LAJMI I FUNDIT:

Top pesë ngjarjet politike që e karakterizuan vitin 2021

Top pesë ngjarjet politike që e karakterizuan vitin 2021

Viti 2021 nisi dhe përfundoi me zgjedhje. Pos mbajtjes së zgjedhjeve, vendi u përballë edhe me sfidat në luftimin e pandemisë COVID-19.  

Në shkurt të 2021 ishin caktuar të mbaheshin zgjedhjet qendrore, ndërsa në tetor ato lokale. Për një vend si Kosova, organizmi i dy palë zgjedhjeve brenda një viti konsiderohej barrë e rëndë edhe në aspektin buxhetor.

Zgjedhjet qendrore ishin të jashtëzakonshme, që pasuan një qeveri në detyrë pas rrëzimit të Qeverisë Kurti 1, ndërsa ato lokale ishin të rregullta të parapara në tetor.


Nga zgjedhjet qendrore fituese doli partia e Albin Kurtit, i cili formoi Qeverinë me Listën Guxo dhe me deputetët e partive të pakicave nga komunitetet e partive, rome, boshnjake, egjiptiane. Më 22 mars 2021, Kuvendi i Kosovës votoi formimin e Qeverisë Kurti.

Por përveç sfidave me të cilat përballej vendi, viti 2021 ishte i mbarë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

FSK në mars kishte nisur misionin e parë paqeruajtës. Më 9 mars 2021 është mbajtur ceremonia e nisjes së kontingjentit të parë paqeruajtës të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kuvajt.

Kontingjenti i FSK-së ka qëndruar gjashtë muaj në Kuvajt me Gardën Kombëtare të Iowa-s, mision ky që u quajt historik.

Ndërsa, muaji prill e gjeti vendin me presidente të re. Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje nga lista “Guxo”, Vjosa Osmani është zgjedhur Presidente e Kosovës. Osmani ishte zgjedhur presidente në raundin tretë që ishte final për përcaktimin e presidentit të ri të vendit.

Gjatë 2021 dialogu Kosovë-Serbi nuk po gjente rrugë. Kosova dhe Serbia nuk po pajtoheshin për temat e dialogut. Madje, takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel ishte zhvilluar me tensione.

Në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Qeveria Kurti kishte paralajmëruar vendosjen e masës së reciprocitetit për targat, pasi marrëveshja e cila ishte arritur vite më parë skadonte më 15 shtator dhe se Kosova nuk do ta respektojë atë njëanshëm.

Pas skadimit të marrëveshjes, më 20 shtator, forca të mëdha policore u vendosën në pikën kufitare Jarinjë -Bërnjak për të zbatuar masën e reciprocitetit.

E gjithë kjo krijoi pakënaqësi të serbëve, të cilët protestuan për dy javë, duke bllokuar rrugën në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak dhe një situatë e tillë u tejkalua vetëm pas arritjes së marrëveshjes për targat Kosovë-Serbi, më 30 shtator.

Ashtu si nisi viti me zgjedhje, edhe u përmbyll. Më 17 tetor u zhvilluan zgjedhjet lokale, ku qytetarët votuan për ata që do t’i qeverisin dhe menaxhojnë çështjet lokale në 4 vjetët e ardhshme.

Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale 17 komuna kanë zgjedhur kryetarin, kurse 21 tjera kishin shkuar në balotazh më 14 nëntor.

Zgjedhjet qendrore më 14 shkurt 2021

Qytetarët e Kosovës me të drejtë vote më 14 shkurt kanë zgjedhur 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, për legjislaturën e tetë.

Në këto zgjedhje patën garuar 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare.

Të drejtë vote kanë pasur 1,794,862 qytetarë, ndërsa pjesëmarrja e përgjithshme në votime ishte rreth 47%.

Nga zgjedhjet qendrore të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka marr 49.95 për qind të votave, Partia Demokratike me 16.9 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 12.64 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.07 për qind.

Pjesëmarrja e qytetarëve në këto zgjedhje ka qenë 48.78% nga 1 milionë e 851 mijë e 927 qytetarë me të drejtë vote.

“Numri i votuesve që kanë votuar brenda vendvotimeve ka qenë 814 mijë e 122 votues, numri i votuesve të cilët kanë votuar jashtë vendvotimit me kusht dhe me postë ka qenë 89 mijë e 257”, ishte njoftuar në mbledhjen e KQZ-së.

Nga zgjedhjet e 14 shkurtit LVV ka fituar 58 deputetë, PDK do t’i ketë 19 deputetë, LDK do t’i ketë 15 deputetë, AAK do t’i ketë 8 dhe Lista Serbe 10 deputetë.

Aktualisht, LVV ka 59 deputetë, meqenëse një deputete e PDK-së ka kaluar në radhët e LVV-së. Me këtë, PDK ka mbetur me 18 deputetë.

Kuvendi më 22 mars votoi Qeverinë Kurti 2

Më 22 mars 2021 Kuvendi i Kosovës, me 67 vota për dhe 30 vota kundër, ka votuar përbërjen e re të Qeverisë së Kosovës, e cila udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.

