Djali që u rrëmbye nga nëna e tij dhe u detyrua të fshihej nga bota

I detyruar të jetonte larg vëmendjes për gjashtë vjet, si fëmijë, Alex Batty rikujton hapat e tij nëpër Evropë dhe flet për herë të parë kalvarin e tij.
Nga: Etan Smallman / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Rreth orës dy të mëngjesit, në një ditë të dhjetorit të vitit 2023, një shofer u ndalua nga një autostopues i rraskapitur dhe i lagur nga shiu në një rrugë pa ndriçim rrëzë Pirenejve në jugperëndim të Francës.
Djali anglez përdorte emrin Zach, por u deshën vetëm pak minuta që fasada të shembej. “Emri im është Alex Batty,” tha ai. “Dhe, jam rrëmbyer.”
Shtatëmbëdhjetëvjeçari ishte zhdukur në vitin 2017, në moshën njëmbëdhjetëvjeçare, gjatë pushimeve me nënën dhe gjyshin e tij, duke lënë pas një gjyshe të shkatërruar shpirtërisht, Susanan - kujdestaren e tij ligjore - në Oldam të Mançesterit të Gjerë.
Si ishte e mundur që, në ditët e sotme, një treshe britanikësh të qëndronte jashtë radarit për gjashtë vjet? Përgjigjja - që përfshin teori konspirative të onlajnit, një komunitet të ngjashëm me kultet në Spanjë dhe Francë, si dhe një histori tragjike izolimi dhe neglizhence - rrëfehet plotësisht për herë të parë në dokumentarin e ri të BBC Three, Rrëmbyer nga nëna ime [Kidnapped by My Mum].
Në filmin me metrazh të gjatë, Alexi - tashmë 20 vjeç dhe i mbuluar me tatuazhe - përgatitet të rikthehet në vendet ku kaloi adoleshencën e tij duke biseduar me një psikolog klinik. “Dua të zbuloj çfarë kërkonte nëna ime dhe pse ishin të nevojshme masat kaq drastike,” thotë ai, duke shtuar se ka frikë se çdo zbulim “do ta bëjë atë disi të keqe.”
Dokumentari përfshin gjithashtu intervista me ekipe policore në të dy anët e Kanalit dhe me miqtë “autonomë” që nëna e tij, Melanie, kishte njohur gjatë rrugës.
Origjina e këtij rasti të jashtëzakonshëm gjendet te zhytja e Melanies dhe e babait të saj David në botën e keqinformimit onlajn, gjë që nisi kur Alexi ishte rreth gjashtë vjeç.

Melanie, e cila kishte përfunduar studimet për drejtësi, por nuk e kishte ushtruar kurrë profesionin, u bë, sipas fjalëve të nënës së saj, “konspiracionistja më e madhe që mund të imagjinosh ndonjëherë.” Në një video onlajn, Melanie i thotë kamerës: “Duhet ta rimarrim botën tonë.” Në një rast tjetër: “Hidhini në plehra të gjitha gazetat tuaja koti dhe hyni në internet.” Ajo madje iu bashkua një ideologjie antiqeveritare të quajtur “qytetari sovran.” E bindur se “të gjitha hipotekat janë mashtrim,” ajo e bindi Davidin të ndalonte pagesat e hipotekës, derisa përmbaruesit mbërritën për ta dëbuar familjen - përfshirë Alexin - në mes të natës.
Melanie më vonë shkoi në Bali “për një udhëtim pune,” duke e lënë djalin e saj me gjyshen. Susana, e shqetësuar për mungesën e arsimimit që po merrte Alexi, pasi nëna e tij ishte kthyer edhe kundër sistemit shkollor, aplikoi me sukses për t’u bërë kujdestarja e tij ligjore.
Pasi Alexi kishte jetuar me të për dy vjet, Susana pranoi kërkesën e Melanies për ta marrë me vete me pushime në Marbella. Por, bota e saj u shemb kur iu dërgua diçka që i ngjante një videoje pengmarrjeje.
“Dua të jetoj me nënën dhe gjyshin tim,” lexonte 11-vjeçari Alex nga një tekst i përgatitur me kujdes. “Është çnjerëzore të më marrësh nga vajza jote. Mos kërko nga askush të na kërkojë ... Mirupafshim.”

Pastaj Alexi, Melanie dhe Davidi u zhdukën nga faqja e dheut. Gjatë një vizite në një McDonald’s në Marbella, Alexit i thanë ta hidhte telefonin dhe pasaportën në kosh bërlloku. Pa përdorur llogari bankare apo karta krediti, kërkimi për grupin u bë i pamundur - edhe pse kishte nisur një hetim urgjent ndërkombëtar për persona të zhdukur.
Të arratisurit ia vunë vetes emrat e rinj, të cilët i përdornin edhe privatisht. Melanie u bë Rose, Davidi u bë Pete dhe Alexi u bë Zach. Alexi gjithashtu u bind se nëse do të kthehej në shtëpi, nëna dhe gjyshi i tij do të arrestoheshin, ndërsa gjyshja do ta hidhte atë në rrugë.
Në dy vjetët e para, ata jetuan në shtëpinë “me dyer të hapura,” të hipikes Trixie, një britanike e vendosur në qytetin valencian Villalonga, duke bashkëjetuar me nomadë të tjerë të etur për t’u çliruar nga ligjet dhe taksat - përfshirë një natyralist italian.

