Ratko Mlladiq, ish-komandant i përgjithshëm i Ushtrisë së Republikës Serbe, i dënuar për krime lufte ka vdekur sot në moshën 85-vjeçare në burgun e Hagës.

Mediat e rajonit raportojnë se Mlladiq ishte i sëmurë prej vitesh, ndërsa gjatë javëve të fundit familja e tij, si dhe autoritetet e Serbisë dhe të entitetit boshnjak Republika Serbe kishin bërë përpjekje të vazhdueshme për ta transferuar në Beograd, ku do t’i kalonte ditët e fundit të jetës.


Ratko Mlladiq, me origjinë nga Kalinoviku, u dënua përfundimisht në qershor të vitit 2021 nga Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë për gjenocidin në Srebrenicë, përndjekjen e popullsisë civile, shfarosjen dhe vrasjet, dëbimin dhe veprat çnjerëzore, terrorizimin dhe sulmet e paligjshme ndaj Sarajevës, si dhe marrjen peng të ushtarëve të OKB-së. Gjykata e kishte shpallur fajtor për 10 nga 11 pikat e aktakuzës.

Për shkak të krimeve të tij, ai u bë i njohur edhe si “kasapi i Bosnjës”, i cili mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për vrasjen e më shumë se 8 mijë burrave dhe djemve në Srebrenicë në vitin 1995.