregon një model të suksesshëm ku kthimi i refugjatëve u krye në një afat rekord, në më pak se 20 ditë, ndërsa trajtimi i traumës së luftës vazhdon edhe sot, gati 24 vite pas ngjarjeve që shkaktuan shumë tragjedi për vendin.

Zef Shala, drejtori i shoqatës “Nënë Tereza”, rrëfen se si populli kosovar u kthye pas përfundimit të luftës në Kosovë.

“Nuk mbahet mend në histori që ky popull për një kohë prej 11 qershorit deri në fund të qershorit me u kthy, kthim masiv vullnetar, e kanë ditë se janë të shkatërruar, e kanë ditë se janë të djegur, përafërisht se jo krejt, por vullneti për kthim në vatrat është i pashembullt edhe aktivistët e mi që në atë kohë ishin duke vepruar këtu brenda në Kosovë, me ushtri dhe civilë, jashtë në Maqedoni dhe Shqipëri me organizata humanitare, u kthyen bashkë me popull dhe pikërisht me ne u kthye edhe programi botëror i ushqimit”- tregon Shala.

Shala tregon se gjatë kohës kur është bërë regjistrimi i popullsisë kanë regjistruar edhe shtëpitë e shkatërruara.

“Me 16 gusht 1999 ne regjistruam popullsinë e Kosovës, sepse shoqata “Nënë Tereza” kishte rrjet në krejt Kosovën, 7,200 vullnetarë në aspektin humanitar, 1,800 mjekë dhe motra nga aspekti i shëndetësisë dhe pikërisht për me ardhë te një sistemim i ndihmave me ditë se për sa me pru bota ndihma është dashtë me bë regjistrimin e popullsisë dhe më 16 gusht kemi regjistru popullsinë që ka dalë që 1 milion e 680 mijë”- ka rrëfyer Shala.

Sipas organizatës Human Right Watch në nëntor të vitit 1999, 40 për qind e të gjitha shtëpive të banimit në Kosovë ishin dëmtuar ose shkatërruar plotësisht.

Nga një total prej 237,842 shtëpish, 45,768 u dëmtuan rëndë dhe 46,414 u shkatërruan. Shkollat, institucionet publike e ekonomia u dëmtuan rëndë gjithashtu.

Sipas një vlerësimi të dëmeve të Kombeve të Bashkuara të 649 shkollave në Kosovë, më shumë se një e pesta e shkollave të anketuara janë dëmtuar rëndë dhe më shumë se 60 për qind janë shkatërruar plotësisht. Kjo kërkoi një mbështetje të gjerë dhe të madhe për procesin e rindërtimit, të sistemit të shërbimeve publike por edhe objekteve të banimit.

Nevoja emergjente për strehim ishte krah nevojës për ndihmë në shëndetësi dhe kujdes mendor për viktimat. Mbi 20 mijë gra të dhunuara ishin kthyer në vend, mijëra fëmijë e familjarë do duhej ta përballonin traumën nga humbjet e familjarëve të tyre.

Sistemi shëndetësor i asaj kohe nuk garantonte që kujdesi psikologjik e psikiatrik do garantohen për viktimat. Si rrjedhojë organizata lokale të shoqërisë civile nisën të merreshin me ofrimin e këtyre shërbimeve.

Melita Kallaba, psikiatre në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka thënë se ndër iniciativat e para pas kthimit në Kosovë ka qenë ngritja e vetëdijes rreth përvojave të traumave.

“Ajo që ofronim ne atëherë, por që vazhdojmë ta ofrojmë edhe sot e tutje, ka të bëjë me mbështetjen psikologjike, shëndetin mendor gjithashtu edhe një mbështetje e përgjithshme holistike me thënë sepse nuk kufizohemi vetëm tek shëndeti mendor, mirëpo edhe mbështetje fizike, mbështetje familjare dhe mbështetje për një mirëqenie shpirtërore në përgjithësi për klientët tanë, ne sigurisht ofrojmë edhe shërbim medikamentoz dhe psikoterapeutik”- ka thënë Kallaba.

