LAJMI I FUNDIT:

Gjermanët në panik nga pandemia e coronavirusit, sërish rritet fuqia blerëse – interesim tejet i madh për letër tualeti

Gjermanët në panik nga pandemia e coronavirusit, sërish rritet fuqia blerëse – interesim tejet i madh për letër tualeti

Në Gjermani është rritur sërish shitja e letrës së tualetit dhe artikujve të ndryshëm për dezinfektim dhe sapun, kanë treguar të dhënat zyrtare të këtij shteti, shkruan Reuters.

Kjo po ndodh në kohën kur në vendin me ekonominë më të fuqishme në Evropë, është rritur dukshëm numri i rasteve të reja me coronavirus, transmeton Telegrafi.


Gjatë dy javëve të ardhshme, qytetarët e Gjermanisë planifikojnë të blejnë letër tualeti dhe gjëra tjera të nevojshme që për ta konsiderohen si esenciale, tregojnë të dhënat e kompanisë britanike YouGov.

Në prill të këtij viti kur edhe u aplikua masa e izolimit, blerjet masive kishin bërë që raftet e marketeve në Gjermani të zbrazen. E furnizuesit pretendojnë se kësaj radhe janë shumë më mirë të përgatitur.

“Pas asaj që kemi parë më herët gjatë këtij viti, konsiderojmë se duhet të jemi më të syhapur me qëllim që mos t’ju mungojë asgjë qytetarëve”, ka deklaruar një nga furnizuesit e shumtë të zinxhirit të marketeve Aldi për portalin lokal Local.de.

Në anën tjetër, ministrja gjermane e Ushqimit, Julia Klöckner, ka deklaruar se nuk ekziston ndonjë arsye për panikun e blerjes.

“Mbledhja apo grumbullimi i artikujve të ndryshëm është i palogjikshëm dhe tregon mungesë solidariteti. Shumica prej tyre më vonë përfundojnë në kontejnerë të mbeturinave. Nëse të gjithë blejmë vetëm ato për çfarë kemi nevojë, nuk do të kemi rafte të zbrazëta”, ka shtuar ajo për Franfurter Allgemeine Zeitung.

Gjermania ka qenë në mesin e atyre vendeve që është lavdëruar për veprimin kundër pandemisë së coronavirusit. Megjithatë javëve të fundit ka ndodhur një rritje drastike e rasteve të reja me COVID-19 në këtë vend. Vetëm sot janë regjistruar 10 mijë raste të reja. /Telegrafi/