Qeveria Kurti 2 është votuar në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të thirrur menjëherë pas konstituimit të legjislaturës së tetë të Kosovës.

Para se të votohej Qeveria Kurti 2, kryeministri Kuti kishte prezantuar në Kuvend programin qeverisës dhe përbërjen e kabinetit qeveritar.

Pas votimit të Qeverisë Kurti 2, nga salla ishin larguar deputetët e PDK-së e LDK-së.

Kjo ishte hera e dytë që Kurti kishte marr drejtimin e Qeverisë së Kosovës, pas mandatit të tij të parë, ku kishte qenë kryeministër për 52 ditë.

FSK me misionin e parë paqeruajtës 

Më 9 mars 2021 është mbajtur ceremonia e nisjes së kontingjentit të parë paqeruajtës të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kuvajt.

Në këtë ceremoni, atëkohë ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani kishte thënë se kjo nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Osmani ishte shrehur se Kosova nga një vend që dikur ka importuar trupa paqeruajtëse, sot po dërgon FSK në mision paqeruajtës.

“E nderuar sot që në cilësinë e komandantes supreme të FSK të jem bashkë me ju në përcjelljen e kontingjentit paqeruajtës në Kuvajt. Në këtë ditë historike kam ardhur të ju them ‘Zoti ju ruajt dhe faleminderit’. Nuk mund të lë pa përmendur që në këtë ditë historike asgjë nuk i afrohet nderit që të shërbej si komandante. Ky mision gjashtëmujorë ushtarëve tanë po i bëhet e mundshme falë partneritetit me SHBA. Programi i SHBA-së me shtetin tonë ka qëllim afatgjatë. 22 vjet më parë ishte vështirë e imagjinueshme që ushtarët tanë do të ishin pjesë e misionit paqeruajtës në botë, sot kjo po bëhet realitet”, ishte shprehur Osmani.

“Nga një vend që importuam trupa paqeruajtës sot po bëhemi eksportues të trupave paqeruajtëse. Ushtarët tanë do të jenë kudo dhe kurdo”, kishte thënë ajo, duke shtuar se kushdo që e kërcënon SHBA-në dhe aleatët tjerë, ka kërcënuar edhe Republikën e Kosovës.

Rama: Sot ditë historike për vendin, Kosova po bëhet pjesë e misionit të paqes

Ditën e zbarkimit të kontingjentit të FSK-së në misionin e parë paqeruajtës në botë, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama e kishte quajtur historike.

“Sot është ditë historike për Kosovën. Sot Kosova zyrtarisht po bëhet kontribuuese e misionit të paqes përkrah partnerëve dhe miqve tanë. Kjo e arritur është falë pjesëtarëve të FSK-së, jam krenar që jam komandant i Forcës”, ishte shprehur ai, duke e quajtur mision fisnik.

“Të dashur ushtarë të FSK-së, ju jeni duke zbatuar një mision fisnik në mbështetje të paqes, do të jeni krenar pasi që në këtë mision jetësoni një synim tonin për të cilën shumë gjenerata sakrifikuan. Jam i bindur që do të shërbeni me profesionalizëm dhe do të përfaqësoni Kosovën me dinjitet”, ishte shprehur ai.

Kontingjenti i FSK-së ka qëndruar gjashtë muaj në Kuvajt me Gardën Kombëtare të Iowa-s. Ata janë kthyer në tetor të 2021, ndërsa i ka pritur ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Mehaj thotë se “emocion i veçantë ishte pritja e ushtarakëve tanë, që u kthyen nga misioni i parë ushtarak i FSK-së jashtë vendit”, transmeton Telegrafi.

“Emocion i veçantë ishte pritja e ushtarakëve tanë, që u kthyen sot nga misioni i parë ushtarak i FSK-së jashtë vendit. Këta djem, me shërbimin e tyre përkrahë forcave amerikane në operacionin e stabilitetit në Kuvajt, na bënë krenar, jo vetëm qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe gjithë kombin. Me Major Ibrahimin, Kapiten Haxhiun, Toger Shemsedinin, Tetar Lajçin dhe Ushtar Mehmetin si dhe Vëllezërit e tyre në Armë, ushtarakët amerikan, kapiten Gudenkanf dhe Rreshter Sanderson, shkëmbyem rrëfimet nga përvojat tona në operacionet jashtë vendit”, kishte shkruar ai.

Vjosa Osmani më 4 prill zgjidhet presidente e Kosovës

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje nga lista “Guxo”, Vjosa Osmani më 4 prill është zgjedhur Presidente e Kosovës.

Osmani ishte zgjedhur në raundin tretë që ishte final për përcaktimin e presidentit të ri të vendit.

Në votim kishin marrë pjesë 82 deputetë, ndërsa Osmani mori 71 vota për dhe 11 të pavlefshme.