Sipas Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), deri në fund të shtatorit 2019, 3,935 romë të Kosovës, 2,172 ashkali të Kosovës dhe 1.513 egjiptianë të Kosovës janë kthyer vullnetarisht në Kosovë. Për më tepër, gjithsej 3,917 ashkali dhe egjiptianë u kthyen vullnetarisht në Kosovë nga 2001 dhe 2005.

Driton Bakraçi nga organizata vendore “Advancing Together”, e cila merret me personat e rikthyer, ka treguar se ata mundohen që të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme për qytetarët.

“Në disa vende kemi raste ku duhet t’i kthejmë në vendet ku ende ka familje të cilët brenda tyre kanë anëtarë të zhdukur apo edhe të vrarë, kemi vende ku tokat e tyre janë të uzurpuara dhe ne bashkërisht me autoritet lokale tentojmë që të gjejmë një modalitet për kthimin e pakicave apo te komuniteteve në ato mjedise edhe pse në fillim është një mision i pamundur, por kemi edhe storie të suksesit”- tregon Bakraçi.

Lyudmila Makey, gazetare nga Ukraina, e cila është duke jetuar në Kosovë, ka thënë se është falënderuese ndaj secilit kosovar dhe me punën e saj si gazetare do të shkruajë për Kosovën që ukrainasit të mësojnë më shumë.

“U habita që gati 1 milion banorë të Kosovës përfunduan jashtë vendit për shkak të luftës së viteve 1998-1999.  Njerëzit që u detyruan të largoheshin nga vendi i tyre.  Shumë prej tyre kanë shkuar në Gjermani, Francë, Itali, Zvicër dhe vende të tjera, por kanë një traditë shumë të mirë që të kthehen në Kosovë në pranverë kur pemët lulëzojnë.  Ata kthehen këtu për të kaluar verën në atdheun e tyre historik”- ka thënë Makey.

Kosova këtë vit shënon vitin e 24-të të përfundimit të luftës ndërsa trajtimi i pasojave të saj vazhdon ende.

Mbi 1,000 njerëz vazhdojnë të jenë të zhdukur ndërsa trauma e dhunës, kryesisht asaj seksuale, ende nuk është trajtuar.

Në trend Lajme

Më shumë
Prokuroria Speciale e fton në intervistë zëvendësministrin e Mjedisit, Hysen Durmishin

Prokuroria Speciale e fton në intervistë zëvendësministrin e Mjedisit, Hysen Durmishin

Lajme
Arrestohet i riu nga Peja, dyshohet se abuzoi seksualisht me një fëmijë - videon e publikoi në

Arrestohet i riu nga Peja, dyshohet se abuzoi seksualisht me një fëmijë - videon e publikoi në "TikTok"

Kronika e Zezë
Nisin hetimet për personin nga Klina që dyshohet se kreu marrëdhënie seksuale me familjaren e tij

Nisin hetimet për personin nga Klina që dyshohet se kreu marrëdhënie seksuale me familjaren e tij

Drejtësi
Haradinaj-Stublla: As NATO e BE nuk do të ishin fitore për Kosovën, nëse çmimi është defunksionalizimi i saj i brendshëm përmes Asociacionit

Haradinaj-Stublla: As NATO e BE nuk do të ishin fitore për Kosovën, nëse çmimi është defunksionalizimi i saj i brendshëm përmes Asociacionit

Lajme
Flet e dhunuara gjatë lųftës në Kosovë: Nuk kam familje dhe askush nga të afërmit nuk di për rastin tim

Flet e dhunuara gjatë lųftës në Kosovë: Nuk kam familje dhe askush nga të afërmit nuk di për rastin tim

Lajme
Policia e Kosovës sqaron se pse vendosi kamera në katër komunat veriore

Policia e Kosovës sqaron se pse vendosi kamera në katër komunat veriore

Lajme
Kalo në kategori