Dhomat e Specializuara në Hagë kanë konfirmuar aktakuzat gjatë ditës së sotme për dy ish–pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Krasniqi është arrestuar nga hetuesit e Speciales pas dhjetë orësh bastisje që janë bërë në shtëpinë e tij.
Operacioni në shtëpinë e Krasniqit ka filluar në orët e hershme të mëngjesit dhe ka përfunduar rreth orës 16:00, përveç hetuesve ndërkombëtarë në bastisje kanë marrë pjesë edhe policë të Kosovës, transmeton Telegrafi.
Pas bastisjes dhe arrestimit të Krasniqit, avokati i tij mbrojtës, Valon Hasani bëri të ditur se aktakuza është konfirmuar dhe Krasniqi është nisur për në Hagë.
“Sot prokuroria ka pasur aksion dhe në bazë të urdhrit është arrestuar Krasniqi. Ai është nisur në Hagë dhe shumë shpejtë do të dalë para gjykatës. Tani sapo përfundoi bastisja, dyshohet për vepra të cilat nuk janë të specifikuara por janë në kuadër të veprave që bien nën juridiksionin e Speciales”, ka thënë avokati Hasani.
Ndërsa pas arrestimit, familjarët e Jakup Krasniqit u shprehen të shqetësuar, ata pohuan se për Krasniqin nuk ka pasur më herët ndonjë urdhër arrest, transmeton Telegrafi.
Daut Krasniqi, vëllai i Jakup Krasniqit deklaroi se hetuesit e Speciales gjatë bastisjes kanë marrë disa dokumenta, duke shtuar se disa nga to kanë qenë dokumente të pavlerë.
“Dokumente kanë marrë çfarë kanë gjetur, kanë marrë edhe dokumente pavlerë. Ne jemi mësuar me këto situata pasi nuk është hera e parë kjo, por duhet të përballojmë të gjitha. Fajtori nuk është këtu, fajtor janë ata që e kanë sjellë këtë Gjykatë”, ka thënë ai.
Konfirmimi i aktakuzës për Rexhep Selimin:
Pak orë pas arrestimit të ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gjykata Speciale ia ka konfirmuar aktakuzën edhe ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi.
Selimi ka treguar se nesër do të udhëtojë për në Hagë.
“Të nderuar miq, bashkëluftëtarë, qytetarë e bashkëkombës të mi! Sonte në orët e mbrëmjes jam njoftuar nga Dhomat e Specializuara se ka një aktakuzë të konfirmuar për mua. Prandaj, po e ndjej për obligim t’ju njoftoj se nesër do të udhëtoj për Hagë (Holandë) që të përballem me këtë sfidë që i është vënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, para së gjithash”, ka deklaruar Selimi.
Deputeti i LVV-së, ka thënë se po niset në Hagë dhe do të kthehet kokë lartë dhe se ideali i UÇK-së është mbi të dhe mbi këdo tjetër.
“Unë po shkoj me kokën lart dhe kurdo që kthehem do kthehem po ashtu me kokën lart sepse isha, jam dhe do të jem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilën jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja ime. Ideali i asaj ushtrie të lavdishme është mbi mua, mbi këdo, mbi gjithçka. Mirë u takofshim në fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Kam ditur e do të di gjithmonë ta mbroj lirinë e popullit, shtetin e Kosovës dhe UÇK-në e lavdishme”, kishte shkruar Selimi në profilin e tij zyrtar në Facebook, përcjell Telegrafi.
Reagimet ndaj Gjykatës Speciale:
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti
“Qeveria e Republikës së Kosovës po i përcjell veprimet e EULEX-it lidhur me ish Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Jakup Krasniqi. Kosova, bartësit e institucioneve si dhe qytetarët e saj, në vazhdimësi kanë dhënë shembull të respektimit dhe bashkëpunimit me drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare. Njëjtë do të veprohet edhe kësaj radhe me Dhomat e Specializuara në Hagë, të cilat janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës.
Prezumimi i pafajësisë duhet të respektohet në çdo rast përderisa nuk ka një vendim tjetër të gjykatës kompetente.Qeveria e Republikës së Kosovës e njeh si të patjetërsueshëm qëllimin e pastër e të shenjtë të popullit të Kosovës në luftën për liri”.
Faton Klinaku (OVL-UÇK)
“Gjykata ilegale Speciale vazhdon spektaklet e saj. Ajo kryen bastisje në shtëpinë e ish zëdhënësit të UÇK-së Jakup Krasniqi, e dëshmi i merr edhe librat e botuar.
Për sa kohë që do të zgjas kjo e keqe e madhe për Kosovën, do të kemi këso lloj spektaklesh”.
Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës
“Në Kosovë nuk po i iket ballafaqimit me drejtësinë dhe zbardhjen e së vërtetës për luftën e pastër çlirimtare. Besojmë thellë në pafajësinë e luftëtarëve UÇK-së, sikurse edhe në pafajësinë e z. Krasniqi, ashtu siç vlerësojmë meritat e tyre për lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe të ndërtimit demokratik të Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.
Ramush Haradinaj, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës
“Zhvillimet e fundit me bastisjet nga policia e EULEX-it janë shqetësuese, pasi që nuk janë në përputhje me standardet e shteteve demokratike. Defilimet e tilla nga EULEX, veçanërisht në prani të familjarëve janë traumatike dhe paraqesin ushtrim të forcës joproporcionale që nuk respektojnë dinjitetin njerëzor.
Operacionet e tilla, nëse kërkohen nga organet e drejtësisë, mund të kryhen nga Policia e Kosovës. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe besojmë në pafajësinë e z. Jakup Krasniqi”.
