Historia e Betim Fazliji është një prej atyre rrëfimeve që tregojnë se futbolli nuk ka të bëjë vetëm me talentin, por edhe me forcën mendore, sakrificën dhe karakterin.

Mesfushori kosovar ka marrë ftesë nga Kosova për ndeshjet e muajit qershor ndaj Çekisë dhe Andorrës, duke kompletuar një rikthim emocional pas më shumë se tri vitesh të mbushura me lëndime, rehabilitim dhe momente jashtëzakonisht të vështira.


Në kohën kur po kalonte formën më të mirë të karrierës së tij dhe po bëhej gjithnjë e më i rëndësishëm për St. Gallen dhe Kombëtaren e Kosovës, gjithçka ndryshoi në nëntor të vitit 2023.

Gjatë një stërvitjeje me klubin zviceran, Fazliji pësoi këputje të ligamenteve në gjurin e majtë, një lëndim që e la jashtë fushave për plot 368 ditë.

Pas një viti të tërë rehabilitim, sakrificë dhe pune intensive, ai u rikthye më në fund në fushë. Por rikthimi zgjati shumë pak.

Vetëm katër paraqitje pas kthimit, Fazliji u aktivizua si titullar ndaj Baselit dhe pas vetëm tetë minutash lojë pësoi një tjetër goditje të rëndë: këputje të ligamenteve në gjurin e djathtë më 22 shkurt 2025.

Një tjetër fillim nga zero. Nga ai moment, mbrojtësi kosovar qëndroi edhe 414 ditë jashtë fushave, duke e çuar në 782 numrin total të ditëve larg futbollit në tri vitet e fundit.

Megjithatë, ai nuk u dorëzua asnjëherë dhe është rikthyer sërish, fitoi Kupën e Zvicrës me St Gallenin dhe mori ftesën e Kombëtares së Kosovës pas më shumë se tre vitesh.

telegrafi.com

“E kam pritur gjatë këtë ditë të rikthehem në Kombëtare, e kam ëndërruar gjatë gjithë kësaj kohe. Kam kaluar më 700 ditë jashtë fushave shkaku i ligamenteve të këputura në të dy gjunjët, por gjithmonë kam ëndërruar për një moment të tillë”, deklaroi Fazliji.

Ai nuk e fshehu krenarinë për rikthimin te “Dardanët”.

“Krenaria që më jep fanella e Kombëtares nuk ma jep asgjë tjetër në futboll. Jam shumë i lumtur që jam rikthyer pas tre vitesh te Kosova dhe gjithmonë do të jap më të mirën për vendin tim”, përfundoi Betim Fazliji.

Ai ka thënë se është bërë shumë më i fortë nga ato lëndime dhe tani sheh përpara për të arritur suksese të reja me St Gallenin dhe Kombëtaren dardane.

"Ka qenë periudhë e vështirë, shumë sakrificë, shumë punë, lot e dhimbje, por ia dola të rikthehem. Tani këto dy lëndime më kanë bërë shumë më të fortë dhe do të vazhdoj të punoj shumë që ta ndihmojë klubin tim St Gallen dhe Kombëtaren time të arrijmë suksese të reja", përfundoi Fazliji.

Fazliji pas rikthimit në fushë nga lëndimi, ka luajtur në shtatë ndeshje me St Gallenin, gjashtë në Superligën e Zvicrës dhe një në Kupën zvicerane. St Gallen ka fituar Kupën e Zvicrës pas një sezoni të jashtëzakonshëm dhe ky vit duket se është viti i Betim Fazlijit. /Telegrafi/

telegrafi sport app