LAJMI I FUNDIT:

Nuk ka fitues në Gjakovë dhe Gjilan

Nuk ka fitues në Gjakovë dhe Gjilan

Kanë përfunduar ndeshjet e ditës së diel në elitën e futbollit kosovar.

Pas fitoreve të Llapit dhe Drenicës, dy ndeshjet tjera kanë përfunduar ashtu siç filluan me rezultat të bardhë 0-0.

Vëllaznimi ishte nikoqir i kampionit në fuqi Trepçës ’89 në një ndeshje ku kishte spektakël në tribuna por jo edhe në fushë.


Në fund të dyja skuadrat u desh të kënaqen me nga një pikë pasi rezultati përfundimtar ishte i barabartë 0-0.

Falë kësaj pike të dyja skuadrat janë ngritur në tabelë, pasi aktualisht 89-shi zë pozitën e dytë me 13 pikë ndërsa gjakovarët një pozitë më poshtë me 12 sosh.

Ndeshjen e radhës kampioni në fuqi i Kosovës e pret Besën e Pejës, ndërsa Vëllaznimi është mysafir i Prishtinës.

Fitues nuk ka sjellë as ndeshja e zhvilluar në Gjilan mes Vllaznisë së Pozhoranit dhe Lirisë nga Prizreni.

Ndeshja e dy skuadrave nga pjesa e poshtme përfundoi me barazim 0-0.

Për Vllazninë ky ishte barazimi i parë në kampionat, ndërsa Liria ndau pikët për herë të dytë.

Pas tetë javëve në Superligë, Vllaznia ka grumbulluar katër pikë, ndërkohë prizrenasit 11 sosh.

Në javën e nëntë pozhoranasit përballën me Drenicën në udhëtim, ndërsa Liria pret Gjilanin e pamposhtur. /Telegrafi/