E quajti "vrasës", Rama i reagon Krasniqit të VV-së

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas një komenti të bërë në rrjetin social Facebook nga Alban Krasniqi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe bashkëshort i ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, i cili e kishte quajtur atë “vrasës”.
Rama, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se gjuha e përdorur ndaj tij nuk e ndryshon, siç është shprehur ai, përgjegjësinë ligjore dhe institucionale.
“Gjuha e urrejtjes nuk e ndryshon ligjin! Alban Krasniqi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe bashkëshort i Presidentes së Republikës së Kosovës, m’paska quajtur ‘vrasës’”, ka shkruar Rama.
Ai ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për përdorim të gjuhës së linçimit dhe ka deklaruar se përgjegjësitë institucionale përcaktohen me ligj.
Sipas Ramës, verifikimi i sigurisë teknike të vinçave, kontrolli i dokumentacionit teknik dhe mbikëqyrja e masave për sigurinë në punë janë kompetencë e Inspektoratit Qendror të Punës.
“Sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës, verifikimi i sigurisë teknike të vinçit (kranit), kontrolli i dokumentacionit teknik, inspektimi i pajisjes, si dhe mbikëqyrja e zbatimit të masave të sigurisë dhe shëndetit në punë janë kompetencë ekskluzive e Inspektoratit Qendror të Punës, institucion i nivelit qendror”, ka deklaruar Rama.
Kryetari i Prishtinës ka thënë se Inspektorati i Kryeqytetit ushtron kompetencat e tij në bazë të Ligjit për Ndërtim, duke mbikëqyrur kushtet e lejeve ndërtimore dhe përputhshmërinë e punimeve me projektet e miratuara.
Ai ka paralajmëruar padi ndaj personave që, sipas tij, kanë shpifur ndaj tij lidhur me këtë çështje.
“Alban Krasniqi, ti dhe të gjithë të tjerët që keni shpifur do të paditeni!”, ka shkruar Rama.
Në reagimin e tij, Rama ka kritikuar edhe qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, duke bërë akuza për mënyrën e ushtrimit të pushtetit dhe raportet me institucionet e tjera.
Reagimi i Ramës vjen pas komentit të Krasniqit në një postim të tij në Facebook, ku ky i fundit kishte shkruar: “Jo mirëmëngjesi, por alo prokuroria, o vrasës”.
Deri në publikimin e këtij lajmi, Alban Krasniqi nuk ka bërë një reagim tjetër lidhur me deklaratat e Ramës. /Telegrafi/







































