Nga: Bledar Kurti
Përpara syve të mi lëkura ime po tendoset,
Teksa mblidhet pas meje dhe formon një nyje,
Dhe unë i tëri lakohem si një hark pers.
… Nuk gjendem në një vend të mirë, unë nuk jam piktor.
Këto fjalë të shkruara nga dora e Mikelanxhelos (Michelangelo Buonarroti, 1475-1564) na tregojnë një njeri të thyer. Krijuesi i njeriut-zot na shpaloset i rënë dhe i dërrmuar. Me Davidin, veprën kolosale, pas krahëve, me personalitetin tjetër që fshihej në ëndrrat dhe dëshirat e tij, si dhe në aspiratat vetë hyjnore të mbarë njerëzimit, Mikelanxhelo rikthehet te vetja e tij si një qenie vdekatare.
Dhe ky trishtim dhe përhumbje që e karakterizonte natyrën e tij e të mbarë racës njerëzore u duk qartë, e arrijmë ta dallojmë ende edhe sot, te kryevepra tjetër e mjeshtrit të daltës, i cili kësaj here i pajisur me penel e bojë, krijoi skenën më madhështore të kohërave, të gjithë historinë 6000 vjeçare të qytetërimit brenda një salle, afreskun në kubenë e kapelës, dhe afreskun tjetër Gjykimi i Fundit, në murin ballor pas altarit, në Kapelën Sistine, Vatikan.
Kur qëndrova nën madhështinë e Davidit në Galleria dell’Accademia në Firence, u ndjeva një njeri i vogël, një qenie që shikonte një qenie të re, një transformim të mishit në frymë hyjnie, por në Kapelën Sistine, i rrethuar nga afreske madhështore kuptova se isha vetëm një grimë e historisë, e asaj të shkruar e të pashkruar ende, të asaj që ka kaluar e asaj që do të vijë. Dhe, me kokën lart për nga tavani dhe muret e larta, u ndjeva i përulur.
Çdo vdekatar i zakonshëm e ka tepër të vështirë të përfytyrojë sesi qe e mundur që një qenie njerëzore të arrijë atë që arriti Mikelanxhelo gjatë katër vjet pune, vetëm për vetëm, në skaleritë e faltores papale. Kolosal është qoftë edhe vetëm mundimi fizik për të pikturuar këtë afresk gjigand në tavanin e faltores, për ta skicuar e për të përgatitur detajet, dhe pastaj për t’i hedhur në mur. Afresku në kubenë e kapelës u pikturua për katër vjet, 1508–1512.
Si mund të qëndrojë njeriu katër vjet mbi skelë? Me kokën e përkulur nga pas në mënyrë të atillë që qafa iu kthye vërtetë vetëm në një kanal midis pjesës së pasme të kokës dhe shtyllës kurrizore; me mjekrën dhe gushën e ngritur teksa muskujt e qafës i kishte të ënjtura dhe të tendosura si litar; me shpatulla plot dhimbje, me krahët e lodhura për shkak se qëndronin lart gjatë të gjithë kohës; me fytyrën e shndërruar në një maskë groteske për shkak të bojës që i kullonte si shiu mbi fytyrë; dhe poshtë tij një lartësi prej njëzetë metrash. Katër vite punë. Katër vjet torturë fizike, dhe një betejë e brendshme artistike dhe shpirtërore.
Askush nuk guxon të mohojë vullnetin dhe përkushtimin e shpirtit njerëzor të manifestuar në këtë vepër. Askush nuk guxon të mos duartrokasë për meritat e aftësisë, teknikën dhe mjeshtërinë artistike të kësaj vepre monumentale të Mikelanxhelos, i cili në katër vjet, edhe letrat që merrte i lexonte duke i ngritur lart, si pasojë e torturës fizike që iu desh të përjetonte për të pikturuar afresket. Ai kishte vështirësi kur ecte me vështrimin poshtë, mbante këpucët veshur për një kohë të gjatë dhe kur i hiqte merrnin me vete pjesë nga lëkura e shputës së këmbës. “Jam kaq shumë i trazuar dhe fizikisht i rraskapitur. Nuk kam shokë, e madje as që dua të kem,” i shkroi Mikelanxhelo vëllait të tij. Kjo sakrificë njerëzore, kjo bindje skllavëruese që mjeshtri bëri ndaj artit, sot mbetet një nga dhuratat më të çmuara që vetë arti na ka dhuruar ne për të kuptuar një fytyrë tjetër të tij, magjinë për të pikturuar të mbinatyrshmen përmes një dore vdekatare, aftësinë për të fotografuar të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, e gjitha në një moment dhe imazh të vetëm.
