LAJMI I FUNDIT:

“Clinti më ngjante me një mace”: Sergio Leone për rolin që e bëri Eastwoodin një yll filmi

“Clinti më ngjante me një mace”: Sergio Leone për rolin që e bëri Eastwoodin një yll filmi

Nga: Francis Agustin / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Një burrë veshur me një ponço të pluhurosur dhe me një kapelë në kokë, lëviz në një rrugë të zbrazët në një qytet të shkretuar. “Bëjë gati tri arkivole”, udhëzon ai një zdrukthëtar përpara se të përballet me burrat që e kishin tallur. “Gabimi im”, shtoi ai pasi vrau banditët. “Katër arkivole”. Ky është një nga momentet që përcaktoi pushkatarin e rreptë të luajtur nga Clint Eastwood në Një grusht me dollarë [A Fistful of Dollars, 1964], film që ndryshoi rrjedhën e kinemasë.

Në një intervistë të vitit 1977 me reporterin e BBC, Iain Johnstone, Eastwood shfaqej në një mjedis më ndryshe dhe me sjellje të tjera. I hareshëm dhe simpatik, aktori kishte pak ngjashmëri me protagonistin e ashpër dhe të ngurtë të vesternit të Sergio Leones.


Lexo po ashtu: Kur John Wayne thoshte se Clint Eastwoodi e ka shkatërruar vesternin

Në fillim, kujtoi Eastwood, ai “nuk ishte shumë” i interesuar për t’iu bashkuar një filmi evropian me buxhet të ulët. Ai nuk ishte i panjohur në botën e vesternit, pasi në atë kohë luante në serialin e famshëm televiziv Rawhide. “Më pëlqeu [Një grusht me dollarë] dhe ndjeva se ndoshta një qasje evropiane do t’ia jepte një shije të re vesternit”.

Ndonëse e cilësonin të duhur zgjedhjen e Eastwoodit, Leone fillimisht kishte në mendje James Coburnin. “Doja më shumë James Coburnin, por ai ishte shumë i shtrenjtë”, tha regjisori italian për BBC. Në atë kohë, Eastwoodi ishte opsioni më i përballueshëm, duke kushtuar rreth 15 mijë dollarë (152 mijë dollarë ose 138 mijë euro më 2024) krahasuar me Coburnin me rreth 25 mijë dollarë (254 mijë dollarë ose 230 mijë euro më 2024). “Nuk e pashë asnjë karakter në serialin Rawhide, vetëm një figurë fizike”, tha Leone. “Ajo që më preku më shumë tek Clinti ishte mënyra e tij e ngathët e lëvizjes. Më dukej se Clinti ngjante më shumë me një mace”.

Epikat e suksesshme që kishin mbretëruar gjatë Epokës së Artë të Holivudit, filluan të zbeheshin në popullaritet në vitet 1960. Leone, i cili në atë kohë ishte i mirënjohur për regjinë e filmave italianë me buxhet të ulët, vendosi të sfidonte veten me vesternin amerikan.

Rezultati ishte Një grusht me dollarë (i cili për herë të parë u dha në kinematë e Italisë me titullin Per un pugno di dollari), i cili ishte shumë më ndryshe nga filmat paraardhës të këtij zhanri. Bazuar në tregimin e samurajëve të Akira Kurosawas, Yojimbo, filmi u përqendrua te “Xhoi” që luhej nga Eastwoodi emocionalisht i ftohtë, i cili njihej si Njeriu pa Emër dhe i cili për të fituar para nxiti një luftë të bandave në qytetin meksikan të San Migelit. Filmi bashkoi një kastë dhe një ekip nga e gjithë ShBA-ja dhe disa vende evropiane. Siç tha Eastwood, filmi ishte “bashkëprodhim italo-gjermano-spanjoll i ribërjes së një filmi japonez në fushat e Spanjës”.

“Unë i dija fjalët ‘arrivederci’ dhe ‘buongiorno’ dhe ai [Leone] dinte ‘goodbye’ dhe ‘hello’ dhe kjo ishte e tëra”, tha Eastwood për BBC. “Më pas ai mësoi pak anglisht, unë mësova pak italisht – dhe të dy pak spanjisht – dhe vazhduam tutje”.

Aktorët i thoshin fjalët në gjuhën amtare, të cilat më pas dubloheshin në italisht dhe anglisht për audiencën përkatëse të filmit. Skenari përbëhej nga një “koncept italian se çfarë mund të jetë një zhargon i vesternit”, tha Eastwood.

Kritikët italianë e panë filmin kur u dha premiera në Itali më 12 shtator 1964. Recensionet negative pasuan në vendet e tjera. “Sadizmi i filmit ishte fyes nëse nuk do të kishte të qeshura neutralizuese”, shkroi kritiku britanik Philip French në “The Observer”. Kur filmi u shfaq në ekranet në ShBA, në vitin 1967, komentet atje ishin të ngjashme. “Pothuajse klishe vesterni … është film sintetik, jashtëzakonisht morbid, i dhunshëm”, shkroi Bosley Crowther në “New York Times”. Debutimi i filmit në ShBA u vonua për disa vjet sepse distributorët amerikanë kishin frikë se mos do të paditeshin nga Kurosawa, i cili kishte ngritur padi kundër Leones për kopjimin e Yojimbo-s.

