LAJMI I FUNDIT:

Vitet e fundit të Ismail Qemalit

Vitet e fundit të Ismail Qemalit

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë si kulmim i përpjekjet të Rilindjes sonë Kombëtare. Rrethanat politike dhe diplomatiken të cilat u krye akti i madh. Qeveria e parë dhe arsyet e dorëheqjes së Ismail Qemalit pas 14 muaj qeverisjeje. Roli i Princ Vidit dhe loja e Esat pashë Toptanit…

Bardhosh Gaçe


Në kushtet e daljes në dritë të ngjarjeve, fakteve, shënimeve, kujtimeve lidhur me momentet madhore, si shpallja e Pavarësisë në Vlorë në vitin 1912, historiografia shqiptare gjithmonë do të ketë nevojë për të sjellë në vëmendje përjetime, pamje, të dhëna dhe dëshmi për personazhet e kësaj periudhe, për raportet diplomatike, për marrëdhëniet që ajo pati dhe krijoi jo vetëm brenda vendit, por edhe në Perëndim, në kancelaritë evropiane dhe induksionet e veçanta që lidhen me të.

Sado që është shkruar, sado që është kornizuar pamja dhe dëshmia historike për të, kohët kanë treguar se ka akoma mundësi për të sjellë në këtë dëshmi të rëndësishme fakte, interpretime dhe për të pranuar burime të tjera të nevojshme dhe për një arsye tjetër; ngjarja jonë kombëtare, përveçse ishte mu në qendrën dhe vlugun më të nxehtë të Gadishullit të Ballkanit, ajo pleksi dhe një opinion të gjerë diplomatik ndërkombëtar të kohës.

***

Sado që historiografia shqiptare është përpjekur të krijojë një kornizë të qëndrueshme për ngjarjen rrethanat, personazhet, aleancat dhe kundëraleancat, burimet, arkivat, librat e shkruar vonë, madje dhe në ditët tona, afrojnë një reflektim dhe vëmendje për të shkruar për të.

Pavarësia e Shqipërisë, e cila u bë e mundur në dekadën e parë të shekullit XX, i cili në një hark të shkurtër kohor i shkaktoi globit dy luftëra botërore, ka qenë një zhvillim kompleks, jo vetëm shqiptar e ballkanik, por ajo valorizon një politikë herë të hapur dhe herë nën rrogoz të diplomacisë së Lindjes e Perëndimit, të nacionalizmit e shovinizmit, të bërrylave që shtetet nacional – shoviniste të Ballkanit kishin me njëri- tjetrin dhe me fuqitë e kohës.

Po ashtu ajo shpalon një radiogramë më të plotë dritë – hije të diplomacisë së kohës, e cila dhe për ironi të kohës, i faturoi veçmas Ballkanit një konfiktualitet të hapur, një marrëdhënie aktive nacional – shoviniste të fqinjëve që rrethonin Shqipërinë.

E përfshirë në një realitet real dhe ireal, të miqve dhe armiqve, pavarësia e Shqipërisë “angazhoi” një qerthull të madh diplomatik dhe politik të kohës, që në njëfarë mënyre i ka afruar historiografisë dhe mendimit politiko- diplomatik mjaft reflektime, për njerëzit e kësaj ngjarjeje të madhe, për bashkëpunimet, rrugëtimet, refleksionet e shtypit të kohës në një valencë të gjatë dhe të gjerë kohore dhe të gjeopolitikës së kohës.

Ngjarje të tilla kanë gjithmonë arsye të vinë në vëmendjen e kohës, pasi ato lidhen me njërin nga fondamentet më të rëndësishme të qenësisë shqiptare, lidhen me tabanin kombëtar dhe mbi ekzistencën tonë, që për shkaqe po themelore, po gjeopolitike, vijojnë të krijojnë batica dhe zbatica të herëpashershme në Ballkan dhe më gjerë.

Gjeopolitika bashkëkohore evropiane dhe me gjerë, këtyre referencave të hershme nuk u është shmangur, madje ato në jo pak raste kanë qenë dhe vijojnë të jenë rezultante të bashkëpunimit diplomatik dhe të fushave të tjera të veprimtarisë së shteteve ballkanike.

Për arsye të ndryshme, këto marrëdhënie në thelb, shpjegojnë ngarkesat e historisë, termat nacional- shoviniste në Ballkan, në Jugun dhe në Veriun e Shqipërisë, po ashtu lidhur me Kosovën dhe treva të tjera, si Çamëria, të cilat vijojnë të kenë një fat tragjik dhe në kohën e globalizmit.

Pavarësia e Shqipërisë lidhet shumë me argumentin politik dhe ideologjik të Rilindjes sonë kombëtare, e cila që nga mesi i shekullit paraprijës të zhvillimeve të mëdha globale, pati shtruar para shqiptarëve, para realitetit ndërkombëtar të kohës, nevojën e krijimit të shtetit shqiptar, dhe pse shqiptarët ishin nën sundimin e plotë të Perandorisë Osmane.

Rilindësit shqiptarë, pjesa më e madhe e të cilëve jetonin dhe kontribuonin në metropolet e mëdha të Lindjes dhe Perëndimit, hodhën idetë e mëdha humaniste, iluministe dhe patriotike në një kohë të vështirë, nga mesi i errësirës osmane, duke kuptuar drejt rrezikun në të cilin gjendej vendi i tyre, por dhe duke kuptuar rrokullimën në të cilën qe përfshirë Perandoria Osmane, e cila bashkë me shembjen e saj do të merrte më vete dhe do të zhdukte nga faqja e dheut dhe fate popujsh dhe vendesh, siç ishin edhe shqiptarët dhe Shqipëria.

Ka qenë një intelekt jo i zakontë ai i rilindësve, të cilët mjeshtërisht këmbëngulën në çështjen kombëtare shqiptare përmes fushave të ndryshme të dijes, veçmas atë të kulturës dhe letërsisë artistike, për të krijuar një dituri të rëndësishme politike.

Nevoja për shkollën shqipe, për gjuhën shqipe u reflektuan thuajse nga të gjithë ideologët e Rilindjes sonë kombëtare, duke krijuar një mundësi të reflektimit historik dhe politik. Çështja e shkollës dhe e arsimit, e gjuhës dhe e shkrimit shqip, pavarësisht se u shfaq që nga vitet 1850, ajo nuk u anashkalua për asnjë rast as nga zhvillimet e mëvonshme, qoftë dhe eksponentët politik të fillim shekullit të viteve 1900, për shkakun e njërit nga treguesit më të rëndësishëm, të cilin koha do ta kërkonte në skenën e diplomacisë dhe realiteteve historike.

***

Pavarësia e Shqipërisë u bë prezente në një garniturë të ashpër diplomatike, në të cilën ishin gati të shpërthenin luftëra, të bëheshin aleanca të çuditshme, të përplasej Lindja me Perëndimin, të zhdukeshin vende dhe popuj, të aneksoheshin territore strategjike, pjesë e të cilëve ishin dhe trojet shqiptare. Njerëzit e Pavarësisë së Shqipërisë, në fillim-vitet e nxehta 1900, duhen parë në këtë lloj aktualiteti, real dhe surreal, pasi në fund të fundit, vendi i vogël i Ballkanit po përballej me lukuninë e interesave të mëdha të fuqive të kohës. Pra, në një kohë relativisht të shkurtër, për shkakun e rënies me shpejtësi të Perandorisë Osmane, njerëzve të Pavarësisë u duhej të kuptonin interesat e shteteve aktive në diplomacinë e kohës, të gjenin aleatët dhe kundërshtarët, të manaxhonin zemërimin apo qëndrimin refuzues të Perandorisë, të kuptonin diplomacinë e kohës dhe ajo që ishte më e rëndësishme, përveç krijimit të fuqisë së vet shqiptarëve për t’i dalë zot vendit, të unifikonin qëndrimet e tyre.

Në historinë e çështjes sonë kombëtare, të paktën burimet franceze, njoftojnë se dhe në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, dalja në dritë e tri grupeve, që diferenconin qëndrime thuajse të thella, tregonte se shqiptarët kishin dhe problemet e tyre të brendshme, kryesisht me dakordësitë e mëdha, siç ishte çështja kombëtare shqiptare.