Janë mbi 300 figura në afresket e Kapelës Sistine. Në to, të gjitha standardet njerëzore duket se janë tejkaluar si në qëllimin ashtu edhe në formë, dhe e paimagjinueshmja bëhet realitet. Ato kanë frymëzuar dhe tronditur të gjithë mendimtarët më të shquar të gjitha kohërave. Skenat e pikturuara janë rrëqethëse, që nga fillimi dhe fundi i botës; krijimi i dritës, lindja e jetës, origjina e mëkatit, dita e gjykimit, të gjitha të shprehura nëpërmjet formave të zgjeruara të trupit njerëzor. Vetë Perëndia është në këto piktura. Ai rri pezull si një re e madhe e bubullimë mbi një humnerë të errët, jo si një simbol i asaj që nuk mund të perceptohet, por si një shfaqje frike dhe frymëzimi mbi natyrën dhe imazhin e njeriut. Ndërsa drita ndahet nga errësira, po kështu edhe jeta del nga mosgjëja. Adami ngrihet ngadalë nga gjumi i tij i gjatë dhe Eva buron nga brinjët e gjumit. Mëkati që vjen në tokë dhe errësira që mbulon dheun. Njerëzit janë të zhveshur përpara Perëndisë, të zhveshur si toka që nuk mbulohet nga asnjë fije bari. Shenjtorë e mëkatarë, shpirtra të zgjedhur dhe të humbur, profetë dhe profanë, të gjithë nën gjykimin hyjnor.
Sfida e Mikelanxhelo nuk ishte vetëm realizimi i veprës, por presioni i tij i brendshëm kishte të bënte me vendin ku do punonte. Kapela Sistine gjendet në një nga vendet më të shenjta të krishterimit, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Ajo u ndërtua mbi eshtrat e Apostullit Pjetër, i cili u martirizua në Romë nën sundimin e perandorit Neron, ndaj edhe ka këtë emër. Emri Pjetër, “Petrus” në latinisht dhe “Petros” në greqisht, rrjedh nga “petra”, që do të thotë “gur” ose “shkëmb” në greqisht, dhe është përkthimi i literalizuar i aramaishtes “Kepa”, emri që Jezusi i dha Pjetrit:
Atëherë Jezusi e shikoi dhe tha: ‘’Ti je Simoni, bir i Jonas. Ti do të quhesh Kefa, që do të thotë: “gur”. “Dhe unë po të them gjithashtu se ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time.”
Duke interpretuar këto fjalë të Jezusit të krishterët e parë nisën të ndërtojnë faltore. Mbi këtë varr të rëndësishëm për krishterimin, perandori romak Konstantin ndërtoi një kishë të madhe që mbijetoi më shumë se një mijë vjet. Disa gravura të shekullit të XVII tregojnë se projekti i kësaj strukture të krishterë të hershme ishte i madh dhe plani i tij me pesë shtylla hodhi themelet për Shën Pjetrin e ri. Planet për ta rimodeluar dhe zgjeruar bazilikën filluan në vitin 1450 dhe vazhduan për më shumë se 150 vjet. Ata u kryen nga një sërë papësh të përkushtuar për të punësuar arkitektët më të mirë të kohës. Dhe për të shpalosur lavdinë e kishës, më 18 prill 1506 Papa Julius II hodhi themelet e Bazilikës së re të Shën Pjetrit nën projektimin e arkitektit të suksesshëm Donato Bramante, dhe porositi artistin fiorentin Mikelanxhelo të pikturonte Kapelën Sistine.
