LAJMI I FUNDIT:

Travel Channel: Kosova është destinacioni evropian në trend

Travel Channel: Kosova është destinacioni evropian në trend

“Shteti i dytë më i ri në botë është i mbushur me aventura, arkitekturë dhe ushqime të mahnitshme. Dhe, pjesa më e mirë: është jashtëzakonisht vend i lirë” – kështu fillon përshkrimi për Kosovën në prestigjiozen “Travel Channel”.

Telegrafi më poshtë ju sjell artikullin e plotë, bashkë me disa prej gjërave që “Travel Channel” ua rekomandon turistëve t’i bëjnë apo t’i vizitojnë në Kosovë – destinacionin evropian që është trendi i radhës!

Eksplorojeni qytetin e vjetër të Prizrenit

Me lokacion mbi Greqinë dhe në mes Shqipërisë e Maqedonisë, gjendet një shtet i vogël që ka aftësinë t’jua fitojë zemrën. Kosova e ka fituar pavarësinë në vitin 2008, duke u bërë shteti i dytë më i ri në botë. Ndonëse Kosova është shtet i ri, strukturat e vjetra qysh prej shekullit të 16-të ende qëndrojnë të forta dhe janë të mahnitshme në qytetin e dytë më të popullarizuar të Prizrenit.


Qyteti i Prizrenit

Magjepsuni me arkitekturën moderne

Kosova është shtëpi e çdo gjëje duke filluar nga kështjellat e ndërtuara në Epokën Mesjetare e deri në mrekullitë moderne arkitekturore. E ndërtuar për të ngjarë me qeleshen, kapuçin tradicional shqiptar, Biblioteka Kombëtare e Kosovës është një prej vendeve më interesante në Prishtinë. Në fakt, kjo është aq e paharrueshme saqë së fundmi kjo ndërtesë është shfaqur edhe në Muzeun e Artit Modern në Nju Jork.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës

Shijoni ushqimet autentike

Nuk ka gjë më të rëndësishme për shqiptarët e Kosovës sesa të mblidhen për ushqim të gatuar në shtëpi. Llokumat janë një prej ushqimeve të preferuara, që i bashkojnë miqtë e familjarët së bashku për mëngjes. Njësoj sikur zeppoli italian, llokumat janë të ëmbël dhe të shijshëm. Shijoni llokumat me djathë ose ajvar.

Pjatë tradicionale shqiptare – llokuma me djathë e ajvar

Bëni hiking

E shtrirë mes maleve të Sharrit dhe Rugovës, Kosova ofron mundësi të panumërta për hiking. Duke filluar nga ngjitjet për fillestarë e deri tek ato më intensive, mund të gjeni shëtitje në male për çdo lloj të personit. Shtigjet më të thjeshta dhe më të njohura i gjeni në Parkun e Gërrmisë, por, nëse keni shije për aventurë, provoni ta ngjitni majën e Hajlës, e cila është një prej majave më të larta në Kosovë.

Maja e Hajlës

Bëni skijim me kosto shumë të lirë

Nëse jeni duke kërkuar për një udhëtim të lirë të skijimit, atëherë Brezovica është vendi adekuat. Një ski-pass për një javë kushton rreth 60 dollarë. Resorti i skijimit të Brezovicës ka gjithsej nëntë shtigje me distanca të ndryshme. Ndonëse gjendet në lartësi të madhe, ka shumë restorante dhe hotele afër.

Brezovica

Kënaquni me kuzhinën tradicionale shqiptare

Pjatat tradicionale të Kosovës janë jashtëzakonisht të shijshme dhe shumë të lira. Një shujtë e mirë mesatare në Kosovë kushton më pak se 5 dollarë.

Kuzhina tradicionale shqiptare

Provojeni Via Ferrata-n

Kosova është një dyqan i aventurave. Përveç hiking-ut e skijimit, ju mund ta ngjitni edhe via ferrata-n (fjalë italiane për “rrugë të hekurta”) në Rugovë. Këto janë shtigje të ngjitjes ku personat e sigurojnë veten me një kabull çeliku, ndërkaq është aktivitet i mahnitshëm për adhuruesit e aventurave në çdo familje.

Via Ferrata në Rugovë

Kamping me “SuperCampers”

Ka shumë programe për aventura në Kosovë, andaj gjejeni të duhurin për ju. Këto programe mund të jenë nga hiking-u në grup e deri te ekskursionet private në qytete apo fshatra. “SuperCampers” ofrojnë ekskursione qyteti, hiking dhe kamping. Çdo program është i ndryshëm, por shumica ofrojnë pajisje që mund t’i merrni me qira, andaj turistët nuk kanë nevojë t’i marrin me vete në aeroplan.

Përmbusheni me stil nevojën për kafeinë

Shteti i Kosovës njihet për kafenetë dhe, më hollësisht, për makiatot. Ju mund të gjeni kafene në çdo kënd të Prishtinës.

Festivalet e muzikës

Kosova tani është shtëpi e festivalit muzikor “Sunny Hill”. I krijuar nga Dua Lipa, e cila ka lindur në Kosovë, festivali bashkon artistë të njohur nga e gjithë bota. Por, përgatituni për një mot të nxehtë sepse “Sunny Hill Festival” mbahet në datat e hershme të gushtit.

Pamje nga Sunny Hill Festival

Kryeqyteti i jetës së natës

Prishtina është shtëpi e një jete të gjallë të natës, e cila është e mbushur me bare, kafene dhe diskoteka që gjinden shumë afër sheshit të qytetit. /Telegrafi/

Prishtina