Në një kohë të ngjeshur diplomatike dhe të qëndrimeve të hapura dhe të fshehta të Fuqive të Mëdha, që nga Rusia, Anglia, Franca, Italia, Gjermania, Austro- Hungaria, Turqia, kanale të tjera të nëndheshme, midis njerëzve që mundësuan Pavarësinë e Shqipërisë, në nëntorin e vitit 1912 u shfaq edhe Plaku i mençur dhe i urtë Ismail Qemali, dhe delegatët nga të gjitha viset shqiptare të cilëtngritën flamurin shqiptar, i cili përbënte dhe simbolikën më të të rëndësishme dhe më reale për sakrificën sublime të shumë intelektualëve, mendimtarëve, njerëzve të dijes dhe të luftës.

Në kontekstin e gjerë të angazhimit diplomatik ndërkombëtar, në raportet që shkonin e vinin përmes delegacioneve, marrëveshjeve dhe pakteve të shteteve të mëdha, një rol të jashtëzakonshëm luajtën dhe zhvillimet brenda vendit. Duke qenë se shqiptarët njiheshin dhe vazhdonin qëndrimin e tyre lidhur me trojet dhe territoret që kishin të njëjtën gjuhë e dëshmi të tjera etnologjike dhe etnike, mbajtën qëndrime të forta ndaj rrezikut që i kanosej vendit. Zhvillime politike, bashkëpunime, kuvende, konferenca, vendime të një rëndësie të madhe për kohën pati në të gjithë vendin, në veri dhe në jug. Në Malësinë e Shkodrës, e cila valorizoi deri në Shqipërinë e Mesme, pati kryengritje të forta, të cilat kishin një angazhim politik të njohur, që lidhej pikërisht me zhvillimet për çështjen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në këtë klimë bashkëpunuese, pavarësisht vështirësive detyrimet e klasës politike, që kishte marrë përsipër të bënte gjithçka për Pavarësinë e Shqipërisë ishin të mëdha. Përgjithësisht në shtresat e gjera popullore, pavarësisht organizimit administrativ – shtetëror, shkollimit, mënyrave të tjera të organizimi shoqëror, krahinor apo më gjerësisht, çështja kombëtare dhe rëndësia e shpalljes së Pavarësisë kishte krijuar një qëndrim të palëkundur, prandaj ishin të gatshëm ta ndiqnin pas dhe njerëzit e luftës për t’i ndaluar rrugën nacional – shovinizmit ballkanik.

Duke qenë një diapazon i gjerë i gjithë këtyre zhvillimeve, jo vetëm për shkakun e Shqipërisë, por valenca evropiane e kësaj kohe ishte e tillë, pasi në spektrin ekonomik të zhvillimit, aleancat e reja kapitaliste, marrëdhëniet e zhvillimit industrial ishin një “aksion” zhvillimi që reflektonin dhe në zhvillimet politike, themeluesit e Pavarësisë së Shqipërisë i ekspozohen një vëzhgimi dhe vështrimi të shumanshëm. Në qendër të gjithë “aksionit” politik, diplomatik, kulturologjik, shoqëror të kësaj kohe patjetër vazhdon të mbetet Ismail Qemali, një nga figurat më emblematike dhe të rëndësishme, jo vetëm pse ai qe personaliteti i kohës dhe figura historike që ngriti flamurin e Pavarësisë, por për arsyen e valorizimit që një figurë e tillë, kishte para se historia t’i rezervonte një angazhim të tillë, po ashtu dhe pas shpalljes së Pavarësisë.

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe brenda faktorit shqiptar u shpall në rrethanat e veta të zhvillueshme, ku u shfaqën probleme të mprehta me të cilat u përball Qeveria e Përkohshme e Vlorës, ministrat dhe kryeministri, njerëz të administratës etj. E gjithë kjo kohë, kur qeveria e Ismail Qemalit qe e detyruar të ketë një jetë të shkurtër, por të rëndësishme, përkonte po ashtu dhe me zhvillimet e natyrës së vështirë për t’i dhënë rrugë një zhvillimi normal të vendit. Ismail Qemali do të mbetet njëri nga njerëzit më aktiv, më të angazhuar të historisë së Shqipërisë, i cili falë një inteligjence të jashtëzakonshme, të një përvoje prej shtetari të sprovuar të një perandorie ndër më të mëdhatë e kohës, u përball vetë me to, reagoi ndaj tyre dhe mbajti qëndrim.

Siç dihet, Ismail Qemali dha dorëheqje në vitin 1914 (22 janar) për t’i hapur rrugë një stadi të ri të zhvillimeve në vend, por dhe për shkak të një qëndrimi jo aq dashamirës të Perëndimit për drejtimin e vendit nga qeveria e tij. Duke qenë një shtetar i lartë klasi, Ismail Qeamali nuk donte t’i faturonte vendit ndonjë izolim nga Perëndimi, pasi zhvillimet ndërkombëtare dhe një lloj kobi i zi nacional- shovinist nga fqinjët i vërtitej rrotull Shqipërisë.

Poeti ynë kombëtar Ali Asllani, i cili asokohe ishte kryesekretar i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, na thotë në kujtimet e veta në gazetën “Telegrafi” që Ismail Qemali i dërgoi nga Bashkia e Vlorës prefekturave të vendit, duke i dhënë lamtumirën popullit shqiptar vlerësimin e tij ku thuhej: “E shoh për detyrë, pra, të deklaroj se edhe këtu e tutje e tutje do t’i konsakroj ditët e fundit të jetës sime në shërbim të Atdheut, dhe, duke qenë se po marrin në dorë qeverimin e Atdheut tonë, qëllimi i Fuqive të Mëdha është që si e si t’u japin fund invazioneve të jashtme dhe ngatërresave të brendshme, u porosis me gjithë zemër, që të tregoni bindje të plotë në urdhrat e tyre dhe funksionarëve të lartë që kanë qenë zgjedhur prej meje dhe të pëlqyeshëm për ta…”. (gazeta “Drita, Tiranë nr. 223, 22 gusht 1937).

***

Përveç angazhimit të plotë që Plaku i Vlorës bëri lidhur me Pavarësinë, një histori brilante është ajo që pason me të pas dorëheqjes së qeverisë së tij. Ismail Qemali mbeti aktiv gjatë gjithë jetës së tij, deri kur mbylli sytë në mënyrë misterioze në Itali. Të rëndësishme janë qëndrimet që ai ka mbajtur mbi zhvillimet pas dorëheqjes së tij, për situatën politike të Princ Vidit, ato lidhur me Esat Toptanin, Qeverinë e Durrësit, lidhur me përfaqësimet shqiptare në arenën ndërkombëtare, me zhvillimet politike, ku kishte qëndrime të ndryshme, madje dhe të kundërta. Me vendosjen e tij në Francë, Ismail Qemali mbante lidhje me mjaft mëmëdhetarë të shquar të kohës brenda e jashtë vendit si me A. Kastrioti, Rasif bej Dinon etj. Ai i ndiqte me interes zhvillimet në Shqipëri si me anën e letërkëmbimeve, ashtu edhe me udhëtimet që bënin nga Shqipëria në Nicë: Ibrahim Abdullai, Sali Hallkokondi, Elmaz Xhaferi, Zihni Abaz Kanina, Ahmet Durmishi, Spiro J. Koleka, Ymer Radhima, Xhezo Balo, Xhafer Xhuveli etj. Në Kushtet e Luftës së Parë Botërore, për t’i bërë ballë copëtimit të trojeve shqiptare, ai e shikonte të nevojshme krijimin e një qeverie kombëtare.

Në një kohë relativisht të ngjeshur me zhvillime, Ismail Qemali i ra kryq e tërthor Evropës, qendrave politiko – diplomatike të Perëndimit për të thënë atë që duhej për Shqipërinë dhe shqiptarët, për atë që kishte nevojë vendi, për shkakun e njohjes perfekte që ai kishte për gjeopolitikën evropiane, e cila lexohej prej tij përmes burimeve të shumta, që nga e kaluara e në aktualitetin e saj. Të kësaj kohe janë qëndrimet dhe për zhvillimet evropiane, të cilat janë botuar në shtypin dhe gazetat perëndimore. Një nga rrëfimet më të gjata të tij është “Shqipëria dhe shqiptarët”, që daton vitin 1917 (Paris), i cili kapërcen kapacitetin dhe misionin e një shkrimi të tillë, botuar në “Quartely Revieë”.

