LAJMI I FUNDIT:

Mos i dëgjoni ata që thonë se diçka është e pamundur

Mos i dëgjoni ata që thonë se diçka është e pamundur

Intervistë me shkrimtaren: Kandi Steiner
Intervistoi: Esmeralda Kraja

Kandi Steiner është një autore bestseller e cila jeton në Tampa të ShBA-ve. Është e njohur për tregimet plot emocion, pasi ajo pëlqen të sjellë në jetë personazhe problematike dhe të shkruajë për romanca reale. Asnjë libër i saj nuk ngjason me tjetrin.

Si studente e Universitetit të Central Florida, Kandi u diplomua me master të dyfishtë në Shkrimet Krijuese.


Nisi të shkruante në klasën e katërt, pasi lexoi vëllimin e parë të “Harry Potter”-it. Në klasën e gjashtë, shkroi dhe redaktoi gazetën e saj të cilën ua shpërndau fillimisht shokëve të klasës. Gazeta u ndal shpejt. Pas kolegjit u dha veçanërisht pas shkrimit të romancave, meqenëse ka qenë gjithmonë një romantike e pashpresë, ndaj i pëlqen të nxjerrë në pah të gjitha sfidat e dashurisë, si dhe triumfet.

Znj. Steiner, ku u rritët? Si ka qenë fëmijëria juaj?

Jam rritur në një qytet të vogël jashtë Tulsës, i quajtur Kilvlend. Është një qytet shumë i vogël, vend dhe çuditshëm. Prindërit e mi u divorcuan kur isha dhjetë vjeçe. Kam jetuar me nënën time, dhe ajo në thelb ishte një nënë beqare. Ajo është gruaja më e mahnitshme dhe di gjithmonë se çfarë të bëjë kur jeta na trajton keq!

Ne ishim larg të qënurit të pasur. Nëna ime u përpoq shumë të më rriste, dhe kështu gjithmonë patëm një çati mbi kokë dhe ushqim në barkun tonë. Kam mësuar që në moshë të re se duhet të punosh shumë për gjithçka që dëshiron në këtë jetë, dhe doja të filloja të punoja me shkrimet e mia sa më shpejt të ishte e mundur. Mbaj mend t’i kem thënë nënës sime se do të isha J.K. Rowling një ditë. Sot, ndonëse nuk jam askund afër nivelit të saj të suksesit, unë jam po aq krenare për karrierën që kam ndërtuar. Besoj se ishte forca dhe etika e punës e nënës sime që më ndihmuan vërtet të ndjek qëllimet e mia.

Si dhe kur filluat të shkruani?

Kam shkruar që në moshën nëntë vjeçe. Në atë kohë, shkruaja kryesisht vetëm poema për djem budallenj. Teksa u rrita, kjo dashuri për krijimin përparoi. Krijova një gazetë të vogël që ua shpërndaja miqve të mi në shkollë të mesme, derisa drejtori ma mbylli. Asokohe, unë argumentova lirinë e fjalës, dhe përfundimisht ai më qetësoi duke më ofruar hapësirë në gazetën e shkollës së mesme, herë pas here.

Ndërsa rritesha, nisa të shkruaja të gjitha llojet e gjërave. Shkrova librin tim të parë në klasën e shtatë, të cilin e lexoi vetëm mamaja ime. Bëhej fjalë për një adoleshente që ishte ngacmuar në shkollë dhe ia kish dalë ta kapërcente atë gjendje.

Në shkollën e mesme iu ktheva përsëri poezisë, ndërsa në kolegj jam diplomuar në Shkrimet Krijuese dhe Letërsi Angleze, si dhe në Marrëdhëniet me Publikun e Studimet mbi problemet e Grave. Kjo kurrikulë e gjerë më bëri të lulëzoja si shkrimtare. Kam shkruar shumë për edukimin tim, sfidat që kam kapërcyer dhe gjërat e përditshme që na bëjnë njerëzorë.

Pas kolegjit, u dashurova përsëri me romancën. Shkrova dhe botova librin tim të parë në 2013, dhe pas kësaj, një pikë uji u kthye në një rrjedhë të qëndrueshme. Nuk mund të ndaloja më së shkruari.

Shkrova pesë libra, pa askënd që të më kushtonte shumë vëmendje, dhe në verën e vitit 2016, botova një libër që titullohej “Pa peshë” (Weightless).

Ishte qetësim i madh për mua. Ishte hera e parë që kapa Top 100-in e Amazonit, dhe kjo ndryshoi plotësisht jetën dhe karrierën time.

Katër muaj më vonë botova “Një Letër Dashurie për Uiskin” (A Love Letter to Whiskey), i cila është edhe sot e kësaj dite libri im më i njohur. Është botuar në dy gjuhë të tjera dhe në shumë vende në të gjithë botën.

Në total, kam botuar 20 libra – përfshirë një libër të vogël me poezi – dhe kam pasur vepra të ndryshme të botuara në blogje, revista dhe vepra letrare në të gjithë botën.

Do të donim shumë të dëgjonim pak rreth librit tuaj më të ri, historisë dhe jetës së protagonistëve të tij.

Sidnei është heroina ime në “Old Fashioned”. Ky është vëllimi i katërt dhe i fundit në serialin “Becker Brothers”.

