LAJMI I FUNDIT:

Përfundon operacioni policor ‘Shënjestra’, arrestohen 18 persona, konfiskohen armë, vetura dhe para

Përfundon operacioni policor ‘Shënjestra’, arrestohen 18 persona, konfiskohen armë, vetura dhe para

Nënkoloneli në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve, Rexhep Fetahu, ka njoftuar se operacioni policor i quajtur “Shënjestra”, ka rezultuar me arrestimin e 18 personave të dyshuar, sekuestrimin e 57 armëve të kalibrave të ndryshme, sekuestrimin e 9 mijë fishekëve, dy veturave, dhe një shumë prej 10 mijë euro.

Fetahu në një konferencë të jashtëzakonshme të thirrur nga Policia e Kosovës, ka dhënë detaje të reja rreth aksionit policor i cili ka filluar që tetë muaj më parë i zhvilluar në lokacione të ndryshme, transmeton Telegrafi.


“Drejtoria për krimin e organizuar në bashkëpunimi me Prokurorinë dhe Gjykatën, ka implementuar planin operativ ‘Shënjestra’. Ka kontrolluar 27 lokacione të ndryshme, objekte banimi, objekte përcjellëse, pronë e personave të dyshuar, me qëllim të mbledhjes së provave për veprimtarinë kriminale të personave të dyshuar. Hetimet janë zhvilluar ndaj një grupi të caktuar, të cilët në vazhdimësi kanë kryer veprën penale trafikim të armëve. Personat e dyshuar kanë trafikuar armë dhe municione kryesisht nga Maqedonia e Veriut, përmes vijës së gjelbër, duke shfrytëzuar rrugët malore, ku qasja për kontrolle nga policia kufitare ka qenë e kufizuar”, ka bërë të ditur ai.

Ai ka thënë se personat e dyshuar kanë tregtuar armë në Kosovës sipas kërkesave.

Gjithashtu ai ka thënë se, armët kryesisht janë prodhuar në Turqi dhe janë armë me gazë.

Ai ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që personat e dyshuar të kenë tregtuar edhe armë zjarri./Telegrafi/