LAJMI I FUNDIT:

Kodi i jetës

Kodi i jetës

Premiera e tij u prit një kohë të gjatë. Vonesa e realizimit nuk u la pa u kritikuar, ndërsa premiera pothuajse e “varrosi” filmin e fundit të Ekrem Kryeziut, “Kodi i jetës”. Debati që nxiti ky film megjithatë duhet të shihet në një aspekt pozitiv. Mendimet po shprehen haptas, e jo nëpër tavolina të kafeneve. Por, sa janë relevante këto kritika, përderisa autokritika nuk ekziston në Kosovë!

Filmi është një art kompleks, një art që kushton shumë, sidomos në Kosovë ku nuk ka teknikë qoftë për produksioni e postproduksioni të tij. Në këtë aspekt duhet të arsyetohet edhe vonesa e premierës së “Kodit…”. Thjeshtë, buxheti të cilin e ka ofruar Qendra Kinematografike e Kosovës nuk mjafton, ndërsa mundësitë për të siguruar atë 50 përqindëshin tjetër nuk janë të lehta.

Duke pas parasysh këtë problem financiar, vonesa të tilla kohore, në finalizim, ka pasur edhe tek filmi i mëparshëm i financuar nga QKK-ja, “Gomarët e kufirit”. Por, për këtë nuk është bërë shumë zhurmë, si në rastin e fundit të filmit të Kryeziut…

Regjisori i teatrit, Jeton Budima, e ka gjykuar ashpër prodhimin e radhës të Kryeziut. Ndërsa, skenaristi dhe dramaturgu Jeton Neziraj, thotë se filmi i Kryeziut “është një dështim katastrofal, një film propagandistik i neveritshëm që nuk i bën nder as kinematografisë kosovare, as Kosovës, as luftës në Kosovë, as viktimave të kësaj lufte e askujt tjetër”.


Gjithçka lindë nga ideja. Nëse ideja është e keqe, atëherë vështirë se një film mund të jetë i mirë. Këtë është dashur ta di edhe skenaristi Neziraj, përndryshe studenti i Ekrem Kryeziut. Ai ishte në komisionin e QKK-së për përzgjedhjen e filmave, më 2009, atëherë kur ka fituar “Kodi i Jetës”. Pra, “katastrofën” duhet kërkuar fillimisht tek Neziraj. E, nëse përgjigja mund të jetë “dikush është dashur të fitoj” (konkursi i vitit 2009 njëherë anulohet, Kryeziu fiton në konkurrimin e dytë), askush nuk e ka ndaluar atë që të jap dorëheqje nga të qenit anëtar i Komisionit përzgjedhës.

Është njerëzore për të kritikuar, sepse kështu zgjohen debatet që duhet ta ndihmojnë zhvillimin e këtij arti. Dhe, është mirë që kritikohet filmi i Kryeziut, sepse meriton kritika si çdo film tjetër, qoftë në lojën e aktorëve apo në karikimet e pozitives dhe negatives. Tekefundit, përderisa janë kritikuar krijimet që sot cilësohen si kryevepra të kinematografisë botërore, Kryeziu nuk duhet të paraqes përjashtim.

Por, problemi mbase duhet shikuar nga ky aspekt: pse nuk i bëhet një analizë e thuktë filmit, por jepen përgjithësime si “katastrofal”, i “neveritshëm”, që nuk i bën nderë “kinematografisë kosovare”? Dhe, pse ky ton i ashpër i kritikës disi ishte i heshtur në përzgjedhjen e mëparshme të QKK-së, filmin “Gomarët e kufirit”?

Nëse e marrim të drejtën të flasim gjithçka që në moment mendojmë, atëherë “Gomarët…”, me skenar të Nezirajt, e paraqesin ushtrinë jugosllave më humane dhe më njerëzore se Ushtrinë e Shqipërisë. Dikush mund të pajtohet me këtë, por jo edhe me faktet historike, qoftë për rezistencën e Shaban Polluzhës, qoftë për arkivolet e ushtarëve shqiptarë që ktheheshin në Kosovë, apo për luftën e fundit në Kosovë. Mos të harrojmë se Ushtria jugosllave, si në kohën e mbretërisë, të Titos apo të Milosheviqit, ishte e dominuar nga oficerët serbë! Ndërsa, në anën tjetër, njeriu i Kosovës, idealisti i cili e do shtetin amë, është nebuloz, që sheh e nuk sheh, që do e nuk di çka do! Ky karakter mund të jetë ofendues jo vetëm për ata që etiketohen si “marksista-leninista”, por për çdo tjetër i cili e ka dashtë Shqipërinë sepse ishte shtet që – me të mirat e të këqijat e saj – e ka mbajtur gjallë shpresën e shqiptarit të Kosovës se një ditë do të bëhet më mirë.

