LAJMI I FUNDIT:

Pranohen edhe 12 viktima për të marrë pjesë në procesin gjyqësor ndaj Thaçit e të tjerëve

Pranohen edhe 12 viktima për të marrë pjesë në procesin gjyqësor ndaj Thaçit e të tjerëve

Në rastin ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po akuzohen për krime lufte, janë pranuar edhe 12 viktima për të marrë pjesë në procesin gjyqësor që do të zhvillohet ndaj tyre në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se ka prova ‘prima facie’ se viktimat 21/06, 44/06, 45/06, 46/06, 47/06, 53/06, 54/06, 55/ 06, 56/06, 57/06, 58/06 dhe 59/06, kanë pësuar dëme si rezultat i drejtpërdrejtë i krimeve të pretenduara në aktakuzën e ndryshuar dhe i pranon ato si viktima pjesëmarrëse në procedurë.

Në këtë vendim thuhet se të gjithë aplikantët janë viktima të krimeve që pretendohet se janë kryer në lokacionet e identifikuara në aktakuzën e ndryshuar dhe krimet e supozuara bien brenda fushëveprimit kohor të akuzave siç specifikohet në aktakuzën e ndryshuar në lidhje me secilën prej vendndodhjeve, raporton “Betimi për Drejtësi”.


“Më konkretisht: (a) Viktima 21/06 është viktimë e drejtpërdrejtë e persekutimit, burgimit/arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm arbitrar, akteve të tjera çnjerëzore, trajtimit mizor dhe torturës, që pretendohet se janë kryer në [REDAKTUAR]. Duke vënë në dukje se viktima 21/06 pretendon gjithashtu se është viktimë e krimeve të kryera të dyshuara në vitin 2004, gjyqtari i procedurës paraprake kujton se krime të tilla nuk bien në sferën kohore të akuzave ose në juridiksionin e përkohshëm të Dhomave të Specializuara”, thuhet në vendim.

Tutje, thuhet se viktimat 44/06, 45/06, 46/06 dhe 47/06 janë viktima indirekte të persekutimit dhe burgimit/arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, të dyshuara të kryera në [REDAKTUAR] kundër një anëtari të ngushtë të familjes.

“Gjyqtari i procedurës paraprake vëren se edhe viktimat 44/06, 45/06, 46/06 dhe 47/06 pohojnë se nuk dihet fati i familjarit të tyre. Në lidhje me këtë, gjyqtari i procedurës paraprake vëren se anëtari i familjes nuk është në mesin e viktimave të vrasjes ose zhdukjes me forcë të përmendur në aktakuzën e ndryshuar dhe për rrjedhojë, vrasja dhe/ose zhdukja e pretenduar e anëtarit të familjes bie jashtë fushëveprimit të akuzës”, thuhet në vendim.

Sipas vendimit, viktima 53/06 është viktimë indirekte e burgimit/arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm apo arbitrar, akteve të tjera çnjerëzore, trajtimit mizor dhe vrasjes, që pretendohet të jenë kryer në [REDAKTUAR] ndaj një anëtari të familjes së ngushtë, i cili përmendet si viktimë në aktakuzën e ndryshuar.

“Megjithatë, gjyqtari i procedurës paraprake vëren se anëtari i familjes nuk është në mesin e viktimave të zhdukjes me forcë të përmendur në aktakuzën e ndryshuar dhe për rrjedhojë, ky krim i supozuar bie jashtë fushëveprimit të akuzave”, thuhet në vendim.

Gjithashtu, thuhet se viktima 54/06 është viktimë e drejtpërdrejtë dhe e tërthortë e burgimit/arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, akteve të tjera çnjerëzore, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes, që dyshohet se është kryer në [REDAKTUAR] kundër tij dhe një anëtari të ngushtë të familjes, i cili përmendet si viktimë, në aktakuzën e ndryshuar.

“Viktimat 55/06, 56/06 dhe 57/06 janë viktima indirekte të burgimit/arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, akteve të tjera çnjerëzore, trajtimit mizor, torturës, vrasjes, dhe në rastin e viktimës 56/06, gjithashtu zhdukjes me forcë, dyshohet se është kryer në [REDAKTUAR] dhe në [REDAKTUAR], kundër anëtarëve të ngushtë të familjes që përmenden në aktakuzën e ndryshuar”, thuhet në këtë vendim.

