Goditje e rëndë për Man Cityn – pas Guardiolës edhe super ylli kërkon largimin nga klubi

Manchester City mund të humbasë edhe një tjetër lojtar kyç, teksa një “eksod” pas largimit të trajnerit Pep Guardiola duket se është në horizont.
Pas humbjes 2-1 ndaj Aston Villës në “Etihad Stadium” në ditën e fundit të sezonit të Ligës Premier, legjenda e Manchester Cityt, Guardiola, i dha zyrtarisht fund aventurës së tij me klubin.
Gjatë 10 viteve në krye, trajneri katalanas e udhëhoqi Cityn drejt 17 trofeve madhorë, përfshirë gjashtë tituj në Ligën Premier dhe një triumf në Ligën e Kampionëve.
Pas konfirmimit se 55-vjeçari po largohet, kanë qarkulluar thashetheme për të ardhmen e disa prej lojtarëve kryesorë të klubit, me shumë prej tyre të lidhur me largime gjatë verës.
Me dritaren e transferimeve që pritet të hapet zyrtarisht të hënën, më 15 qershor, City ka ende kohë të mjaftueshme për të bërë përpjekje që t’i bindë lojtarët të qëndrojnë, sidomos pasi të shpallë trajnerin e ri.
Megjithatë, duket se mund ta ketë të vështirë të bindë një lojtar në veçanti, pasi raportohet se Ruben Dias tashmë i ka kërkuar agjentit të tij të shqyrtojë opsionet për një transferim në të ardhmen e afërt.
Sipas Caught Offside, ky zhvillim ka ngjallur interesin e disa prej klubeve më të mëdha në Europë, me Paris Saint-Germainin, Bayern Munichun dhe Real Madridin që po e monitorojnë nga afër situatën.

Dias iu bashkua Cityt në vitin 2020 dhe nënshkroi një kontratë të re katërvjeçare me klubin në vitin 2025, duke e mbajtur atë në “Etihad” teorikisht deri në vitin 2029.
Ai ka zhvilluar 255 paraqitje në të gjitha garat për Cityn dhe është shndërruar në një aset kyç në mbrojtje, ndërsa vlera e tij aktuale në treg vlerësohet rreth 60 milionë euro.
Nga të gjitha klubet e përmendura, Real Madridi pritet të paraqesë ofertën më joshëse nëse vendos zyrtarisht ta ndjekë 29-vjeçarin.
Gjigantët spanjollë besohet se janë në kërkim të mbrojtësve të rinj të qendrës, teksa synojnë të zëvendësojnë David Alaban dhe Antonio Rudigerin, ndërsa Dias mund të jetë përshtatja ideale./Telegrafi/









































