LAJMI I FUNDIT:

Dy vjet pa ty

Dy vjet pa ty

Dedikim aktorit Bujar Lako, nga Artan Gjyzel Hasani

Dy vjet pa ty, miku im, dy, “nuk janë shumë”, më thua ti që përtej, dhe ditët ikin si xhirimet e një filmi, ku unë të kërkoj e nuk të gjej…


Por, kur bie mbrëmja marr udhën për te ty se yjet… ti e di…duken veç në errësirë dhe ashtu… munguar… nga malli përpirë tymosim kujtime dhe gjerbim vetmi…

E dimë mirë tashmë vendtakimin tonë, e nuk pyesim më “Ku do të shihemi sonte?” te ty vihet veç nga një rrugë, mik i mirë, udha ku gjurmët as fshihen e as ndoten…

E doje shumë të Mirën, mik i mirë por shëmti e botës ishte aq e madhe dhe gëzimi i jetës si nyje lidhur e kur e bukura kalonte pranë nesh, “nuk qenka fort e keqe”, thoje , më vështroje dhe buzëqeshje hidhur…

Jo rrallë shtrënguam duart që s’duhej duar shpirtrash të njollosur kur nderi kishte baltë ndër flatra, e mban mend?

Ika të laj duart në ndonjë rrëke, thoje në ato kohëra ku as burimet nuk ishin të pastra…

Më mungon një e shtunë apo e diele me kafenë e ngrohtë dhe pijet që donim kuvendimet tona dhe zëri yt i thellë ku mbyteshin hallet që s’dinin të notonin…

Nuk e ndryshuam dot botën, miku im, e për inat të saj nuk ndryshuam as veten por mbetëm dëshmitarë të çka iku pa kthim dhe dy miq të mirë për njëri tjetrin…

Do pi një gotë për ty sonte, miku im, në kujtim të çdo gjëje që më fale aq bukur në kujtim të çasteve që nuk mund të harrohen

Gëzuar, Bujo, se nuk ka ikje pa kthim, si vdekatarë të gjithëve na bluan dheu, por shpirtrat e mëdhenj takohen…

Natën e mirë, edhe për sonte… mik i shtrenjtë më i pranishëm se kurrë me mungesën tënde me tingujt e heshtjes që më çojnë aq lehtë në të tjera kohë… në të tjera vende…