LAJMI I FUNDIT:

Prishtina e pafat, ndalet në shtëpi nga Feronikeli

Prishtina e pafat, ndalet në shtëpi nga Feronikeli

Prishtina nuk ka arritur të fitojë në shtëpi ndaj Feronikelit, duke barazuar me rezultat 0-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 16-të në Superligën e Kosovës.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë nga të dyja skuadrat, por me Prishtinën për një nuancë më të mirë.

Vendasit patën mundësi të artë në minutën e 14-të, por penalltia e goditur nga Sabien Lilaj u prit nga portieri Ilir Avdyli dhe skuadrat shkuan në pushim me rezultat baras.


Në pjesën e dytë, pati diçka më shumë nga loja nga të dyje ekipet që krijuan më shumë raste për gol.

Të parët provuan Prishtina me anë të Gauthier Mankenda (60’), por goditja e tij shkoi pranë portës, ndërsa Nikli ishte afër golit dy minuta më vonë, por Egland Haxho priti dy tentime radhazi, nga Simonovski dhe Ademi Maliqi.

Deri në fund të ndeshjes, skuadrat patën edhe nga disa raste, por pa arritur ta tundin rrjetën dhe në fund ndeshja u mbyll me rezultat të barabartë 0-0.

Pas këtij barazimi, Prishtina e sheh veten në pozitën e tretë me 25 pikë, ndërsa Nikli zë vendin e pestë me 20 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Prishtina udhëton te Gjilani, ndërsa Feronikeli e pret në shtëpi Besën. /Telegrafi/