Duke e parë si një zhvillim të qëndrimeve të Fuqive të Mëdha, ardhjen e një princi të huaj në Shqipëri, më së shumti për nevojën që vendi kishte, për të krijuar marrëdhënie dhe bashkëpunim të nevojshëm me vendet e huaja, Ismail Qemali e vlerësoi ardhjen e Princ Vidit. Ai mendonte se Princi do ta udhëhiqte vendin drejt bashkimit kombëtar, do ta nxirrte vendin nga prapambetja dhe do të punonte për organizimin administrativ të tij.

Zhvillimet politike në Shqipëri kishin pasur terrenin e tyre. Veçmas, gjatë periudhës së Tanzimatit, një lloj reforme të shtetit turk, shqiptarët e pritën jo mirë dhe ndonjëherë edhe me kundërshtime të forta, po ashtu gjatë kohës kur luftohej për pavarësinë e vendit, ndër shqiptarët kishte një reagim më të fortë dhe më të ashpër lidhur me faktorin ndërkombëtar. Kështu, edhe pas dorëheqjes së Qeverisë së Vlorës dhe fronëzimin e Princ Vidit, shqiptarët nuk e pritën mirë ardhjen e tij, madje pati dhe kundërshtime me forcë. Në këtë kohë Ismail Qemali ishte në Nicë të Francës. Reagimit të ashpër të kundërshtimit të Vidit iu shtua edhe ndalimi i ardhjes së Ismail Qemalit në Shqipëri, nën ndikimin e Esat pashë Toptanit, që kishte postin e ministrit të Brendshëm.

Pas largimit nga vendi, Ismail Qemali mbante lidhje dhe korrespondencë me faktorin politik dhe diplomatik ndërkombëtar. Ai, si një shtetar i zoti dhe i mençur, duke kuptuar mjaft mirë konjukturën ndërkombëtare, pushtetin ia kishte dorëzuar KNK-së, duke konfirmuar në njëfarë mase se shqiptarët kishin shtet dhe se Evropa e kishte për detyrë t’i mbronte ata. Me të drejtë një veprim i tillë ka qenë kaq i zgjuar dhe kaq diplomatik, të cilin mund ta bënte vetëm një diplomat karriere dhe një shtetar, i cili dinte të orientohej si mos më mirë në një “kaos” të kësaj natyre siç ishte Shqipëria dhe mënyra se si Fuqitë e Mëdha po menaxhonin Evropën, e cila nga dita në ditë po rrëshqiste drejt Luftës së Parë Botërore.

Duke qenë larg Shqipërisë, por duke e njohur nga afër dhe në detaje çdo zhvillim, Ismail Qemali nuk ishte për t’u acaruar situata në Shqipëri dhe pse ai e kuptoi shumë shpejt se i dërguari i Perëndimit, Princ Vidi, as kishte dëshirën dhe as kishte mundësinë të bënte ndonjë gjë konkrete në pritshmëritë e patriotëve shqiptarë prej tij. Ai ishte një lloj lodre në duart e Fuqive të Mëdha, që siç shprehej Ismail Qemali: “Mbretërimi i shkurtër i Vilhelm Vidit qe më i pasur me episode groteske se sa në përpjekje reale për të riorganizuar një shtet në lindje e sipër, nxori në shesh kujdesin e pakët që treguan Fuqitë në çështjen e zgjidhjes së sovranitetit”.

Ngjarjet në Shqipëri, pas ardhjes së Princ Vidit, ishin të paparashikueshme. Esat Toptani po krijonte precedent të paparashikueshëm, për shkakun e një egocentrizmi të theksuar të tij, pasi ai i kundërvihet dhe Princ Vidit, duke e bërë akoma më të vështirë qëndrimin e tij në Shqipëri. Largimin e Vidit e kishte kërkuar edhe kryengritja fshatare.

Ismail Qemali kishte një përvojë jashtëzakonisht të rëndësishme lidhur me aftësinë e interpretimit drejt të situatave të tilla. Shqipëria rrezikonte disa fronte për të humbur kujdesin e faktorit ndërkombëtar. Dhe pse Vidi dukej si një “gozhdë e ndryshkur” në këtë kohë, trajtimi tij në mënyrë kaq të ashpër në sytë e ndërkombëtarëve nuk i bënte mirë vendit. Në të mirë të një qëndrimi shqiptar të qëndrueshëm Ismail Qemali erdhi në Shqipëri në majin e vitit 1914, por dramatikisht Protokolli i Korfuzit, me përfaqësuesit e “Vorio Epirit” cenonte rëndë sovranitetin e shtetit shqiptar, i cili ishte dhe në kundërshtim të plotë me Statutin Organik të Shqipërisë, që e kishin miratuar edhe vetë Fuqitë e Mëdha.

Shovinistët grekë filluan një sulm të paprecedent kundër fshatarëve të viseve të Jugut për t’i detyruar ata të braktisnin trojet e tyre. Në këto rrethana kritike dhe dramatike Ismail Qemali takon në Durrës Princ Vidin, i shoqëruar dhe nga një dërgatë prej 20 vetash. Pas këtij takimi, si një diplomat dhe negociator i sprovuar në situata shumë më dramatike dhe më të komplikuara, Ismail Qemali do të shprehej: “Princi më çuditi për mungesën e një ideje mbi gjendjen e vendit dhe për mungesën e një vetëdijeje për vështirësitë e jashtëzakonshme të çastit”.

***

Ismail Qemali nuk u kursye kurrë për atë që kërkohej të ndihmohej vendi dhe mundësitë që ai kishte. Vitet 1912-14 ishin të rënda në Shqipëri, qoftë nga brenda, qoftë dhe nga jashtë. Nga Shqipëria e Jugut kishin lënë trojet dhe shtëpitë mijëra muhaxhirë. Në këtë gjendje, Ismail Qemali në bashkëpunim me parësinë e Vlorës vendosën të krijohej Komiteti i Shpëtimit Publik, dhe përmes njërit nga Komisionet e këtij komiteti iu kërkua Princ Vidit, KNK-së dhe Fuqive të Mëdha ndihma, duke sjellë në vëmendje edhe mbajtjen nën pushtim të tokave shqiptare nga Greqia në kundërshtim edhe me vendimet e Konferencës së Londrës dhe Protokollit të Korfuzit, të cilin e kishin nënshkruar dhe grekët.

Pa hyrë në detaje edhe më të holla, Ismail Qemali në këtë kohë përveçse iu gjend afër popullit shqiptar, ai falë përvojës diplomatike, i bënte një shërbim të rëndësishëm vendit, lidhur me një axhendë diplomatike të nevojshme konkrete. Gazeta “Populli” sjell një informacion interesant të kohës lidhur me qëndrimin e Ismail Qemalit në një situatë të tillë dramatike: “Ne kemi mbetur në një vend të pakët dhe të ngushtë. Mijëra njerëz ndodhen në mjerim e në të keqe. Në njërën anë deti, në anën tjetër armiku: kush është atdhetar dhe njeri të mos kursejë as shpirtin për t’i qëndruar këtij rreziku. Vetëm me fuqinë tonë të përpiqemi të kapërcejmë këtë rrezik e t’i themi Europës që ne kemi të drejtë të rrojmë. E drejta jonë nuk arrin për të kapërcyer rreziqet tërësisht, por të kujdesemi e të lypim prej Europës që ne kemi të drejtë të rrojmë”.

Pas këtyre ngjarjeve në gusht të vitit 1914 ai shkon në Romë, për ta përdorur dhe në këtë rast këtë pozicion për të marrë kontakte më të drejtpërdrejta me faktorin ndërkombëtar lidhur me problemet që kishte vendi i tij. Për arsye të ditura historikisht, Ismail Qemali u përball në të shumtën e rasteve me një lloj arrogance dhe nënvleftësimi të faktorit ndërkombëtar lidhur me çështjet shqiptare. Lufta e Parë Botërore do të ishte një problem i vështirë për Shqipërinë. Pasi Fuqitë e Mëdha kishin marrë nën kujdes vendin, ata kurrë nuk u interesuan dhe as patën një angazhim për ta nxjerrë Shqipërinë nga prapambetja dhe nga kaosi në të cilën ajo u gjend qoftë nga tendencat e brendshme politike, po ashtu dhe ata të huaja, veçmas të fqinjëve. KNK-ja gjatë kësaj kohe u bë inekzistente në Shqipëri. Në rrethanat e “iniciativave” të ndryshme, qoftë të forcave qeveritare, ato antividiste, ato të agjentëve turkomanë, ato greke dhe të qarqeve të tjera, të cilat vepronin në vend, Ismail Qemali kërkonte ruajtjen e flamurit shqiptar dhe mospërdorimi i flamurit turk, me ç’rast forcat greke do të kishin një pretekst më shumë që të ndërhynin në Vlorë, duke dhënë dhe këshillime për sigurimin e vendit me forcat lokale.

Ndër këshillimet e mençura të Plakut të Vlorës në këtë kohë, lidhur me tendencat dhe qëndrimet pro dhe kundër për zhvillimet në Jugun e vendit, Qeverinë e Durrësit, çështja e muhaxhirëve, antividizmin dhe zhvillime të tjera, të cilat kishin angazhuar mjaft njerëz të niveleve të ndryshme në Vlorë, Durrës, Shijak, në Jug e gjetkë, ishte që ato të interpretoheshin si zhvillime të brendshme për të ruajtur pavarësinë e Shqipërisë dhe Flamurin kuq e zi.

***

Gjatë Luftës së Parë Botërore Ismail Qemali qëndroi në Itali dhe në Francë, duke ndjekur me shqetësim zhvillimin e ngjarjeve në Shqipëri, e cila ishte vazhdimisht e rrezikuar nga palët ndërluftuese, pavarësisht se ishte një vend që kishte dakordësinë ndërkombëtare si shtet. Për fatin e keq, dy fuqitë ndërluftuese të kësaj drame zhvillonin luftime edhe në Shqipëri. Në këto rrethana, Ismail Qemali kuptonte rrezikun që i kanosej pavarësisë së vendit, kështu që në vitin 1915, në gazetën franceze “Le Matin” ai fliste se Shqipëria, e cila që në vitin 1913 ishte një shtet më vete, e kishte humbur pavarësinë sepse “u shtrëngua nga të gjitha anët prej serbëve, malazezëve, bullgarëve dhe grekëve” dhe u kërkonte francezëve t’i ndihmonin shqiptarët dhe Shqipërinë, pasi ata janë të besës dhe në ditët e duhura ata të vijnë në ndihmë. Por kjo thirrje nuk u dëgjua nga francezët, ndryshe ata bënin plane kundër Shqipërisë.

Ismail Qemali, për fatin e vendit të tij, kishte një qëndrim gati të formuar lidhur me fatin e luftës, duke pasur një lloj besimi tek forcat e Antantës, për një arsye të thjeshtë, sepse ata llogarisnin në krahun e tyre edhe Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, por një kumtesë e tillë nuk arriti të bëhet publike, për shkakun e kundërshtimit të Francës dhe Rusisë, sepse ishin kundër lëshimeve që i bëheshin Italisë në këtë rast, që sipas qarqeve diplomatike të kohës, shqiptarëve në vitin 1915 u premtohej nga qeveria e Londrës rimëkëmbja e shtetit shqiptar në formën e një “Shqipërie autonome nën protektoratin e Italisë”. Siç dihet nga historiografia, qëndrimet e Francës dhe të Rusisë kanë qenë gjithmonë në mbështetje të nacional – shovinizmit të fqinjëve ballkanikë për të copëtuar tokat shqiptare rast pas rasti dhe konferencë pas konference, qoftë përmes traktateve, qoftë edhe marrëveshjeve të fshehta.

Gjatë qëndrimit në Francë, Ismail Qemali trokiti disa herë në portat e diplomacisë franceze, por aty mësoi se autoritetet franceze për çështjet e Shqipërisë i besonin elementit më të përshtatshëm, Esat Pashë Toptani. Dhe kjo kishte arsyet e veta, pasi pozicionit të vendosur franko-anglez në favor të Greqisë dhe Serbisë, i shkonte për shtat politika që ndiqte Esat Pashë Toptani me bekimin e Serbisë, tek e cila Franca shihte një mbështetje të veçantë. Kështu, Esat Pasha u paraqit në Paris si kryetar i Qeverisë Shqiptare. Diplomacia franceze i propozoi Ismail Qemalit kërkesën e saj për të ngritur në Shqipëri një lëvizje që t’i shërbente si bazë për operacionet e ushtrisë franceze në Ballkan. Por ai e kundërshtoi hapur kërkesën e tyre, pasi vendi i tij nuk mund të bëhej përsëri një fushë beteje. Në këto kushte francezët e braktisën Ismail Qemalin; vetë kryeministri A. Briand u shpreh se nuk mund të ndihmonte “një pensionist të padobishëm për Francën…”.

Si pasojë, Ismail Qemali u njoftua të largohej nga Franca dhe në maj të vitit 1918 mërgoi në Spanjë së bashku me familjen. Siç kujtonte i nipi, Ismail Vlora, ato çaste ai u tregoi të bijve, Et’hemit dhe Qazimit një histori: Vite më parë, më 1871, kur francezët bënin protesta për çështjen e Alsas-Lorenës, Ismail Qemali, i ftuar dhe i shoqëruar nga Viktor Hygo e Klemansoi, kishte marrë pjesë në mbledhjen e Parlamentit Francez, pas mbledhjes kishin darkuar në një lokal. Klemansoi, i befasuar nga kultura e Ismail Qemalit, e kishte pyetur: “Si është e mundur që ju dini kaq shumë për vendin tim, ndërsa ne e njohim shumë pak vendin tuaj?” Dhe Ismail Qemali ia kishte pritur: “Kështu ndodh z. Klemanso, sepse ju francezët keni 500 vjet që e merrni baltën dhe e fryni e krijoni heronj, ndërsa ne shqiptarët heronjtë tanë i kemi kthyer në baltë…”.

Duke udhëtuar për në Barcelonë, Ismail Qemali u takua në Marsejë me diplomatin italian Spetia, të cilit i shprehu kënaqësinë, se atje do të kishte më shumë lehtësira për të punuar për çështjen shqiptare, në veçanti përmes kontakteve me shqiptarët e Amerikës. Nga Barcelona, sipas gazetës “Koha”, 25 korrik 1918, ai udhëtoi disa herë në Madrid, ku u takua me ambasadorin e SHBA dhe përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga rreziku i copëtimit ballkanik.

Një lëvizje tjetër e rëndësishme e Ismail Qemalit, duke parë terrenin e ashpër dhe të befasishëm evropian, ka qenë dhe bashkëpunimi me kolonitë shqiptare të mërgimit , të cilat kishin rritur mjaft rolin e tyre në Lëvizjen Kombëtare. Të gjendur në rrethana dhe më të favorshme dhe të parrezikuara, ata kishin mundësi të ishin një zë i fortë lidhur me angazhimin për t’i ardhur vendit në ndihmë nga njëra anë, por dhe për të bërë thirrje për drejtësi. Ismail Qemali e kuptonte mjaft mirë këtë mundësi që i afronte lëvizja kombëtare në Amerikë, një vend që kishte rol të rëndësishëm në zhvillimet botërore dhe ato evropiane. Shqiptarët në Amerikë ishin mbledhur rreth organizatës “Vatra” (e cila kishte dy delegatët e saj në Evropë, Mehmet Konicën në Londër dhe Mihal Turtullin në Lozanë) dhe organizata tjetër e njohur si “Partia Kombëtare Politike”, e formuar në vitin 1917, me të cilën u lidh dhe filloi bashkëpunimin Ismail Qemali. “Partia Kombëtare Politike” zgjodhi si përfaqësuesin e saj në Evropë Ismail Qemalin, duke e konsideruar atë si një nga më të njohurit në qarqet diplomatike të Evropës, më i dëgjuari në Shqipëri, i cili “numërohej një nga më të mëdhenjtë diplomatë të Evropës dhe nderohet kudo”, shkruante gazeta “Koha”.

