LAJMI I FUNDIT:

Dhoma e Posaçme lejon likuidimin e KB”Bibaj”

Dhoma e Posaçme lejon likuidimin e KB”Bibaj”

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), ka njoftuar se ka pranuar edhe një Aktvendim të lëshuar nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës me çka mundësohet përmbyllja e procesit të likuidimit për Kooperativën Bujqësore (KB) “Bibaj”, me seli në fshatin Bibaj të Ferizajit.

AKP-ja, në pajtim me Ligjin, më parë ka parashtruar kërkesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës (DhPGjSK) për aprovim të Raportit Përfundimtar dhe rrjedhimisht lejimin e mbylljes së procesit të likuidimit për këtë KB, ndërsa Dhoma e Posaçme përmes Aktvendimit e ka aprovuar këtë Raport Përfundimtar dhe ka dhënë leje për mbylljen e procesit të likuidimit për KB-në e lartcekur.

Raporti Përfundimtar sipas procedurave është postuar në web faqen zyrtare të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (www.pak-ks.org).


Njëkohësisht, Gjykata ka caktuar një afat prej 21 ditë për ndonjë ankesë eventuale ndaj këtij aktvendimi dhe pas kalimit të këtij afati ky aktvendim bëhet i plotfuqishëm dhe njoftimet për përmbyllje të likuidimit për këtë subjekt AKP do t’ia dërgoj institucioneve relevante ashtu siç edhe parashihet me Ligjin e AKP-së. /Telegrafi/