LAJMI I FUNDIT:

Turqia dhe Rusia i japin fund mosmarrëveshjes mbi çmimin e gazit

Turqia dhe Rusia i japin fund mosmarrëveshjes mbi çmimin e gazit

Turqia dhe Rusia kanë nënshkruar të shtunën dy marrëveshje dhe një protokoll, për t’i dhënë fund procesit të arbitrazhit ndërmjet kompanisë turke të hidrokarbureve BOTAS dhe asaj ruse të energjisë Gazprom, si dhe për ndërtimin e linjës së dytë të gazsjellësit “Rryma Turke”.

“Në projektin e gazsjellësit ‘Rryma Turke’, një protokoll është firmosur me autoritete të qeverisë turke për ndërtimin e pjesës tokësore të linjës, e cila do të shtrihet në Evropë”, thuhet në një komunikatë të Gazprom-it, përcjell TRT.

“Krahas protokollit” – vijon komunikata – “një marrëveshje ndërmjet BOTAS-it dhe Gazprom-it është nënshkruar gjithashtu për të përcaktuar kushtet, që do të mundësojnë bërjen e hapave të nevojshme për ndërtimin e pjesës tokësore të linjës së dytë të gazsjellësit”.


Një prej këtyre hapave është edhe themelimi i shoqërisë anonime “Transporti i Gazit të Rrymës Turke”, një ndërmarrje e përbashkët turko-ruse.

Palët kanë firmosur po ashtu dokumentet e nevojshme për zgjidhjen jashtëgjyqësore të procesit të arbitrazhit mbi një mosmarrëveshje në vazhdim mbi çmimin e gazit natyror rus, që BOTAS-i ble nga Gazprom-i për të furnizuar konsumatorët turq. Sipas kësaj marrëveshjeje, procesi i arbitrazhit do të mbyllet në një të ardhme shumë të afërt. /Telegrafi/