LAJMI I FUNDIT:

Një regjisore në Meksikë dhe një film për dhembjen: Në luftë (të Kosovës) e kupton budallallëkun njerëzor

Një regjisore në Meksikë dhe një film për dhembjen: Në luftë (të Kosovës) e kupton budallallëkun njerëzor
Pjesë nga posteri i filmit (me aktorët kryesorë, Marcelo Cero dhe Vjollca Bajraj)

Rreth filmit “El actor principal” (“Aktori kryesor”), me skenar e regji nga Paula Markovitch, me Marcelo Ceronin dhe Vjollca Bajrajn në rolet kryesore.

“Duhet të kesh guxim të sjellësh jetën dhe përvojat jetësore në punën tuaj. Ka diçka që vetëm ju mund t’ia jepni artit!”, ka thënë piktorja Mary Todd Beam. Ky përshkrim i shkon mirë regjisores Paula Markovitch, që në veprat e saj pasqyron veten dhe empatinë për të tjerët që vuajtën si të parët e saj.

Regjisorja nga babai ashkenazi (hebre i Polonisë), deri në moshën 22 vjeçare ka jetuar në Argjentinë. Më 1990 shpërngulet në Meksikë. Në kohën kur në Meksikë merr hov ajo që sot njihet si Kinemaja e Re Meksikane (unike në botë), nisë karriera e saj si skenariste. Filmin e parë të shkurtë, si regjisore, e ka realizuar më 1999 (filmi “Periférico”). Më 2011 e realizon filmin e parë të metrazhit të gjatë, “El premio”, që është një si film gjysmë-biografik që flet për ecejaket e vajzës së një disidenti politik. Ky film në vitin 2012 e ka fituar Ariun e Argjendtë në Festivalin prestigjioz të Filmit në Berlin (në Berlinale). Ndërkaq, më 2013, “El premio” e fiton çmimin Ariel – kryesorin të kinematografisë në Meksikë.

Në vitin 2019, Markovitchi e përfundon filmin e saj të tretë të metrazhit të gjatë – “El actor principal” (“Aktori kryesor”). Në këtë film – që këto ditë po shfaqet në disa festivale të botës – flitet anglishtja, gjermanishtja, spanjishtja dhe shqipja, duke dominuar këto dy të fundit. Ngjarja kryesore është e vendosur në Berlin. Etimologjia e emrit Berlin lidhet me sllavët e Perëndimit; me polabianishten e vjetër (e afërt me polonishten): me fjalën “berl” që do të thotë moçal. Në gjuhën shqipe moçali nënkupton edhe gjendjen e fjetur, amullinë, e amullia mungesën e gjallërisë. Dhe, ky përshkrim mund të jepet edhe për “Aktorin kryesor” – ngjarjen që ndërlidhet me fatet jetësore të aktorëve kryesorë të filmit, Luis dhe Azra.

Personazhi Luisi (aktori Marcelo Ceron), jeton në Iztapalapa – në zonën më të varfër e më të rrezikshme të Meksiko Sitit. Në fillim duket se është akrobat që luan me zjarr (me hullahopin që nuk e largon kurrë nga vetja); se është performues rrugësh; mbi të gjitha i humbur … Në fakt, ai është një hajn që mbijetesën e siguron me vjedhjen e pasqyrave të veturave. Një ditë, një akt i vjedhjes shndërrohet në një shpërblim (apo dënim!): e fiton rolin kryesor në një film që do ta ketë premierën ndërkombëtare në Berlinalen e vitit 2017.

Luisi në Berlin sillet si fëmijë i përhumbur. Në qytetin e kulturës; në kryeqytetin e një prej fuqive më të mëdha ekonomike, e kërkon të çrregulltën (veten). Kështu, në vend se të pushojë në dhomën e hotelit, shkon e shtrihet në peshqirët e hedhur në lavanderinë e hotelit. Nga ky moment fillon drama e filmit: e takon Azran (në rolin e Vjollca Bajrajt), pastruesen e lavanderisë. Një aktor i rastësishëm në fabulën e filmit, e takon aktoren e rastësishme të filmit (Vjollca Bajraj është mjeke që jeton dhe vepron në Meksiko Siti).

Regjisori hebreo-gjerman, Fritz Lang, ka thënë se një vepër e mirë kinematografike të jep hapësirë të interpretosh. E, fytyra e Azras, me shenja të djegies në anën e majtë, që në fillim të jep hapësirë për të interpretuar.

Por, cilën anë e vëren shikuesi më shumë?

Njerëzit me empati do ta shohin … plagën!

Dikush anën tjetër … bukurinë!

