Një delegacion sindikal, i kryesuar nga kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, është pritur në takim nga kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, dhe drejtori i Arsimit, Sabri Xhigolli.

Në takim morën pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Ymer Ymeri, si dhe kryetari i nivelit komunal të SBASHK-ut në Fushë Kosovë, Haki Krasniqi.


Sipas njoftimit të sindikatës, takimi është zhvilluar në frymë bashkëpunuese, ndërsa në fokus kanë qenë çështjet që lidhen me punëtorët e arsimit, forcimi i bashkëpunimit ndërmjet sindikatës dhe institucioneve komunale, si dhe zgjidhja e problemeve konkrete përmes dialogut institucional.

Një nga çështjet kryesore të diskutuara ishte statusi i 18 mësimdhënësve, të cilët deri tani nuk kanë qenë pjesë e listës së rregullt të pagave.

Sipas BSPK-së dhe SBASHK-ut, në takim është konfirmuar se këta mësimdhënës, duke filluar nga muaji gusht, do të përfshihen në sistemin e rregullt të pagave.

Delegacioni sindikal e ka vlerësuar këtë si një hap të rëndësishëm për mësimdhënësit, të cilët, sipas tyre, kanë pritur për një kohë të gjatë për zgjidhjen e statusit të tyre.

Në takim është diskutuar edhe gjendja e 25 punëtorëve teknikë, të cilët, sipas informatave të paraqitura nga përfaqësuesit sindikalë, nuk kanë realizuar pagat që nga shtatori i vitit 2025.

Përfaqësuesit e sindikatës kanë kërkuar që edhe për këtë kategori të gjendet një zgjidhje sa më shpejt.

Një tjetër temë e diskutimit ka qenë zhvillimi i arsimit në Fushë Kosovë dhe planet për zgjerimin e rrjetit të çerdheve, përfshirë edhe zonat rurale të komunës.

Po ashtu, është diskutuar mundësia e bashkëpunimit ndërmjet Komunës dhe SBASHK-ut për organizimin e trajnimeve për mësimdhënës dhe aktiviteteve të tjera që synojnë zhvillimin profesional të punëtorëve të arsimit.

Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, dhe drejtori i Arsimit, Sabri Xhigolli, kanë shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit me përfaqësuesit sindikalë.

Sipas sindikatës, gjatë takimit është theksuar rëndësia e komunikimit të drejtpërdrejtë dhe gjetjes së zgjidhjeve konkrete për çështjet që preokupojnë punëtorët e arsimit.

Delegacioni sindikal e ka vlerësuar pozitivisht takimin, duke shprehur gatishmërinë e BSPK-së dhe SBASHK-ut për të vazhduar dialogun institucional me Komunën e Fushë Kosovës.

“Dialogu i sinqertë, komunikimi i drejtpërdrejtë dhe gatishmëria për të kërkuar zgjidhje konkrete janë rruga më e mirë për tejkalimin e problemeve dhe krijimin e kushteve më të mira për punëtorët e arsimit dhe institucionet arsimore”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut. /Telegrafi/