YouTube-rat me rekorde të reja: Kjo mund të ndryshojë të ardhmen e realizimit të filmave

Nga: Brian Stelter / CNN (titulli: YouTubers are setting box office records. It could change the future of moviemaking)
Përkthimi: Telegrafi.com
Dy filmat më të suksesshëm në Amerikë për momentin, Dhoma e pasme [Backrooms] dhe Obsesioni [Obsession], vijnë nga regjisorë në të njëzetat që e zhvilluan talentin e tyre në YouTube.
Filmat e tyre u realizuan me buxhete relativisht të ulëta dhe u promovuan onlajn. Tani që po mbushin kinematë me adoleshentë dhe të rinj që rrallëherë shkojnë në kinema, i gjithë Holivudi po u kushton vëmendje, ndërsa ekspertët parashikojnë se studiot do ta kopjojnë, shumë e shumë herë, këtë model të realizimit të filmave.
Obsesioni, me regji nga 26-vjeçari Curry Barker, doli në kinema më 15 maj. I xhiruar me rreth 750 mijë dollarë, filmi horror me humor të errët ka fituar deri tani pothuajse 150 milionë dollarë - një kthim marramendës investimi për produksionet Focus Features dhe Blumhouse Productions.
Pastaj erdhi Dhomat e pasme, me regji nga 20-vjeçari Kane Parsons, i cili e zhvilloi projektin për vite me radhë në kanalin e tij në YouTube.
Parsonsi kishte një buxhet më të madh - rreth 10 milionë dollarë - dhe aktorë të njohur si Chiwetel Ejiofor, Renate Reinsve dhe Mark Duplass. Por, gjithsesi, ishte befasuese të shihej se si Dhomat e pasme dominoi arkën e të hyrave - kaq bindshëm - gjatë fundjavës së premierës.
- YouTube
Filmi horror psikologjik zuri vendin e parë në të hyra në fundjavë, duke gjeneruar rreth 80 milionë dollarë në Amerikën e Veriut dhe 120 milionë dollarë në mbarë botën - me shitjet e biletave të nxitura nga Brezi Z.
Studioja A24, e cila është përpjekur fuqishëm të mbështesë regjisorët e rinj, tha se Parsonsi tani renditet si regjisori më i ri në historinë e Holivudit që ka publikuar një film që përfundoi në vendin e parë në të hyrat e fundjavës.
Obsesioni ishte në vendin e dytë në fundjavë, duke e shtyrë filmi Lufta e yjeve: Mandaloriani dhe Grogu [Star Wars: The Mandalorian and Grogu], që ishte shfaqur një javë më parë, në vendin e tretë.
Për shumicën e filmave, fundjava e hapjes është më fitimprurësja, ndërsa shitjet e biletave bien gradualisht më pas. Por, Obsesioni vazhdon të rritet: Focus Features tha të dielën se, “duke përjashtuar periudhën e Krishtlindjeve, Obsesioni është filmi i parë që nga viti 1982 që ka shënuar rritje në arkën e të hyrave gjatë fundjavës së dytë dhe të tretë.”
Pra, çfarë do të thotë kjo seri suksesi? Epo, do të thotë se të rinjtë janë vërtet të gatshëm të blejnë bileta kinemaje nëse njohin dhe lidhen me talentin e epokës së YouTube-it.
- YouTube
Dhe, do të thotë se studiot e Holivudit do të ndjekin suksesin e Obsesionit dhe Dhomave të pasme duke kërkuar në platformat e videove onlajn për autorin e ardhshëm të madh.
Madje, mund të nënkuptojë që disa drejtues studiosh do të vendosin edhe disa baste më shumë mbi konceptet origjinale, në vend të filmave të njohur me vazhdime të parashikueshme.
Duplassi, i cili luan rolin e një shkencëtari në Dhomat e pasme tha në një video në rrjetet sociale se këta dy filma po i jepnin industrisë së filmit “një fije shprese.”
“Kemi një shembull të krijuesve që punojnë gjatë për të zhvilluar idetë e tyre, i publikojnë onlajn dhe ndërtojnë një audiencë,” tha ai. “Dhe, tani njerëzit që kontrollojnë financat do ta vënë re ... sepse e shohin çfarë mund të bëjnë në arkë në formën e këtyre dy filmave që po tejkalojnë pritshmëritë.”
Producentët dhe agjentët kanë kohë që po ndërtojnë një urë lidhëse nga YouTube-i drejt Holivudit. Dhe, shitjet e fuqishme të biletave dimrin e kaluar për filmin e vetëfinancuar Mushkëritë e hekurta [Iron Lung] të jutuberit [YouTuber] Mark Fischbach, treguan potencialin për sukses.
Megjithatë, siç shkroi skenaristi Zack Stentz në X, “Duket si një moment i vërtetë kulturor në përvojën e shkuarjes në kinema, duke parë zumerat [zoomer] që e zhvilluan mjeshtërinë e tyre duke bërë video të shkurtra në YouTube të kalojnë te filmat artistikë, ashtu siç bënë regjisorët e MTV-së në vitet ’80 dhe fëmijët e Sundance-it në vitet ’90 të shekullit XX.”
Steven Zeitchik nga The Hollywood Reporter shkroi se sukseset e jutuberëve janë “një lëkundje, në mos shenjat e para të një shembjeje të sistemit të studiove të mbështetur te trashëgimia.”
Ky moment, shkroi Zeitchik, ka të bëjë shumë më tepër sesa me zbulimin e talenteve të reja. Platforma YouTube, në pronësi të Alphabet-it, i bën regjisorët të famshëm, transmeton punën e tyre, i ndihmon të lidhin partneritete me brende dhe ua jep një megafon të madh marketingu.
“Kjo është një dukuri e krijuar, e nxitur dhe e kontrolluar nga krijuesit dhe nga kompania më e madhe në botë që i amplifikon ata,” shkroi ai.
Duke folur në një konferencë të industrisë të shtunën, bashkëdrejtuesi i Warner Bros-it, Michael De Luca, tha se regjisorët si Parsonsi, i cili “punoi mbi Dhomat e pasme për pesë vjet”, janë “në dialog me audiencën e tyre që nga momenti i parë. Abonentët e tyre japin kontribut të drejtpërdrejtë në çdo version të këtyre projekteve.”
Dhe, “derisa arrin te filmi,” tha ai, “ata kanë pasur një miliard shfaqje testuese.” /Telegrafi/










































