LAJMI I FUNDIT:

Komedia më e mirë romantike, e të gjitha kohëve!?

Komedia më e mirë romantike, e të gjitha kohëve!?

Tridhjetë vjet pas premierës, kritiku i filmit Nicholas Barber analizon sërish realizimin kinematografik të Rob Reinerit dhe Nora Ephronit, duke i cekur detajet që e bëjnë të jetë kaq i suksesshëm. Pjesë të shkrimit të tij, Telegrafi sjell më poshtë.

Në kohën kur po denfohej muzika në fund të filmit “When Harry Met Sally…” (“Kur Heri e takoi Selin…”), të gjithë e kuptojnë se personazhet e filmit janë të përsosur për njëri-tjetrin.

Por, çfarë tjetër dimë për këtë?


Përgjigjja është: jo shumë!

E dimë se karakterit Sally Albright (Meg Ryan) i duhet një orë e gjysmë për të porositur një sandviç dhe se Harry Burns (Billy Crystal) e cilëson ëmbëlsirën “Mallomar” si “më të mirën e të gjitha kohërave”. Por, nuk e dimë nëse p.sh. e kanë ndonjë vëlla apo motër, ose nëse prindërit e tyre janë gjallë. Nuk e dimë nëse janë ngacmuar në shkollë, nëse i duan punët e tyre, apo se cilat janë planet e tyre për të ardhmen. Nuk e dimë se cilat janë qëndrimet e tyre për çështjet ditore politike. Dhe, këto “lëshime” janë disa nga arsyet kryesore se pse “Kur Heri e takoi Selin…” konsiderohet ende si një nga komeditë më të mira romantike.

Natyrisht, ka mjaft arsye të tjera për këtë vlerësim, që nga dialogu sublim dhe loja e përsosur, nga muzika dhe fotografia. Por, inovacioni i vërtetë i filmit është mënyra se si regjisori Rob Reiner dhe skenaristja Nora Ephron i heqin detajet biografike të personazheve, ashtu siç i heqin pengesat në rrugën e tyre drejt lumturisë. Gjithçka largohet nga filmi, përveç qëndrimeve që Harry dhe Sally kanë ndaj dashurisë, seksit, miqësisë dhe njëri-tjetrit. Rezultati është një komedi e distiluar romantike: ajo ka romancë, ka komedi, dhe nuk ka asgjë tjetër!

Është taktikë e thjeshtë, me rezultat kaq të mirë, saqë harrohet sa i guximshëm dhe i pazakontë ishte. Ndërsa, është shumë e lehtë të mendohet një komedi romantike me gjithçka tjetër pos pastërtisë së tillë. Analizoni se çfarë ndodhte të njëjtën kohë dhe do ta shihni një zjarrfikës me një hundë të gjatë çnjerëzore (filmi “Roxanne”), një agjente burse që vjedh identitetin e shefit të saj (“Working girl”), një grua që dashurohet në vëllain e gjymtë të të fejuarit (“Moonstruck”), dhe një shitës i frutave që bashkohet me një sirenë (“Splash”). Shikojeni filmin “Kur Heri e takoi Selin…” dhe do të shihni disa të vërteta universale të vetnmisë dhe të rënies në dashuri. Është aq i përkushtuar ndaj marrëdhënies mashkull-femër, sa që titulli i punës ishte “Boy Meets Girl” (“Djali takon vajzën”).

Ideja për film i erdhi Reinerit, pasi kishte marrë fund martesa e tij e parë (me aktoren Penny Marshall) dhe i ishte kthyer jetës beqare. Ai dhe miku i tij Andrew Scheinman, ia treguan Ephronit të gjitha përvojat e tyre. Ajo e shtoi perspektivën femërore dhe i ktheu rrëfimet e tyre në skenar që u bë më i mirë me improvizimet e Crystalit. Pyetja e madhe në poster ishte: “A munden burrat dhe gratë të jenë miq, apo seksi gjithmonë del në mes të rrugës?” Por, kjo ishte vetëm një nga temat e filmit. Dhe, në kohët para se njerëzit të përdornin internetin për të ndarë gjërat më intime me botën, ishte revolucionar sinqeriteti për përqafimet pas seksit dhe orgazmat e rrejshme.