Publikimi i vesternit inaugurues të Leones nxiti shfaqjen e vesternit all’Italiana, një nënzhanër i filmave të prodhuar në Itali, i cili në gjuhën e përditshme u bë i njohur si “spageti-vestern”. Fjala “spageti” ishte nga përbuzja fillestare e kritikëve ndaj këtij realizimi ndërkombëtar.

“U desh pak kohë që Leone të ndikojë në filmat amerikanë, sepse fillimisht kritikët përçmuan filmat e tij dhe të kolegut të tij Sergio Corbucci”, thotë Mary Ann McDonald Carolan, profesoreshë dhe përgjegjëse e Studimeve Italiane në Universitetin e Ferfildit. “Spageti-vesterni u konsiderua si version me buxhet të ulët, ekzagjerim qesharak i vesternit ‘të vërtetë’”.

Ndryshe nga homologët e tyre tradicionalë, spageti-vesterni u përqendrua te anti-heronjtë dhe merrej me paqartësitë morale. Xhoi i Eastwoodit nxiti konfliktin midis dy bandave rivale të kontrabandistëve, me qëllim të vjedhjes së thesarit të tyre; vetëm kur lëndohen njerëzit e pafajshëm, ai ndërhyn për të neutralizuar bandat. Spageti-vesterni kishte më shumë dhunë, ndonjëherë ndaj grave dhe fëmijëve. Sipas Carolanit, vesternët tipikë amerikanë lavdëruan shtrirjen drejt perëndimit dhe idealizuan Perëndimin e Egër, ndërsa spageti-vesterni përmbysi atë pikëpamje. Duke theksuar dhunën, këta filma ishin gjithashtu një kritikë ndaj dekadës së politikës së trazuar globale, veçanërisht në mes të Luftës së diskutueshme të Vietnamit.

Për shkak të pengesave gjuhësore gjatë prodhimit, dialogu u bë më i thjeshtë dhe më i rrallë, duke ndihmuar në shfaqjen e stilit të veçantë regjisorial të Leones. Skenat dhe partiturat muzikore mahnitëse nga kompozitori Ennio Morricone, u bënë marka të “spageti-vesternit” të Leones. “Filmat e mi janë në thelb filma pa zë”, tha ai për BBC. “Dialogu thjesht ia jep një peshë”. Stili i tij ka jehonë në veprat e Quentin Tarantinos dhe Robert Rodriguezit, të cilët që të dy janë ndër regjisorët e mëdhenj të filmit që kanë përmendur ndikimin e Leones.

Një grusht me dollarë e transformoi Eastwoodin nga një aktor televiziv në një gjigant të ekranit të argjendtë. Ai vazhdoi të luajë në vazhdimet e trilogjisë, Për ca dollarë më shumë [For a Few Dollars More] dhe I miri, i keqi, i shëmtuari [The Good, the Bad and the Ugly].

“Ashtu si Jimi Hendrixi që shkoi në Angli për t’u bërë i famshëm, tre vesternët që Eastwoodi bëri për Leonen, hapën karrierën e tij të shkëlqyeshme”, thotë David Irving, regjisor dhe profesor i asociuar në Shkollën e Arteve të Universitetit të Nju-Jorkut. “Leone i dha jetë të re vesternit”.

Pavarësisht kritikave të para, Një grusht me dollarë kishte shikues dhe u bë hit komercial në Evropë dhe në ShBA, duke fituar 14.5 milionë dollarë në nivel global. Vazhdoi të rritet në popullaritet në dekadën pas publikimit të tij dhe të ketë adhurues mes njohësve të kinemasë. Filmi ka vazhduar të frymëzojë veprat e tjera, në forma të shumta mediatike, nga filmat vizatimorë te videolojërat, si dhe regjisorët, ndërsa Leone pas vdekjes u nderua në Festivalin e 67-të të Filmit në Kanë, më 2014, kur Një grusht me dollarë u shfaq në natën përmbyllëse, duke treguar transformimin nga “një vestern i rrejshëm” drejt një klasiku të mirëfilltë. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Diaspora shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore

Diaspora shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore

Kulture
“Në kërkim të historisë mesjetare arbërore”

“Në kërkim të historisë mesjetare arbërore”

“Jam i lumtur që i mashtrova ata që vdiqën para meje”

“Jam i lumtur që i mashtrova ata që vdiqën para meje”

Fjala+
Surrealizmi

Surrealizmi

ZEMËR E FTOHTË

ZEMËR E FTOHTË

Poezi
KUJDES ME FJALËN

KUJDES ME FJALËN

Kalo në kategori