Plaga shkakton dhunë; bukuria dashurinë. Kështu, në një çast, kah fundi i filmit, Azra mund të duket se dhunohet nga Luisi. Dikush mund ta shoh atë skenë si një akt dashurie. Regjisori polak Krzysztof Kieslowski, i cili nuk i ka përfunduar kurrë filmat e tij, e që i ka pranuar të gjitha interpretimet që publiku mund t’i jepte, për këtë rast do të thoshte. “Zgjidhe njërin (interpretim)! Sepse, ne jemi ajo që shohim. E, kjo lojë interpretimesh, me të kundërtat (të njëjtat) në shumë detaje, i jep fuqi filmit, së paku për të … menduar!

Por, edhe përzgjedhja e Vjollca Barajt për të qenë pjesë e filmit, vendim ky që shpreh guximin e regjisores Paula Markovitch, të shtynë të mendosh. Regjisorja e zgjodhi një mjeke që nuk ka diplomë aktrimi. Një amatore! Mirëpo, “amator” është fjalë e bukur, sepse do të thotë “të duash” (fatkeqësisht, në Kosovë kemi shumë aktorë diletantë, me e pa diplomë, e shumë pak amatorë – njerëz që artin e bëjnë me shpirt pa pasë parasysh përfitimin material). Vjollca Bajraj nuk është se nuk e njeh skenën, meqë ka qenë ndër recitatoret më të mira në Kosovë. Në Meksikë ka deklamuar krahas aktorëve të njohur meksikanë. Ndërkaq, është lexuesja (kritikja) e parë e vargjeve të poetit të madh shqiptar, bashkëshortit të saj – Xhevdet Bajraj. Arti pra është pjesë e jetës së saj. Por, kjo përzgjedhje të shtyn të shkruash më shumë, dhe të reflektosh, sepse na kujton një bashkëbisedim mes dy kolosëve të filmit: japonezit Akira Kurosawa dhe një prej përfaqësuesve kryesorë të Valës së Re Iraniane, Abbas Kiarostamit. Kur Kurosawa shpreh habinë për punën me aktorë amatorë, Kiarostami përgjigjet: “E kam mësuar këtë nga ju … Ndonjëherë loja e aktorëve joprofesionistë më befason … Edhe puna me profesionistët nuk është aq e lehtë. Ju duhet t’i shtypni në çdo film dhe t’i bëni të rinj. Kjo është arsyeja se pse puna me aktorët profesionistë është e vështirë”! Pra, regjisorët e mëdhenj i shkundin aktorët – qofshin ata nga më të mirët – nga përvojat e tyre. Kështu ka vepruar regjisori Milos Forman me veprën “Amadeus” dhe skenën kur Wolfgang Amadeus Mozarti (aktori Tom Hulce) ia dikton Antonio Salierit (aktori fitues i çmimit Oscar, F. Murray Abraham), partiturat e “Rekuiemit të Vdekjes” (“Lacrimosa”). Skenari ndërron para xhirimeve, pa e ditur aktori Abraham. Në atë skenë, i papërgatitur se çfarë po ndodhë, ai është i humbur, sepse i humbur duhet të jetë secili që do ta dëgjonte idenë e një gjeniu si Mozarti.

“Aktrimi nuk ka të bëjë me famën po me hulumtimin e shpirtit të njeriut”, ka thënë aktorja kanadeze Annette Bening. E, kush mund të mos e shpërfaq shpirtin, të humbasë para kamere, kur ballafaqohet me të kaluarën e hidhur? Kush ka më shumë empati për dhembjen sesa dikush – në këtë rast Vjollca Bajraj – që në luftën e fundit në Kosovë i humbi afro 50 anëtarë të familjes së gjerë (në mesin e të cilëve babanë dhe dy dajallarë)?

Në lavanderinë e hotelit shpërfaqet rastësia. Aktori që rastësisht u bë personazh në një film, e takon një personazh që u kap nga kameramanët e huaj në skenat e deportimit masiv të shqiptarëve të Kosovës – të atyre që ikën prej skenave të tmerrit të shkaktuara nga pushteti që zbërthehet më së miri me vargjet e Xhevdet Bajrajt: “Piqnin e zienin në zjarre shtëpish / hanin e pinin nga kafka shqiptarësh / sikur të mos ishin njerëz / sikur të mos ishim njerëz / apo jo Zot / derisa vera i ktheu në dhéun e tyre /  kur u majmën nga vdekja”!

Kështu, njeriu që luante me zjarrin, takon viktimën e zjarrit. Të dy viktima të realitetit që e ndërtojnë të tjerët për ta. Luisi dhe Azra dinë ndonjë fjalë anglisht. Por, ata kuptohen më së miri kur flasin me gjuhët e tyre amtare: në spanjisht e në shqip. Sepse, vuajtja nuk ka barriera gjuhësore; se dhembja e bën secilin të jetojë në moçal, i vetmuar. Këtë e kupton secili familjarë hebre i regjisores. E, këtë dhembje nuk e shëron as fama në film, as një jetë e sigurt në Gjermani përderisa e kaluara të ndjek si mallkim.