Vendimi thotë se viktimat 58/06 dhe 59/06 janë viktima indirekte të përndjekjes, burgimit/arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, akteve të tjera çnjerëzore, trajtimit mizor dhe torturës, të dyshuara të kryera në [REDAKTUAR] ndaj një anëtari të ngushtë/të afërt të familjes.

“Në masën që viktima 58/06 pretendon gjithashtu se është viktimë e drejtpërdrejtë e keqtrajtimit dhe viktima 59/06 viktimë indirekte e keqtrajtimit të pretenduar të viktimës 58/06, gjyqtari i procedurës paraprake kujton se akuzat për akte të tjera çnjerëzore dhe trajtim mizor duhet të lexohen së bashku me akuzat për burgim/arrest arbitrar dhe paraburgim që pretendohet se janë kryer në një nga vendet e paraburgimit të identifikuara ose në një vendndodhje të identifikuar në mënyrë të ngjashme në aktakuzën e ndryshuar dhe në listën A. Gjyqtari i procedurës paraprake vëren se, ndryshe nga anëtari i ngushtë i familjes së tij, viktima 58/06 asnjëherë nuk është arrestuar apo dërguar në vendin e identifikuar në aktakuzën e ndryshuar. Ai u keqtrajtua gjoja [REDAKTUAR] dhe, si i tillë, keqtrajtimi i tij bie jashtë fushëveprimit gjeografik të akuzave siç specifikohet në aktakuzën e ndryshuar”, thuhet tutje në vendim.

Sipas vendimit, viktima 21/06 ka pësuar dëmtime fizike (plagë), dëmtim mendor (humbje të kujtesës, sulme paniku dhe ankth gjumi) dhe dëm material, si rezultat i drejtpërdrejtë i ndalimit dhe keqtrajtimit të pretenduar të tij.

Ndërkaq, thuhet se viktimat 44/06, 45/06, 46/06, 47/06, 53/06, 55/06, 56/06, 57/06 dhe 58/06 kanë pësuar dëmtim mendor (trauma psikologjike, humbje, dhimbje emocionale, depresion, frikë, ankth, stres dhe pagjumësi) si anëtarë të familjes së drejtpërdrejtë të viktimave të drejtpërdrejta.

“Viktima 54/06 ka pësuar dëmtime fizike (plagë të rënda, brinjë të thyera, dhimbje fizike dhe dhimbje koke), si dhe dëmtime mendore (trauma, stres, rikthim, frikë dhe probleme me gjumin), si rezultat i drejtpërdrejtë i ndalimit dhe keqtrajtimit të tij të pretenduar  dhe si anëtar i familjes së një viktime të drejtpërdrejtë. Viktima 59/06 ka pësuar dëmtim mendor (traumë psikologjike) për shkak të marrëdhënies së ngushtë familjare me viktimën e drejtpërdrejtë. Në këtë drejtim, gjyqtari i procedurës paraprake sqaron se ndërkohë që një marrëdhënie e ngushtë me viktimën e drejtpërdrejtë mund të mos jetë supozohet (pasi viktima 59/06 nuk është anëtar i afërt i familjes), një marrëdhënie e tillë mund të konkludohet nga fakti se [REDAKTUAR] [REDAKTUAR]”, thuhet në këtë vendim.

Në fund thuhet se gjykata ka miratuar aplikimet e viktimave 21/06, 44/06, 45/06, 46/06, 47/06, 53/06, 54/06, 55/06, 56/06, 57/06, 58/06 dhe 59 /06 dhe ka urdhëruar  që masa mbrojtëse e anonimitetit sipas rregullit 80 (4) (e) (i) të Rregullores t’iu jepet viktimave 21/06, 44/06, 45/06, 46/06, 47/06, 53/06, 54/06, 55/06, 56/06, 57/06, 58/06 dhe 59/06.

Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen me forcë e personave dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe  vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BetimipërDrejtësi/