LAJMI I FUNDIT:

Vizita historike e kancelarit Scholz në Kosovë dhe mesazhet e tij, deklarata e presidentes Osmani në FSK dhe protesta e veteranëve – top lajmet e javës

Vizita historike e kancelarit Scholz në Kosovë dhe mesazhet e tij, deklarata e presidentes Osmani në FSK dhe protesta e veteranëve – top lajmet e javës

Javën që po lëmë pas, saktësisht të premten e 10 qershorit për vizitë në Kosovë ishte kancelari gjerman, Olaf Scholz, vizitë kjo që u konsiderua historike.

Po javën që po lëmë pas, presidentja e vendit, Vjosa Osmani vizitoi Forcën e Sigurisë së Kosovës, ndërsa theksoi se FSK vendin e ka në NATO.

Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të hënën kanë protestuar para Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës me kërkesën që të përfshihen në Ligjin për Pagën Minimale, protestë kjo që eskaloi.


Vizita e kancelarit Scholz në Kosovë, deklaratat për liberalizimin e vizave, dialogun Kosovë-Serbi dhe procesin e Berlinit

Kancelari gjerman, Olaf Scholz një ditë më parë qëndroi për një vizitë në Prishtinë, ndërsa turneun e tij në disa vende në rajon e nisi pikërisht me Kosovën.

Vizita e tij në vend u konsiderua historike nga kreu i ekzekutivit të Kosovës, Alin Kurti, ndërsa vet Scholz tha se ndihet mirë që turneun e tij po e nisë me Kosovën.

Scholz në konferencën për media pas takimit me Kurtin ka folur për liberalizimin e vizave, dialogun Kosovë-Serbi, marrëveshjen përfundimtare, ndërsa është deklaruar edhe për Open Balkan e Procesin e Berlinit, shkruan Telegrafi.

“Takimi i serishëm pas një muaji tregon sa të ngushta janë marrëdhëniet tona bilaterale… Çështja e liberalizimi i vizave duhet të shkojë përpara… Ne do të angazhohemi që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më shpejt pasi Kosova i ka plotësuar kriteret. Për këtë do të flasim me të gjithë partnerët në Evropë në mënyrë që të binden edhe ata”, tha ai.

Duke folur për proceset integruese, kancelari gjerman tha se do ta rijetësojë Procesin e Berlinit, ndërsa në vjeshtë do të ftojë një konferencë në Berlin.

Ai tha se Procesi i Berlinit është një shenjë që Gjermania do të ndihmojë me të gjitha mundësitë që ka vendet e Ballkanit Perëndimor që t’i bashkëngjiten BE-së në kohën e duhur dhe për t’i bindur ato që rruga duhet ndjekur.

“Sa i përket pyetjes për ‘Open Ballkan’, dua ta them qartë se ne prioritet të madh i japim tregut të përbashkët rajonal që mendojmë se duhet të përparojë… është e rëndësishme që të arrihen përparime që janë të arritshme. Të gjithë duan që të shkojnë në BE, atje edhe ashtu ekzistojnë rregullat e lirisë së lëvizjes… kushdo që dëshiron t’i bashkohet BE-së duhet t’i respektojë ato”, tha ai.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz gjatë konferencës për media në Prishtinë

Sipas tij, rruga drejt BE-së ka një shans realiste, ndërkaq të gjitha vendet duhet të jenë të gatshme për kompromise pragmatike.

Kancelari gjerman foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se është shumë i rëndësishëm, ndërsa kërkoi nga të dyja palët zotim të qartë, konstruktivitet dhe pragmatizëm.

Ai tha po ashtu se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidh edhe çështjen e njohjes së Kosovës.

“Kosova dhe Serbia përmes një marrëveshjes gjithëpërfshirëse të gjejnë një zgjidhje politike. Dialogu është rruga që i hap Kosovës perspektivën evropiane…E qartë është që marrëveshja duhet të zgjidh çështjen e njohjes së Kosovës…Është e paimagjinueshme që dy vende të bëhen anëtare të BE-së e nuk e njohin njëra tjetrën…”, tha ai.

Mesazhet që kancelari gjerman, Olaf Scholz, dha në Prishtinë dhe Beograd të premten, po konsiderohen si të fuqishme dhe të guximshme nga njohës të çështjeve politike.

Sipas njohësit të çështjeve politike, Dritëro Arifi, kancelari gjerman ishte konciz dhe i qartë në kërkesat ndaj të dyja palëve – Kosovës dhe Serbisë.

Në një prononcim për Telegrafin, Arifi tha se shumica e liderëve evropianë nuk e kanë pasur të njëjtin guxim si Scholz – “i cili ia bëri të qartë Serbisë së mjaft është përkëdhelur”.

“Për herë të parë një kancelar gjerman, apo një i zyrtar i Bashkimit Evropian që e thotë midis Prishtine në formë eksplicite se njohja reciproke duhet të jetë në fund të dialogut. Pra, i njëjti qëndrim sikur me SHBA-në”.

Vizita e presidentes Osmani në FSK, pyetet edhe nëse dinë të përdorë armë  

Presidentja e Kosovës, Vjosa  Osmani ka vizituar të enjten Forcën e Sigurisë së Kosovës, ku është pritur nga komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari.

Osmani pas takimit bëri të ditur se kanë biseduar për të gjitha çështjet për mbrojtjen e shtetit të Kosovës, ndërsa tha se FSK çdo ditë po i rrit kapacitet e saja operacionale dhe ato ndërvepruese me NATO-n, në këtë organizatë ku FSK e ka vendin.

Osmani foli edhe për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në Partneritetin për Paqe në kuadër të NATO-s.

