LAJMI I FUNDIT:

Draghi: Ekonomia e Eurozonës do të përkeqësohet

Draghi: Ekonomia e Eurozonës do të përkeqësohet

Banka Qendrore Europiane (BQE), ka mbajtur të pandryshuara normat e interesit, si dhe programin e stimujve, në 80 miliardë euro në muaj.

Anëtarët e bordit të Bankës nuk shohin asnjë rrezik të menjëhershëm në ekonominë e rajonit, pavarësisht impaktit që mund të ketë vendimi i britanikëve më 23 Qershor për të braktisur unionin.


Norma e depozitave mbetet e pandryshuar në -0.4 për qind, ndërsa ajo bazë pranë 0 për qind. Bordi pret që normat e e interesit të mbeten pranë këtyre niveleve rekord minimale për një kohë të zgjatur, edhe përtej programit të stimujve.

Ky program parashikohet të zgjasë ta paktën deri në fund të muajit Mars të vitit të ardhshëm. Mario Draghi gjatë konferencës për shtyp ndërkohë theksoi se ekonomia e rajonit ka rrezik të lartë që të përkeqësohet. Pavarësisht kësaj, Draghi flet për një ekonomi solide.

Sa i përket normës së inflacionit, Mario Draghi nënvizoi se gjatë muajve në vijim do të vijojë rimëkëmbja graduale. Dobësia e kërkesës së brendshme, pasiguritë që burojnë nga referendumi britanik, rregullimet e mëtejshme në bilanc, si dhe aplikimi i ngadaltë i reformave strukturore, janë sipas Draghit faktorët kyç që po frenojnë rritjen e Eurozonës.

Banka Qendrore Europiane shkurtoi projeksionet e rritjes ekonomike për vitin aktual, nga 1.7 në 1.6 për qind. /Telegrafi/