LAJMI I FUNDIT:

Kisha Ortodokse Ruse propagandon kundër vaksinimit ndaj COVID-19 në Ukrainë

Kisha Ortodokse Ruse propagandon kundër vaksinimit ndaj COVID-19 në Ukrainë

Që nga 23 nëntori, vetëm 23 për qind e ukrainasve janë vaksinuar plotësisht kundër COVID-19 dhe me vetëm 6 për qind që e kanë marrë njërën dozë, në krahasim me 42 për qind e popullsisë botërore të vaksinuar plotësisht. Pra, është e qartë se vaksinimi në Ukrainë është duke ecur në hapa të ngadaltë.

Si një nga çështjet më të rëndësishme në botë, gjatë dy viteve të fundit, vaksinimi kundër COVID-19 është përdorur si subjekt i fushatave të ndryshme dezinformuese, veçanërisht nga Rusia.

Qendra Kundër Dezinformimit në Këshillin e Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës ka analizuar së fundmi përmbajtjen e informacionit në rrjetin Telegram, duke konfirmuar se Rusia ka ndërmarrë operacione që synojnë uljen e nivelit të vaksinimit në Ukrainë përmes kanaleve të shumta mediatike, veçanërisht përmes rrjeteve sociale. Mesazhet e fushatës kanë të bëjnë kryesisht me pasojat negative të vaksinimit.


Në këtë drejtim, Facebook është bërë një platformë për përhapjen e propagandës dhe dezinformatave , si dhe një mjet për grupe të caktuara për të projektuar ndikim për të arritur qëllimet politike.

Rrjeti i aktivistëve Avaaz zbuloi se mbi 40 për qind e dezinformatave të lidhura me COVID-19 është gjetur në Facebook.

Kisha Ortodokse Ruse si një mjet për dezinformim

Çdo diskutim i propagandës dhe dezinformimit ndaj pandemisë COVID-19 në Ukrainë përmend rolin e Kishës Ortodokse dhe të Patrikanës së Moskës [degë e ndikimit të Kishës Ortodokse Ruse në Ukrainë]. Patrikana e Moskës ka luajtur një rol shumë aktiv në projektimin e ndikimit rus në Ukrainë, veçanërisht pas fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës gjatë okupimit të Krimesë në vitin 2014.

Konflikti ruso-ukrainas në aspektin fetar arriti zyrtarisht në fund të vitit 2018. Kishte një rikonfigurim thelbësor të marrëdhënieve midis të krishterëve ortodoksë rusë dhe ukrainas në fillim të vitit 2019, kur Kisha Ortodokse e Ukrainës mori një dokument të veçantë të quajtur “Tomos” nga udhëheqja e Kishës Ortodokse në Kostandinopojë. Ky dokument e bëri Kishën Ortodokse të Ukrainës të pavarur kanonikisht nga Moska. Pavarësisht kësaj, Patrikana e Moskës ende kontrollon një pjesë të madhe të infrastrukturës institucionale të Kishës Ortodokse në Ukrainë.

Kisha Ortodokse Ruse në Ukrainë ofron mbështetje të fortë për axhendën ndërkombëtare të Kremlinit. Një nga mesazhet e saj më të zëshme këto ditë është minimi i përpjekjeve të Ukrainës për vaksinim si një dështim dhe një këmbëngulje që ai vaksinim duhet të jetë i detyrueshëm. Një nga mjetet e Kishës Ruse për përhapjen e mesazheve të tilla është një agjenci e quajtur Unioni i Gazetarëve Ortodoksë. Ajo u krijua në Ukrainë në vitin 2015 për të, siç thonë ata, “të mbrojë interesat e Ortodoksisë kanonike” dhe “të mbulojë ngjarje si në Ukrainë dhe jashtë saj”.

Pronarët zyrtarë të kësaj agjencie mund të gjenden në internet, megjithatë, pronari i vërtetë i organizatës është Viktor Vyshnevetsky, një biznesmen nga qyteti Makeyevka, kompanitë e të cilit janë në një çështje penale për financimin e terrorizmit në Donbas. Në vitin 2013, revista Focus vlerësoi pasurinë e Vyshnevetsky në 170.5 milionë dollarë, i 81-ti në mesin e 200 njerëzve më të pasur në Ukrainë.

Si propagandon Patrikana e Moskës në Ukrainë kundër vaksinimit të detyrueshëm?

Derisa Ukraina ka përjetuar një rritje të rasteve dhe vdekjeve nga COVID-19, më shumë publikime kanë filluar të shfaqen në faqen e Facebookut të Unionit. Për shembull, kreu i Kishës Ortodokse të Ukrainës pranë Organizatave Ndërkombëtare Evropiane, peshkopi Victor i Baryshivkas, deklaroi se zhvillimet aktuale rreth vaksinimit mund të quhen “një provë e përgjithshme për Apokalipsin”.

Faqja e Unionit në Facebook është krijuar në vitin 2018. Më shumë se 1,474 persona e pëlqejnë përmbajtjen, ndërsa 1,771 persona e ndjekin atë. Shumica e publikimeve për vaksinimin duke filluar nga nëntori paraqesin mesazhe që argumentojnë se vaksinimi nuk duhet të jetë i detyrueshëm.