Në anën tjetër, një shikues i Shqipërisë, që ka vuajtur nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, mbase pajtohet me përshkrimin e mësipërm. Thjeshtë, nuk është i informuar njëjtë si shqiptari i Kosovës, nuk i ka pas problemet e tij, dhe natyrisht barrë më e madhe për të ka qenë sistemi shtypës enverist. Ndërsa, një shikues i rëndomtë mund të thotë se “Gomarët…” është film i mirë, se të bën të qeshesh!

Pa hyrë në detaje të filmit si art kompleks, i përmendëm këto versione të mundshme të perceptimit, për t’u ndërlidhur me maksimën romake se shija nuk diskutohet dhe se kritikat të shumtën e herëve janë subjektive.

Kritika duhet të jetë e pashpirte, por në rastin e “Kodit…” është si bumerang! Pse? Sepse nëse Kryeziu është autor i “katastrofës”, atëherë çfarë respekti njeriu mund të ketë për studentët e tij, apo për shqiptarin e rëndomtë të Kosovës i cili nuk i takon botës së artit!

Kritikat këtu ngërthejnë edhe disa pyetje për amoralitetin në dhënien e vlerësimeve për krijimet artistike në Kosovë. Kush e ka etalonin për të dhënë vlerësime të pagabuara në Kosovë? Ai që ka lidhje e që imponohet në media? Klanet me ndikim në rrethet e kuazi-rrethet artistike? Dhe, sa janë të sakta vlerësimet përderisa gjithçka në Kosovë kritikohet – varësisht nga preferencat e klaneve – dhe pothuaj secili thotë se nuk ka vlera këtu, qoftë në teatër, qoftë në film, muzikë, pikturë etj.?

Gjatë daljes nga salla e kinemasë ABC, shumica kanë hasur edhe në mendime pozitive për “Kodin…”. Studime statistikore për këtë nuk janë bërë, e kjo nuk ka fare rëndësi, sepse edhe nëse mendojmë terr e zi për veprën e Kryeziut, prapë gjenden të tillë që e kanë pëlqyer. Nëse filmi bëhet për publikun, atëherë pse publiku paraprakisht shpallet injorant? Dhe, kush ka të drejtë në këtë rast më shumë? Një kritik lokal, dikush që e “njeh” filmin sepse “ka parë shumë filma”, apo një shikues “injorant”?!

Gjithçka është relative, ashtu siç janë edhe vlerësimet e kritikat për “Kodin e jetës”. Prandaj, në këtë aspekt është mirë të bëhet një analizë ndryshe e këtij filmi.

“Kodi i jetës” trajton jetën përmes luftës së fundit në Kosovë, mes forcave të UÇK-së dhe atyre policore e ushtarake të Serbisë. Në fokus të ngjarjes janë dy personazhe, Lani dhe Maria, të cilët i shpëtojnë vrasjeve masive. Ata i bashkon fati personal dhe ai kolektiv. Ndërsa, mbijetesa e tyre është rruga e gjatë e mbijetesës së vetë popullit shqiptar.

Ata që e njohin Ekrem Kryeziun, mbase e dinë se është dramaturgu i parë i diplomuar në Kosovë. Ai ndër të tjera është autor i një filmi të vlerësuar, “Gjurmët e bardha”, i realizuar në kohën e ish-Jugosllavisë. E përmendëm këtë film, për ta potencuar një aspekt kohor të ngritjes së tij artistike.