***

Lidhur me qëndrimet e tij të vazhdueshme, ka një korrespondencë të rëndësishme, ku bie në sy një ekuilibër i jashtëzakonshëm. Në letrën që ai nis më 17 nëntor nga Madridi, ndër të tjera bie në sy një pasazh i rëndësishëm, që lidhet me nevojën e sjelljes së tij prej diplomati kur shkruan: “Sa qeshë në Paris, me gjithë sigurimin e plotë për fundin e luftës dhe me besimin tonë për simpathinë e Entantës (bllok i Antantës), detyra jonë ishte të mbajmë terezinë në mes të qeverive të mëdha.” Pavarësisht përplasjes që ndodhi për shkakun e të qenit delegate i Evropës nga “Partia Kombëtare Politike” e Ismail Qemalit, me organizatën “Vatra”, një debat që u zhvillua kryesisht përmes shtypit të njërës dhe tjetrës organizatë, ai pati motive akoma më të mëdha për të punuar sa ishte e mundur në shërbim të vendit. Siç edhe kuptohet, tashmë kishte dhe një dritare më shumë për të punuar dhe për t’i mishëruar idetë dhe punën e tij. E kësaj kohe është dhe thirrja që ai u drejtonte bashkatdhetarëve të tij, ku kërkohej “bashkimi i atdhetarëve”, të cilët duhet të linin grindjet e çastit për të luftuar me argumente të patundura për të drejtat kombëtare lidhur me sigurimin e tërësisë territoriale dhe të pavarësisë kombëtare të Shqipërisë.

Ismail Qemali nuk qe vënë kot në krye të lëvizjes më të vështirë dhe më madhore ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, atë të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, nëse ai nuk do të njihte mirë jo vetëm diplomacinë, jo vetëm aktet themeltare ndërkombëtare mbi kombet dhe popujt, jo vetëm historinë e zhvillimit të popujve ballkanik dhe evropian, por dhe konjukturën dhe artin e madh të të bërit diplomaci. Ai njihte mirë mekanizmat dhe mjetet që i kërkoheshin një diplomati dhe argumentet që i duheshin një vendi për t’iu imponuar realitetit ndërkombëtar që ai t’i njihte atij të drejtat e duhura.

Natyrisht, i gjendur në të shumtën e rasteve në një realitet zhgënjyes, në një diplomaci të shteteve të huaja, të cilat nuk e kanë dashur kurrë Shqipërinë, Ismail Qemali arriti të bënte kaq shumë duke e vënë çështjen shqiptare në tryezat më të rëndësishme të rendit ndërkombëtar dhe të Fuqive të Mëdha të kohës, të cilat nuk mund ta anashkalonin atë. Përveç nevojës së organizimit dhe këmbënguljes për të qenë prezent në mënyrë të vazhdueshme në Evropë, kryesisht në qendra të tilla si Londra dhe Amerika, ai kërkonte që të kishte tri sekretarë (një për gjuhën shqipe, një për gjuhën angleze dhe një për gjuhën franceze), por ishte e nevojshme botimi i një buletini (në anglisht dhe frëngjisht), për t’i bërë jehonë çështjes shqiptare, me të dhëna nga historia, etnografia, gjeografia, ekonomia, politika dhe shkrime nga shkrimtarë të dëgjuar nga Evropa që kishin shkruar për Shqipërinë.

Krahas këtyre, Ismail Qemali u propozonte shqiptarëve të Amerikës edhe botimin e një libri mbi gjeografinë ekonomike të Shqipërisë, ku krahas të dhënave të tjera për shtypin dhe diplomacinë e Europës, të përfshiheshin edhe dy harta: njëra etnografike dhe tjetra politiko-fizike, duke mbrojtur me argumente historike kufijtë e Shqipërisë. Ai këmbëngulte në rishikimin e të drejtave etnike të popullit shqiptar nga Fuqitë e Mëdha, pasi: “Pa iu shtuar Shqipërisë, nga ana e Veriut Kosova dhe nga ana e Jugut Çamëria, nuk mund të shtrohet qetësia në sinisinë e Ballkanit…”.

E mrekullueshme dhe mjaft informative është dhe korrespondenca që Ismail Qemali pati gjatë kësaj kohe me “Partinë Kombëtare Politike”, ku bie në sy thirrja për të shmangur grindjet ndër shqiptarët, sepse, siç nënvizonte ai: “ky shtet, megjithëse i gdhëndur në të gjitha anët ashtu si u njoh nga Konferenca e Londrës më 1913, duke qënë i copëtuar dhe në duar të huaja, në ditën e paqes, nuk dimë cili do të na dalë mbrojtës dhe cili do të jetë miku i vërtetë i Shqipërisë”.

Në këtë kuptim, Ismail Qemali kërkonte një bashkëpunim të madh të faktorit shqiptar të organizuar, duke mos harruar kurrë padrejtësitë që Konferenca e Londrës i bëri Shqipërisë. Pasi koha nxori në skenë marrëveshje të tjera të fshehta, të cilat ishin në dëmin e Shqipërisë, veçmas pas njohjes dhe botimit të Traktatit të Fshehtë të Londrës, Ismail Qemali krijoi idenë se shqiptarët mund të mbështeteshin te SHBA-të, e cila nuk e kishte nënshkruar këtë Traktat. Lidhur me mbështetjen te SHBA-të, Ismail Qemali kishte një logjikë praktike, pasi Amerika duke mos pasur synime të drejtpërdrejta si Italia ndaj Shqipërisë, mund t’i përkrahte interesat e saj.

Kështu, shpallja e Programit të Paqes nga Uillson në vitin 1918, i dha shkas Ismail Qemalit të shprehej se qeveria e Shteteve të Bashkuara do t’i shihte “me mirëdashje kërkimet tona, të cilat hyjnë në kufirin e programit të paqes të zotit Uillson”. Duke këshilluar me mjaft intelekt politik, Plaku i Vlorës, në raportin që i dërgonte Partisë Politike, shfrytëzonte mjaft mirë manualin politik të deklaratës së Presidentit Uillson, për “pavarësinë politike e tërësinë tokësore njëlloj, si për shtetet e mëdha ashtu edhe për shtetet e vogla”, prandaj ai vinte në dukje se fusha më e pëlqyeshme për zgjidhjen e çështjes kombëtare do të qe Amerika.

***

Qëndrimet e Ismail Qemalit lidhur me zhvillimet kombëtare, të cilat i referohen plotësisht situatës në Shqipëri, kryesisht pas dorëheqjes së qeverisë së drejtuar prej tij, kanë një konsekuencë të hapur dhe të shquar patriotike. Ismail Qemali, si një intelektual i kohës, me dije dhe bagazh të veçantë kulturor, prej filozofi, diplomati dhe shtetari, e ka parë Evropën, Ballkanin, diplomacinë dhe politikën, paqen dhe luftën në raport me Shqipërinë dhe të drejtat e saj. Në këtë kohë të shkurtër, por nën tensionet e zhvillimeve të mëdha politike dhe diplomatike, qoftë në Shqipëri dhe jashtë saj, ka një shqisë të mprehtë diplomatike; ai u kërkon njerëzve të tij, shqiptarëve, që të jenë bashkë, të shmangin konfliktualitetin, t’i imponohen Perëndimit se janë të aftë për të ndërtuar shtet. Jo më pak, këtë e kërkon dhe tek atdhetarët, të cilët kanë kontribute jashtë vendit, ashtu siç kërkon të gjejë mjete, forma dhe mekanizma për t’iu imponuar faktorit ndërkombëtar, duke shfrytëzuar çdo klauzolë për të përfituar nga reformat dhe programet e paqes, ashtu siç është kritik në çdo rast ku shfaqet loja e të huajve kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë. Ndërkohë ai kurrë nuk harron copëtimin e trojeve si plagë që kurrë nuk mund të shërohen. Në një letërkëmbim nga Barcelona më 29 nëntor 1918, ai shkruan: “Sonte nisem për Romë”.