Fatkeqësisht, deklarata të tilla tërheqin vëmendjen e njerëzve, veçanërisht një publikim të tillë i cili është shpërndarë 13 herë dhe ka marrë 158 reagime pozitive.

Në një publikim tjetër, një deklaratë kundër vaksinimit të detyrueshëm është përfshirë në një sondazh. Kjo sugjeron që shumica e ndjekësve të kësaj faqeje janë kundër vaksinimit të detyrueshëm, publikimi ka marrë 346 pëlqime dhe është shpërndarë 19 herë.

Një tjetër publikim është përqendruar në një deklaratë nga Dioqeza e Vinnytsias, e cila bëri thirrje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj individëve të pavaksinuar. Ky shkrim i veçantë mbështet idenë se njerëzit e pavaksinuar duhet të vazhdojnë të jenë të pavaksinuar dhe se kjo është normale.

Është mjaft interesante që deklarata u publikua në të njëjtën ditë kur protestat kundër vaksinimit u zhvilluan në shumë rajone të Ukrainës dhe kur vendi filloi të regjistronte rritje të vdekjeve nga COVID-19.

Për më tepër, ky shkrim i veçantë u shpërnda në faqen e organizatës jofitimprurëse të quajtur “Српско-руско братство – духовно и историјско” (Vëllazëria serbo-ruse – Shpirtërore dhe Historike), e cila ka një foto të presidentit rus Vladimir Putin duke pozuar me fëmijët. Grupi është mjaft i njohur, me 40,057 pëlqime dhe 39,845 ndjekës. Filloi të funksionojë në maj të 2012-së.

Kjo faqe ka gjithashtu publikime rreth vaksinimit dhe artikulli i lartpërmendur është postuar disa herë brenda ditëve. Në të njëjtën kohë, atje ka publikime mbi marrëdhëniet e jashtme ruse dhe tema ushtarake.

Protestat kundër vaksinimit të detyrueshëm u zhvilluan më 3 nëntor në shumë qytete të Ukrainës si Zaporizhya, Odesa, Vinnytsia, Khmelnytsky dhe vende të tjera. Marshimi në Kiev kishte disa qindra pjesëmarrës. Protesta shkaktoi shumë debate të ashpra në internet. Nuk ka bërë përjashtim Unioni i Gazetarëve Ortodoksë, me një publikim të protestës, e shpërndarë 60 herë dhe pëlqyer 735 herë.

Një lajm mbi protestën në Zaporizhya tërhoqi vëmendjen për përdorimin e forcës nga policia dhe argumentoi se ata u sollën në mënyrë të padrejtë ndaj protestuesve.

“Policia ka përdorur forcë ndaj protestuesve. Për pasojë ka mbetur i plagosur një person. Më pas, forcat e rendit kanë shpjeguar se në këtë mënyrë kanë kryer një veprim të arsyeshëm, duke kërkuar respektimin e kufizimeve të karantinës”, thuhet në faqen e Unionit të Gazetarëve Ortodoksë.

Midis atyre që ndanë mesazhe të tilla ishin grupe të tjera të fokusuara në Facebook, duke përfshirë Pravoslavna Ukraina dhe Grupi i Mbështetësve të Krishterimit Ortodoks në Ukrainë (Hrupa Podderzky Pravoslavnyh na Ukraine).

Publikimet që përmendin vaksinimin janë mjaft të njohura për audiencën e faqes së Unionit të Gazetarëve Ortodoksë. Një postim i ftoi njerëzit të ndajnë mendimet e tyre mbi këtë temë, duke tërhequr 256 pëlqime, 63 komente dhe 27 shpërndarje.

Në fund, situata e pandemisë COVID-19 në Ukrainë është bërë një temë për përhapjen e dezinformatave dhe propagandës për pjesën tjetër të botës. Ukraina e ka përjetuar këtë fenomen me mbështetje të veçantë nga Rusia në formën e agjitacionit nga Patrikana e Moskës në Ukrainë, e drejtuar vetë përmes Unionit të Gazetarëve Ortodoksë.

Përveç kësaj, grupe dhe faqe pro-ruse në vende të ndryshme ripublikojnë mesazhe nga faqja e Unionit në Facebook, të cilat nuk mund të duken si një “rastësi e thjeshtë”. Është gjithashtu e mundur që Unioni i Gazetarëve Ortodoksë të veprojë kundër fushatës së vaksinimit në Ukrainë. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë

Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë

Evropa
Brenda fabrikës së armëve të Koresë së Jugut që mund ta furnizojë Ukrainën

Brenda fabrikës së armëve të Koresë së Jugut që mund ta furnizojë Ukrainën

Azia
Spanja përgatit udhëzuesin për të ndihmuar qytetarët t'i përgjigjen rreziqeve që lidhen me një luftë të mundshme

Spanja përgatit udhëzuesin për të ndihmuar qytetarët t'i përgjigjen rreziqeve që lidhen me një luftë të mundshme

Evropa
Publikohet një dokument prej 1000 faqesh që detajon planet e Gjermanisë në rast të një lufte në Evropë

Publikohet një dokument prej 1000 faqesh që detajon planet e Gjermanisë në rast të një lufte në Evropë

Evropa
Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Evropa
Shtetet evropiane zotohen se do ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare - Netanyahu do të arrestohet

Shtetet evropiane zotohen se do ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare - Netanyahu do të arrestohet

Evropa
Kalo në kategori