… Nuk gjendem në një vend të mirë, unë nuk jam piktor – shkroi ai.
Dhe, vërtetë nuk e mbante veten si të tillë. Edhe pse në Firence ai ishte porositur nga paria e qytetit të pikturonte një murale përballë Leonardos, ai vazhdonte ta konsideronte veten si skulptor dhe arkitekt, ndaj një sipërmarrje e tillë nuk i dukej përmbushëse. Ne arrijmë ta imagjinojmë skulptorin me penel në dorë, pasi shohim format tek figurat në këtë afresk. Ato nuk janë të zbutura prej ngjyrave, ato janë trupa skulpturor, me siluetë të fortë e linja të vrazhda. Ndryshe nga Leonardo, i cili përmes sfumatos krijoi linjat dhe dritë-hijet më delikate në histori, Mikelanxhelo duket sikur i ka pikturuar ato me baltë e gdhendur me daltë.
Vërehen plot defekte në figurat e afreskeve: koka të vogla në krahasim me trupin; gjymtyrë aspak proporcionale, për shembull, një krah apo një këmbë më e madhe se ç ‘duhet, apo një qafë më e vogël se ç ‘duhet; femra muskulore e mashkullore; pleq me trupa të palestruar sikur të ishin të rinj, etj. Por, të gjitha të metat e figurave kanë rezultuar në krijimin e një efekti të jashtëzakonshëm tredimensional, pasi afresku nuk duket si një vepër me trupa të pikturuar por me skulptura që pluskojnë në kubenë dhe faqet e mëdha të mureve të larta, duke transmetuar një ndjesi shtesë dramatike dhe skenike.
Ndërkohë që Mikelanxhelo i bindej thirrjes së artit për të krijuar përmes një zhanri që nuk i përkiste, edhe mjeshtri Leonardo, rivali më i madh dhe i përbetuar i Mikelanxhelo, vite më parë në një letër të drejtuar sundimtarit të Milanos, Ludovico Sforza, i kishte listuar një sërë talentesh, si inxhinier, arkitekt, gjeolog, shpikës, etj, dhe vetëm në fund të letrës kishte shënuar se, “unë di edhe të pikturoj.” Me sa kuptojmë, të dy gjenitë e nënvlerësonin pikturën, por ja që përmes saj ata krijuan veprat që do ndryshonin njerëzimin dhe do hapin një portë të re drejt universit të artit aq të panjohur e imagjinuar më parë. Ajo portë qëndron ende e hapur për ne, në mënyrë që të gjithë brezat të kuptojnë misteret e asaj që na rrethon, dhe aftësitë e asaj që fshihet brenda mendjes dhe forcës sonë.
Dhe, porsi Leonardo, Mikelanxhelo vuri shkencën në shërbim të artit. Në fillim të viteve 1490, kur ai ishte në të 20-tat e tij, ai përdori trupat e vdekur për të studiuar strukturën e muskulaturës dhe skeletit. Studimet e tij anatomike prodhuan një art me autenticitet më të madh dhe fuqi emocionale si kurrë më parë.
Figurat e Mikelanxhelos në kubenë e Kapelës Sistine konsiderohen disa nga imazhet ikonë të pikturës së Rilindjes. Tavani ndahet në 33 zona të veçanta, sipas numrit të viteve të Krishtit, dhe çdo hapësirë individuale është pikturuar me një skenë të ndryshme. Në pllakat qendrore, Mikelanxhelo ka pikturuar historinë biblike të Zanafillës dhe figurat kapin menjëherë syrin e shikuesit që hyn në kapelë.
Ngrini sytë në atë tavan e do shikoni sesi Perëndia ndan ujin me tokën, krijon diellin, hënën dhe bimët, ndan dritën nga errësira, dhe krijon njeriun. Krijimi i Adamit është një ndër imazhet ikonë edhe në ditët e sotme. Është riprodhuar e përdorur aq shumë sa që edhe një markë celulari dhe telekomunikacioni e shndërroi në logon e saj: connecting people. Por, ndryshe nga perceptimi i brezave modern ky imazh ka si qendër dy gishta që preken, njëri prej mishi e tjetri hyjnor. Prekja e parë midis njeriut dhe krijuesit të tij, babait të mbarë njerëzimit.
