Banorët e Miradisë së Ulët mund ta konsumojnë ujin për pije

KRU “Prishtina” ka njoftuar se uji nga rrjeti i ujësjellësit në fshatin Miradi e Ulët në Fushë Kosovë rezulton i pijshëm dhe brenda parametrave të lejuar, pas analizave laboratorike.
Lajmin e ka njoftuar KRU “Prishtina”, e cila ka bërë të ditur se ka pranuar rezultatet e analizave kimike të realizuara nga kompania.
Sipas rezultateve, uji nga rrjeti i ujësjellësit është brenda standardeve të lejuara dhe nuk paraqet rrezik për konsum.
Nga verifikimet e kryera është konstatuar se kontaminimi i evidentuar më herët ka ardhur si pasojë e një problemi teknik në rrjetin e ujësjellësit. Konkretisht, bëhet fjalë për defekte në gypa, të cilat mund të kenë mundësuar përzierjen e ujit të puseve me ujin e rrjetit.
KRU “Prishtina” ka bërë të ditur se situata është verifikuar përmes analizave laboratorike dhe se rezultatet e fundit konfirmojnë përshtatshmërinë e ujit për konsum. /Telegrafi/









































