Nga: Moikom Zeqo
Në Bazilikën e Shën Nikollës në Voskopojë është pikturuar në vitin 1726, nga një gjeni i ikonografisë shqiptare, David Selenica, një numër i madh afreskesh me një forcë arti të jashtëzakonshme. Në një farë mënyre, Bazilika e Shën Nikollës mund të quhet një Kapelë Sikstinë e shqiptarit David, për një anologji dhe përafërsi që evokon kryeveprën pikturike të Mikelanxhelos.
Bazilika e Shën Nikollës ka filluar të ndërtohet në vitin 1721, në muajin qershor. Në 19 shtator të vitit 1722 kjo Bazilikë u përfundua. Pastaj ka filluar pikturimi afreskor.
Kunga u pikturua në mënyrë shembullore, si dhe madhështore, duke përfshirë edhe Naosin nga dora e të shumëditurit dhe nga furça e hollë e gjithë oshënarit, David Selenicasit, i ndihmuar edhe nga Konstandini dhe Kristo, që të dy piktorë.
Ktitor i bazilikës (d.m.th. ai që ka dhënë paratë dhe të gjitha shpenzimet), ka qenë tregtari i pasur i Voskopojës, Haxhi Jorgji.
Procesi i pikturimit ka, zgjatur katër vjet.
***
David Selenica është mbas Onufrit të shekullit XVI piktori më i madh i Ballkanit në artin kishtar në fillimin e shekullit XVIII dhe është bashkëkohës me një tjetër ikonograf shqiptar i jashtëzakonshëm, të quajtur Konstandin Shpataraku.
David Selenica është me origjinë nga fshati Selenica i Vlorës. Ky artist i madh ka pikturuar Kapelen Kukuzelika në Athos të Greqisë. Në mbishkrimin e lënë aty e quan veten me origjinë “nga Vlora”.
***
Ciklet pikturike të realizuara nga Davidi në këtë bazilikë janë sipas programeve ikonografike të njohura. Asnjëherë më parë afresku shqiptar nuk ka arritur një përsosmëri dhe madhështi të tillë.
Skenat e pikturuara nga Davidi janë me një logjikë të brendshme simetrike dhe të konceptuara me një madhështi njerëzore. Aty janë temat e Testamentit të Ri dhe motivet simbolike të Librit të Apokalipsit.
Davidi shkëlqen në portretizimin e shenjtorëve luftarakë, të shenjtorëve kalorës, si fjala vjen Shën Gjergji, Shën Teodor Stratilati, Shën Dhimitri etj.
Ky piktor i madh njihet ende pak. Nga pikëpamja artistike ai mund të quhet Kënga e Fundit e Mjellmës e artit kishtar në Shqipëri, por edhe në Ballkan.
***
Ajo që të tërheq vëmendjen në mënyrë të çuditshme në afreskat e Davidit është piktura e një shenjtori me kokë qeni. Ky shenjtor është pikturuar në këmbë, është i veshur me një veshje kishtare të bardhë, me dorën e majtë të vendosur në gjoks, kokën e ka në profil të drejtuar nga ana e djathtë, është një kokë tipike dhe e zgjatur qeni.
Spikat syri njerëzor dhe veshi njerëzor, si dhe flokët e gjatë që i bien mbi shpatulla.
Koka është futur në një aurolë të portokalltë.
***
Një shenjtor me kokë qeni?
Ç’është ky shenjtor me trup dhe gjymtyrë njeriu por me koke prej qeni? Mos kemi të bëjmë me traditën pagane të centaurëve, gjysmë kuaj dhe gjysmë njerëz? Apo me hibridet e sirenave dhe të grifonëve? Si mundet qe estetika e teologjisë së krishterë të pranojë një rafigurim të një shenjtori me kokë qeni? Ç’lidhje ka koka e qenit me krishterimin? Ç’përfaqëson ky shenjtor përbindësh?
Pyetjet janë bëfasuese dhe duket sikur nuk mund të kenë përgjigje mbushamendëse.
***
Në të vërtetë, motivi i shenjtorit me kokë qeni nuk buron nga tekstet biblike, por buron nga tekstet gnostike dhe apokrife, që janë skualifikuar nga kisha.
Duke e studiuar këtë subjekt, si dhe mbishkrimin e shkurtuar pranë afreskut të shenjtorit me kokë qeni, mund të identifikojmë faktin se ky shenjtor quhet Shën Kristofori.
Shën Kristofori, sipas legjendave dhe gojëdhënave apokrife, ka qenë një njeri me shtat të madh, gjigand, i cili kinse e ka mbajtur Krishtin fëmijë për ta kapërcyer nga njeri breg i lumit në bregun tjetër. Prandaj, u mbiquajt Kristofor, emër i përbërë nga dy fjalë, Krist, Krisht dhe For që do të thotë mbajtës. Emri i përbërë Kristofor do të thotë Krishtmbajtës.
