Policia e Kosovës jep detaje për aksidentin ku humbi jetën futbollisti Fatjon Bunjaku

Policia e Kosovës ka dhënë detaje zyrtare lidhur me aksidentin tragjik që ndodhi në orët e para të mëngjesit në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, në të cilin humbi jetën futbollisti 22-vjeçar, Fatjon Bunjaku.
Sipas njoftimit, aksidenti ka ndodhur më 07 qershor 2026, rreth orës 00:55, në segmentin rrugor në zonën e fshatit Maxhunaj, në Vushtrri, ku është përfshirë një veturë me drejtues dhe dy pasagjerë.
Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të Policisë së Kosovës:
“Aksident trafiku me fatalitet në Vushtrri. Më 07 qershor 2026, rreth orës 00:55, në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, në segmentin rrugor në zonën e fshatit Maxhunaj, ka ndodhur një aksident trafiku ku është përfshirë një veturë.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i automjetit dhe dy pasagjerë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.
Ndërsa rreth orës 07:50, nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) është pranuar njoftimi se, përkundër përpjekjeve të personelit mjekësor, drejtuesi i automjetit viktima mashkull 22 vjeçar, ka vdekur si pasojë e lëndimeve të marra në aksident.
Me urdhër të prokurorit kompetent, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Hetuesit e Njësisë Rajonale të Trafikut janë duke zhvilluar hetime për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit".
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar. /Telegrafi/



