Në këtë qerthull kohor, kryesisht në dekadën e dytë të shek. XX, Ismail Qemali përdori shtypin e kohës, falë elegancës dhe aftësisë për të lexuar diplomacinë e shteteve të mëdha në kontekste dhe perspektivë dhe më të gjerë. Një shkrim i gjerë në të cilin mishërohet mjaft mirë njohja, dija, kultura dhe reflektimi i tyre në qëndrimet diplomatike lidhur me shqiptarët është ai që titullohet “Shqipëria dhe shqiptarët” (botuar në vitin 1917 në Francë), në të cilin arrin të përdorë me mjaft vlerë dhe funksion referenca perëndimore, siç është ajo e një letërkëmbimi të nivelit të lartë dhe të rëndësishëm të kohës, të z. Goshen, (telegram) ambasador i Britanisë së Madhe në Stamboll në vitin 1880, dërguar kreut të Foreign Officit (Lordit Granville), në të cilin flitet plotësisht për shqiptarët. Aty Goshen vëren se vendi i shqiptarëve, trojet, historia, kultura historike, pozita gjeografike e tyre përbën një nyje strategjike të dobishme dhe të rëndësishme për Evropën, që për të mos ndërhyrë në Ballkan, d.m.th për t’i vënë përpara një barrikadë perandorisë osmane për të depërtuar në Evropë, krijimi i një shteti të fortë dhe të plotë shqiptar, do t’ia kursente Evropës këtë investim. Në vijim të një opinioni të natyrës diplomatike dhe gjeostrategjike, Goshen reflekton njohjen e mirë që ai ka për shqiptarët, çka tregohet se në perëndim kishte një interesim jo të vogël për shqiptarët dhe të kaluarën e tyre në kushtet e zhvillimeve bashkëkohore.

Në këtë studim etnologjik dhe diplomatik, Ismail Qemali shpërfaq cilësime të natyrës si “fortesë e fuqishme”, “tri anë të nga rrethi i majave të maleve e nga ana e katërt nga deti”, “banuar që në fillim nga një racë, origjina e së cilës shkon në kohë të Pellazgëve”, “krenarinë e origjinës së saj parahelenike”, “peizazhe me bukuri të madhe e magjepsëse”, “fusha të gjera e pyje të veshur me gjelbërim, ose ngjyrë ari sipas stinës” pra, një përshkrim të mrekullueshëm të peizazhit shqiptar.

***

Më pas në shkrimin “Shqipëria dhe shqiptarët”, i cili ngjan në të vërtetë me një lloj traktati të rëndësishëm për shoqërinë perëndimore, e cila ishte e prirë të mësonte dhe nga këto vende të vogla dhe të prapambetura, shpjegon mrekullisht organizimin familjar, kodin e familjes, rregullat shoqërore të fisit dhe të hapësirave më të gjëra, organizimin shoqëror, raportet me besimin, krijimtarinë dhe konstitucionin shpirtëror, të drejtën zakonore ku spikasin cilësi të veçanta si: besa, bujaria, marrëdhëniet përmes rregullave të krijuara nga vetë shoqëria, vijimësia historike që nga origjina deri në kohët e vona, mbijetesa dhe epet mbi Pirron, Aleksandrin e Madh, sundimi otoman, marrëdhëniet me perandoritë e kohës, ndërtimi etnopsikologjik i tyre, konteksti dhe konjukturat pro dhe kundër shpalljes së Pavarësisë dhe shumë arsyetime të tjera, të cilët duhet të rishqyrtohen në një qasje të veçantë.

Pavarësisht notave deri diku sentimentale, të cilave nuk mund t’u shmangej dot, ai i bën një analizë të hollë këtij realiteti kohor historik, qëndrimevet të huajve dhe Fuqive të Mëdha, flet për Austro – Hungarinë, Italinë, Greqinë, Traktatin e Londrës, duke e faktuar Pavarësinë e Shqipërisë si një të drejtë të rëndësishme të popujve të pavarur. Analizës së tij nuk i është shmangur as dorëheqja e tij, as zhvillimet e mëvonshme në Shqipëri dhe reflektimi në kancelaritë perëndimore, të cilat më së shumti kanë mbajtur qëndrime skeptike ndaj vendit të tij.

Në shkrimin “Shqipëria dhe shqiptarët” të vitit 1917, Ismail Qemali ka një analizë të thukët dhe të qëndrueshme, e cila i ka qëndruar kohës lidhur me Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, me ç’rast u copëtuan trojet shqiptare në kontekst dhe në detaje, që lidheshin me zhvillimet në Shkodër, Malin e Zi dhe Greqi, për të cilën posaçërisht shkruan: “…simpatia që më ishte shfaqur gjatë misionit tim, qe i vetmi ngushëllim që iu afrua zemrës së copëtuar të Shqipërisë, kur morëm vesh vendimin e dhënë nga Konferenca e Londrës. Mbi gjysmën e territorit të vendit tim ia kishin dhënë Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Qytetet më të lulëzuara e rajonet më prodhimtare të vendit, i ishin shkëputur atdheut. Shqipëria kishte mbetur gati krejtësisht në zonat më të thata e më shkëmbore. Kështu, të lëshuar përsëri në një depresion të pikëlluar, dhe me vizionin e një të ardhmeje kaq të errët të vendit tonë të rilindur, qemë të ngushëlluar të sakrifikoheshim për interesat e përgjithshme të Evropës”.

Ismail Qemali e njihte mirë vendin e tij, jo vetëm në pjesën historike, shpirtërore dhe të marrëdhënieve me njëri- tjetrin, por dhe konjukturat e tjera të heshtura dhe të fshehura, të cilat kishin vazhduar të vepronin nga ndikimet e të huajve, veçmas nga pushtuesit dhe ekspansionet e caktuara, që kishin vepruar dhe vepronin dhe në Vlorën e tij, ku përziheshin ndikimet turke, greke, italiane, ortodokse dhe shqiptare, të pranishme më së shumti në shkollat qytetase ku mësonin fëmijët e shqiptarëve. Kjo kulturë dhe “garniturë” e trashëguar që nga fundvitet 1800, kur doli në skenë çështja e gjuhës dhe shkollës shqipe dhe gjatë kohës që Ismail Qemali drejtonte qeverinë e dalë nga Kuvendi i Vlorës, kishte krijuar jo pak probleme dhe për të, por ai arriti t’i kapërcente këto çështje, duke seleksionuar mjaft mençurisht nevojat më të ngutshme për vendin.

Qeveria e tij nuk u pa asnjëherë me sy të mirë nga Italia, e cila kishte qëllime të hershme ndaj Vlorës në veçanti, por Ismail Qemali nuk e ndërpreu kurrë bashkëpunimin me Perëndimin. I prirë për të marrë informacion të vazhdueshëm për zhvillimet në rajon dhe në Evropë, ai nuk reshtëte së shkruari korrespondenca me njerëz të njohur dhe miq, me të cilët ndante opinione të rëndësishme politike dhe diplomatike. Mbarimi i Luftës së Parë Botërore e gjeti në Spanjë. Edhe pse papritur i vdiq gruaja e tij, Kleoniqi Sumerli, e bija e atdhetarit Andon Sumerli (Shumeni) nga Lekëli i Tepelenës, Guvernatori i Bankës së Danubit, duke parë dramën e Atdheut, vazhdoi veprimtarinë e tij diplomatike. I kësaj kohe është dhe bashkëpunimi me Sevasti Qiriazin, të cilës i shkruante: “Koha erdhi edhe shkon për të hapur zënë, për të kërkuar të drejtat e Shqipërisë. Sot është dita e fundit për Shqipërinë, do të ngjallemi a do të vdesim”.

Duke ditur ekuilibrat që i kërkoheshin botës pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore dhe se këtë do ta rregullonte një konferencë paqeje, Ismail Qemali kërkon të jetë pjesë e këtij delegacioni, e ndërsa në kushtet e reja, Italia nuk do të pranojë të copëtohet Shqipëria te fqinjët ballkanikë, vendos të kthehet në Itali, ku i qe caktuar vendqëndrimi në qytetin e Peruxhias. I gjendur në një situatë të vështirë, intriguese dhe i akuzuar si “intrigant” dhe bashkëpunëtor i “austriakëve”, ai nuk reshti së punuari për vendin e tij. Kështu në 15 janar të vitit 1919, Ismail Qemali i dërgon një Memorandum kryeministrit të Italisë Orlandos dhe ministrit të Jashtëm Soninos, të cilëve iu kërkonte që Qeveria Italiane të merrte në mbrojtje interesat shqiptare në Konferencën e Paqes.