Kulti i Kristoforit ka lindur në shekujt V dhe VI dhe mbijeton deri në shekullin XVIII në pikturën e David Selenicës. Ka patur dhe kisha kushtuar Shën Kristoforit në Shqipëri, por afresku i Shën Kristoforit me kokë qeni është diçka e pazakontë dhe një portret i vetëm në llojin e vet ne krejt Shqipërinë.
***
Ç’përfaqëson koka e qenit?
Mitologët, që janë marrë me subjektet hibride të mitologjisë shpjegojnë se koka e qenit lidhet me një perëndi egjiptiane të lartë, të quajtur Anibus, ose Anubis. Kjo perëndi egjiptiane qe e Vdekjes; përfytyrojeni në formën e një qeni, ose një çakalli, ose në trajtën e një njeriu me kokë Çakalli dhe qeni. Kjo Perëndi egjiptiane qe Biri i Kryeperëndisë egjiptiane – Osirisit.
Në periudhën e dinastive të para të Egjiptit, ai adhurohej si hyjni që kujdesej për varrimin dhe balsamimin. Më vonë, në periudhën helenistike, ai bënte pjesë në kultin e Serapisit dhe të Isidës dhe u identifikua me Hermesin, Përcjellësin e Shpirtrave të të Vdekurve në Had.
Në shekujt e parë të Krishterimit, figura e Anibisit, ose Anubisit, u përvetësua nga ikonografia e hershme e krishterë, në funksionin e përcjellësit të të vdekurve në botën e përtejme. Kështu, një perëndi egjiptiane u përvetësua duke u krishtëruar.
Kaq e vërtetë është kjo sa që në një kishë, të tipit bazilikë të shekullit VI, të zbuluar në Antigonea pranë Gjirokastrës, është zbuluar një mozaik që paraqet figurën e një burri me veshje etnografike shqiptare, me opinga, e që ka një kokë qeni.
Mozaiku i Antigonesë ruan kështu dëshminë më të vjetër të Shën Kristoforit të konvertuar që nga kulti egjiptian i perëndisë së Vdekjes. Shën Kristofori me kokë qeni i Antigonesë ka përpara tij figurën e një gjarpëri dhe nga pas figurën e pemës së jetës të skematizuar. Në gjoks ka tri sumbulla, që përfaqësojnë Trinitet.
Qyteti i lashtë i Antigonesë është ndërtuar nga Pirro i Madh i Epirit në shekullin IV p.e.s., për nder të gruas të tij te vdekur Antigonea. Antigonea qe vajza ilegale e mbretit Ptolemeu të Egjiptit, ku Pirroja në rininë e vet kishte jetuar në oborrin e tij për disa vjet. Ishte thjeshtra e Beronikës, gruas së Ptolemeut, Mbretëreshë e Egjiptit.
Është e kuptueshme që kulti i Perëndisë egjiptiane të vdekjes do të mbartej edhe në qytetin Antigonea. Ky kult ka mbijetuar për 10 shekuj, për t’u paraqitur i krishtëruar mozaikun e Antigonese në formën e Shën Kristoforit.
***
Kjo quhet një mitologji e sinkretizuar, ose simbiozë e mitologjisë egjiptiane dhe asaj të krishterë. Është e habitshme se si figura e Shën Kristoforit me kokë qeni u pikturua nga David Selenicasi në shekullin XVIII.
Pra, në Shqipëri kemi dy Shën Kristoforë, atë të Antigonesë dhe atë të Voskopojës. Ky është një motiv jashtëzakonisht interesant për studiuesit e dyfishtë të mitologjisë dhe të ikonografisë.
Të dyja rastet lidhen me evoluimin e figurës së Shën Kristoforit brenda për brenda shtratit të Krishterimit Lindor.
Në pikturat dhe ikonografinë e Kishës Perëndimore Evropiane, Shën Kristofori nuk paraqitet me kokë qeni, por me fytyrë njeriu dhe trup vigan. Prandaj, Erzami i Roterdamit e quan Shën Kristoforin “Polifemi i krishterë”.
***
Kështu, Shqipëria në veprat e saj të artit ruan diçka tepër të lashtë dhe origjinale, një dimension të mitologjisë egjiptiane të konvertuar çuditërisht në krishtërim.
Shën Kristofori i David Selenicës është kështu një dëshmi e mitologjisë së përzier, e paganizmit dhe e krishterimit.
Për fat të keq ky fakt nuk është bërë i njohur për studiuesit shqiptarë dhe të huaj.
Ky është kumtimi i parë i bërë nga ne për këtë subjekt tronditës.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje