LAJMI I FUNDIT:

Marrëveshje mes Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Universitetit të Prishtinës

Marrëveshje mes Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Universitetit të Prishtinës

Akademia e Studimeve Albanologjike, e përfaqësuar nga rektori Marenglen Verli, dhe Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” i përfaqësuar nga dekani, prof. Bujar Dugolli, nënshkruan një “Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e Arsimit të Lartë dhe kërkimit shkencor”, nëpërmjet të cilës, të dy palët bien dakord të bashkëpunojnë për nxitjen e shkëmbimeve të shumanshme, në funksion të zhvillimit institucional.

Kjo marrëveshje e nënshkruar midis dy institucioneve do të përfshijë: fushat akademike me interes të përbashkët bazuar në parimet e barazisë dhe reciprocitetit; shkëmbimin e stafit akademik, të kërkuesve dhe të studentëve në kuadrin e veprimtarive kërkimore-shkencore; nxitjen, mbështetjen dhe realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore; nxitjen, mbështetjen dhe realizmin e veprimtarive të tjera shkencore (konferenca, seminare e botime në fusha me interes të dyanshëm); shkëmbimin e literaturës shkencore; hulumtimi i arkivave dhe bibliotekave të ASA nga personeli akademik dhe studentët e universitetit.