Krijimi i Adamit është imazhi më i fuqishëm në të gjithë afreskun. Dy gishta që preken është një shprehi madhështie e krijimit të njeriut, e ilustruar me një thjeshtësi e forcë të tillë. Adami qëndron i shtrirë me gjithë energjinë dhe bukurinë që i takon dhe që i takon burrit të parë të kësaj toke. Nga ana tjetër, Ati Perëndi po afrohet, i mbajtur nga engjëjt e tij, mbështjellë me një mantel të gjerë e madhështor të valëvitur nga era si një velë, duke dhënë kështu idenë e lehtësisë dhe shpejtësisë me të cilën ai qëndron pezull në atë hapësirë. Sapo ai zgjat dorën, madje pa e prekur mirë gishtin e Adamit, ne gati-gati shohim sesi zgjohet njeriu i parë i kësaj toke, sikur po del nga një gjumë i thellë, me sytë që vështrojnë fytyrën atërore të krijuesit. Është një nga mrekullitë më të mëdha në art që Mikelanxhelo, prekjen e dorës hyjnore ka arritur ta bëjë pikë qendrore të këtij afresku dhe që ka bërë të shohim e të ndiejmë idenë e gjithëfuqishmërisë, me anë të lehtësisë dhe forcës së kësaj lëvizje e krijimi. Kjo skenë është një prej simboleve më të shquara të artit të botës. Mes gishtit tregues të Hyjit dhe gishtit të Adamit shkreptin shkëndija e vullnetit të epërm, e mendjes së fuqishme hyjnore që vihet përballë racës njerëzore dhe vërshon e derdhet tek ajo.
Por, shikoni me kujdes formën e përgjithshme të mantelit të Perëndisë. Studiues të kohëve të fundit kanë arritur në përfundimin se ka formën e trurit të njeriut. Ngjashmëria është e dukshme, por interpretimi ka lëshuar shumë spekulime të shfrenuara të cilat nuk qëndrojnë në kontekstin e të gjithë afreskut. Disa e interpretojnë se Perëndia është pjellë e trurit të njeriut, një shpikje e imagjinatës njerëzore, por kjo bie ndesh me vetë mjeshtrin i cili besonte dhe i druhej Perëndisë, dhe me vetë veprën e cila është homazh i gjallë jo ndaj papatit por Hyjit. Manteli vërtetë ka formën e trurit të njeriut, dhe kjo nuk bën habi pasi Mikelanxhelo kreu shumë autopsi dhe studime anatomie, por përmes kësaj analogjie pamore midis Hyjit dhe trurit njerëzor, mjeshtri dha mesazhin se ishte mendja hyjnore, imagjinata, aftësia krijuese e Perëndisë autore e njeriut dhe e mbarë krijimit, dhe atë atribut ia dha edhe njeriut, si qenie racionale, me intelekt dhe aftësi krijuese. Dhe mjafton të shohim këtë afresk për të kuptuar sesa e vërtetë është kjo dhuratë e dhënë nga Hyji ndaj njeriut.
Për një çekiç, gjithçka duket si një gozhdë, ndaj mbi çdo imazh mund të zbulojmë forma të tjera në varësi të optikës dhe imagjinatës sonë. Kjo është yshtja e artit.
Ndër më shumë se treqind figurat e afreskut, përveç Adamit, i cili simbolizon origjinën e njeriut, bie në sy një figurë tjetër, ajo e Krishtit, e Gjykatësit të ditës së fundit të njerëzimit, e cila gjendet në faqen ballore mbi altarin e kapelës.
Afresku ballor pas altarit, i titulluar Gjykimi i Fundit i mori pesë vite të tjera Mikelanxhelo. Afresku u pikturua njëzetë e pesë vite më vonë nga afresku i kubesë, gjatë viteve 1536-1541, dhe pasi e përfundoi Mikelanxhelo ishte afërsisht 67 vjeç.