Në lavanderi përmbysen rolet: Aktori kryesor i “Aktorit kryesor” bëhet pjesë e lojës së Azras e cila në skutat e braktisura e lavanderisë e ka krijuar një botë paralele – të çrregullt si jeta e saj dhe e Luisit. Ajo është e vdekur për së gjalli (siç vdiq Xhevdet Bajraj, kur gjatë luftimeve në Rahovec u detyrua të ndahej nga familja, sikur të ishte hera e fundit që do t’i shihte). Ajo nuk mund ta harrojë vrasjen e kushëririt me të birin dhe trupat e tyre të përqafuar që për tri orë nuk mund të ndaheshin; nuk mund ta harrojë vajzën e saj të vogël, varrin e së cilës ende nuk e di. “Ndoshta ishte një ëndërr për mua”, thotë ajo. Një ëndërr (dikur) sa një ankth (sot). “Në luftë të dhëmbin të gjitha eshtrat; edhe eshtrat e të vdekurve … Në luftë e kupton gëzimin; e kupton budallallëkun njerëzor … Mendoj në vogëlushen dhe për flokët e saj nëpër flakë”, vazhdon rrëfimi i saj (në shqip, në të folmen gegçe, siç janë këngët që dëgjohen në film, të kënduara nga vëllezërit e Vjollca Bajrajt). Dhe, Luisi e dëgjon me vëmendje. E kupton mirë. Sepse, dhembja ka gjuhë universale. Është e vërteta më e madhe.

Në situatë të tillë, njeriu me empati ku do të donte të ishte?

Luisi braktis premierën. Fama nuk shëron plagë. Ai kthehet në lavanderi. Mund të jetë kthyer shkaku i pendesës. Empatisë. Apo, për ndonjë arsye tjetër. Sepse, siç ka thënë Oliver Stone, “filmat janë subjekt i  një milion interpretimeve”.

Diçka tjetër që vlen të përmendet është se në kohën kur në Kosovë flitet shumë për temat e luftës, se si nuk trajtohen sa duhet ato, këtë plagë e shpërfaqi një regjisore që jeton në Meksikë. Me buxhet të vogël, pa asnjë efekt piroteknik. Pothuajse tërë filmi xhirohet me skenografi të gatshme. Pjesa më e madhe në një ambient të mbyllur. Veç rekuizitat janë ato që e pasurojnë konceptin e regjisores. Kamera lëviz në ambiente të mbyllura; fokusi ndryshon shpeshherë thuajse loja konceptohet nga vendi i përshtatshëm i kameramanit apo i aktorëve. Krejt natyrshëm. E njëjta vlen edhe për korridoret e hotelit, lokalet apo rrugët e Berlinit. Këta shembuj demantojnë kërkesat megalomane të shumë regjisorëve shqiptarë, që në vend të idesë dhe zhvillimit të saj flasin më shumë për buxhetin. Kjo tregon se producentët duhet të punojnë për të mirën e filmit e jo për të mirën personale, Dhe, mbi të gjitha tregon se regjisori duhet të ketë guxim e dije, dhe se ideja e mirë përçohet përmes cilitdo ambient e cilësdo gjuhë.

Për fund, duhet cekur se dikush mund ta quajë këtë film “të rënd”. Në fakt, është i pazakonshëm për shumicën që nuk i njohin kinematë më ndryshe, më poetike të kohës, si të Iranit, të Libanit … dhe të Meksikës. Azra (emër arab që në një interpretim shqip i bie Fisnike), sipas konceptit fillestar të regjisores ka qenë boshnjake – viktimë e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Pasi ajo njihet me çiftin Xhevdet dhe Vjollca Bajraj, filmi përqendrohet te Kosova … te lufta si dhembje universale. Prandaj, pa hyrë në detaje tjera, për fund vlen ta citojmë kritikun e madh të filmit, Roger Ebert: “Filmat që nxisin empatinë janë më të fuqishëm se ata që objektivizojnë problemet”, kudo qofshin ato. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Thënie të Bismarckut: Një ditë një luftë e madhe evropiane do të ndodhë për shkak të ndonjë budallallëku në Ballkan!

Thënie të Bismarckut: Një ditë një luftë e madhe evropiane do të ndodhë për shkak të ndonjë budallallëku në Ballkan!

Kulture
Piktori shqiptar që theu rregullat e socrealizmit, jetën e të cilit e shkatërroi komunizmi

Piktori shqiptar që theu rregullat e socrealizmit, jetën e të cilit e shkatërroi komunizmi

Piktura
MILINGONA

MILINGONA

Fjala+
“PSE SHKOVE”

“PSE SHKOVE”

Poezi
“Zona e interesit” është portretizimi i fajësisë

“Zona e interesit” është portretizimi i fajësisë

Filmi
I ÇMENDURI QË ECTE ME KËMBËT E TIJ

I ÇMENDURI QË ECTE ME KËMBËT E TIJ

Fjala+
Kalo në kategori