LAJMI I FUNDIT:

Masakra e Belegut, të mbijetuarit kujtojnë tmerret e para 23 vjetëve

Masakra e Belegut, të mbijetuarit kujtojnë tmerret e para 23 vjetëve

Në Beleg të Deçanit, 23 vjet më parë, forca të shumta policore, ushtarake dhe paramilitare serbe vranë dhe masakruan 49 shqiptarë. Sot e kësaj dite mbetet mister fati i 34 të pagjeturve të këtij fshati.

Është njëra prej masakrave më të mëdha të kryera nga forcat paramilitare serbe, të cilat në pranverën e viti 1999 filluan një ofensivë të egër ndaj popullatës së Irzniqit dhe Belegut, një ditë pasi ata pësuan humbje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.


Edhe sot e kësaj ditë fati i 34 të pagjeturve të këtij fshati si dhe fshatrave të tjera të Deçanit mbetet  mister.

“Dikush thotë se ata i kanë dërguar në Serbi dhe i kanë bluar e bërë asfalt. Dikush tjetër thotë se trupat e tyre janë djegur, por në fakt ne asgjë për fatin e tyre nuk dimë”, fillon rrëfimin për RTV Dukagjinin Selim Mazrekaj, që i mbijetoi kësaj masakre.

Në atë kohë ishte 13-vjeçar, derisa 23 vite pas, nuk di asgjë për fatin e babait dhe dy vëllezërve të tij.

“Të zhdukur na thonë, por po presim mos po na i kthejnë nga Serbia”, shton Mazrekaj, përcjell Telegrafi.

Masakrën e  kryen forcat serbe derisa nën tytat e armëve rreth 100 civilë ishin tubuar në oborrin e një shtëpie.

“Kemi dëgjuar britma duke i rrahur e maltretuar banorët. Ka pasur edhe dhunime, por vet nuk kam parë”.

Pas dhunës dhe torturave, të nesërmen serbët zbatuan një tjetër plan.

“Në mëngjes unë i lashë babën dhe dy vëllezërit që në atë kohë ishin 17 dhe 19 vjeç. Neve na nisën për në Shqipëri dhe ata na përshëndetën me dorë dhe nga ajo ditë nuk dimë më asgjë për fatin e tyre”.

Pos familjarëve të Selimit që nuk dihet asgjë për fatin e tyre, janë edhe 31 shqiptarë të tjerë që konsiderohen të zhdukur nga data 29 mars e vitit 1999.

Deri më tani janë gjetur vetëm trupat e 12 civilëve të vrarë.

Edhe Endrit Binakaj që i kishte mbijetuar asaj masakre, thotë se dihen përgjegjësit e asaj masakre.

“Kryerësit e masakrës janë njësitet lokale të forcave serbe, por edhe njësite tjera paramilitare, dhe që janë të shënuara me emër e mbiemër”, thotë Binakaj.

Ndonëse ekipe të hetuesisë, së pari nga UNMIK, pastaj edhe EULEX, ishin marrë me rastin, duke mbledhur dëshmi të shumta, deklarata të dëshmitarëve të drejtpërdrejt të prezantuara edhe në Tribunalin e Hagës, por edhe autopsinë e bërë të kufomave të krimit, deri më tash askush nuk është arrestuar./Telegrafi/