Duke folur për momentin kur pa raportimet për rrëmbimin e Alexit, Trixie thotë: “U tmerrova. M’u duk shumë e trishtueshme që ata do të konsideroheshin kriminelë, ata njerëz të mirë e të dashur.” Ajo vendosi “se nuk ishte puna ime”, duke i thënë Alexit gjithashtu: “Asnjëherë nuk pata ndjesinë se ti ishe këtu kundër vullnetit tënd.”
Pas izolimit të Kovidit, familja Batty u zhvendos në Bugarak të Francës (një fshat që tërheq spiritualistë të epokës së re dhe njerëz të bindur se bota po shkon drejt fundit). Davidi dhe Alexi siguronin jetesën duke bërë punë fizike për një çift francez që menaxhonte një Airbnb dhe që i lejoi të jetonin në aneksin e tyre. Ishte 45 minuta larg me makinë nga kampi ku jetonte Melanie - dhe ku atyre u kërkohej rregullisht të dorëzonin paratë.
“Ajo ishte shumë e zënë duke bërë punë shpirtërore,” thotë Alexi. “Mua më detyruan të punoja që në moshën 14-vjeçare. Ajo ishte plotësisht e aftë të punonte, por nuk punoi kurrë.” Ai shton: “Nuk donte të punonte si pastruese, pa ndonjë arsye. Nëna gjithmonë mendonte se ishte shumë e mirë për gjëra të tilla.”

Familja jetoi sërish së bashku në kampin e Melanies për gati një vit, me Alexin që kujtonte se hanin vetëm një vakt në ditë, “makarona me salcë dhe asgjë tjetër, vetëm Zotin e di për sa kohë.”
Pasi shpërthyen debatet mes nënës dhe djalit lidhur me bindjet e saj shpirtërore, ajo e dëboi nga furgoni - që kishte ngrohje, ujë dhe energji elektrike - duke e lënë ta kalonte gjithë dimrin në një tendë.
Dokumentari flet me pronarët e kampit, të cilët zbulojnë për herë të parë se kishin kontaktuar shërbimet sociale, duke raportuar atë që ata e konsideronin abuzim, por u thanë se meqë Alexi ishte i huaj dhe pa dokumente zyrtare, ata nuk mund të ndërhynin.
“Jam shumë i zemëruar që askush nuk bëri asgjë,” thotë Alexi pasi zbulon se vitet e humbura të fëmijërisë dhe shkollimit të tij mund të ishin shpëtuar. “Isha 15 vjeç.”
Byroja franceze e shërbimeve sociale u tha realizuesve të filmit se nuk mund të komentonte “për shkak të konfidencialitetit.”

Një tjetër mundësi e humbur erdhi pasi pronari i Airbnb-së mësoi për etjen e Alexit për arsimim dhe e çoi në një kolegj informatike. Ai pranoi shpejt emrin e tij të vërtetë dhe, pasi stafi kërkoi në Google lajmet onlajn, drejtori shkoi në komisariatin më të afërt.
“Mendoj se u kontaktuan pesë departamente të ndryshme policie dhe asnjëri nuk na mori seriozisht,” thotë kolegu i tij. E fundit, policia kombëtare, dërgoi oficerë të cilët folën me Alexin nën pretekstin se po kërkonin një makinë të vjedhur, por hetimi përfundoi aty. Policia nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Pasi nëna e tij e dërgoi, në moshën 16-vjeçare, të jetonte në një shtëpi të lëvizshme të izoluar dhe të punonte me një burrë që “zemërohej aq shumë sa prisja të më godiste,” Alexi u largua drejt shtëpisë së një të panjohuri tjetër. “Fillova të kuptoja se kjo nuk është ajo që duhet të bëja,” thotë ai. “Duhet të jem në kolegj dhe nuk jam. Jam i bllokuar në një mal në Francë.”
Një debat me nënën e tij për një video “me të cilën nuk isha dakord” ishte pika e fundit. Alexi u arratis në mes të natës, por, ende i frikësuar se të afërmit e tij mund të arrestoheshin, eci për dy ditë për të humbur gjurmët nga policia.

Pasi u kthye në Mançester, ai u mor në pyetje në një komisariat policie - pamje që shfaqen për herë të parë në dokumentar. Megjithatë, ai vazhdoi aktrimin: “Gënjeva pa pushim ... për të mbrojtur nënën dhe gjyshin tim.”
Oficerët përfundimisht e mbyllën hetimin për mungesë provash. Melanie refuzoi të komentonte për BBC-në, ndërsa Davidi nuk u përgjigj.
Ndërkohë, Alexi tani ka përfunduar GCSE-në [diploma e shkollës së mesme] në anglisht dhe matematikë - dhe, që nga janari, është bërë baba i një vajze.
Në film, ai shihet duke i dërguar Melanies një mesazh emocional - për herë të parë që nga arratisja e tij: “Përshëndetje nënë, e di sa shumë kujdesesh për mua dhe e di se gjithçka që ke dashur ndonjëherë ishte të më mbroje. Ju dua të dyve.” Ndërsa vendos të mos kthej përgjigje ndaj mesazheve të saj, “për një kohë,” ai pret me padurim një moment kur mund ta vizitojë “dhe të kaloj kohë mirë, në vend që nëna ime të më imponojë gjërat siç bënte dikur.”
Gjithmonë i sjellshëm dhe i matur, ai thotë se ende është “i mërzitur” nga veprimet e nënës së tij, “por, bisedat me të gjithë këta njerëz më hapën sytë përse ajo bëri atë që bëri. I gjithë ky udhëtim më ka rilidhur disi me nënën dhe gjyshin tim, në mendjen time, dhe më ka bërë të dua ta rindërtoj atë urë përsëri.”
Dokumentari është qartësisht një akt katarsisi për Alexin. Dhe, për shikuesin, ai paraqet një vështrim tronditës mbi rrugën e errët ku teoritë konspirative të onlajnit mund t’i çojnë njerëzit e zakonshëm. /Telegrafi/



















