Më pëlqente të shkruaja për vëllezërit në këtë seri, por Sidnei tërhoqi të gjithë vëmendjen për vete në këtë vëllim të fundit. Ajo është një e mbijetuar e abuzimit në familje dhe një nënë e vetme që rikthehet në punë për herë të parë pas shumë vitesh. Ndërsa po shërohet dhe po e rizbulon përsëri veten, ajo kujdeset edhe për vajzën e saj, duke bërë emër në karrierë (e cila është në një fushë të mbizotëruar nga meshkujt), dhe ndoshta edhe duke u dashuruar pak, gjithashtu.)

Jane Austen dikur ka thënë: “Urrej të dëgjoj të flitet për të gjitha gratë sikur të ishin thjesht zonja të bukura në vend të krijesave racionale. Asnjëra nga ne nuk dëshiron të qëndrojë në ujëra të qeta gjatë gjithë jetës”. Ju i bashkëngjiteni mendimit të saj?

Jam plotësisht dakord me këtë citim. Një nga citimet e tjera të mi të preferuara është: “Gratë me sjellje të mirë rrallë bëjnë histori.” Gratë nuk kanë për qëllim të veprojnë si “zonja”. Ne jemi qenie të papërpunueshme, inteligjente, të fuqishme dhe nuk mund të zbutemi.

Çfarë ju frymëzon të shkruani?

Jam frymëzuar të shkruaj duke parë rreth meje. Jam frymëzuar nga jeta. Më pëlqen të udhëtoj, të shoh vende të reja, zhyt veten në kultura të reja, dua të flas me të huajt. Një nga truket e mia të preferuara është të ulem në një bar dhe të kërkoj dikë që më tregon për jetën e vet dhe kohën kur mund t’ia kenë thyer zemrën. Për mua, dashuria dhe humbja janë gjithçka që na rrethon. Duhet ta shohim atë, ta ndiejmë, të dëgjojmë historitë e saj.

Cila është gjëja që përpiqeni më shumë të arrini me shkrimin tuaj?

Nuk mendoj se gjithmonë shkrimi ka nevojë për një qëllim. Ndonjëherë shkruaj për të ekspozuar një ndjenjë (si goditje në zemër), për të hedhur dritë mbi diçka që nuk diskutohet shpesh (si sëmundja mendore, ose zona gri e mashtrimit), ose ndoshta thjesht për t’u argëtuar (si me Lojën e gabuar, të cilën e shkrova vetëm sepse doja të shkruaj diçka argëtuese). Por, në përgjithësi, përpiqem të arrij t’i bëj lexuesit e mi të emocionohen. Dua që ata të ndiejnë personazhet e mi, të zhyten në histori dhe në fund të librit të mos ndihen të njëjtë si kur e filluan librin.

Në të kaluarën keni thënë se ëndrra juaj për të shkruar me kohë të plotë së shpejti mund të bëhet realitet. Kjo ëndërr është realizuar tashmë?

Absolutisht po. M’u desh pak kohë për të bërë hapin e madh – kryesisht sepse kisha frikë se kjo nuk mund të ndodhte me të vërtetë. Pas bestsellerit tim të tretë, më në fund u përballa me frikën time dhe mora hapin për të shkruar me kohë të plotë. Kjo ishte në maj të vitit 2017. Nuk e di se sa do të zgjasë kjo ëndërr, nëse do të zgjasë pesë vjet, dhjetë vjet, njëzet apo vetëm për disa javë të tjera, por do ta shfrytëzoj në maksimum dhe do ta ushqej çdo moment.

Cilat janë sfidat kryesore me të cilat jeni përballur në karrierën tuaj dhe sa nga përvojat tuaja ju motivojnë si shkrimtare?

Oh, ka një mijë sfida të ndryshme që hasen gjatë ndërtimit të një karriere si botuese e pavarur. Që në fillim, nuk kam pasur shumë mbështetje. Përveç nënës sime dhe disa miqve shumë të përkushtuar, shumica e njerëzve nuk besonin se mund të realizoja shumë prej ëndrrave të mia. Në fakt, shumë prej tyre e shihnin shkrimin tim si një hobi, një gjë e vogël e lezetshme që bëja për të kaluar kohën. Nuk më merrnin seriozisht kur thosha se doja ta bëja këtë karrierë.

Ka kaq shumë sfida kur bëhet fjalë për të shkruar. Nëse jeni si unë, atëherë shkruani sepse nuk ka asnjë mundësi tjetër. Unë kam qenë gjithmonë shkrimtare, dhe gjithmonë do të jem shkrimtare. Nuk është e mundur për mua që të mos shkruaj.

Cili është një mesazhi që do t’u jepnit femrave të brezit të ri?

Mos lejoni që dikush t’ju thotë se jeni shumë të bukura për të bërë diçka, ose shumë të dobëta, ose shumë të ndjeshme, ose shumë të brishta. Mos i dëgjoni kur t’ju thonë se diçka do të jetë e pamundur. Pavarësisht nëse jeni burrë apo grua, kur ndjen një thirrje të brendshme, dëgjojeni. Dëgjojeni atë zjarr në zemrën tuaj. Ndjejeni djegien. Dhe, shikojeni magjinë që mund të ndodhë kur ndjek ëndrrat tuaja. /Mapo/

Në trend Kultura

Më shumë
A është fotoja e parë shqiptare vërtet e vitit 1858?

A është fotoja e parë shqiptare vërtet e vitit 1858?

Arkitektura dhe arti i xhamive me kube në Kosovë

Arkitektura dhe arti i xhamive me kube në Kosovë

Kulture
Idiotët letrarë

Idiotët letrarë

HATIXHA

HATIXHA

NËNA IME

NËNA IME

Dy vjet pa ty

Dy vjet pa ty

Kalo në kategori