LAJMI I FUNDIT:

Vdes diplomati i njohur amerikan James Williams Pardew

Vdes diplomati i njohur amerikan James Williams Pardew

James William Pardew, një ish-diplomat në administratat e presidentëve të SHBA-së Bill Clinton dhe George W. Bush dhe një oficer i inteligjencës ushtarake amerikane, vdiq të mërkurën në moshën 77-vjeç, raporton Arkansasonline.

Ai ishte negociatori i SHBA-së për Marrëveshjen Kornizë në Maqedoni në vitin 2001 dhe zëvendës këshilltar special i presidentit dhe sekretarit të Shtetit për demokracinë në Ballkan gjatë luftës në Kosovë.

Ai gjithashtu përfaqësoi sekretarin e Mbrojtjes në ekipin negociator amerikan mbi Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe menaxhoi Programin e Trajnimit dhe Pajisjeve Ushtarake për Bosnjë dhe Hercegovinën në periudhën 1996-1999.


Në 1997, presidenti i atëhershëm Bill Clinton emëroi Pardew si përfaqësuesin e SHBA-së për stabilizimin ushtarak në Ballkan me gradën e ambasadorit në Departamentin e Shtetit. Ishte koordinatori i Uashingtonit për Misionin Ndërkombëtar të Verifikimit të Kosovës. Pas bombardimeve të NATO-s, Pardew ndihmoi në krijimin e prezencave civile amerikane dhe ndërkombëtare në Kosovë, si dhe në zhvillimin e institucioneve lokale të qeverisë dhe sigurisë.

Pardew ishte kritikues i presidentit serb Aleksandar Vuçiq, duke e quajtur atë si një nacionalist serb që përdor mjetet politike për të marrë mbështetje për urrejtjen etnike, siç ka pas bërë Millosheviq.

Ai ka kritikuar edhe politikat e ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe ish-të dërguarit të tij Richard Grenell në raport me Kosovën, duke thënë se po i shkatërrojnë themelet e politikës së suksesshme amerikane në rajon.

Pardew, i cili jetonte në Fairfax Station, u lind në Memfis dhe u rrit në Jonesboro, duke u diplomuar në shkollën e mesme Nettleton dhe Universitetin Shtetëror të Arkansas. Pas diplomimit, kaloi 28 vjet si një oficer i inteligjencës ushtarake, duke arritur gradën e kolonelit.

Presidenti George W. Bush, një republikan, emëroi Pardew ambasadorin e SHBA-së në Bullgari në vitin 2002, në të cilën detyrë shërbeu deri në vitin 2005.