Nëse figura qendrore e afreskut të kubesë ishte Adami, në afreskun ballor figura qendrore është Krishti. Në këtë afresk shpaloset Gjykatësi Hyjnor i shoqëruar nga nëna e tij. Ai duket një njeri me përmasa të fuqishme muskulore, i ri dhe i bukur, me një shprehje dinjiteti të padiskutueshëm. I pushtuar nga retë, ai duket se po ngrihet nga një fron për të ekzekutuar gjykimet e tij. Ai i ngre duart me një lëvizje gjithëpërfshirëse e duket sikur i ndan turmat në të dy anët. Në trup vërehet plaga në anën e tij të djathtë e shkaktuar prej shtizës romake gjatë kryqëzimit. As mimika e as gjesti i tij nuk shfaqin zemërim, por ato duken si një komandë, një urdhër i padiskutueshëm që vë në veprim të gjithë skenën e duket se trazon disa shpirtra por edhe paqton besnikët e tij.
Nën krahun e djathtë, shihet nëna e tij Maria, një figurë e rëndësishme në katolicizëm. Ka shumë interpretime mbi qëndrimin dhe shprehinë e saj. Disa mendojnë se për shkak se ajo e ka të kthyer fytyrën e saj, tregon nënshtrim ndaj autoritetit të djalit të saj. Sidoqoftë, mimika e saj është kaq e butë sa që na tregon se ajo qëndron pranë tij për t’u mbrojtur. Duke parë përbërjen e figurës, shohim se forma tërësore e Krishtit krijon një piramidë, kulmi i së cilës është dora e ngritur e Krishtit, e Gjykatësit të botës, dhe baza e së cilës formon retë ku mbështeten këmbët e tij dhe të Marisë. Kjo i jep stabilitet të duhur figurave që dominojnë të gjithë pamjen e madhe. Piramida është trekëndësh, një figurë gjeometrike e cila simbolizon përsosmërinë, qëndrueshmërinë, pushtetin dhe energjinë, sikurse edhe trininë e shenjtë.
Kjo skenë është ndër krijimet më të ndjera të Mikelanxhelo, e madje edhe më dramatike se e gjithë historia e njerëzimit. Kuptimi i saj moral e poetik i kapërcen kufijtë e historisë së artit dhe përbën një prej bazave të kulturës evropiane të mijëvjeçarit të kaluar e të ri. E gjithë skena shpërthen përpara nesh: në të majtë të Krishtit shpirtrat e humbur zbresin për në ferr, ndërsa në të djathtë të tij shpirtrat e shpëtuar ngjiten për në parajsë të ndihmuar nga engjëjt; dallohen apostujt dhe besnikët; boritë që bien për të kthyer në jetë të vdekurit; engjëjt dhe djajtë që luftojnë për t’i rrëmbyer njëri-tjetrit shpirtrat e njerëzve. Dhe ja, në tërë këtë skenë kataklizmike, dallojmë autoportretin e vetë Mikelanxhelo. Shikoni figurën poshtë këmbës së majtë të Krishtit: një plak, që gati-gati e prek trupin e Gjykatësit të botës, e që në dorën e tij të majtë mban një lëkurë njeriu të varur, ndërsa tek tjetra një thikë. Ai është Shën Bartolomeo, një prej apostujve të Krishtit i cili u martirizua në Armeni ku u rrop i gjallë. Ajo që mban në dorë është vetë lëkura e tij, por fytyra në të është ajo e Mikelanxhelo.
Përpara syve të mi lëkura ime po tendoset,
Teksa mblidhet pas meje dhe formon një nyje,
Dhe unë i tëri lakohem si një hark pers, shkroi ai.