Kryeziu rrjedh nga një familje e persekutuar nga regjimi komunist jugosllav. Ai është rritur me frikë, dhe padyshim edhe me këshillat se duhet jetë i “urtë” për të mos e “trazuar” sistemin monist që ja ka vrarë shumë anëtarë të familjes. Andaj, që në fëmijëri, metafora i është bërë pjesë e krijimtarisë. Kjo mund të shihet më vonë te dokumentari për Muslim Mulliqin apo te “Rugova po vdes” (që është ndaluar në të ashtuquajturën “vala e zezë”, e censurimit dhe mënjanimit nga transmetimi të shumë veprave që regjimi jugosllav i kishte etiketuar si ideopolitikisht të papërshtatshme).

Kryeziu arrestohet pas demonstratave të studentëve shqiptarë të Kosovës, gjatë vitit 1981, dhe dënohet me disa vite burg, shumë nga të cilat i ka kaluar në qeli. Metafora aty doemos përforcohet, si një mekanizëm mbrojtës për mbijetesën psikike dhe fizike.

“Kodi i jetës” është film i metaforave. Simboli mbi të cilin ngritët filmi është “ringjallja” e Lanit. Mbi këtë mit, i cili pulson në etnopsikologjinë e popullit shqiptar, autori e ndërton fabulën shumë shtresore, përplot simbole, të cilat për t’i kuptuar duhet njohur stilin dhe jetën e Kryeziut.

Simboli tjetër është titulli “Kodi i jetës”, i zbërthimit të artit të të jetuarit, në një botë të urrejtjes ndërnacionale dhe ndërnjerëzore, dhe në rrafshin që trason rrugëtimin e kryepersonazhit Lani në kërkim të familjarëve të tij.

Lan Berisha është një fshatar shqiptar, i besimit mysliman, një besimtar i devotshëm që e mundi hakmarrjen e mundshme në vetvete – pas takimit me Marijën – duke e pranuar kryqin jo si shenjë ndarëse, por si shenjë të Zotit, si simbol bashkimi. Sepse, viktima të politikes serbe janë shqiptaret, si Lani mysliman me familjarët e tij, ashtu edhe Maria katolike me familjarët e saj.

Simbolet tjera shpalosen edhe te natyra e virgjër që ndeshet me dhunën vrastare. Filmi ndërlidhet mbi këtë rrafsh, duke dëshmuar se e bukura e jetës nuk mund të mundet nga dhuna dhe se bukuria e mban botën. Ky optimizëm i autorit, mbase i ndikuar edhe nga jeta personale e tij, përcillet nga fillim e deri në fund.

Metaforë tjetër është fëmija, nipi i Lanit – Lisi. Që nga emri dihet se nuk behet fjalë vetëm për një fëmijë, por për një fëmijë simbol që rritet. Gjatë tërë filmit ndërrohen pese fëmijë, por publikut i ofrohen si një i vetëm. Duket se këto ndërrime autori i bën me qellim që përmes fëmijës së parë të identifikohen të gjithë fëmijët e Kosovës, viktimat më të dhembshme të luftës.

Kur i biri i Lanit, Vetima, komandant i UÇK-s pyet “A është ky Lisi im?”, Lani nuk i thotë as po as jo, por “merre, se mjaft ka qenë ky fëmijë vetëm”. Këtu kemi të bëjmë me simbolin babë-birë. Fëmija mund të jetë i tij, por edhe mund të mos jetë. Autori, duke i ndërruar ata, mbase dëshiron të thotë se fëmijët e viktimizuar të gjithë ne duhet t’i përjetojmë si fëmijët tanë.

Simboli tjetër është Maria, vajza e dhunuar. Ajo në vete bart simbolin e Krishtit që pretendohet të jetë shpëtimtar i botes. Ajo e shpëton fëmijën pranë nënës së vrarë, dhe rrëfimin e filmit e përmbyll jo si Krishti, por me dhunë, sepse fatkeqësisht lufta e fundit tregon se dhuna e ndalon dhunën!

Rrugëtimi i këtyre tri personazheve dhe ndeshja e tyre me sfida të njëpasnjëshme, na përkujton rrugëtimin e Odiseut në kërkim të Itakës së tij. Këto personazhe e kërkojnë Itakën e tyre, limanin e paqes ku do ta gjejnë shpëtimin

Në një nga intervistat e tij, Kryeziu e ka përmendur Itakën si simbolikë që gjendet në film. Dhe kjo “Itakë” është e “lexueshme”, kuadër pas kuadri. /Telegrafi/