“Ftesa për tu anëtarësuar duhet të bëhet me unanimitet të plotë prej 30 shteteve. Jemi duke bashkëpunuar me SHBA-të dhe shtetet tjera të NATO-s që të binden edhe ato katër shtetet anëtare të NATO-s që nuk e kanë njohur Kosovën, që mos të parandalojnë anëtarësimin e Kosovës në Partneritet për Paqe ku Kosova do të jetë një vlerë e shtuar”, u shpreh Osmani.

Presidentja Vjosa Osmani gjatë vizitës në FSK

Presidentja theksoi se Kosova që moti e ka merituar të jetë pjesë e Partneritetit për Paqe dhe NATO-s.

“Shtetet anëtare duhet të jenë të bindura që këto vendime duhet të shihen nga prizmi i sigurisë, dhe nëse shihen nga ky prizëm, Kosova që moti e ka merituar të jetë pjesë e PFP-së dhe NATO-s. Shpresojmë që shumë shpejt do të shohim hapa konkret”, tha Osmani.

Por, a dinë presidentja e vendit të përdorë armë? Kjo pyetje iu bë nga gazetarët në konferencën për media pas vizitës që pati në FSK.

“Siç e dini, komandantja supreme, presidentja e Republikës në këtë rast ka kompetenca të qarta kushtetuese për përcaktimin e politikave të mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Kapaciteti për të determinuar politikat mbrojtëse të një vendi asnjëherë nuk është përcaktuar dhe nuk do të përcaktohet në histori të shteteve nga aftësia për të përdorur armën.

Për të përdorur armët e kemi ushtrinë tonë, për të ndërtuar politikat e mbrojtjes në bashkëpunim me ushtrinë dhe institucione tjera e keni komandanten supreme dhe institucionet tjera”, u shpreh ajo.

Protesta e veteranëve dhe kërkesa e tyre që të përfshihen në ngritjen e pagës minimale

Nën brohoritjet “UÇK, UÇK, “Për Kosovë jetën kem me dhanë”, “Mashtruesit jashtë”, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, të hënën kanë protestuar para ndërtesës së Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, ku po kërkojnë përfshirjen e tyre në ngritjen e pagës minimale.

Kësaj proteste i janë përgjigjur një numër i madh i veteranëve, në mesin e të cilëve është parë edhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, ish-anëtarja e LVV-së, Aida Dërguti.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku ishte shprehur se veteranët ndihen të diskriminuar për shkak të anashkalimit të tyre.

Protesta kishte eskaluar, ishte hedhur gaz lotsjellës, ndërsa ka pasur edhe policë të lënduar.

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media kishte të ditur se Policia nuk ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve të OVL e UÇK-së.

Protesta e veteranëve të OVL e UÇK-së

“…Para Kuvendit të Republikës së Kosovës ka filluar të mbahet protesta e pa lajmëruar në polici, e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), për të shprehur pakënaqësitë e tyre dhe sipas tyre për ta kundërshtuar ndryshimin për heqjen e kategorisë në lidhje me pagën minimale. Sipas detyrës zyrtare, Policia e Kosovës është kujdesur për mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ofrimin e sigurisë për protestuesit dhe për objektet zyrtare”, thuhej në njoftim.

Policia shtoi se përderisa protesta ishte duke u mbajtur, disa nga protestuesit kanë tentuar me forcë të depërtojnë, t’i dëmtojnë dyert e Parlamentit për të hyrë brenda si dhe kanë hedhur mjete të ndryshme të forta, lloje të gazit/tymit në drejtim të zyrtarëve të PK-së.

“Policia e Kosovës, me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik, informon dhe njëherit demanton shkrimet e publikuara në portale ku thuhet se kinse Policia ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, se në asnjë rast apo rrethanë nuk ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, por dyshohet se lloji i gazit/tymit, është hedhur nga persona/protestues brenda masës”, thuhet në njoftim.

Si pasojë e sulmit dhe hedhjes së mjeteve të ndryshme ndaj zyrtarëve policorë, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme, të cilëve iu është ofruar tretmani mjekësor.

Policia po ashtu kishte njoftuar se edhe një qytetar ka kërkuar ndihmë mjekësore si pasoj e gazit/tymit të hedhur. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse ndërkombëtarët nuk reaguan pas bllokimit të kufijve nga Serbia, flasin analistët

Pse ndërkombëtarët nuk reaguan pas bllokimit të kufijve nga Serbia, flasin analistët

Lajme
Prokurorët në orar të punës pinë alkool me të pandehur

Prokurorët në orar të punës pinë alkool me të pandehur

Drejtësi
Bulliqi i kundërpërgjigjet Hysenit: Je një mjeran politik

Bulliqi i kundërpërgjigjet Hysenit: Je një mjeran politik

Politikë
Sveçla: Serbia në panik, përpjekjet për destabilizim të Kosovës e rajonit po i dështojnë

Sveçla: Serbia në panik, përpjekjet për destabilizim të Kosovës e rajonit po i dështojnë

Siguri
Suspendimi i gjyqtarit Agim Kuçi për rastin Sekiraqa, Zogaj kritik ndaj atyre që nxorën detaje nga raporti i panelit hetimor

Suspendimi i gjyqtarit Agim Kuçi për rastin Sekiraqa, Zogaj kritik ndaj atyre që nxorën detaje nga raporti i panelit hetimor

Drejtësi
Flet mes lotësh 14-vjeçarja që u bë nënë: Më lironi burrin, kush do na ushqejë?!

Flet mes lotësh 14-vjeçarja që u bë nënë: Më lironi burrin, kush do na ushqejë?!

Lajme
Kalo në kategori