Në memorandumin e shkruar frëngjisht, me dorën e tij ai nënvizon: “Duke qenë i caktuar në bazë të një akti formal të Bashkësisë Shqiptare të Amerikës, me cilësinë e delegatit për të mbajtur në Konferencën e Paqes të drejtat e Shqipërisë dhe rivendikimet e saj territoriale, ngutem të nisem për Romë me qëllim që të vihem në shërbim të Qeverisë Mbretërore të bashkërendoj në qëndrimet tona”.

Duke shpresuar se kryeministri mund ta merrte më vete në Konferencën e Paqës, gjë që nuk u realizua për shumë arsye, ai e përjetoi me një mërzi të madhe, pasi një konferencë e tillë i krijonte një mundësi të mirë për të mbështetur dhe apeluar të drejtat kombëtare të popullit shqiptar me shumë argumente që ai i kishte në dispozicion.

Në rrethana misterioze, krejt të befta, më 26 janar 1919 Ismail Qemali vdiq në hotelin “Brufani” të Peruxhias. Në Peruxhia, Ismail Qemali kishte mbërritur më 20 dhjetor 1918, së bashku me djemtë e tij, Et’hem e Qazim, pasi kishte qëndruar 10 ditë në Gjenevë të Zvicrës e ishte takuar me disa shqiptarë të njohur.

Në disa botime historike, enciklopedike, si dhe në varrin monumental të Ismail Qemalit në Lulishten e Vlorës, vdekja e tij shënohet më 24 janar 1919. Por, si në raportin e prefekturës së Peruxhias, raportin e mjekëve me në krye prof. Silvestrinin, si dhe në faqet e gazetës italiane “L’Unione Liberale”, 27 janar 1919, thuhej: “Dje në mbrëmje, më 26 janar, në orën 23.30 pushoi së jetuari në hotel “Brufani” mysafiri i shquar i qytetit, Ismail Qemal bej Vlora”. Të njëjtin njoftim jep edhe gazeta “Peruxhia” në faqen e saj të parë, duke e cilësuar “Patriot i flaktë i frymëzuar nga parimet e Lirisë dhe Drejtësisë”.

Në njoftimet e shtypit të kohës thuhet se Ismail Qemali vdiq nga një “hemorragji cerebrale”. Po misteret e vdekjes së tij u endën në qiellin e Evropës, sepse, duke pirë kafenë në konferencën me gazetarët e huaj, të vjella e helmim pësoi edhe djali i tij, Qazimi, i cili vuajti tërë jetën nga këto pasoja.

Vdekja e Ismail Qemalit ngjalli një trishtim të thellë në të gjithë hapësirën shqiptare e kudo kishte shqiptarë në botë. Lajmin e vdekjes së tij e njoftuan gazetat në gjithë Evropën dhe Amerikën, pasi personaliteti dhe veprimtaria e tij i kishte kapërcyer kufijtë e vendit të tij me kohë. Politikan kalibri, diplomat i mrekullueshëm, atdhetar dhe polemist i rrallë, emri i tij kishte depërtuar në të gjitha kancelaritë evropiane dhe ato botërore, për shkakun e një kauze të shenjtë dhe kombëtare të një vendi të vogël në kërthizën e Ballkanit dhe të Evropës.

Në njoftimet e kohës thuhet se “shtypi i gjithë botës, më 28 të këtij muaji (janar 1919) përhapi lajmin e vdekjes së njërit nga diplomatët e rrallë të sinisisë Ballkanike. Vdekja e Ismail Qemalit, themeluesit të Shtetit të parë shqiptar, ideatorit dhe kontribuesit më të rëndësishëm të Pavarësisë së Shqipërisë, shkaktoi një dhimbje të thellë. Në kumtet e kësaj kohe në faqet e gazetës “Albania” Worçester Mass, janar 1919, thuhet: “Po! Zemrat e gjithë shqiptarëve kudo që rrojnë dhe me çdo anë të botës, janë të plagosur, se ay diplomati që mbaroi jetën e tij në këtë kohë, nuk ishte përveç se Burri i Madh i Shqipërisë, i njohur dhe i dëgjuar jo vetëm prej shqiptarëve, po edhe prej gurëve dhe drurëve të Shqipërisë, si dhe prej tërë botës. Le të vajtojnë sot kombi shqiptar, le të vajtojnë shqiptarët kombëtarë kudo ku janë, edhe bashkë me Vlorën, qytetin historik të Shqipërisë, le të vajtojnë e tërë Shqipëria humbjen e birit të saj të shtrenjtë, e Atij që pas pesëqind vjet robërie e ngjalli, e liroi dhe e vuri në një sërë me shoqet e saj, dhe i cili quhesh Ismail Qemal”.

Në njoftimet e pikëlluara, të cilat u shpërndanë me shpejtësi në të gjithë vendin, përmendeshin nderi dhe sakrifica që ai i bëri vendit të tij, përmes cilësive të spikatura në të gjitha dimensionet e një burri shteti. Shtypi shqiptar kudo ishte e përcolli me vlerësimet e rëndësishme këtë ngjarje të dhimbshme. Në gazetën “Albania” nr.42, të 30 janarit 1919, ndër të tjera shkruhej: “Jo ! Emri i Ismail Qemalir nuk është për t’arruar, se veprat e tij që ka bërë për Shqipërinë kanë për të mbetur të gjalla, dhe kanë për të treguar gjithmonë që Shqipëria ka patur në krye të të tjerëve që përpiqeshin për Lirinë dhe Indipendencën e plotë të saj, Plakun Ismail Qemal Bey Vlorën. Vetëm një ishte dëshira e Ismail Qemalit, dhe ajo qe, edhe ditët e fundit: t’i sakrifikonte për Shqipërinë dhe i sakrifikoi”.

Shumë personalitete shqiptare, të cilët jetonin jashtë vendit dhe që Ismail Qemali i kishte pasur miq, bashkëpunëtorë dhe kontribues të çështjes kombëtare shqiptare, e përjetuan me shumë dhimbje dhe si një humbje jo të zakonshme vdekjen e tij. Sevasti K. Dako (Kryetare e Partisë Politike), e cila kishte pasur fatin të bashkëpunonte pas viteve 1914, dhe Ismail Qemali ishte duke iu vënë në shërbim të kauzës kombëtare, me pikëllim shkruan në gazetën “Albania” (30 janar 1919) se, “Fati e kishte ndarë që mua të më bjerë barra e rëndë si kryetare e Partisë të lajmëroj shqiptarët e Amerikës për vdekjen e Ismail Qemalit. Kjo është një mandatë e zezë për të gjithë ne, o bashkatdhetarë të dashur.” Më tej ajo e vlerëson trashëgiminë që la pas Ismail Qemali për brezat, përmes një vlerësimi epik, kur shkruan: “Ismail Qemali, si gjithë profitët e mëdhenj, mbolli duke ju lënë me gëzim pasuesvet trashëgim të ngjerojnë edhe të gëzojnë pemët e veprave të tija. Këshillat e fundit të Plakut, të cilat u botuan tek “Albania” nr.40, lipset të jenë për çdo shqiptar dhiatë, edhe le të mos largohemi as një jotë (pikë) prej syresh, po të qëndrojmë të fortë e të patundur gjersa të harrijmë qëllimin e shenjtë edhe mos na vijë keq për çdo therori qoftë se japim edhe jetën”.

Ndërsa Mihal Grameno, një personalitet i luftës dhe dijes shqiptare, dhimbjen e madhe për humbjen e Plakut të Shenjtë të Pavarësisë dhe Shtetit të Parë shqiptar, e shndërron në krenari, në dinjitet dhe në vlerë të madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në kushtimin për Ismail Qemalin, ai me një lloj patetike prekëse shkruan: “Mos qani dhe mos vajtoni kurrë të kurrës, ju, o male edhe kodrat e Shqipërisë! Mos pushoni kurrë të kurrës ju lumenj me oshëtimat tuaja së treguari vendit të Pellasgëvet, vendit të Lirisë dhe qytetërimit, vendit ku janë lerë burrat më të mëdhenj të botës! Mos qani dhe kurrë të kurrës mos qani! Mos qani dhe prapë mos qani! Mos qani se kini për të turpëruar një komb fisnik edhe kalorës në botë. Do të turpëroni kombin antik në qoftë që kini për të treguar se, me vdekjen e Plakut të Shqipërisë, humbi ajo farë trimnore, e cila ka nxjerrë luanët e botës”. “Albania” (nr. 42, 30 janar 1919).