Behgjet Pacolli, kryetar i Aleancës Kosova e Re
“Ish luftëtarët e lirisë të Kosovës janë shembull unik i bashkëpunimit me drejtësinë. Ky spektakël policor sot ndaj ish Kryetarit të Kuvendit të Kosovës z. Jakup Krasniqi është i pa nevojshëm dhe në një aspekt i neveritshëm. Ish luftëtarët e lirisë të Kosovës janë shembull unik i bashkëpunimit me drejtësinë. Ky spektakël policor sot ndaj ish Kryetarit të Kuvendit të Kosovës z. Jakup Krasniqi është i panevojshëm dhe në një aspekt i neveritshëm”.
Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate
“Ne si Nismë Socialdemokrate ne tërësi si grupacion politik kemi qenë të pa kompromis në shërbim të drejtësisë, kemi qenë respektues të të gjitha kërkesave që drejtësia ka pasur në drejtim tonë. Ajo çfarë ne kemi parë sot ka qenë e panevojshme. Një bastisje e tillë ka mundur të bëhet krejt ndryshe, pa pasur nevojë për përforcime të tilla, pa pasur nevojë të traumatizohet familja e Krasniqit, e gjithë kjo ka mundur të bëhet në në një mënyrë tjetër”.
Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje
“Kryetarit të Grupit tonë Parlamentar, anëtarit tonë të Kryesisë, deputetit të katër legjislaturave të fundit të Kuvendit të Republikës, Rexhep Selimit, Dhomat e Specializuara ia konfirmuan aktakuzën sot pasdite. Më herët gjatë ditës, policia e EULEX-it ka bastisur shtëpinë e ish Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.E dimë që sonte janë gëzuar udhëheqja e Serbisë, me presidentin e tyre në krye, dikur ministër i Milosheviqit, e që në botë shtiret si djalosh joproblematik. E dimë që është gëzuar edhe Kryetari i Kuvendit të Serbisë, dikur zëdhënës i partisë së Milosheviqit, meqë neve na e arrestuan zëdhënësin e UÇK-së i cili ishte edhe Kryetar i Kuvendit të Kosovës kur u shpall pavarësia”.
Më poshtë gjeni profilin e Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit:
(Jakup Krasniqi)
Krasniqi u lind me 1 janar 1951 në fshatin Negrovc të komunës së Drenasit, qysh herët kishte nisur aktivitetin ilegal për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Pasi kishte mbaruar shkollën fillore në vendlindje dhe të mesmen në Drenas, Krasniqi, studimet i mbaroi në Prishtinë, në Fakultetin Filozofik, dega Histori.
Më pas kthehet në vendlindje dhe nga viti 1972 deri në vitin 1977 punon si arsimtar në Negrovc dhe Arllat, ndërsa, në vitet 1976-1977 punon edhe si arsimtar në Shkollën e Mesme në Drenas. Po ashtu Krasniqi kishte punuar në vitet 1979–1981 Arsimtar në Arllat dhe pastaj në Shkollën e Mesme në Skenderaj, kurse me 1991–1994 Arsimtar në gjimnazin “Skënderbeu” në Drenas.
Gjatë kohës sa punonte si mësues, Krasniqi ishte marrë edhe me aktivitete politike në ilegalitet.
Për këto aktivitete, Krasniqi në vitin 1981 ishte burgosur nga pushteti i atëhershëm serb, ku kishte qëndruar deri në vitin 1991.
Krasniqi gjatë vitit 1995–1998 ka qenë edhe kryetar i Këshillit të Arsimit në Drenas. Ndërsa, ka qenë edhe anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, deri në luftën e fundit.
Krasniqi kishte rol të rëndësishëm në krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë luftës, ai ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ku më pas ishte emëruar zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve 1998-1999.
Si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Krasniqi ishte pjesë e delegacionit të Kosovës në konferencën e Rambujesë, në Francë, e cila i dha fund luftës me bombardimin e Serbisë nga NATO për 78 ditë me radhë, nga 24 marsi deri me 12 qershor kur kishin hyrë në Kosovë forcat paqeruajtëse.
(Rexhep Selimi)
Rexhep Selimi u lind më 15 mars 1971 në Aqarevë, Skënderaj. Studimet universitare i përfundoi në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe.
Ai ishte themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm (SHP). Më 28 nëntor 1997 ai ka bërë paraqitjen e parë publike të UÇK-së. Në kuadër të SHP të UÇK-së ka udhëhequr Drejtorinë e Operacioneve (1998) dhe ka qenë Inspektor i Përgjithshëm i UÇK-së (1998-1999).
Gjatë viteve 1999-2000 ka qenë Ministër i Rendit Publik në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës. Kurse në periudhën 2000-2003, ai ka qenë Komandant i Akademisë së Mbrojtjes dhe Komandant i Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës në TMK. Rexhep Selimi mbartë gradën si Gjeneral Major.
Në vitin 2010 i bashkohet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe zgjidhet deputet tre herë radhazi – Legjislaturën IV, V dhe VI. Rexhep Selimi ka qenë anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së.
Kujtojmë se, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, kanë selinë në Hagë dhe merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, transmeton Telegrafi.
Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.
Zyra e Prokurorit të Specializuar i kishte paraqitur aktakuzat e para në muajin shkurt të këtij viti dhe pastaj edhe një në muajin prill. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëSerwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
Pyjet e Kosovës në zhdukje: Çka tregojnë pamjet satelitore?
Darka e Lamës në Llukë të Deçanit, Haradinaj: Shenjë e jona që na bashkon
Analiza e "Octupus": Si po synon Serbia destabilizimin e Kosovës përmes luftës hibride
Autobusi nga Maqedonia rrëshqiti në autostradën në Serbi
Fermeri shqiptar synon rekordin Guinness me vargun më të gjatë të qepëve
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit
"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj