Orikumi i Vlorës u kthye të shtunën e kaluar në një pikë takimi për profesionistë të turizmit, hotelerisë dhe eksperiencave premium, gjatë eventit “Open Day” të organizuar nga Aura Voyage Yachts, një kompani e specializuar në ofrimin e jahteve me qira dhe eksperiencave të personalizuara përgjatë bregdetit shqiptar.

Ekipi i Telegrafit vizitoi nga afër hapësirën ku u prezantuan jahtet, koncepti i shërbimit dhe itineraret që Aura Voyage Yachts ofron për vizitorët vendas dhe ndërkombëtarë. Gjatë eventit, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen me flotën e kompanisë, të diskutojnë mundësitë e bashkëpunimit dhe të përjetojnë nga afër një xhiro me jaht në ujërat e Orikumit.


Aura Voyage Yachts synon të sjellë një standard të ri të turizmit detar në Shqipëri, duke kombinuar luksin, komoditetin dhe njohjen lokale të destinacioneve më të bukura përgjatë Rivierës Shqiptare. Kompania ofron jahte të përzgjedhura për udhëtime ditore, pushime më të gjata në det, transfere luksoze, evente private dhe aktivitete sportive ujore.

Në fokus të prezantimit ishin disa nga jahtet kryesore të flotës, përfshirë Sunseeker 56 Flybridge, një jaht 18.6 metra i gjatë, me kapacitet deri në 14 mysafirë, tri kabina dhe dy anëtarë të ekuipazhit. Ky model ofron një përvojë të rehatshme dhe elegante për ata që kërkojnë një ditë të veçantë në det apo një itinerar më të gjatë përgjatë bregdetit.

Një tjetër jaht i prezantuar ishte Ferreti 39 Flybridge, me gjatësi 12 metra dhe kapacitet deri në 12 mysafirë. Me dy kabina dhe ekuipazh profesional, ky jaht është i përshtatshëm për një udhëtim familjar, çift apo eksperienca ekskluzive në det.

Po ashtu, pjesë e ofertës është edhe Dyna 45 Flybridge, një jaht 13.7 metra i gjatë, me kapacitet deri në 14 mysafirë, dy kabina dhe dy anëtarë të ekuipazhit. Ky model ofron një alternativë më kompakte, por po aq të përshtatshme për udhëtime ditore dhe eksplorim të bregdetit.

Përveç jahteve, Aura Voyage Yachts ofron edhe itinerare të gatshme drejt disa prej destinacioneve më të veçanta të bregdetit shqiptar dhe Mesdheut, si Gadishulli i Karaburunit, Gjipe, Dhërmi, Palasë, Krorez, Kakome, si dhe destinacione përtej Shqipërisë, përfshirë Santa Maria di Leuca, Gallipoli dhe zona të tjera të Adriatikut dhe Jonit.

Eventi në Orikum ishte gjithashtu një hapësirë rrjetizimi për aktorët e sektorit të turizmit dhe mikpritjes, me synim krijimin e bashkëpunimeve të reja dhe promovimin e Shqipërisë si destinacion për turizëm luksoz detar. Atmosfera u pasurua edhe nga prania e verës Medaur, e cila i dha eventit një dimension shtesë elegance dhe shije mesdhetare.

Përmes kësaj përvoje, Aura Voyage Yachts synon të pozicionojë Shqipërinë si një destinacion të rëndësishëm për charter-yachts në Mesdhe, duke promovuar jo vetëm bukuritë natyrore të bregdetit, por edhe potencialin e vendit për të zhvilluar shërbime turistike të nivelit të lartë.

Me bazë në Rivierën Shqiptare dhe me një ekip lokal që njeh mirë destinacionet, Aura Voyage Yachts ofron një qasje të personalizuar për çdo klient, nga zgjedhja e jahtit deri te planifikimi i itinerarit. Për vizitorët që kërkojnë një përvojë ndryshe në Shqipëri, deti tashmë nuk është vetëm pjesë e pamjes, por pjesë e eksperiencës. /Telegrafi/