Ndërsa personaliteti tjetër intelektual Kristo A. Dako e përcjellë me këtë përjetim vdekjen e Ismail Qemalit: “Sot, Kombi Shqiptar, si një trup i pandarë po vajton Këshilltarin e tij besnik. Sot, Shqipëria po vajton babanë e saj që i dha lirinë pas 500 vjet robërie; Sot tërë shqiptarët me flamurin në dorë po i japin fjalën e nderit Plakut të Shqipërisë se do të qëndrojnë të patundur për programin kombëtar, për të cilin Ismail Qemali rojti dhe vdiq! (“Albania”, nr.42, 30 janar 1919)

E gjithë korrespondenca që përcolli këtë moment të dhimbshëm për vdekjen e njërit nga personalitetet më të shquara të Shqipërisë, ka një tendencë të çuditshme, ajo sjell në vëmendjen e njerëzve vlerësimet për Plakun e shquar të Pavarësisë, cilësime dhe vlerësime që e bëjnë këtë moment dhe veprën e tij të respektuar dhe akoma më të njohur për shqiptarët kudo në botë. Parashqevi Kyrias shkruan kështu në prononcimin e saj: “U bëri ballë (Ismail Qemali) tërë furtunave dhe valëve të egra që u lëshuan kundra atij, të shtyrur prej atyre të cilët dëshirojnë zgjedhën tonë. Kurrë nuk u përgjigj as që u mor me atë, të cilët përdorën mënyra kaq të panjerzorta, kaq pa shpirt kundër atij, po qëndroi deri në fund si një shtyllë e fortë, si një kala që s’do kurrë të dijë nga fishekët e armikut. Edhe në letrat e fundit që u dërgoi bashkëpunëtorëve të tij, këshillonte duke thënë; të mos vënë re ata të cilët duan, të shkojnë kohën me thashetheme dhe me shpifje, pot ë shkojnë përpara edhe të punojnë pareshtur për shpëtimin të së dashurës Shqipëri. Sa fjalë të arta që janë këto, sa fjalë me vend po ta dimë se janë fjalë të një burri të Madh, i cili është marrë gjithë jetën e tij me kryevepra.” (“Albania”, nr.42, 30 janar 1919)

Dhimbje të madhe, të cilën e lexon në çdo mjedis, njeri dhe komunikim me njëri- tjetrin e përjetoi qyteti historik i Vlorës, qyteti ku Ismail Qemali i blatoi Shqipërisë ditën më të ndritshme në historinë e tij. Në korrespondencën e kohës shkruhet: “Më 26 kallnduer vdekja e pamëshirshme na rrëmbeu mbë një kohë të papritur, në një qytet t’Italisë, në Perugia, burrin e përmenun, Ismail Qemal Vlonën. Një tjetër lule u këput prej trupit t’Atdheut për me u bashkue mb’at vend paqe të zymtë me vargun e zamdhajve të përlindjes s’onë, nji varr i ri u çel për me rritë lisin kombëtar”.

Vlora atë ditë shkurtit të vitit 1919 përjetoi një dhimbje të madhe. Më 12 shkurt 1919 në ceremoninë e varrimit të tij, sipas gazetës “Kuvendi” të Romës në bazën detare të Skelës, si dhe në rrugët dhe sheshet e qytetit ishin mbledhur mijëra vetë, jo vetëm nga qyteti i Vlorës, por edhe nga krahinat e saj: Kurveleshi, Tepelena, Mallakastra, Lushnja, Elbasani, Fieri, Berati e Skrapari. Në rrugët e qytetit ishin vendosur banderola me shënimin: “Zi kombëtare për të madhin patriot Ismail Qemali”. Ali Asllani në kujtimet e tij na thotë, se parësia e qytetit protestoi te komandanti i ushtrisë italiane, gjeneral S. Piaçentimi, duke e mbështjellë arkivolin e tij me flamurin kombëtar. Varrimi i Ismail Qemalit u bë në Tyrben bektashiane të të parëve të tij”.

I përcjellë me dhimbje dhe nderime të mëdha Ismail Qemali u varros në Kaninë. Nderimin e madh për Plakun e Vlorës e bëri prof. Jani Minga, i cili përveç dhimbjes, pikëllimit, humbjes dhe mërzisë për vdekjen e njeriut më të rëndësishëm të Shqipërisë, solli në vëmendje jetën, veprimtarinë dhe përmasat kombëtare dhe më gjerë të Ismail Qemalit. Jani Minga do të thoshte para trupit të tij:

“Popull i përvajshëm. Kemi pra të drejtë sot t’i bëjmë gjithë nderimet njerëzore që i meritojnë këtij burri. Se humbasim më të madhin burrë të Shqipërisë, më të madhin luftëtar të pendës e të mendjes pas të madhit trim dhe mbret Skënderbeut dhe më një kohë, kur fati i atdheut ndodhet në duart e të Mëdhenjvet dhe zëri i tij duhet të dëgjohesh përpara burrave të Mëdhenj për të mburuar të drejtat e shkelura shtrembërisht t’Atdheut. Vdekja e Ismail Qemali pra sot është një dëm kombëtar, një dëm i pa treguar. Po ti o komb mos u dëshpëro! Në ka pjellë këjo tokë kaq e vjetër në Sinisi të Ballkanit Kastriotë e Qemalë, ka pjellë të tjerë burra, të cilët do ecin kurdoherë pas gjurmëve të mëdha të këtyrevet e do ta mbajnë Atdhenë e dashur e të shenjtë në mvehtësi e në liri të plot me emrin e Ati të Madhit Zot.”

Dhimbjen e madhe dhe humbjen e thellë e dëshmoi edhe z. Qazim Kokoshi, në fjalën e tij, në përcjelljen e Ismail Qemalit në ditën mortore. Ai e lidhte veprën madhore të Ismail Qemalit, me dijet dhe me punën e madhe që ai bëri kurdoherë gjatë gjithë jetës së tij në shërbim të atdheut dhe kauzës kombëtare. Ai tha: “Ismail Qemali, bir i këtij qyteti, qysh në vërsë të djalërisë ushqeu vetëm një qëllim; Përlindjen e Shqipërisë e për këtë ideal të shenjtë e të hyjnueshëm u përpjekë e veproi pareshtur. Pasi mbaroi mësimet në gjimnaz të Janinës u emërua prej Qeverisë Turke sundimtar i çquar në Anadoll e më vonë këshilltar në Kuvendin Mbretëror të Perandorisë, por në mërgim e ndjen më tepër mallin për atdhenë e ndjenjat kombëtare ju bënë më të gjalla. Me gjithë që mund të gjente më të madhin nderim personal në kryeqytet të Turqisë turke, mos mundur të durojë përpara idealit dhe dëshirës që ndjente në shpirtin e madh të Tij për Kombin e vet kreshnik, padrejtësitë e sundimit të keq të kësaj qeverie, nuk pranoi asnjë shkallë të lartë që i paraqitën, por iku nga Stambolli dhe për të vënë në veprim të gjithë ato qëllime të shenjta shkoi n’atë të perëndimit t’Europës, ndër vende të lirisë dhe të qytetërimit, ku u përpoq shumë vjet me gjithë fuqinë mendore për të hedhur poshtë zgjedhën e Turqisë, atë zgjedhë që mjeroi kombin shqiptar, më shumë se 400 vjet dhe që e shpuri në një shkallë tepër të përvajshme.”

Më pas në fjalën e tij, oratori kujton dhe vlerëson gjithë atë veprimtari të ndritshme të Ismail Qemalit, e cila e bën vdekjen e tij të madhe dhe humbjen të pazëvendësueshme.

Edhe pse kanë kaluar vite, Ismail Qemali, qoftë vepra, qoftë vdekja e tij janë të rëndësishme për historinë tonë kombëtare, pasi në personalitetin e tij u mishëruan mendimtari, filozofi, kulturologu, diplomati, burrështetasi, atdhetari, enciklopedisti, historiani, njeriu i mençur dhe trim. Rrallë gjendet në historinë e njerëzimit një përmbushje e tillë. /Dita/