“E vetmja mënyrë që filmi do të funksiononte”, thotë Reiner, “ishte nëse me të vërtetë e shfaqim atë që burrat dhe gratë vërtet ndjejnë dhe mendojnë”.

Disa herë filmi të lë mendosh se po lë jashtë çdo gjë pos atyre mendimeve dhe ndjenjave. Në fillim, Harry dhe Sally janë dy të panjohur që kanë diplomuar në Universitetin e Çikagos. Voziten së bashku për në Nju-Jork, dhe meqë duhet t’i kalojnë 18 orë, Harry thotë: “Pse nuk ma tregon historinë e jetës tënde?” Në një film më konvencional ky do të ishte sugjerimi që ajo të tregonte anekdota të ngrohta për manarin familjar. Por, këtu tema ndryshon. Vite më vonë, Harry dhe Sally përpiqen të bashkohen me miqtë e tyre Jess (Bruce Kirby) dhe Marie (Carrie Fisher). Por, kur vijnë prapavijat dhe profesionet e tyre – “Harry është nga New Jersey” dhe “Sally shkruan për një revistë të Nju Jorkut”, Jess dhe Marie nuk janë më interesantë se ta. Filmi tregon se nuk ka rëndësi se çfarë bëjnë njerëzit apo se prej nga janë. Ajo që ka rëndësi është se sa e pëlqejnë njëri-tjetrin.

Dhe, kjo është çështja me të cilën përballen Harry dhe Sally. Në shumicën e romancave, të dashuruarit mbahen të ndarë duke jetuar në qytete të ndryshme (skenari i Ephronit, “Sleepless in Seattle) apo në shtete të ndryshme (“Four Weddings and a Funeral”). Ata duhet të ballafaqohen me shtatzëninë e papritur (“Knocked Up”), dallimet kulturore (“My Big Fat Greek Wedding) ose ndonjë artikull koti reviste (“How To Lose a Guy in 10 Days”). Por, “Kur Heri e takoi Selin…” merret me të tashmen; heroi dhe heroina janë beqarë, jetojnë në Nju-Jork dhe merren vesh me njëri-tjetrin. Nuk ka gjë që i ndanë që të bëhen çift, përveç frikës dhe emocioneve.

“Shumë komedi romantike e ngushtojnë veprimin në një natë apo një fundjavë”, thotë kritiku Tamar Jeffers McDonald. “Një nga gjërat e mahnitshme dhe të guximshme në lidhje me këtë film është se u jep karaktereve kohë për t’u pjekur, për të dalë me njerëzit tjerë dhe për të bërë gabime”.

Ephroni skenarin e përmbledh kështu: “Ka dy tradita të komedisë romantike: tradita e krishterë dhe tradita hebraike. Në traditën e krishterë ekziston një pengesë e vërtetë. Në traditën hebraike ku pionier ishte Woody Allen, pengesa themelore është neuroza e karakterit mashkullor”. Po, por ajo dhe Reiner e çojnë këtë traditë hebraike më larg se Alleni. P.sh. në filmin “Annie Hall”, Alvy (Woody Allen) e urren Kaliforninë, ndërsa Annie (Diane Keaton) dëshiron të shkojë në Los Anxhelos për të ndjekur karrierën e këndimit. Në një masë, filmi është komedi për dallimet kulturore. Ndërsa, “Kur Heri e takoi Selin…” ka dallime shumë më të vogla dhe më delikate, dhe kjo është arsyeja pse është unik.

Filmi u dha premierë në korrik 1989, në të njëjtin muaj që seriali komik “Seinfeld” debutoi në televizion. Të dy janë të ngjashëm: paraqesin shaka cinike hebraike dhe tregojnë se një komedi nuk duhet të ketë skenar tërheqës kompleks. Mjafton të fokusohet se si janë takimet romantike në skenën e Nju-Jorkut. Në televizion ky mësim u dha edhe nga krijuesit e serive “Friends”, “Sex and the City”, “How I Met Your Mother” etj. Por, në kinema ka pasur më pak përpjekje për të imituar filmin “Kur Heri e takoi Selin…”, ndoshta sepse origjinali kishte gjithçka si duhet. Ashtu si ëmbëlsira Mallomars, që është më e mira e të gjitha kohërave. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
KANGË

KANGË

Poezi
HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
DURIMI

DURIMI

Fjala+
Kalo në kategori