Në raundin e tretë të votimit mori pjesë edhe Adelina Grainca, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila ishte ulur në pjesën e deputetëve të LVV-së.

Trembëdhjetë ditë bllokadë në Jarinjë dhe Bërnjakë, nga vendosja e reciprocitetit për targat e veturave nga Serbia

Në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Qeveria Kurti kishte paralajmëruar vendosjen e masës së reciprocitetit për targat, pasi marrëveshja e cila ishte arritur vite më parë skadonte më 15 shtator dhe se Kosova nuk do ta respektojë atë njëanshëm.

Pas skadimit të marrëveshjes, më 20 shtator, forca të mëdha policore u vendosën në pikën kufitare Jarinjë -Bërnjak për të zbatuar masën e reciprocitetit.

Sipas kësaj veturat me targa të Serbisë do të mund të qarkullonin në Kosovë vetëm nëse i heqin ato dhe pajisen me targa të përkohshme të Kosovës. Të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguanin 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre ishte 60 ditë.

E gjithë kjo krijoi pakënaqësi të serbëve, të cilët janë duke protestuar për dy javë, duke bllokuar rrugën në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Kosova po zbatonte një marrëveshje që ishte arritur vite më parë në Bruksel, ndërsa nga Beogradi zyrtar dërgimi i Njësisë Speciale Rosu në veri paraqitej si provokim dhe rrezik.

Beogradi gjatë kësaj periudhe kishte dërguar njësitë e veta ushtarake, automjete të blinduara dhe helikopterë në afërsi të pikëkalimeve. Ka pasur madje edhe fluturime të avionëve në afërsi të vijës kufitare.

Kjo kishte ngjallur reagime të shumta në vend, ndërsa faktori politik i Kosovës kishte kërkuar edhe reagimin e bashkësisë ndërkombëtare për veprimet e Serbisë.

Gjatë kësaj periudhe ishte djegur edhe qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok.

Po ashtu, në  Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan ishin gjetur mjete shpërthyese.

E gjithë kjo ngjarje që solli tensionet më të larta mes Kosovës dhe Serbisë, në vitet e fundit, kishte përfunduar 2 tetor 2021, me largimin e barrikadave dhe tërheqjen e njësive speciale policore nga veriu.

Largimi i tyre ishte bërë pas arritjes së një marrëveshje në Bruksel më 30 shtator, në mes Kosovës dhe Serbisë.

Situata për dy javë rresht në këto pikë kalime kufitare ishte monitoruar nga pjesëtarët e KFOR-it.

I ngarkuari me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas J.Giacobbe e kishte quajtur  “përparim të mirë nga Kosova dhe Serbia” zbatimin e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për zhbllokimin e dy pikave kufitare në veri të Kosovës.

“Prezenca e KFOR-it është e përkohshme, në dy javë ne presim që operacionet kufitare të kthehen në normalitet. Është koha për të shfrytëzuar këtë momentum dhe për të rifilluar dialogun”, kishte shkruar Giacobbe.

Për situatën në veri, pas largimit të barrikadave dhe Njësisë Speciale, ishte deklaruar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Sveçla ishte shprehur se epoka kur Republika e Kosovës nënshtrohet ka përfunduar, dhe këtë mesazh tashmë e ka kuptuar Beogradi dhe Brukseli.

“Sovraniteti dhe ligjshmëria do të shtrihet në tërë territorin e Republikës së Kosovës, me çdo kusht. Krimi dhe korrupsioni do të luftohen në çdo cep. Policia e Kosovës e dëshmoi për 13 ditë se përveç që është profesionale është edhe gatshme të kryej misionin e saj me sukses”, kishte shkruar Sveçla.

Zgjedhjet lokale më 17 tetor – qeverisja e komunave

Më 17 tetor 2021 vendi ka mbajtur edhe zgjedhjet lokale në 38 komuna.

Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale 17 komuna kanë zgjedhur kryetarin, kurse 21 tjera kishin shkuar në balotazh më 14 nëntor.

LDK dhe PDK fituan nga tetë komuna, AAK vazhdon qeverisjen me 5 komuna, LVV do të menaxhojë në katër komuna, derisa Nisma vazhdon qeverisjen në Malishevë.

Nisma Socialdemokrate ka arritur të mbajë në qeverisje Malishevën, derisa kandidati i pavarur Xhafer Gashi ka fituar në Obiliq.

Rezultatet:

LDK: Prishtinë, Pejë, Lipjan, Istog, Viti, Fushë Kosovë, Dragash, Junik;

PDK: Prizren, Mitrovicë, Ferizaj, Drenas, Skenderaj, Hani i Elezit, Vushtrri, Kaçanik;

AAK: Gjakovë, Suharekë, Klinë, Rahovec, Deçan;

LVV: Gjilan, Podujevë, Kamenicë, Shtime;

Nisma Socialdemokrate: Malishevë;

Në 11 komuna tjera kanë fituar partitë e minoriteteve, ndërkaq Xhafer Gashi si kandidat i pavarur ka fituar në Obiliq. /Telegrafi/