LAJMI I FUNDIT:

PSD ia “vendos” drynin Gjykatës Speciale, thonë se misioni i saj është i pamundur

PSD ia “vendos” drynin Gjykatës Speciale, thonë se misioni i saj është i pamundur

Partia Socialdemokrate ka zhvilluar sot një aksion para zyreve të EULEX-it lidhur me misionin e Gjykatës Speciale, që sipas PSD është një mision i pamundur.

“Jemi këtu për t’ua vënë drynin Dhomave të Specializuara. Këtij institucioni ç’prej muajit gusht i ka skaduar mandati. E një institucion pa mandat është veçse illegal. Ky institucion po i mban në mënyrë të paligjshme njerëzit në paraburgim. Kushtetuta e vendit mbizotëron secilën normë apo instrument juridik”, ka thënë Zgjim Hyseni.


Hyseni ka shtuar se drejtësia s’mund të jetë rezultat i rrugëve të paligjshme, ajo nuk mund të vendoset duke shkelur Kushtetutën. Në fakt, sipas tij duke e bërë këtë, është padrejtësia që dyfishohet.

“Këtij institucioni i ka kaluar koha, sepse ka kaluar koha kur akuzat e Serbisë bënin policin e gjykatësin në Kosovë. Ky institucion është anakronik sepse është përkundruall të vërtetës historike të luftës së viteve ’98-99. Këtij institucioni formalisht i ka kaluar koha, por vendin asnjëherë nuk e ka pasur këtu.

Kosova nuk mundet dhe nuk duhet të heqë dorë nga vendosja e drejtësisë për secilin. Kjo për hir të viktimave, por gjithashtu sepse kjo dorëheqje është dorëheqje prej atributeve thelbësore të shtetësisë. Gjithsesi, drejtësia as demokracia nuk mund të na vijnë të importuara. Për të qenë të qëndrueshme dhe të vërteta, ato duhet të jenë autentike”, u shpreh Hyseni. /Telegrafi/