Mjeshtri la autografin e tij në këtë vepër madhështore. Por siç e shohim aq të mjerë e të trishtuar, ai nuk krekoset me lavdi për mrekullinë e duarve të tij, përkundrazi shpalos autoportretin e vet të frikësuar e të lemerisur, nën një klithmë të padëgjuar por të ndjerë përmes imazhit, e cila thërret për shpëtim. Më shpëto, më shpëto, duket se klith ai, nuk dua të humbas. Mikelanxhelo, tashmë i plakur, i druhej gjykimit të madh. Gjatë të gjithë jetës së tij ai kishte patur frikë ndaj Hyjit dhe ajo krupë dukej se ishte shtuar në pleqëri. Autoportreti i tij mbi lëkurën e rrjepur të shenjtorit, tregon aq shumë dhimbje sa që vështirë se mund të largohet nga mendja e shikuesit.
Por, shikoni poshtë e në të majtë të lëkurës së Shën Bartolomeot me fytyrën e Mikelanxhelo. Figura që njihet si “i mallkuari” trazon çdo sy që e shikon. Kjo figurë mund të konsiderohet më tronditëse dhe emocionuese se çdo imazh tjetër. Në të shohim një njeri që ka mbuluar fytyrën me dorën e majtë, dhe sytë dhe shprehia e pjesës së fytyrës që duket shpalos një gjendje emocionale të jashtëzakonshme: atë momentin kur njeriu kupton që po zbret në ferr. Shprehia e tij nuk tregon vetëm frikë por edhe zhgënjim dhe pendim. Trupi i tij tërhiqet poshtë drejt ferrit nga dy demonë ngjyrë bojë kafe të errët dhe ulliri, si mishra të kalbur që po e tërheqin me forcë drejt vuajtjes së përjetshme. Një gjarpër e ka pickuar atë njeri në kofshën e majtë dhe thonjtë e demonëve i janë ngulur në mish në anën tjetër. Mikelanxhelo e ka pikturuar me aq emocion këtë figurë sa që ne arrijmë të dëgjojmë mendimet e njeriut të mallkuar: Si? Në ferr? Jo! Jo! Por, unë mendoja se … Mos, në ferr përjetësisht. Jo. Jo. Jo. Nuk dua të përfundoj atje. Por në sytë e tij ne arrijmë të ndiejmë pendimin e pandreqshëm: ata sy na tregojnë se ai shpirt kërkon të pendohet por tashmë është vonë. Një njeri që sapo mëson se vendmbërritja e tij e përjetshme është ferri dhe jo parajsa, kjo dramë emocionale nuk kishte sesi të përshkruhej më mirë vizualisht sesa nga dora e Mikelanxhelo.
Gjatë jetës së tij, Mikelanxhelo njihej në Firence, Romë, në mbarë Italinë, e më gjerë, si një ndër artistët më të mëdhenj të kohës. Por pavarësisht suksesit që kishte arritur dhe fitimeve të mëdha, edhe pse ai mbështeste financiarisht babanë dhe katër vëllezërit e tij, ata nuk e vlerësuan kurrë për profesionin që ai kishte zgjedhur. Me të mbaruar afreskun e kubesë së Kapelës Sistine, Mikelanxhelo i shkroi një letër babait dhe vëllezërve të tij, ku ndër të tjera thuhej: “E gjithë kjo që kam bërë e kam bërë për t’ju ndihmuar. Por ju kurrë nuk e keni ditur ose nuk keni dashur ta besoni, ndaj, Perëndia ju ndihmohtë.”
Betejat e tij personale, sfidat e brendshme të thirrjes së artit, gjenialiteti i cekur nga natyra e tij melankolike, dhimbjet fizike sakrifikuese për punën që duhet të kryente ishin të rënda për supet e mjeshtrit, por Mikelanxhelo e dinte se ajo ishte vetëm një barrë e vogël në krahasim me ndikimet që do kishin veprat e tij në mijëvjeçarët e ardhshëm, dhe sesi njeriu do niste ta shihte veten, njerëzimin, mbarë universin dhe Hyjin me një optikë e mendim tërësisht ndryshe, vetëm për shkak të nënshtrimit që mjeshtri tregoi ndaj artit. /Gazeta “ExLibris”/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëThënie të gjeniut që jetonte me 40 mijë libra në shtëpi: Mit’hat Frashëri dhe paradokset shqiptare
Kush e vrau Ismail Qemalin?
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
MOS U DORËZO KURRË
MBRETI
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar
"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë